BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w12 1/1 f. 12-15
  • Atje ku kufijtë s’bëjnë ndarje

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Atje ku kufijtë s’bëjnë ndarje
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Unitet në një luginë të përçarë
  • Baza e një bashkimi të çeliktë
  • Masat për vendet e adhurimit
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
  • Ja vendi ynë i adhurimit!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
w12 1/1 f. 12-15

Atje ku kufijtë s’bëjnë ndarje

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen me të gjitha forcat t’i kapërcejnë pengesat mes popujve. Ata e marrin për zemër parimin që mbartin fjalët e Jezuit drejtuar dishepujve: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8) Kjo ilustrohet për bukuri në dy godinat që Dëshmitarët i përdorin për adhurim​—njëra në Portugali dhe tjetra në Spanjë.

QYTETI i rrethuar me mure i Valensia-do-Minjos, në Portugalinë Veriore, u ngrit në kohë të rrezikshme. Bedenat e saj janë me pamje nga lumi i Minjos, kufiri mes Spanjës dhe Portugalisë. Matanë lumit shtrihet qyteti spanjoll i Tuit, me një katedrale që më tepër duket si fortesë. Fortifikatat kryesore të Tuit dhe Valensias datojnë në shekullin e 17-të, kur Spanja dhe Portugalia ishin në luftë.

Në vitin 1995 postat kufitare dhe doganat mes këtyre vendeve të Bashkimit Evropian, u bënë gjëra të së kaluarës. Por të bashkosh popuj do më tepër punë se të heqësh pikat kufitare. Përfshin mendjen dhe zemrën. Në Valensia ndodhet një godinë e vogël tërheqëse që tregon si mund të hiqen pengesat mes popujve. Është një vend adhurimi​—një Sallë e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait—​që e përdor një kongregacion i Dëshmitarëve spanjollë dhe një portugez.

Kjo histori nisi në vitin 2001, kur Dëshmitarët në Tui u gjendën ngushtë për një Sallë Mbretërie të re. Ata duhej t’i linin godinat që kishin marrë me qira dhe s’kishin mjaft para për të ndërtuar një sallë të re. Edhe të merrnin me qira një pronë tjetër nuk ua mbante xhepi, pasi ishin kongregacion i vogël. Prandaj, Dëshmitarët spanjollë pyetën vëllezërit portugezë në Valensia nëse mund ta përdornin bashkë sallën e tyre, e cila ndodhej vetëm pak kilometra larg qendrës së Tuit.

Eduardo Vila, një pjesëtar i kongregacionit të Tuit në Spanjë, kujton: «E diskutuam vendimin në një mbledhje në dhjetor të vitit 2001. Kur u largova nga ajo mbledhje, kuptova se Jehovai ua kishte prekur zemrat vëllezërve tanë portugezë. Ata ishin bërë copë që të ndërtonin një Sallë Mbretërie tërheqëse dhe të forcohej besimi kur shihje me sa gatishmëri e ndanë me ne atë që kishin.»

Amériku Almeida, një Dëshmitar portugez që ishte i pranishëm në atë mbledhje, thotë: «I mirëpritëm vëllezërit spanjollë që erdhën te Salla jonë e Mbretërisë. Kishim besim se Jehovai do ta bekonte këtë masë, dhe vendimin e morëm unanimisht.» Dëshmitarët e të dyja anëve të kufirit shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. «Mund të tingëllojë e çuditshme, por nuk na duket se vijmë nga dy shtete të ndryshme. Jemi vëllezër në besim»,—thotë Paolo nga Valensia.

Një nga gjërat e para që vizitorët vënë re brenda Sallës së Mbretërisë, janë dy orë identike të varura në mur, të cilat nuk e tregojnë orën njëlloj. Spanja është një orë përpara Portugalisë, por ndryshimi në zonat orare është e vetmja gjë që stonon në Sallën e Mbretërisë. Kur ndërtesa kishte nevojë të restaurohej, një Komitet Rajonal i Ndërtimit në Spanjë, mbikëqyri punëtorë entuziastë nga të dyja kongregacionet. «Shumë zanatçinj erdhën nga Spanja për të na ndihmuar dhe disa bënë më tepër se 160 kilometra rrugë. Projekti e çimentoi përzemërsinë mes kongregacioneve»,—kujton Paolo.

Le të shohim një shembull të dytë se si janë kapërcyer sfidat e kufijve.

Unitet në një luginë të përçarë

Puigthertha është një qytet spanjoll në kufi me Francën. Shtrihet në zemër të një lugine pjellore të rrethuar nga majat e larta të maleve Pirenej. E gjithë lugina, e njohur si Serdanja, njëherë e një kohë ishte pjesë e Spanjës. Por, në vitin 1659, në një marrëveshje paqeje të njohur si Traktati i Pirenejve, Spanja i dorëzoi Francës gjysmën e luginës.

Sot francezët e bëjnë pazarin në Puigthertha, qyteti kryesor i luginës. Që nga viti 1997, edhe Dëshmitarët e Jehovait në Puigthertha ua kanë hapur dyert e Sallës së Mbretërisë vëllezërve e motrave nga Franca. Në atë vit, Dëshmitarët francezë duhej ta linin pronën që kishin me qira. Salla e Mbretërisë më e afërt në Francë ishte një orë larg me makinë dhe, gjatë muajve dimërorë, qafa e lartë e malit që duhet kaluar për të arritur atje, shpesh bllokohet me borë.

Kur Dëshmitarët francezë shpjeguan nevojën urgjente për një vend mbledhjeje, Dëshmitarët spanjollë ofruan menjëherë Sallën e tyre të Mbretërisë. «Tërë vëllezërit spanjollë u ndien shumë të gëzuar që do ta përdornim bashkë me ta sallën. Natyrisht që kjo frymë buronte nga stërvitja që kemi marrë për vite me radhë nga Shkrimet. Pak javë më vonë, nisëm ta përdornim bashkë Sallën e Mbretërisë dhe këtë e kemi bërë për 13 vjet deri tani»,—kujton Premi, një Dëshmitar vendës.

Eriku, një mbikëqyrës në kongregacionin francez, shpjegon: «Për kongregacionin tonë, Puigthertha ishte vendi ideal për një Sallë Mbretërie. E kam ende të gjallë në mendje mirëseardhjen e ngrohtë që na dha kongregacioni spanjoll. Ata e stolisën sallën me një buqetë të madhe me lule dhe me një tabelë ku shkruhej: ‘Jeni të mirëpritur vëllezër e motra të dashura.’»

Eriku shton: «Njerëzit kujtonin se kongregacioni ishte shpërbërë ngaqë mbyllëm Sallën tonë të Mbretërisë në Francë. Por s’kaloi shumë dhe predikimi ynë i zellshëm në atë zonë​—që përfshinte shpërndarjen e ftesave të shtypura për të ndjekur mbledhjet tona në Spanjë—​tregoi krejt të kundërtën. Të interesuarit vijnë me kënaqësi te salla në Spanjë. Veç kësaj, jemi afruar më shumë me vëllezërit tanë spanjollë ngaqë përdorim të njëjtën sallë. Më përpara e dinim se ekzistonte një kongregacion spanjoll matanë kufirit, por s’para kishim kontakte me ta. Tani që e takojmë rregullisht njëri-tjetrin, nuk ndihemi kaq të izoluar në këtë luginë të thellë malore.»

A kanë shkaktuar ndonjë parehati ndryshimet kulturore? «Kur mora vesh se do t’i mbanim mbledhjet përtej kufirit, në Spanjë, u merakosa pak,—pranoi një Dëshmitare franceze në të 80-at.—Por, falë mikpritjes dhe mirëdashjes që na treguan vëllezërit në Puigthertha, ky ndryshim s’përbënte kurrfarë problemi. Përkundrazi, ka qenë një mundësi për të vërtetuar unitetin ndërkombëtar të popullit të Jehovait.»

Baza e një bashkimi të çeliktë

Themeluesit e bashkimit të Evropës kanë thënë se vendet anëtare ishin «të vendosura të hidhnin bazat e një bashkimi edhe më të fortë mes popujve të Evropës». Në vitet 80 dhe 90 u hoqën postat kufitare që të përshpejtohej ky proces. Por pengesat duhen kapërcyer edhe në mendje.

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort ta shkulin me gjithë rrënjë paragjykimin dhe mungesën e besimit. Ata e kuptojnë se larmia kulturore i pasuron si popull dhe se «Perëndia nuk është i anshëm». (Veprat 10:34) Në kongreset e tyre ndërkombëtare dhe në Sallat e Mbretërisë, ata e kanë parë «sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet». (Psalmi 133:1) Uniteti që Dëshmitarët nga Valensia dhe Puigthertha kanë farkëtuar me vëllezërit nga shtetet fqinje është dëshmi e gjallë për këtë.

[Diçitura në faqen 13]

«Mund të tingëllojë e çuditshme, por nuk na duket se vijmë nga dy shtete të ndryshme. Jemi vëllezër në besim»

[Diçitura në faqen 14]

«Projekti e çimentoi përzemërsinë mes kongregacioneve»

[Diçitura në faqen 15]

«Sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» PSALMI 133:1

[Figura në faqet 12, 13]

Pamje e Tuit dhe e lumit Minjo nga Valensia-do-Minjo, qyteti i rrethuar me mure

[Figura në faqen 14]

Duke restauruar Sallën e Mbretërisë

[Figura në faqen 15]

Pirenejtë dhe lugina Serdanja

[Figura në faqen 15]

Dy pleq nga dy kongregacione​—njëri spanjoll dhe tjetri francez—​që mblidhen në Sallën e Mbretërisë në Puigthertha

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo