JETËSHKRIM
Jam përpjekur të pasqyroj shembujt e shkëlqyer
«A e di ti sa vjeç jam unë?»—e pyeta. «E di shumë mirë sa vjeç je»,—u përgjigj Isak Maré, që më telefonoi në Kolorado nga Patersoni, Nju-Jork. Më lini t’ju shpjegoj se çfarë çoi në këtë bisedë.
LINDA në Uiçita të Kanzasit, SHBA, më 10 dhjetor 1936, dhe isha më i madhi nga katër fëmijët. Prindërit e mi, Uilliami dhe Xhini, ishin adhurues të përkushtuar të Jehovait. Babai ishte shërbëtori i kompanisë, siç quhej në atë kohë ai që merrte drejtimin në kongregacion. Mamasë ia kishte mësuar të vërtetat e Biblës e ëma, Ema Vagneri. Ema ua mësoi të vërtetën shumë vetave, përfshirë Gertrud Stillin, e cila shërbeu për vite të tëra si misionare në Porto-Riko.a Kështu, kisha plot shembuj të shkëlqyer që mund t’i imitoja.
SJELL NDËR MEND SHEMBUJT E SHKËLQYER
Babai në një qoshe rruge duke u ofruar revista kalimtarëve
Një të shtunë mbrëma, kur isha pesë vjeç, bashkë me babanë po u ofronim kalimtarëve në rrugë revistat Kulla e Rojës dhe Ngushëllim (tani Zgjohuni!). Në atë kohë, vendi ishte përfshirë në Luftën II Botërore. Një mjek i dehur kaloi aty dhe e ofendoi babanë për qëndrimin e krishterë asnjanës, duke thënë se ishte burracak dhe se i bënte bisht ushtrisë. Ia afroi fytyrën mu afër dhe i tha: «Hë mor zemërlepur, pse s’më gjuan?» U tremba, por e admirova shumë babanë. Ai thjesht vazhdoi t’i ofronte revistat turmës që ishte mbledhur. Pastaj kaloi një ushtar dhe mjeku i bërtiti: «Bëji ndonjë gjë këtij zemërlepuri!» Ushtari e kuptoi se ishte i dehur, prandaj i tha: «Ik në shtëpi dhe eja në vete!» E kështu ikën që të dy. Mbushem me mirënjohje kur sjell ndër mend guximin që i dha Jehovai tim eti. Babai kishte dy berberhane në Uiçita, dhe një nga klientët e tij ishte pikërisht mjeku.
Me prindërit duke shkuar në një kongres në Uiçita në vitet 40
Kur isha tetë vjeç, prindërit shitën shtëpinë dhe dyqanet, ndërtuan një rulotë të vogël dhe u transferuan në Kolorado për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë. U vendosëm afër qytetit Grend-Xhankshën. Atje prindërit shërbenin si pionierë dhe punonin me orar të shkurtuar në bujqësi e blegtori. Falë bekimit të Jehovait dhe shërbimit të tyre të zellshëm, u formua një kongregacion. Më 20 qershor 1948, babai më pagëzoi në një përrua malor. Bashkë me mua u pagëzuan edhe të tjerë që kishin pranuar të vërtetën e Biblës, e ndër ta ishte Bill Nikolsi me të shoqen. Më vonë, ata shërbyen në veprën qarkore, e po ashtu edhe djali i tyre me gruan.
Kishim goxha shoqëri me shumë nga ata që ishin zhytur plotësisht në veprën e Mbretërisë dhe bënim biseda inkurajuese rreth së vërtetës. Në veçanti ishte familja Still—Doni e Ërlina, Dejvi e Xhulia dhe Sai e Marta—që ndikoi jashtë mase në jetën time. Ata më treguan se si jeta merr kuptim të vërtetë dhe mbushet me gëzim kur vëmë në vend të parë Mbretërinë.
NJË TRANSFERIM TJETËR
Kur isha 19 vjeç, Bad Hejsti, një mik i familjes, më kërkoi të shkoja bashkë me të në jug të Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si pionierë. Mbikëqyrësi qarkor na kërkoi të shkonim në Ruston, Luizianë, ku mjaft Dëshmitarë ishin bërë joaktivë. Na thanë të mbanim të gjitha mbledhjet çdo javë, pavarësisht se sa veta vinin. Gjetëm një vend të përshtatshëm për mbledhjet dhe e sistemuam. Mbanim çdo mbledhje, por për njëfarë kohe ishim të pranishëm vetëm ne të dy. E bënim me radhë: kur njëri ishte në podium, tjetri u përgjigjej të gjitha pyetjeve. Nëse pjesa përfshinte një demonstrim, të dy ne ishim në podium dhe në auditor s’kishte asnjeri. Më në fund, në mbledhje filloi të vinte një motër e madhe në moshë. Me kohë, nisën të vinin edhe disa studentë të Biblës e disa joaktivë. S’kaloi shumë dhe u bëmë një kongregacion i bukur që ecte mbarë.
Një ditë, unë dhe Badi takuam një pastor të Kishës së Krishtit që foli për disa shkrime që nuk i njihja mirë. Kjo më shkundi pak dhe më bëri të mendoja më thellë për bindjet e mia. Për një javë, studioja deri natën vonë që të gjeja përgjigjet e pyetjeve që ngriti ai. Kjo më ndihmoi shumë që ta përvetësoja me gjithë zemër të vërtetën dhe mezi pritja të takoja ndonjë predikues tjetër.
Pak më vonë, mbikëqyrësi qarkor më kërkoi të shkoja në El Dorado, Arkanzas, që të ndihmoja kongregacionin në atë qytet. Prej atje, udhëtoja shpesh për në Kolorado që të paraqitesha para komisionit të rekrutimit. Një herë, ndërsa udhëtoja me makinën time bashkë me disa pionierë të tjerë, bëmë aksident në Teksas. Makina doli jashtë përdorimit. I telefonuam një vëllai që erdhi e na çoi në shtëpinë e tij dhe pastaj në mbledhjen e kongregacionit. U njoftua se kishim pasur një incident, dhe me dashuri vëllezërit na ndihmuan financiarisht. Veç kësaj, vëllai e shiti makinën time për 25 dollarë.
Arritëm të gjenim dikë që na çoi deri në Uiçita, ku shërbente si pionier një mik i ngushtë i familjes sonë, Evërixh Mekartni ose, siç e thërritnim ne, Doku. Djemtë e tij binjakë, Frenkun dhe Fransisin, i kisha shokë të ngushtë dhe i kam ende. Ata kishin një makinë të vjetër që ma shitën për 25 dollarë, tamam aq sa kisha marrë për makinën time të shkatërruar. Ishte hera e parë që e pashë qartë se si Jehovai më siguroi diçka të nevojshme ngaqë po vija në vend të parë Mbretërinë e Tij. Gjatë asaj vizite, familja Mekartni më prezantoi me një motër të hijshme e të dashur, Bethel Kreinin. Mamaja e saj, Rutha, një Dëshmitare e zellshme në Uellington të Kanzasit, vazhdoi të shërbente si pioniere edhe kur ishte në të 90-at. Më 1958, pa kaluar as një vit, Betheli dhe unë u martuam, dhe ajo nisi të shërbente bashkë me mua si pioniere në El Dorado.
FTESA EMOCIONUESE
Pasi shqyrtuam shembujt e shkëlqyer që kishim pasur në fëmijëri, vendosëm të pranonim çdo ftesë që do të na bënte organizata e Jehovait. U caktuam si pionierë specialë në Walnut Ridge, Arkanzas. Pastaj më 1962, fluturuam nga gëzimi kur morëm ftesën për të ndjekur klasën e 37-të të Galaadit. Sa u kënaqëm që në klasën tonë ishte edhe Don Stilli! Pas diplomimit, Betheli dhe unë u caktuam në Najrobi, Kenia. Ndiemë një boshllëk në stomak kur ikëm nga Nju-Jorku, por ai boshllëk u kthye në gëzim kur na takuan vëllezërit tek aeroporti i Najrobit.
Në shërbim në Najrobi me Meri dhe Kris Kanajën
Nuk na u desh shumë që të na hynte në zemër Kenia dhe shërbimi i bukur në atë vend. Studentët tanë të parë të Biblës që përparuan ishin Kris dhe Meri Kanaja. Ata shërbejnë ende me besnikëri në kohë të plotë në Kenia. Vitin tjetër, na kërkuan të shkonim në Kampalë, kryeqyteti i Ugandës, si misionarët e parë në atë shtet. Ato ishin kohë emocionuese, sepse shumë njerëz ishin të etur të mësonin të vërtetat e Biblës dhe u bënë motrat e vëllezërit tanë. Mirëpo, pas tre vjetësh e gjysmë në Afrikë, u larguam për të krijuar familje. U kthyem në Shtetet e Bashkuara. Ditën që u larguam nga Afrika, e ndienim më shumë atë boshllëk në stomak sesa kur ikëm nga Nju-Jorku. Na kishin hyrë në zemër afrikanët dhe shpresonim të ktheheshim një ditë atje.
NJË CAKTIM I RI
U vendosëm në pjesën perëndimore të Kolorados ku jetonin prindërit e mi. S’kaloi shumë e na lindi vajza e parë, Kimberli, dhe 17 muaj më vonë Stefania. E morëm shumë seriozisht caktimin tonë të ri si prindër dhe iu përveshëm punës që t’ua ngulitnim në zemër të vërtetën vogëlusheve tona të bukura. Donim të pasqyronin shembujt që na kishin lënë neve të tjerët. Na vinte në mendime fakti që, edhe pse shembulli i mirë ka ndikim të fuqishëm kur modelon fëmijët, nuk është garanci se ata do t’i shërbejnë Jehovait kur të rriten. Vëllai im i vogël dhe një nga motrat e kishin lënë të vërtetën. Shpresoj me gjithë zemër që ata të imitojnë përsëri shembujt e shkëlqyer që kishin.
Ka qenë një kënaqësi të rritnim vajzat tona, dhe përpiqeshim gjithmonë të bënim gjëra si familje. Meqë jetonim pranë qytetit të Aspenit, në Kolorado, që është i famshëm për ski, të gjithë mësuam të rrëshqitnim me ski. Kështu, herë pas here mund të bënim ski bashkë. Gjatë atyre çasteve çlodhëse, kishim kohë të bisedonim me vajzat ndërsa ngjiteshim me teleferik. Gjithashtu, shkonim edhe për kamping me to dhe bënim biseda shumë të këndshme rreth zjarrit. Edhe pse të vogla, ato bënin pyetje të tilla, si: «Ç’do të bëhem kur të rritem?» dhe «Me kë do të martohem?» Bëmë çmos t’u ngulitnim në mendje e në zemër vlerat e krishtere vajzave tona. I nxitnim gjithmonë të mbanin si synim shërbimin e plotkohor dhe të mos harronin se ishte e mençur të martoheshin vetëm me dikë që kishte synim të ngjashëm. U përpoqëm t’i ndihmonim të kuptonin se më e mira ishte të mos martoheshin tepër të reja. Sajuam shprehjen: «Rri e lirë, merre me nge, gjersa të jesh të paktën 23.»
Ashtu siç kishin bërë prindërit me ne, përpiqeshim fort të ndiqnim mbledhjet dhe të merrnim pjesë rregullisht në shërbim si familje. Ftonim në shtëpinë tonë disa që ishin në shërbimin e plotkohor. Gjithashtu, flitnim shpesh me mall për kohën kur ishim në shërbimin misionar. U thoshim se shpresonim që një ditë të udhëtonim që të katërt për në Afrikë. Vajzat kishin vërtet dëshirë ta bënin këtë.
Gjithmonë e mbanim rregullisht adhurimin familjar dhe demonstronim situata që mund të ndodhnin në shkollë. Vajzat luanin rolin e një Dëshmitari që u përgjigjej pyetjeve. Ato zbaviteshin duke mësuar në këtë mënyrë dhe fitonin besim te vetja. Ndërsa rriteshin, hera-herës ankoheshin se s’donin ta bënin studimin familjar. Njëherë, zemërlëshuar, u thashë të shkonin në dhomat e tyre dhe se nuk do ta bënim studimin. U tronditën dhe ia plasën të qarit e thanë se donin ta bënin studimin. Atëherë filluam të kuptonim se po rrënjosnim vërtet në zemrat e tyre të njoma çmueshmërinë për të vërtetën. Vajzat mësuan ta donin studimin, dhe ne i linim të shpreheshin lirshëm. Ama, në disa raste e kishim të vështirë kur na thoshin se nuk ishin dakord me disa aspekte të së vërtetës. Mirëpo, kështu mësonim se çfarë kishin vërtet në zemër. Pasi arsyetonim, ato kënaqeshin kur kuptonin si mendonte Jehovai.
PËRSHTATEMI ME NDRYSHIME TË TJERA
Caktimi për të rritur vajzat mbaroi më shpejt nga sa e imagjinonim. Me ndihmën dhe drejtimin e organizatës së Perëndisë, bëmë çmos t’i rritnim që ta donin Jehovain. Sa të lumtur ishim që të dyja vajzat filluan shërbimin si pioniere pasi mbaruan shkollën e mesme dhe që zhvilluan aftësi për të mbajtur veten. Ato u transferuan në Klivlend, Tenesi, bashkë me dy motra të tjera, për të shërbyer ku kishte më tepër nevojë. Na merrte shumë malli për to, por ishim të kënaqur që po e përdornin jetën për të shërbyer në kohë të plotë. Betheli dhe unë filluam përsëri shërbimin si pionierë, e kjo hapi derën për privilegje të tjera të gëzueshme. Shërbeja si zëvendës mbikëqyrës qarkor dhe merresha me organizimin e kongreseve.
Para se të transferoheshin në Tenesi, vajzat bënë një udhëtim në Londër, Angli, dhe vizituan zyrën e degës. Atje Stefania, që ishte 19 vjeçe, takoi Pol Nortonin, një bethelit të ri në moshë. Në një udhëtim tjetër, Kimberli takoi Brajan Lëuellin, që punonte bashkë me Polin. Poli dhe Stefania u martuan, por pasi ajo mbushi 23 vjeç. Brajani dhe Kimberli u martuan një vit më pas, kur ajo ishte 25 vjeçe. Pra, ato ‘ndenjën të lira dhe e morën me nge’ të paktën derisa mbushën 23. E miratuam me gjithë shpirt zgjedhjen e shkëlqyer që bëri secila.
Me Polin, Stefaninë, Kimberlin dhe Brajanin në degën e Malavisë në vitin 2002
Vajzat na kanë thënë se shembulli ynë dhe ai i gjyshërve i ndihmoi t’i bindeshin urdhrit të Jezuit që ‘të vazhdonin të kërkonin në radhë të parë mbretërinë’, edhe kur kishin situata të vështira ekonomike. (Mat. 6:33) Në prill të 1998-ës, Poli dhe Stefania morën ftesën për klasën e 105-të të Galaadit dhe më pas u caktuan të shërbenin në Malavi, Afrikë. Në të njëjtën kohë, Brajanin dhe Kimberlin i ftuan të punonin në Bethelin e Londrës dhe më pas u transferuan në Bethelin e Malavisë. Ishim të lumtur sa s’thuhet, pasi nuk ka mënyrë më të mirë se si ta përdorin jetën të rinjtë.
NJË FTESË TJETËR EMOCIONUESE
Në janar të vitit 2001, mora telefonatën që përmenda në fillim. Vëllai Maré, mbikëqyrësi i Repartit për Mbështetjen e Përkthimit, shpjegoi se vëllezërit po organizonin kurse për të kuptuar më mirë anglishten për përkthyesit anekënd botës dhe se po mendonin të më stërvitnin edhe mua si instruktor, ndonëse isha 64 vjeç. Betheli dhe unë u lutëm për këtë çështje dhe e diskutuam me nënat tona të moshuara, që të merrnim ndonjë këshillë nga ato. Të dyja donin që ne të shkonim, edhe pse do të mbeteshin pa ndihmën tonë. I mora në telefon vëllezërit dhe u thashë se do të viheshim në dispozicion me shumë kënaqësi për atë privilegj të mrekullueshëm.
Më vonë, mamaja ime u diagnostikua me kancer. I thashë se do të qëndronim dhe do të ndihmonim motrën time, Lindën, që të kujdesej për të. Ime më u përgjigj: «As që bëhet fjalë. Do të ndihesha më keq sikur të mos shkonit.» Edhe Linda mendonte njësoj. Sa e vlerësuam frymën e tyre vetëmohuese, si edhe ndihmën e vëllezërve vendas! Ditën pasi u nisëm për në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Linda na telefonoi për të na thënë se mamaja kishte vdekur. U zhytëm plotësisht në caktimin e ri, siç do të na kishte inkurajuar ajo.
Çfarë kënaqësie që caktimi ynë i parë ishte në degën e Malavisë, ku po shërbenin vajzat tona me burrat e tyre! Ishte fantastike që ishim prapë të gjithë bashkë. Pas kësaj, zhvilluam kursin në Zimbabve dhe më pas në Zambie. Pas 3 vjetësh e gjysmë, na kërkuan të ktheheshim në Malavi për të dokumentuar përvojat e Dëshmitarëve që ishin përndjekur atje ngaqë kishin mbajtur asnjanësinë e krishterë.b
Në shërbim me mbesat tona
Në 2005-ën ndiem prapë një boshllëk në stomak kur u kthyem në shtëpinë tonë në Basalt, Kolorado, ku Betheli dhe unë vazhduam të shërbenim si pionierë. Më 2006, Brajani dhe Kimberli u transferuan pranë nesh për të rritur dy vajzat e tyre, Mekenzin dhe Elizabetën. Poli dhe Stefania janë ende në Malavi, dhe ai shërben në Komitetin e Degës. Tani që po i afrohem të 80-ave, ndiej shumë kënaqësi kur shoh burra më të rinj me të cilët kam shërbyer gjatë viteve tek marrin përsipër përgjegjësitë që kam pasur unë. Gëzimi që përjetojmë, vjen kryesisht nga shembujt e shkëlqyer që kemi pasur dhe ngaqë jemi përpjekur t’i pasqyrojmë këta shembuj për të mirën e fëmijëve dhe të mbesave tona.
a Shih revistat Kulla e Rojës të 1 majit 1956, f. 269-272 dhe të 15 marsit 1971, f. 186-190 (anglisht), për të mësuar më shumë rreth veprës misionare të pjesëtarëve të familjes Still.
b Për shembull, shih jetëshkrimin e Trofim Nsombës treguar në Kullën e Rojës të 15 prillit 2015, f. 14-18.