Lexuesit pyesin . . .
A ka pasur Perëndia një fillim?
▪ Bibla përgjigjet se Perëndia nuk ka pasur një fillim. Ai ka ekzistuar gjithmonë. Sado i vështirë të jetë për t’u kuptuar koncepti i përjetësisë së Perëndisë, nuk mund ta hedhim poshtë vetëm ngaqë nuk mund ta kuptojmë plotësisht.
A është e arsyeshme të pretendojmë të kuptojmë tërë udhët e Perëndisë? Apostulli Pavël deklaroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!» (Romakëve 11:33) Mendja jonë nuk mund ta kuptojë plotësisht thellësinë e mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë, ashtu si një foshnjë nuk mund të kuptojë gjithçka në lidhje me prindërit. Këto fjalë të frymëzuara të Pavlit, megjithëse i referohen kryesisht natyrës unike të mençurisë dhe të mëshirës së Perëndisë, lënë të kuptojmë se ka aspekte të Perëndisë Jehova dhe të mënyrës si vepron ai që janë tepër të thella për mendjen tonë. Me sa duket një prej këtyre aspekteve është edhe koncepti se Perëndia nuk ka një fillim. Sidoqoftë, mund të kemi besim absolut tek ajo që mëson Bibla për Perëndinë. Jezu Krishti tha për Shkrimet e Shenjta: «Fjala jote është e vërteta.»—Gjoni 17:17.
Moisiu i tha në lutje Jehovait: «Ti gjithmonë ke qenë dhe gjithmonë do të jesh.» (Psalmi 90:2, The Holy Bible, New Century Version) Këtu Moisiu thotë për ekzistencën e Perëndisë se shtrihet në dy drejtime. Njëri është drejt së ardhmes. Jehovai është ‘Ai që rron në jetë të jetëve’. (Zbulesa 4:10) Pra, ekzistenca e Perëndisë shtrihet përpara në të ardhmen e përjetshme. Drejtimi tjetër është në të shkuarën. Me fjalë të tjera, Perëndia as u krijua, as erdhi në ekzistencë. Përkundrazi, ekzistenca e tij shtrihet pas në të shkuarën e pafundme.
Shumica prej nesh e ka të vështirë të kuptojë idetë abstrakte. Megjithatë, ndonjëherë duhet të pranojmë disa koncepte të vështira si për shembull, numrat pozitivë dhe negativë. Numrat mund të vazhdojnë pa fund qoftë ata pozitivë, qoftë ata negativë. A nuk mund ta zbatojmë këtë shembull për vitet e jetës së Krijuesit?
Kështu, është me vend që vetëm Perëndia mban titullin unik ‘Mbreti i përjetësisë’. (1 Timoteut 1:17) Vetëm mendo pak: Jezu Krishti, mijëra e mijëra engjëjt në qiell dhe njerëzimi në tokë, kanë të gjithë një fillim, sepse u krijuan. (Kolosianëve 1:15, 16) Por nuk është kështu për Perëndinë. Po të këmbëngulim se Perëndia duhet të jetë krijuar, futemi në arsyetime të pakuptimta dhe në një rreth vicioz se kush e krijoi Krijuesin. Vetëm Jehovai ekziston «nga përjetësia në përjetësi». (Psalmi 90:2, The New American Bible) Me fjalë të tjera, Jehovai ka ekzistuar «në gjithë përjetësinë e kaluar».—Juda 25.
Por, ki parasysh se koncepti i ekzistencës së përjetshme të Perëndisë nuk është thjesht një fakt i ftohtë. Një shqyrtim më nga afër i lutjes së Moisiut zbulon se përjetësia e Perëndisë na garanton premtimin e dashur të jetës së përhershme. Në kontrast me kohëzgjatjen e shkurtër të jetës sonë tani, Perëndia përshkruhet si «një strehë e vërtetë për ne nga brezi në brez». Ashtu si një Atë i dashur, Jehovai i është gjendur, i gjendet dhe do t’i gjendet pranë gjithmonë popullit të tij. Urojmë të marrësh zemër nga kjo e vërtetë e mrekullueshme!—Psalmi 90:1.