Një botues i hershëm ndihmon për përhapjen e Biblës
HISTORIA e librave dhe e rrotullave të shkruara me dorë është mijëravjeçare. Por, librat e shtypur nuk janë aq të vjetër. Librat e parë të shtypur që njihen, u prodhuan në Kinë në vitin 868 të e.s. duke përdorur blloqe druri të gdhendura për të bërë stampimet. Rreth vitit 1455 në Gjermani, Johan Gutenbergu shpiku shtypin me shkronja metalike të lëvizshme dhe prodhoi Biblën e parë të shtypur në latinisht.
Megjithatë, vetëm disa vjet më vonë pasi botimi i librave ishte bërë industri e mirëfilltë, shpërndarja e Biblës dhe e librave të tjerë mori vërtet vrull. Nurembergu u bë qendra e industrisë gjermane të botimeve dhe Anton Kobergeri, i lindur në atë qytet, mund të ketë qenë i pari që shtypi e botoi Biblën në shumë kopje dhe në shkallë ndërkombëtare.
Njerëzit e të gjitha kulturave u janë borxhlinj botuesve të hershëm të Biblës, përfshirë edhe Anton Kobergerit. Kështu, le të shqyrtojmë më nga afër Kobergerin dhe veprën e tij.
«Interesi për një libër—Biblën»
Kobergeri hapi shtypshkronjën e parë në Nuremberg në vitin 1470. Në kulmin e saj, në firmën e tij funksiononin njëkohësisht 24 makina shtypi dhe ishin punësuar 100 tipografë, artizanë dhe punëtorë të tjerë në Bazel, Strasburg, Lion dhe në qytete të tjera evropiane. Kobergeri botoi shkrime të mesjetës në latinisht dhe shumë nga literatura shkencore e asaj kohe. Gjatë karrierës së tij prodhoi 236 vepra. Disa prej tyre kishin qindra faqe dhe të gjitha ishin shtypur një nga një në makina shtypi që manovroheshin me dorë.
Shkronjat me cilësi të lartë të Kobergerit bënë që librat e tij të ishin të famshëm për bukurinë dhe shkrimin e lexueshëm. Historiani Alfred Bërkeli shkruan: «Kobergeri gjithmonë këmbëngulte që të përdorte shkronja të sapoderdhura dhe me konture të qarta. Shkronjat e konsumuara nuk lejohej të përdoreshin.» Përveç kësaj, shumë nga librat dhe Biblat e Kobergerit përfshinin ilustrime të stampuara nga relieve druri.
Që nga fillimi e deri në fund të karrierës së Kobergerit, «kudo shihet interesi për një libër—Biblën», shkroi jetëshkruesi i tij, Oskar Haze. Kobergeri dhe kolegët e tij bënë përpjekje të mëdha për të gjetur tekstet më të sakta të Biblës që ekzistonin. Kjo detyrë nuk duhet të ketë qenë e lehtë, meqë shumë dorëshkrime në pergamena ishin thesaret e çmuara të disa manastireve dhe jepeshin hua për kopjim vetëm për një kohë të shkurtër, për të mos thënë fare.
Biblat në latinisht dhe gjermanisht
Kobergeri shtypi 15 herë Biblia Latina (Bibla në latinisht), ku botimi i parë doli në vitin 1475. Disa botime përfshinin ilustrime të arkës së Noesë, të Dhjetë Urdhërimeve dhe të tempullit të Solomonit. Në vitin 1483, Kobergeri shtypi Biblia Germanica (Bibla në gjermanisht) me një tirazh prej rreth 1.500 kopjesh, që ishte një numër i madh për atë kohë. Kjo Bibël përmbante mbi 100 ilustrime të stampuara nga relieve druri me qëllim që të ngjallnin interesin e lexuesve, të qartësonin tekstin dhe t’u sillnin ndër mend historitë e njohura biblike atyre që nuk mund t’i lexonin. Figurat në këtë Bibël ndikuan ndjeshëm më vonë tek ata që bënin ilustrime biblike, sidomos në rastin e Biblave në gjermanisht.
Bibla në gjermanisht e Kobergerit e vitit 1483 u bë shumë e njohur, por siç rrodhën ngjarjet, do të ishte i vetmi botim i saj në gjermanisht që do të prodhonte Kobergeri. Ndonëse botuesit e tij i kishin përshtatur me kujdes fjalët që të ishin në përputhje me Vulgatën në latinisht, pra botimin e miratuar nga kisha, ai e kishte bazuar versionin e tij në një përkthim të ndaluar valdez të shekullit të 14-të.a Një vit më pas, papa Inocenti VIII filloi të shkatërronte komunitetet valdeze. Pas kësaj, kundërshtimi i kishës ndaj Biblave në gjuhët e zakonshme vazhdoi të rritej. Më 22 mars 1485, kryepeshkopi Bertold i Majncit, në Gjermani, nxori një shpallje që dënonte përkthimin e Biblës në gjermanisht. Më 4 janar të vitit pasues, Bertoldi e përsëriti shpalljen. Në atë atmosferë të nderë, Kobergeri nuk guxoi më kurrë ta shtypte Biblën në gjermanisht.
Megjithatë, Anton Kobergeri nuk u mundua më kot. Ai pati një rol parësor në përdorimin e artit të saposhpikur të shtypit dhe bëri të mundur që librat e llojeve të ndryshme të ishin më pak të kushtueshëm dhe në dispozicion të njerëzve në Evropë. Në këtë mënyrë, vepra e Kobergerit ndihmoi që ta vinte Biblën në duart e njerëzve të thjeshtë.
[Shënimi]
a Shih artikullin «Valdezët: Nga herezia në protestantizëm», në Kullën e Rojës 15 mars 2002.
[Figurat në faqen 26]
Nga e majta në të djathtë: Ilustrim i Danielit në strofkën e luanëve stampuar nga relieve druri; shkronjat e para të bëra nga një fletë ari; shkronja me konture të qarta
[Figura në faqen 26]
Kobergeri
[Figurat në faqen 26]
Detaje të Biblave të Kobergerit në latinisht dhe gjermanisht, ku tregohen dekorime me shkëlqim dhe komente për Zanafillën 1:1
[Burimet i figurave në faqen 26]
Të gjitha fotografitë nga Bibla: me mirësjellje nga Biblioteka e Shoqërisë Biblike Amerikane; Kobergeri: Mit freundlicher Genehmigung der Linotype GmbH