«Ji shumë i fortë dhe guximtar»
«Ji shumë i fortë dhe guximtar . . . unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.»—JOS. 1:7-9.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
Në cilat mënyra treguan guxim Enoku dhe Noeja?
Në ç’mënyrë ishin shembuj besimi e guximi disa gra të lashtësisë?
Cilët shembuj guximi të fëmijëve ju bëjnë përshtypje?
1, 2. (a) Çfarë nevojitet ndonjëherë që të veprojmë me drejtësi në jetën e përditshme? (b) Ç’do të shqyrtojmë?
GUXIMI është e kundërta e frikës, e druajtjes dhe e burracakërisë. Një njeri të guximshëm mund ta përfytyrojmë të fortë, trim dhe të patrembur. Por, ndonjëherë nevojitet guxim i heshtur që të veprojmë me drejtësi në jetën e përditshme.
2 Disa personazhe biblike ishin të patrembur edhe në kushte shumë të vështira. Të tjerë shfaqën guxim në rrethana të zakonshme për shërbëtorët e Jehovait në përgjithësi. Ç’mund të mësojmë nga shembujt biblikë të guximit? Si mund të jemi guximtarë?
DËSHMITARË TË GUXIMSHËM NË NJË BOTË TË PAPERËNDISHME
3. Çfarë paratha Enoku për të paperëndishmit?
3 Duhej guxim që të ishe një dëshmitar i Jehovait mes të ligjve në tokë para Përmbytjes së ditëve të Noesë. Megjithatë, Enoku, «i shtati në radhë që nga Adami», shpalli me guxim këtë mesazh profetik: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë, që të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithëve, që të shpallë fajtorë tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme, që i bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.» (Jud. 14, 15) Enoku foli në kohën e shkuar, ngaqë kjo profeci do të plotësohej me siguri. Dhe vërtet, njerëzit e paperëndishëm i fshiu tej një përmbytje globale.
4. Pavarësisht nga cilat kushte Noeja «eci me Perëndinë»?
4 Përmbytja ndodhi në vitin 2370 p.e.s., mbi 650 vjet pasi Enoku shërbeu si profet. Gjatë kësaj periudhe, pra nga vdekja e Enokut deri te Përmbytja, lindi Noeja, i cili krijoi familje dhe bashkë me djemtë e tij ndërtoi arkën. Engjëjt e ligj u materializuan në trupa fizikë, morën gra të bukura dhe kështu lindën nefilimët. Për më tepër, e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë dhe kudo kishte dhunë. (Zan. 6:1-5, 9, 11) Pavarësisht nga këto kushte, «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë» dhe dëshmoi me guxim si ‘predikues i drejtësisë’. (Lexo 2 Pjetrit 2:4, 5.) Ne kemi nevojë për një guxim të ngjashëm në këto ditë të fundit.
ATA TREGUAN BESIM E GUXIM
5. Si tregoi Moisiu besim e guxim?
5 Moisiu kishte besim e guxim shembullor. (Hebr. 11:24-27) Nga viti 1513 deri në vitin 1473 p.e.s., Perëndia e përdori atë që t’i nxirrte izraelitët nga Egjipti dhe t’i drejtonte në shkretëtirë. Moisiu ndihej i paaftë për këtë caktim, por e pranoi. (Dal. 6:12) Ai dhe i vëllai, Aaroni, vazhdimisht dolën para faraonit tiranik të Egjiptit dhe me guxim shpallën Dhjetë Plagët me të cilat Jehovai çnderoi perënditë egjiptiane dhe çliroi popullin e Tij. (Dal., kap. 7-12) Moisiu tregoi besim e guxim sepse kishte gjithnjë mbështetjen e Perëndisë, ashtu si ne.—Ligj. 33:27.
6. Si do të arrijmë të japim dëshmi me guxim nëse na marrin në pyetje autoritetet?
6 Edhe ne kemi nevojë për guxim si ai i Moisiut, pasi Jezui tha: «Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve. Megjithatë, kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth se si do të flitni ose ç’do të thoni, mbasi në atë çast do t’ju jepet se ç’keni për të thënë, sepse nuk do të flitni ju, por fryma e Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.» (Mat. 10:18-20) Nëse na marrin në pyetje autoritetet, fryma e Jehovait do të na aftësojë të japim dëshmi me respekt, duke treguar besim e guxim.—Lexo Lukën 12:11, 12.
7. Pse Josiu ishte i guximshëm dhe pati sukses?
7 Josiut, pasuesit të Moisiut, iu forcua besimi dhe guximi falë studimit të rregullt të Ligjit të Perëndisë. Në vitin 1473 p.e.s., Izraeli ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar. «Ji shumë i fortë dhe guximtar»,—urdhëroi Perëndia. Duke iu bindur Ligjit të Moisiut, Josiu do të vepronte me mençuri dhe do të kishte sukses. Perëndia i tha: «Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Jos. 1:7-9) Sa do ta kenë forcuar Josiun këto fjalë! Patjetër, Perëndia ishte me të, pasi pjesën më të madhe të Tokës së Premtuar e shtinë në dorë vetëm për gjashtë vjet—deri në vitin 1467 p.e.s.
GRA TË GUXIMSHME QË QËNDRUAN NË ANËN E JEHOVAIT
8. Çfarë shembulli besimi dhe guximi la Rahaba?
8 Gjatë shekujve, shumë gra të guximshme kanë qëndruar të patrembura në anën e Jehovait. Për shembull, prostituta Rahabë nga Jerikoja, tregoi besim te Perëndia duke fshehur me guxim dy zbuluesit që dërgoi Josiu dhe duke i çuar në drejtim tjetër shërbëtorët e mbretit të atij qyteti. Asaj dhe atyre të shtëpisë së saj iu kursye jeta kur izraelitët pushtuan Jerikonë. Rahaba e la zanatin mëkatar, adhuroi me besnikëri Jehovain dhe u bë paraardhëse e Mesisë. (Jos. 2:1-6; 6:22, 23; Mat. 1:1, 5) Sa u bekua për besimin dhe guximin që tregoi!
9. Si treguan guxim Debora, Baraku dhe Jaela?
9 Pas vdekjes së Josiut rreth vitit 1450 p.e.s., në Izrael drejtësinë e zbatonin gjykatësit. Mbreti kananit, Jabini, kishte 20 vjet që i shtypte izraelitët kur Perëndia, me anë të profeteshës Debora, e nxiti gjykatësin Barak të hidhej në veprim. Baraku mblodhi 10.000 burra në malin Tabor dhe u bë gati të luftonte me komandantin e ushtrisë së Jabinit, Siserën, i cili hyri në luginën e përroit të Kishonit bashkë me ushtrinë dhe me 900 karroca lufte. Kur izraelitët marshuan në luginë, Perëndia shkaktoi një përmbytje të befasishme që e shndërroi fushën e betejës në llucë dhe i bllokoi në vend karrocat kananite. Burrat e Barakut patën epërsi dhe «tërë ushtria e Siserës ra nga tehu i shpatës». Sisera kërkoi strehë në tendën e Jaelës, por ajo e vrau ndërsa ai flinte. Në përputhje me fjalët profetike që i tha Debora Barakut, ‘lavdinë’ e kësaj fitoreje e mori Jaela, një grua. Ngaqë Debora, Baraku dhe Jaela vepruan me guxim, Izraeli «nuk pati më trazira për dyzet vjet». (Gjyk. 4:1-9, 14-22; 5:20, 21, 31) Shumë burra e gra të devotshme kanë treguar një besim e guxim të ngjashëm.
FJALËT TONA MUND T’U JAPIN GUXIM TË TJERËVE
10. Pse themi se fjalët tona mund t’u japin guxim të tjerëve?
10 Me fjalët tona mund t’u japim guxim bashkadhuruesve tanë. Në shekullin e 11-të p.e.s., mbreti David i tha të birit, Solomonit: «Ji guximtar e i fortë, dhe vepro. Mos ki frikë, as mos u tmerro, sepse Perëndia Jehova, Perëndia im, është me ty. Ai nuk do të të braktisë, as nuk do të të lërë, derisa të mbarojë gjithë puna e shërbimit për shtëpinë e Jehovait.» (1 Kron. 28:20) Solomoni veproi me guxim dhe ndërtoi tempullin madhështor të Jehovait në Jerusalem.
