Si do të përgjigjej Jezui?
Shumë besimtarë të sinqertë mendojnë se feja duhet të përzihet me politikën. Ata besojnë se feja mund të luajë një rol jetësor për zgjidhjen e problemeve të njerëzimit. Gjithsesi, besimtarë të tjerë të sinqertë mendojnë se feja s’duhet të ketë lidhje me politikën. Ç’mendon ti për rolin e fesë në politikë? A duhet të punojnë krah për krah këto forca të fuqishme?
JEZU KRISHTI është përshkruar si «personazhi më me peshë në historinë fetare të njerëzimit». Prandaj, ta zëmë se mund t’i bëjmë pyetjen: «A duhet të përzihet feja me politikën?» Si do të përgjigjej ai? Kur ishte në tokë, Jezui iu përgjigj kësaj pyetjeje si me fjalë, edhe me vepra. Për shembull, në Predikimin e famshëm në Mal, Jezui dha udhëzime që dishepujt e tij të kuptojnë rolin e tyre në komunitetin ku jetojnë. Le të shqyrtojmë disa pika nga ky fjalim i famshëm.
Ndikojnë në jetën e të tjerëve
Jezui përshkroi qëndrimin që duhet të kenë dishepujt ndaj botës. Ai tha: «Ju jeni kripa e tokës, mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur jashtë, që të shkelet nga njerëzit. Ju jeni drita e botës. . . . Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:13-16) Pse Jezui i krahasoi dishepujt me kripën dhe dritën?
Fjalët e Jezuit lënë të kuptohet se dishepujt e tij janë si kripa jo vetëm për një grup të vogël, por për tërë njerëzimin. Janë si drita jo vetëm për një numër të kufizuar njerëzish, por për të gjithë ata që duan të shohin qartë. Duke përdorur këto përshkrime, Jezui e tregoi qartë se nuk donte që dishepujt e tij të veçoheshin nga shoqëria. Pse jo?
Shqyrto këtë fakt: kripa nuk mund ta ruajë ushqimin nëse nuk përzihet me të. Një llambë nuk e dëbon errësirën nga një dhomë, nëse llamba nuk vihet në dhomë. Prandaj nuk habitemi pse Jezui nuk i urdhëroi kurrë dishepujt të shpërnguleshin në një cep të izoluar të tokës për të formuar komunitete me besimtarë. As nuk i nxiti dishepujt të bënin jetë të ndarë nga bota duke u ngujuar brenda mureve të institucioneve fetare. Në vend të kësaj, ashtu si kripa duhet ta prekë ushqimin dhe llamba duhet të jetë në dhomë që ta dëbojë errësirën, edhe të krishterët duhet të përfshihen në komunitetin e tyre që të ndikojnë në jetën e të tjerëve.
‘Jo pjesë e botës’
Jezui i udhëzoi dishepujt të mos izoloheshin nga njerëzit e tjerë. Gjithsesi, kjo ngre një pyetje të rëndësishme për qëndrimin e të krishterit ndaj politikës. Pse themi kështu? Pak para se të vdiste, Jezui iu lut Perëndisë për dishepujt: «Nuk po të lutem që t’i heqësh nga bota, por që t’i ruash nga i ligu. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:15, 16) Megjithatë, si arrijnë të krishterët të mos jenë pjesë e botës, por në të njëjtën kohë të përfshihen në komunitetin ku jetojnë? Për ta kuptuar, le të shqyrtojmë tri pyetje të tjera:
• Ç’pikëpamje kishte Jezui për politikën?
• Çfarë duhet të bëjnë të krishterët sot?
• Si ndikojnë mësimet e krishtere te të tjerët?
[Diçitura në faqen 4]
Jezui e tregoi qartë se nuk donte që dishepujt e tij të veçoheshin nga shoqëria