Mos lejo asgjë të të largojë nga Jehovai
«Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni.»—JOS. 24:15.
1-3. (a) Pse Josiu është një shembull i mirë i dikujt që bëri zgjedhjen e duhur në jetë? (b) Çfarë duhet të mbajmë në mendje kur na duhet të marrim vendime?
ZGJEDHJET që bëjmë janë shumë të rëndësishme. Kur na duhet të bëjmë një zgjedhje, gjendemi para disa alternativave dhe deri diku kemi në dorë të vendosim ç’drejtim do të marrë jeta jonë. Për shembull, ta zëmë se dikush po ecën në një rrugë dhe befas sheh se ajo ndahet në dy drejtime. Cilin drejtim do të marrë? Nëse e ka të qartë vendmbërritjen, ka të ngjarë që do të marrë drejtimin që e çon sa më afër synimit dhe jo atë që e çon më larg.
2 Bibla përmban shembuj të shumtë të njerëzve që u gjendën në një situatë të ngjashme. Për shembull, Kaini duhej të vendoste ta shfrynte zemërimin apo ta përmbante. (Zan. 4:6, 7) Në një pikë të jetës, Josiu duhej të zgjidhte nëse do të vazhdonte t’i shërbente Perëndisë së vërtetë apo të adhuronte perënditë e rreme. (Jos. 24:15) Synimi i Josiut ishte të qëndronte afër Jehovait, ndaj zgjodhi shtegun që e çoi në atë drejtim. Kaini nuk e kishte këtë synim, ndaj zgjodhi shtegun që e largoi edhe më tej nga Jehovai.
3 Ndonjëherë mund të gjendemi para dy rrugëve. Nëse ndodh kjo, mbaj në mendje vendmbërritjen ose synimin tënd: t’i sjellësh lavdi Jehovait në gjithçka që bën dhe të mos lejosh asgjë të të largojë prej tij. (Lexo Hebrenjve 3:12.) Në këtë artikull dhe në atë vijues, do të shqyrtojmë shtatë fusha të jetës ku s’duhet të lejojmë asgjë të na largojë nga Jehovai.
PUNA DHE KARRIERA
4. Pse është e rëndësishme të punosh?
4 Të krishterët duhet të punojnë që të mbajnë veten dhe familjen. Bibla tregon se, nëse dikush nuk do që të plotësojë nevojat e familjes së tij, është më i keq se një jobesimtar. (2 Sel. 3:10; 1 Tim. 5:8, shën. BR me referime, angl.) Patjetër, është e rëndësishme të punosh, por nëse nuk je i kujdesshëm, puna dhe karriera mund të të largojnë nga Jehovai. Si?
5. Çfarë duhet të mbajmë parasysh para se të pranojmë një punë?
5 Ta zëmë se po kërkon një punë. Nëse jeton në një vend ku puna mezi gjendet, mund të tundohesh të pranosh punën e parë që të ofrohet, çfarëdo që të del përpara. Po nëse lloji i punës bie ndesh me parimet biblike? Po nëse orari ose udhëtimet për arsye pune të pengojnë në aktivitetin e krishterë ose të largojnë nga familja? A duhet ta pranosh gjithsesi, duke menduar se është më mirë të kesh një punë të papërshtatshme se të mos kesh punë fare? Mos harro, zgjedhja e drejtimit të gabuar mund të të largojë nga Jehovai. (Hebr. 2:1) Si mund të marrësh vendime të mençura, qoftë nëse po kërkon punë, qoftë nëse mendon të ndryshosh punën?
6, 7. (a) Për cilat synime mund të zgjedhim një punë? (b) Cili synim do të të afrojë më shumë me Jehovain dhe pse?
6 Siç u tha edhe më lart, duhet të mbash në mendje vendmbërritjen. Pyet veten: «Çfarë synoj të arrij me punën ose karrierën?» Nëse e sheh punën si një mënyrë për të arritur një qëllim, të sigurosh nevojat e tua dhe të familjes për t’i shërbyer Jehovait, Ai do t’i bekojë përpjekjet e tua. (Mat. 6:33) Jehovai di si të të ndihmojë edhe kur humb punën ose kur pa pritur e pa kujtuar godet kriza ekonomike. (Isa. 59:1) Ai «di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor».—2 Pjet. 2:9.
7 Nga ana tjetër, po nëse synimi yt është thjesht të pasurohesh? Mbase dhe ia del. Por mos harro, edhe nëse ia del, do ta paguash shtrenjtë, madje tepër shtrenjtë. (Lexo 1 Timoteut 6:9, 10.) Duke i dhënë tepër rëndësi pasurisë dhe karrierës, vetëm sa do të largohesh nga Jehovai.
8, 9. Çfarë duhet të mbajnë parasysh prindërit në lidhje me qëndrimin ndaj punës? Shpjegoni.
8 Nëse je prind, mendo se si ndikon shembulli yt te fëmijët. Çfarë do të mendojnë ata se është më e rëndësishme për ty—karriera apo miqësia me Jehovain? Nëse shohin se pozita, prestigji dhe pasuria zënë vendin e parë në jetën tënde, mos vallë do të ndjekin edhe ata po këtë rrugë shkatërrimtare? A mund të ndodhë që të humbin disi respektin për ty si prind? Një e re e krishterë thotë: «Sa mbaj mend unë, im atë e ka vrarë mendjen vetëm për punën. Fillimisht dukej se punonte shumë, sepse donte që familja jonë të kishte më të mirën. Donte që të mos na mungonte gjë. Mirëpo, vitet e fundit, ka ndryshuar diçka. Ai punon pa pushim dhe sjell në shtëpi gjëra luksi, jo thjesht të nevojshme. Kështu, ne njihemi si familja që ka shumë para dhe jo si familja që i inkurajon të tjerët të ndjekin synime frymore. Do të isha më e kënaqur po të na mbështeste frymësisht, në vend se të na sillte para.»
9 Prindër, mos u largoni nga Jehovai duke i dhënë tepër rëndësi karrierës. Tregojuni fëmijëve me shembullin tuaj se besoni vërtet që pasuria më e madhe që mund të kemi është ajo frymore, jo materiale.—Mat. 5:3.
10. Çfarë mund të mbajë parasysh një i ri kur zgjedh karrierën?
10 Nëse je një i ri që po mendon për llojin e punës që do të bësh, si mund të zgjedhësh drejtimin e duhur? Siç thamë edhe më lart, duhet të dish çfarë do të bësh në jetë. Stërvitja për një lloj pune, do të të ndihmojë t’u kushtohesh më plotësisht interesave të Mbretërisë apo do të të largojë nga Jehovai? (2 Tim. 4:10) A do që të jesh si njerëzit në botë, të cilët janë të lumtur vetëm kur i kanë xhepat plot? Apo do të kesh të njëjtën siguri te Jehovai si Davidi: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psal. 37:25) Mos harro, njëri shteg të largon nga Jehovai, kurse tjetri të çon në jetën më të mirë që mund të kesh. (Lexo Proverbat 10:22; Malakinë 3:10.) Cilin shteg do të zgjedhësh?a
ZBAVITJA DHE ÇLODHJA
11. Çfarë pranon Bibla në lidhje me çlodhjen dhe zbavitjen, por çfarë duhet të mbajmë në mendje?
11 Bibla nuk është kundër kënaqësisë dhe as e përshkruan zbavitjen e çlodhjen si humbje kohe. «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë»,—i shkroi Pavli Timoteut. (1 Tim. 4:8) Madje, Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer», e nxit çlodhjen në një masë të arsyeshme. (Ekl. 3:4; 4:6) Megjithatë, nëse nuk tregon kujdes, zbavitja dhe çlodhja mund të të largojnë nga Jehovai. Si? Një pjesë e mirë e rrezikut lidhet kryesisht me dy aspekte: lloji i tyre dhe koha që u kushton.
Zbavitja e përshtatshme dhe në masën e duhur është përtëritëse
12. Cilët faktorë duhet të mbash në mendje kur zgjedh llojin e zbavitjes e të çlodhjes?
12 Së pari, le të flasim për llojin. Patjetër që mund të gjesh forma të shëndetshme zbavitjeje dhe çlodhjeje. Gjithsesi, një pjesë e mirë e zbavitjes në botë lidhet me gjëra që Perëndia i urren, si dhuna, spiritizmi dhe marrëdhëniet seksuale imorale. Prandaj, duhet të shqyrtosh me kujdes ç’lloj zbavitjeje e çlodhjeje zgjedh. Si ndikon te ti? A nxit te ti frymën e dhunës, të konkurrencës së egër ose të nacionalizmit? (Prov. 3:31) A të lë me xhepa bosh? A mund t’i pengojë të tjerët? (Rom. 14:21) Me ç’lloj shoqërie do të jesh? (Prov. 13:20) A të ngjall dëshirën për të bërë gjëra të gabuara?—Jak. 1:14, 15.
13, 14. Pse duhet të mendosh për kohën që i kushton zbavitjes?
13 Mendo edhe për kohën që harxhon për t’u zbavitur dhe për t’u çlodhur. Pyet veten: «A u kushtohem aq shumë aktiviteteve të kohës së lirë, saqë më mbetet fare pak kohë për aktivitetet frymore?» Nëse zgjedh të kalosh kohë me tepri duke u zbavitur e çlodhur, do të shohësh se pushimi nuk është edhe aq përtëritës. Në fakt, ata që i japin rëndësinë e duhur çlodhjes, e shijojnë edhe më shumë. Pse? Sepse e dinë se në fillim janë kujdesur për «gjërat më të rëndësishme», prandaj çlodhen pa ndjenja faji.—Lexo Filipianëve 1:10, 11.
14 Mund të të duket bukur ta kalosh kohën duke u zbavitur, por kjo mund të të largojë nga Jehovai. Kimi, një motër 20-vjeçare, e provoi vetë këtë. «S’lija festë pa shkuar,—thotë ajo.—Çdo fundjavë kishte diçka fantastike: të premten, të shtunën e të dielën. Por, tani e kuptoj se ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme për të bërë. Për shembull, tani që jam pioniere, zgjohem që në gjashtë të mëngjesit që të dal në shërbim, prandaj s’mund të rri nëpër festa deri në një ose në dy të mëngjesit. E di se aktivitetet shoqërore nuk janë të gjitha të gabuara, por mund të jenë shumë shpërqendruese. Si çdo gjë tjetër, edhe atyre u duhet dhënë rëndësia e duhur.»
15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të zgjedhin zbavitje të mirë?
15 Prindërit kanë përgjegjësinë të plotësojnë nevojat materiale, frymore dhe emocionale të vetat e të fëmijëve. Kjo përfshin të marrin masa për t’u zbavitur. Nëse je prind, mos ji katror duke e quajtur të gabuar çdo aktivitet të kohës së lirë. Në të njëjtën kohë, ruhu nga ndikimet degraduese. (1 Kor. 5:6) Duke menduar mirë që më parë, mund të gjesh forma zbavitjeje dhe çlodhjeje që janë vërtet përtëritëse për familjen.b Në këtë mënyrë, ti dhe fëmijët do të zgjidhni shtegun që ju afron më shumë me Jehovain.
MARRËDHËNIET FAMILJARE
16, 17. Cila situatë pikëlluese ka munduar shumë prindër? Si e dimë se Jehovai e kupton dhembjen e tyre?
16 Lidhja prind-fëmijë është kaq e fortë saqë me anë të saj Jehovai ilustroi dashurinë e tij për popullin e vet. (Isa. 49:15) Prandaj, është normale të hidhërohesh thellë kur një pjesëtar i shtrenjtë i familjes braktis Jehovain. Një motër që iu përjashtua vajza thotë: «Ndihesha e shkatërruar. Pyesja veten: ‘Pse e braktisi Jehovain?’ Ndihesha fajtore dhe ia veshja vetes fajin.»
17 Jehovai e kupton dhembjen tënde. Ai vetë «u hidhërua në zemër» kur pjesëtari i parë i familjes së tij njerëzore, e më vonë edhe shumica e njerëzve që jetuan para Përmbytjes, u rebeluan. (Zan. 6:5, 6) Ata që s’e kanë provuar vetë një humbje të tillë, e kanë të vështirë ta marrin me mend sa e hidhur është. Megjithatë, nuk do të ishte e mençur të lejoje që rruga e gabuar që ka marrë një pjesëtar i përjashtuar i familjes të të largonte nga Jehovai. Atëherë, si mund ta përballosh pikëllimin e thellë kur një pjesëtar i familjes braktis Jehovain?
18. Pse prindërit nuk duhet ta fajësojnë veten, nëse një fëmijë braktis Jehovain?
18 Mos fajëso veten. Çdo pjesëtar i familjes i kushtuar dhe i pagëzuar duhet «të mbajë ngarkesën e vet» dhe të zgjedhë nëse do t’i shërbejë Jehovait apo jo. (Gal. 6:5) Në fund të fundit, përgjegjës për zgjedhjen Jehovai quan mëkatarin, jo ty. (Ezek. 18:20) Gjithashtu, mos fajëso të tjerët. Respekto mënyrën si e disiplinon Jehovai popullin e tij. Kundërviju Djallit, jo barinjve që përpiqen të mbrojnë kongregacionin.—1 Pjet. 5:8, 9.
Nuk është e gabuar të shpresosh që një njeri i dashur të kthehet përsëri te Jehovai
19, 20. (a) Çfarë mund të bëjnë prindërit e fëmijëve të përjashtuar që të përballojnë hidhërimin? (b) Çfarë shprese ushqejnë me të drejtë këta prindër?
19 Nga ana tjetër, nëse zemërohesh me Jehovain, do të largohesh nga ai. Faktikisht, familjari yt i shtrenjtë ka nevojë të shohë se je i vendosur të vësh Jehovain mbi gjithçka, madje edhe mbi lidhjen familjare. Prandaj, për ta përballuar trishtimin, bëj çmos ta mbash të fortë marrëdhënien me Jehovain. Mos u veço nga vëllezërit e motrat besnike në kongregacion. (Prov. 18:1) Zbrazja ndjenjat Jehovait në lutje. (Psal. 62:7, 8) Mos kërko justifikime për t’u shoqëruar me një familjar të përjashtuar, për shembull, me anë të mesazheve në celular ose email-it. (1 Kor. 5:11) Zhytu në aktivitete frymore. (1 Kor. 15:58) Motra e përmendur më lart thotë: «E di se duhet të përfshihem tërësisht në shërbim të Jehovait dhe të qëndroj e fortë frymësisht që, kur ime bijë të kthehet te Jehovai, të jem në gjendje ta ndihmoj.»
20 Bibla thotë se dashuria «shpreson çdo gjë». (1 Kor. 13:4, 7) Nuk është e gabuar të ushqesh shpresë që njeriu yt i dashur të kthehet përsëri. Çdo vit, shumë keqbërës pendohen dhe kthehen në organizatën e Jehovait. Kur këta pendohen, Jehovai është ‘gati të falë’ dhe nuk e bën këtë me gjysmë zemre.—Psal. 86:5.
BËJ ZGJEDHJE TË MENÇURA
21, 22. Si je i vendosur ta përdorësh vullnetin e lirë?
21 Jehovai i ka pajisur njerëzit me vullnet të lirë. (Lexo Ligjin e përtërirë 30:19, 20.) Por, bashkë me këtë liri kemi edhe një përgjegjësi serioze. Çdo i krishterë duhet të pyesë veten: «Cilin drejtim po ndjek? A i kam lejuar punën e karrierën, zbavitjen e çlodhjen ose marrëdhëniet familjare të më largojnë nga Jehovai?»
22 Jehovait nuk i lëkundet kurrë dashuria për popullin e tij. Mënyra e vetme si mund të largohemi nga Jehovai, është nëse zgjedhim drejtimin e gabuar. (Rom. 8:38, 39) Por kjo s’ka pse të ndodhë. Ji i vendosur të mos lejosh asgjë të të largojë nga Jehovai. Në artikullin vijues do të trajtohen katër fusha të tjera ku mund ta tregosh këtë vendosmëri.
a Për më shumë informacion në lidhje me zgjedhjen e karrierës, shih kapitullin 38 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2.
b Për sugjerime, shih faqet 17-19 të revistës Zgjohuni!, nëntor 2011.