11. Si ndikuan fjalët e guximshme të një vajze izraelite te jeta e një burri?
11 Në shekullin e dhjetë p.e.s., fjalët e guximshme të një vajze izraelite i sollën bekime një të lebrosuri. Vajzën e kishte zënë robinjë një bandë kusarësh dhe ishte bërë shërbëtore e Naamanit të lebrosur, kreut të ushtrisë siriane. Ngaqë kishte mësuar për mrekullitë që Jehovai kishte kryer me anë të Eliseut, ajo i tha gruas së Naamanit se, nëse i shoqi do të shkonte në Izrael, profeti i Perëndisë do ta shëronte. Dhe Naamani shkoi në Izrael, u shërua me anë të një mrekullie e u bë adhurues i Jehovait. (2 Mbret. 5:1-3, 10-17) Nëse je fëmijë ose i ri që e do Jehovain si ajo vajzë, ai mund të të japë guxim për t’u dëshmuar mësuesve, shokëve të shkollës dhe të tjerëve.
12. Si ndikuan fjalët e mbretit Hezekia te nënshtetasit e tij?
12 Në kohë rreziku, fjalët e zgjedhura mund të japin guxim. Kur asirianët marshuan kundër Jerusalemit në shekullin e tetë p.e.s., mbreti Hezekia u tha nënshtetasve: «Jini guximtarë dhe të fortë! Mos kini frikë, as mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë dhe nga gjithë turma që është me të, sepse ata që janë me ne janë më shumë se ata që janë me të. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.» Si u pritën këto fjalë? «Populli mori zemër nga fjalët e Hezekisë, mbretit të Judës.» (2 Kron. 32:7, 8) Fjalë të ngjashme mund të na e shtojnë guximin neve dhe bashkëbesimtarëve kur na përndjekin.
13. Ç’shembull guximi la Abdia, kujdestari i shtëpisë së mbretit Akab?
13 Ndonjëherë guximi tregohet me atë që nuk themi. Në shekullin e dhjetë p.e.s., Abdia, kujdestari i shtëpisë së mbretit Akab, me guxim fshehu njëqind profetë të Jehovait «pesëdhjetë në një shpellë, dhe pesëdhjetë në një tjetër», që të mos vriteshin sipas urdhrit të mbretëreshës së ligë Jezebelë. (1 Mbret. 18:4) Ashtu si Abdia që i frikësohej Perëndisë, shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait sot kanë mbrojtur me guxim bashkëbesimtarët duke mos u dhënë përndjekësve informacione për ta.
ESTERA—NJË MBRETËRESHË E GUXIMSHME
14, 15. Si tregoi besim e guxim mbretëresha Ester dhe me ç’rezultat?
14 Në shekullin e pestë p.e.s., mbretëresha Ester tregoi besim dhe guxim të madh kur një komplot për genocid që kishte thurur Hamani i lig vuri në rrezik judenjtë anembanë Perandorisë Perse. Prandaj ata mbajtën zi e agjëruan, dhe pa dyshim u lutën me gjithë zemër. (Est. 4:1-3) Mbretëresha Ester ishte tejet e shqetësuar. Kushëriri i saj, Mordekai, i dërgoi një kopje të ligjit që autorizonte masakrën dhe e urdhëroi të dilte para mbretit që t’i kërkonte hir për bashkatdhetarët e saj judenj. Por, kushdo që shkonte te mbreti pa qenë i thirrur, vritej.—Est. 4:4-11.
15 Megjithatë, Mordekai i tha Esterës: «Edhe sikur ti ta mbyllësh fare gojën, . . . çlirimi për judenjtë do të vijë nga një tjetër vend. . . . Kushedi, mbase për një kohë të tillë arrite në këtë pozitë mbretërore.» Estera e nxiti Mordekain të mblidhte judenjtë në Shushan dhe të agjëronin për të. Ajo tha: «Edhe unë po ashtu do të agjëroj, . . . e pastaj do të shkoj te mbreti, gjë që nuk është sipas ligjit. Nëse duhet të vdes, le të vdes.» (Est. 4:12-17) Estera veproi me guxim, dhe libri që mban emrin e saj tregon se Perëndia e çliroi popullin e vet. Në kohën tonë, të krishterët e mirosur dhe bashkëpunëtorët e tyre të kushtuar, tregojnë guxim të ngjashëm nën sprova—dhe ‘Dëgjuesi i lutjes’ është gjithmonë krah tyre.—Lexo Psalmin 65:2; 118:6.
«MERR ZEMËR»
16. Çfarë shembulli është Jezui për fëmijët dhe të rinjtë e krishterë?
16 Në shekullin e parë të e.s., Jezuin 12-vjeçar e gjetën një herë në tempull, «të ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». Për më tepër, «të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij». (Luka 2:41-50) Ndonëse ishte i vogël, Jezui kishte atë besim dhe guxim që duhej për të pyetur mësuesit e rritur të tempullit. Mbajtja në mendje e shembullit të Jezuit do t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë në kongregacionin e krishterë që të përfitojnë plotësisht nga mundësitë ‘për t’u mbrojtur para kujtdo që u kërkon arsye për shpresën e tyre’.—1 Pjet. 3:15.
17. Pse Jezui i nxiste dishepujt ‘të merrnin zemër’? Pse kemi nevojë të veprojmë me guxim?
17 Jezui i nxiste të tjerët ‘të merrnin zemër’. (Mat. 9:2, 22) Ai u tha dishepujve: «Po vjen ora, madje ka ardhur, kur do të shpërndaheni secili në shtëpinë e vet dhe do të më lini vetëm, e megjithatë unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua. Jua kam thënë këto gjëra që nëpërmjet meje të keni paqe. Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.» (Gjoni 16:32, 33) Bota na urren edhe ne, ashtu siç i urrente edhe dishepujt e hershëm të Jezuit, por le të mos bëhemi si ajo. Meditimi rreth guximit që shfaqi vazhdimisht Biri i Perëndisë mund të na japë guxim që të qëndrojmë të pandotur nga kjo botë. Ashtu si ai, edhe ne mund të ngadhënjejmë mbi botën.—Gjoni 17:16; Jak. 1:27.
18, 19. Ç’dëshmi të besimit e të guximit dha Pavli?
18 Apostulli Pavël kaloi shumë sprova. Në një rast, judenjtë në Jerusalem për pak do ta kishin bërë copë-copë po të mos e kishin shpëtuar ushtarët romakë. Gjatë natës, «Zotëria iu afrua dhe i tha: ‘Merr zemër, sepse siç dhe dëshmi të plotë për mua në Jerusalem, po ashtu do të japësh edhe në Romë.’» (Vep. 23:11) Pavli bëri pikërisht kështu.
19 Pa pasur frikë, Pavli i qortoi ‘apostujt tejet të shquar’ të cilët përpiqeshin të korruptonin kongregacionin e Korintit. (2 Kor. 11:5; 12:11) Ndryshe nga ata, ai mund të jepte prova për përgjegjësinë si apostull—burgosjet, rrahjet, udhëtimet e rrezikshme, rreziqet e tjera, uria, etja dhe netët pa gjumë, si edhe meraku i madh për bashkëbesimtarët. (Lexo 2 Korintasve 11:23-28.) Ç’dëshmi të besimit e të guximit—të gjitha provë e forcës që i kishte dhënë Perëndia!
20, 21. (a) Jepni një shembull që tregon se duhet të vazhdojmë të marrim guxim. (b) Në cilat rrethana mund të kemi nevojë të shfaqim guxim, por për çfarë mund të jemi të sigurt?
20 Jo të gjithë të krishterët do të përndiqen ashpërsisht. Sidoqoftë, të gjithë duhet të marrim guxim që të përballojmë vështirësitë e jetës. Ta ilustrojmë: një i ri në Brazil bënte pjesë në një bandë. Pasi studioi Biblën, e kuptoi se duhej të bënte ndryshime, por zakonisht, këdo që largohej nga banda, e vritnin. Ai u lut dhe me anë të shkrimeve i tregoi kreut të bandës pse nuk mund të rrinte më me ta. Të riun e lanë të ikte pa i bërë keq, dhe ai u bë lajmëtar i Mbretërisë.
21 Kërkohet guxim për të predikuar lajmin e mirë. Të rinjtë e krishterë kanë nevojë për këtë cilësi që të mbajnë integritetin në shkollë. Atyre që janë në punë mund t’u duhet guxim për të kërkuar leje që të ndjekin të gjitha sesionet e kongresit. Dhe lista mund të vazhdonte pa fund. Por, çfarëdo sfide që të hasim, Jehovai do t’i dëgjojë ‘lutjet e besimit’. (Jak. 5:15) Me siguri, ai mund të na japë frymë të shenjtë që ‘të jemi shumë të fortë dhe guximtarë’.
[Figura në faqen 11]
Enoku predikoi me guxim në një botë të paperëndishme
[Figura në faqen 12]
Jaela ishte guximtare dhe e fortë