BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w12 1/6 f. 27-29
  • «E pamundur!»​—Çfarë do të thotë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «E pamundur!»​—Çfarë do të thotë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Gjithçka është e mundur për Perëndinë
  • «A e beson këtë?»
  • Të jetosh përgjithmonë në tokë: E pamundur?
  • «Është e pamundur që Perëndia të gënjejë»
    Këndojini lavdi Jehovait
  • Luka 1:37—«Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme»
    Shpjegim i vargjeve të Biblës
  • «Për Perëndinë gjithçka është e mundur»
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Si ta forcojmë besimin te premtimi i Jehovait për një botë të re?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
w12 1/6 f. 27-29

«E pamundur!»​—Çfarë do të thotë?

«TITANIKU» që u inaugurua në vitin 1912, ishte anija transoqeanike më e madhe dhe më luksoze e asaj kohe. Ngaqë kishte një projekt shkencor të përparuar, anija mendohej të ishte «e pafundosshme». Natyrisht, ajo që ndodhi dihet nga të gjithë. Në udhëtimin e saj të parë, u përplas me një ajsberg në Atlantikun e Veriut dhe u fundos, duke marrë me vete rreth 1.500 pasagjerë. Edhe pse fundosja e saj mendohej të ishte e pamundur, anija u zhduk në thellësitë e oqeanit brenda pak orësh.

Fjala «e pamundur» mund të nënkuptojë disa gjëra. Diçka mund ta përshkruajmë si të pamundur në kuptimin që mendojmë se është përtej aftësive tona për ta përballuar, për ta kryer ose për ta kuptuar. Shumë nga arritjet teknologjike të kohës sonë, dikur shiheshin si të pamundura ngaqë njerëzit s’kishin aftësi t’i bënin ose madje t’i parashikonin. Njeriu ka shkuar në Hënë, ka dërguar sonda në Mars dhe i ka kontrolluar nga Toka, ka zbërthyer kodin e vet gjenetik dhe në lajme sheh drejtpërdrejt ngjarje që ndodhin në qytet ose në botë. Këto realitete të sotme mund të përshkruheshin si të pamundura edhe vetëm 50 vjet më parë. Këtë e përmblodhi mjaft mirë Ronald Regani, ish-presidenti i SHBA-së, kur iu drejtua disa personaliteteve të shquara të shkencës: «Me teknologjinë që ka arritur majat, të pamundurat e së djeshmes ju i keni bërë realitete të zakonshme të së sotmes.»

Në lidhje me zhvillimet e shumta marramendëse që bëhen, profesori Xhon Brobeku vërejti: «Tani një shkencëtar nuk mund të thotë me siguri se diçka është e pamundur. Ai mund të thotë vetëm s’ka të ngjarë të ndodhë. Megjithatë, ai mund të thotë se diçka është e pamundur të shpjegohet me njohurinë e sotme.» Profesori vijoi më tej: «Nëse diçka na duket e pamundur, atëherë duhet të shtojmë se ekziston një burim energjie që s’e njohim në shkencat biologjike dhe fiziologjike. Në Shkrimet që kemi, ky burim energjie identifikohet si fuqia e Perëndisë.»

Gjithçka është e mundur për Perëndinë

Shumë kohë para se profesor Brobeku të bënte këtë pohim, Jezui nga Nazareti, që e kanë quajtur njeriun më të madh që ka jetuar ndonjëherë, tha: «Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.» (Luka 18:27) Fryma e shenjtë e Perëndisë është forca më e fuqishme në univers. Nuk mund të matet me asnjë metodë teknologjike. Fryma e shenjtë na ndihmon të arrijmë gjëra që i kemi të pamundura t’i bëjmë me forcën tonë.

Si njerëz, shpesh gjendemi në situata që sipas nesh është e pamundur t’i përballojmë. Për shembull, mund të na vdesë një njeri i dashur ose jeta familjare të na bëhet kaq stresuese, sa mendojmë se nuk mund të vazhdojmë më. Ose ndoshta mënyra e jetesës na ka zhytur në dëshpërim të thellë dhe na duket se jemi pa rrugëdalje. Ndihemi të dobët dhe të pashpresë. Çfarë mund të bëjmë?

Bibla na thotë se atij që beson tek i Plotfuqishmi dhe lutet për frymën e Tij të shenjtë, ndërsa bën gjithçka mundet për t’i pëlqyer Perëndisë, i jepet ndihmë për t’i kapërcyer pengesat që duken të pakapërcyeshme. Jezui na jep siguri me këto fjalë: «Vërtet po ju them se kushdo që i thotë këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’ e nuk dyshon në zemër, por ka besim se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet.» (Marku 11:23) Nuk ka asnjë situatë që të jetë e pamundur ta durojmë ose ta përballojmë, nëse lejojmë fuqinë e Fjalës së Perëndisë dhe frymën e tij të ndikojë në jetën tonë.

Shqyrto për shembull, rastin e një burri që kishte 38 vjet i martuar, të cilit i vdiq gruaja nga kanceri. Ndihej krejtësisht i rrënuar. Ai mendonte se në këto rrethana e kishte të pamundur të jetonte. Ndonjëherë dëshironte më mirë të vdiste se të jetonte pa të. I dukej se po ecte nëpër «luginën e territ». (Psalmi 23:4) Kur kthen kokën pas, ai mendon se, ngaqë ia shprehte trishtimin Perëndisë në lutje, e lexonte përditë Biblën dhe kërkonte me zjarr drejtimin e frymës së Perëndisë, mori forcë të përballonte atë që i dukej e pamundur.

Martesa e një çifti po shkonte drejt greminës. Burri ishte i dhunshëm dhe kishte shumë vese të këqija. Gruas i dukej e pamundur jeta. Tentoi edhe të vetëvritej. Më pas, burri nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gjërat që mësoi, e ndihmuan t’i mposhtte veset dhe temperamentin e dhunshëm. E shoqja u mahnit kur vërejti tek ai ndryshime «të pamundura».

Një burrë tjetër e përshkruan jetën e tij plot drogë dhe imoralitet si të zhytur thellë në dëshpërim. «E humba komplet dinjitetin»,—thotë ai. Iu lut me gjithë zemër Perëndisë: «O Zot, e di që ekziston. Të lutem, më ndihmo!» Lutja çoi në një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait dhe, si rrjedhim, bëri ndryshime të paimagjinueshme në jetë. «Shpesh më kanë munduar ndjenjat e fajit dhe mungesa e vlerësimit për veten. Ndonjëherë jam ndier tejet i dëshpëruar. Prapëseprapë, Fjala e Perëndisë më ka ndihmuar t’i luftoj këto ndjenja trazuese. Gjatë netëve pa gjumë, thosha me vete shkrime biblike që kisha mësuar. Këto shkrime më ndihmuan ta pastroja mendjen»,—thotë ai. Sot është bashkëshort i lumtur. Bashkë me gruan bëjnë shumë përpjekje për të ndihmuar të tjerët që të kenë besim te fuqia e Fjalës së Perëndisë. Jeta që gëzon tani do të kishte qenë e pamundur për atë të ri të trazuar.

Këto përvoja tregojnë se Fjala e Perëndisë është vërtet e fuqishme dhe se fryma e tij e shenjtë mund të arrijë gjëra «të pamundura» në jetën tonë. Por, mbase thua: «Kjo kërkon besim!» Po, është e vërtetë. Faktikisht, Bibla thotë se «pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë]». (Hebrenjve 11:6) Megjithatë, mendo pak sikur një mik i mirë, ndoshta një drejtor banke ose dikush që ka autoritet, të të thotë: «Mos u merakos. Nëse do të kesh nevojë për ndonjë gjë, mjaft që të më thuash.» Pa dyshim që një premtim i tillë do të të jepte zemër. Por, mjerisht njerëzit na zhgënjejnë shpesh. Ndoshta miku has rrethana që ia bëjnë të pamundur ta mbajë premtimin dashamirës. Nëse ai vdes, gjithë dëshira e mirë dhe aftësia për të të ndihmuar, do të merrnin fund papritur. Nga ana tjetër, asnjë nga gjërat që u ndodhin njerëzve nuk ka ndikim te Perëndia. Bibla na siguron se për «Perëndinë asgjë s’është e pamundshme».​—Luka 1:37, Diodati i Ri.

«A e beson këtë?»

Bibla flet për disa ngjarje që tregojnë sa i vërtetë është citimi i mësipërm. Ja disa shembuj.

Sara, një grua 90-vjeçare, qeshi kur i thanë se do të lindte një djalë, por ekzistenca e popullit të Izraelit është provë se kjo ndodhi. Një burrë u gëlltit nga një peshk i madh, i mbijetoi kësaj përvoje treditore dhe kohë më vonë shkroi historinë e vet. Ky ishte Jonai. Luka, një mjek që e kuptonte ndryshimin mes gjendjes së pavetëdijshme dhe vdekjes, ka shkruar se një djalë me emrin Eutik ra nga dritarja e një dhome të sipërme dhe vdiq, por e sollën sërish në jetë. Këto nuk janë përralla. Po ta shqyrtojmë me kujdes secilin tregim, do të kuptojmë se ato janë të vërteta.​—Zanafilla 18:10-14; 21:1, 2; Jonai 1:17; 2:1, 10; Veprat 20:9-12.

Jezui i bëri këtë premtim mbresëlënës shoqes së tij, Martës: «Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.» Pas këtij premtimi në dukje të pamundur, Jezui shtoi këtë pyetje të rëndësishme: «A e beson këtë?» Edhe sot ia vlen të mendojmë thellë rreth kësaj pyetjeje.​—Gjoni 11:26.

Të jetosh përgjithmonë në tokë: E pamundur?

Në një studim shkencor, shkrimtarët bëjnë këtë koment: «Mbase nuk është larg koha kur do të mund të jetojmë shumë më gjatë se tani, ndoshta përgjithmonë.» Një enciklopedi shpjegon se shkaku i vdekjes nuk ka të bëjë me shkatërrimin e qelizave, konsumimin e organizmit ose me ndonjë proces tjetër, por me sa duket me një faktor të papërcaktuar që sjell funksionimin e keq ose mbarimin e proceseve të trupit.a Ajo thotë: «Ka mundësi që plakja e një individi në të vërtetë ndodh ngaqë prishen mekanizmat e kontrollit, të cilat nevojiten për një funksionim të ndërlikuar.»​—The New Encyclopædia Britannica.

Ndonëse të gjitha këto janë interesante, arsyeja që jep Bibla pse të besojmë në jetën e përhershme, është shumë më e fortë se çdo gjë që mund të ofrojë logjika ose shkenca. Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, Burimi i jetës, premton se «ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë». (Psalmi 36:9; Isaia 25:8) A e beson këtë? Këtë premtim e bën Jehovai i cili e ka të pamundur të gënjejë.​—Titit 1:2.

[Shënimi]

a Për një trajtim më të thellë të argumentit të plakjes dhe të jetëgjatësisë, shih serinë e artikujve «Sa gjatë mund të jetoni?», në revistën Zgjohuni! të majit 2006, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 27]

«Të pamundurat e së djeshmes [janë bërë] realitete të zakonshme të së sotmes.»​—RONALD REGANI

[Diçitura në faqen 28]

Te kush drejtohesh kur jeta të duket e pamundur?

[Burimi i figurës në faqen 27]

Fotografi nga NASA

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo