BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w17 janar f. 22-26
  • Ti mund ta ruash modestinë nën sprova

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ti mund ta ruash modestinë nën sprova
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KUR NDRYSHOJNË RRETHANAT
  • KUR NA KRITIKOJNË OSE NA LAVDËROJNË
  • KUR KEMI PASIGURI
  • SI TË KULTIVOJMË MODESTI
  • Pse modestia ka ende vlerë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Modestia​—Një cilësi që nxit paqen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • «Mençuria është me modestët»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Ji i përulur dhe modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
w17 janar f. 22-26
Profetin nga Juda e mashtron një burrë i vjetër

Ti mund ta ruash modestinë nën sprova

‘Ji modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd!’​—MIK. 6:8.

KËNGËT: 48, 95

SI MUND TË NA NDIHMOJË MODESTIA . . .

  • të kemi sukses në caktimet tona?

  • të përballojmë kritikat dhe lavdërimet?

  • të marrim vendime kur kemi pasiguri?

1-3. Çfarë nuk bëri profeti i paemër nga Juda, dhe cila ishte pasoja? (Shih figurën hapëse.)

GJATË mbretërimit të Jeroboamit, Jehovai dërgoi një profet nga Juda për t’i çuar atij mbreti apostat të Izraelit një mesazh fshikullues gjykimi. Profeti i përulur e çoi me besnikëri mesazhin e Perëndisë, dhe Jehovai e mbrojti shërbëtorin e tij nga tërbimi i egër i Jeroboamit.​—1 Mbret. 13:1-10.

2 Rrugës për në shtëpi, profeti takoi befas një të moshuar nga qyteti fqinj i Bethelit, që tha se ishte profet i Jehovait. Ai e mashtroi më të riun që të mos u bindej udhëzimeve të prera të Jehovait ‘për të mos ngrënë bukë e për të mos pirë ujë në Izrael’ dhe ‘për të mos u kthyer nga udha që vajti’. Kjo nuk i pëlqeu Jehovait. Më vonë, udhës për në shtëpi, profetit të Jehovait i doli para një luan dhe e vrau.​—1 Mbret. 13:11-24.

3 Pse ai profet dikur modest i kaloi caqet me arrogancë dhe bëri siç i tha i moshuari mashtrues? Bibla nuk e thotë arsyen. Por ka të ngjarë që ai e harroi krejt se prej tij kërkohej ‘të ishte modest ndërsa ecte me Perëndinë’. (Lexo Mikenë 6:8.) Në Bibël, shprehja «të ecësh me Jehovain» përcjell idenë që të kesh besim të plotë tek ai, të mbështetësh sovranitetin e tij dhe të ndjekësh drejtimin e tij. Një njeri modest është plotësisht i vetëdijshëm se mund dhe duhet të komunikojë vazhdimisht me Atin e tij të dashur e të plotfuqishëm. Profeti mund t’i kishte kërkuar Jehovait t’ia qartësonte udhëzimet e Tij, por Shkrimet nuk tregojnë se e bëri këtë. Hera-herës, edhe neve na duhet të marrim vendime të vështira, dhe mund të mos jetë e qartë cila është rruga e duhur. Ama, kur kërkojmë me modesti drejtimin e Jehovait, kjo na ndihmon të mos bëjmë gabime të rënda.

4. Ç’do të mësojmë në këtë artikull?

4 Në artikullin e kaluar mësuam pse ka ende vlerë për të krishterët modestia dhe çfarë përfshin të shfaqësh këtë cilësi. Por, cilat situata mund të na e vënë në provë modestinë? Dhe si mund ta kultivojmë këtë cilësi të vyer, që të mbetemi modestë edhe nën presion? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të ndalemi te tri situata të zakonshme që mund të na e sprovojnë modestinë dhe do të shohim si të veprojmë me mençuri në secilin rast.​—Prov. 11:2.

KUR NDRYSHOJNË RRETHANAT

5, 6. Si shfaqi modesti Barzilai?

5 Ndryshimi i rrethanave ose i caktimit mund të na e vërë në provë modestinë. Kur Davidi i kërkoi Barzilait 80-vjeçar të pranonte ftesën për të jetuar në oborrin mbretëror, Barzilai duhet të jetë ndier goxha i nderuar. Po ta pranonte ftesën e Davidit, do të kishte mundësi të vazhdonte të gëzonte shoqërinë e mbretit. Mirëpo Barzilai nuk e pranoi ftesën. Pse? Ai i tha mbretit David se nuk donte t’i bëhej barrë ngaqë ishte në moshë të shkuar. Prandaj Barzilai sugjeroi që vendin e tij ta zinte Kimhami, i cili duhet të ketë qenë një nga bijtë e tij.​—2 Sam. 19:31-37.

6 Modestia e ndihmoi Barzilain të merrte një vendim të arsyeshëm. Ai nuk e refuzoi ftesën e Davidit ngaqë ndihej i paaftë të mbante mbi supe përgjegjësi ose ngaqë donte të bënte një jetë të qetë e të rehatshme. Thjesht dalloi dhe pranoi se rrethanat e tij kishin ndryshuar dhe se kishte kufizime. Nuk donte të merrte përsipër më tepër nga ç’mundej. (Lexo Galatasve 6:4, 5.) Nëse përqendrohemi te pozita jonë, lavdia ose meritat personale, kjo vetëm sa ushqen egoizmin, konkurrencën, e si përfundim zhgënjimin. (Gal. 5:26) Kurse modestia na ndihmon të gjithëve t’i përqendrojmë aftësitë dhe përpjekjet e përbashkëta që t’i japim lavdi Perëndisë dhe që të bëjmë më të mirën për të ndihmuar të tjerët.​—1 Kor. 10:31.

7, 8. Si mund të na ndihmojë modestia që të mos mbështetemi te vetja?

7 Një përgjegjësi më e madhe shpesh sjell edhe autoritet më të madh, e kjo mund të na e vërë në provë modestinë. Kur Nehemia mori vesh se banorët e Jerusalemit ishin në pikë të hallit, iu lut me zjarr Jehovait. (Neh. 1:4, 11) Bekimi i Jehovait erdhi kur mbreti Artakserks e caktoi Neheminë guvernator të atij rajoni. Por, me gjithë pozitën e rëndësishme, pasurinë dhe autoritetin goxha të madh, Nehemia nuk u mbështet kurrë te përvoja dhe tek aftësitë e veta. Ai vazhdoi të ecte me Perëndinë. Kërkonte pareshtur drejtimin e Jehovait duke u këshilluar me Ligjin e Tij. (Neh. 8:1, 8, 9) Nehemia nuk sillej si padron me të tjerët; përkundrazi, u shërbeu me shpenzimet e veta.​—Neh. 5:14-19.

8 Shembulli i Nehemisë tregon si mund të na ndihmojë modestia të mos mbështetemi te vetja kur na ndryshon caktimi ose kur marrim më shumë përgjegjësi. Nëse mbështetet vetëm te përvoja e tij, një plak mund të fillojë t’i trajtojë çështjet e kongregacionit pa komunikuar në fillim me Jehovain në lutje. Disa të tjerë mund të marrin një vendim, e pastaj t’i luten Jehovait ta bekojë vendimin e tyre. Mirëpo, a tregon modesti kjo? Një njeri modest mban gjithmonë parasysh cili është vendi i tij karshi Jehovait dhe roli i tij në organizatën e Perëndisë. Aftësitë tona nuk janë gjëja më e rëndësishme. Duhet të bëjmë kujdes të mos mbështetemi te vetja, sidomos nëse përballemi me një vështirësi ose problem që e njohim mirë. (Lexo Proverbat 3:5, 6.) Si pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë, meraku ynë është të përmbushim rolet tona në familje ose si pjesë e kongregacionit, jo të arrijmë një pozitë a të ngjitim shkallët e karrierës.​—1 Tim. 3:15.

KUR NA KRITIKOJNË OSE NA LAVDËROJNË

9, 10. Si mund të na ndihmojë modestia kur na kritikojnë pa të drejtë?

9 Mund të jetë e vështirë t’i mbajmë nën kontroll ndjenjat kur na kritikojnë pa të drejtë. Edhe pse i shoqi e donte, Hana qante shpesh ngaqë Penina, rivalja e saj, e tallte orë e çast. Hana nuk lindte dot fëmijë. Një ditë, ndërsa po lutej në tabernakull, kryeprifti Eli e akuzoi gabimisht se ishte e dehur. E pabesueshme! Por, pavarësisht nga gjithë kjo, Hana modeste e frenoi veten dhe iu përgjigj me respekt Eliut. Lutja e saj prekëse është ruajtur në Bibël. Ajo është plot shprehje besimi, lëvdimi dhe çmueshmërie.​—1 Sam. 1:5-7, 12-16; 2:1-10.

10 Modestia mund të na ndihmojë edhe ne që ‘të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’. (Rom. 12:21) Shpesh, jeta në sistemin e Satanait është e padrejtë, dhe na duhet t’i luftojmë ndjenjat e zemërimit që mund të na ngjallë sjellja e të ligjve. (Psal. 37:1) E kur lindin probleme me vëllezërit e motrat në kongregacion, dhembja mund të jetë shumë më e thellë. Një njeri modest do të imitojë Jezuin. Bibla thotë: «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen, . . . por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjet. 2:23) Jezui e dinte se hakmarrja i përket Jehovait. (Rom. 12:19) Edhe të krishterët nxiten të jenë të përulur dhe ‘të mos e kthejnë të keqen me të keqe’.​—1 Pjet. 3:8, 9.

11, 12. (a) Si mund të na ndihmojë modestia kur na mbytin me lavdërime ose na bëjnë lajka? (b) Si duhet të na drejtojë modestia kur është fjala për veshjen, paraqitjen dhe sjelljen tonë?

11 Edhe lajkat ose lavdërimet e tepruara mund të na e vënë në provë modestinë. Të mendojmë për reagimin e shkëlqyer të Esterës kur gjërat morën një kthesë të papritur. Ajo binte në sy për bukurinë e saj, dhe për një vit e llastuan me trajtime luksoze. Ishte përditë në shoqëri me shumë vajza nga mbarë Perandoria Perse, që konkurronin për të tërhequr vëmendjen e mbretit. Sidoqoftë, Estera vazhdoi të sillej me respekt dhe të ishte e përmbajtur. Nuk u bë fodulle ose jomodeste, madje edhe pasi mbreti e zgjodhi si mbretëreshën e tij.​—Est. 2:9, 12, 15, 17.

Shembuj të veshjes e rregullimit modest dhe jo modest në një Sallë Mbretërie

A tregon veshja dhe paraqitja jonë respekt për Jehovain e për të tjerët apo tregon mungesë modestie? (Shih paragrafin 12.)

12 Modestia na ndihmon gjithmonë që veshja, paraqitja dhe sjellja jonë të pasqyrojnë dinjitet e respekt. E dimë se nuk ua fitojmë zemrat të tjerëve duke u mburrur ose duke e tërhequr tepër vëmendjen te vetja, por duke shfaqur ‘një frymë të qetë e të butë’. (Lexo 1 Pjetrit 3:3, 4; Jer. 9:23, 24) Me kohë, ndjenjat e fodullëkut që flenë në zemër do të nxjerrin kokë te veprimet tona. Për shembull, mund të themi me stil diçka që nënkupton se kemi privilegje speciale, se dimë informacione konfidenciale a se kemi lidhje të veçanta me vëllezër me përgjegjësi. Ose mund t’i shpjegojmë gjërat në mënyrë të tillë që ta marrim vetëm ne meritën për ide ose arritje ku kanë kontribuar edhe të tjerë. Edhe në këtë drejtim, Jezui na la një shembull fantastik. Një pjesë e mirë e asaj që tha ishte ose citim ose koment i tërthortë për Shkrimet Hebraike. Foli me modesti në atë mënyrë, që dëgjuesit ta dinin se ajo që thoshte vinte nga Jehovai dhe nuk ishte fryt i inteligjencës ose mençurisë së tij.​—Gjoni 8:28.

KUR KEMI PASIGURI

13, 14. Si mund të na ndihmojë modestia të marrim vendime më të mira?

13 Modestia jonë mund të vihet në provë edhe kur duhen marrë vendime. Ndërkohë që apostulli Pavël po rrinte në Cezare, profeti Agab i tregoi se po të vazhdonte udhëtimin për në Jerusalem, do ta arrestonin, madje edhe mund ta vritnin. Nga frika se mos ndodhte më e keqja, vëllezërit iu përgjëruan Pavlit të mos shkonte. Mirëpo, nuk ia mbushën dot mendjen. Pavli nuk ishte as tepër i sigurt te vetja, as i paralizuar nga frika. Kishte besim të plotë te Jehovai dhe ishte gati ta kryente gjer në fund caktimin e tij, kudo që të lejonte Jehovai ta çonte ai caktim. Si dëgjuan këtë, me modesti vëllezërit nuk e kundërshtuan më vendimin e Pavlit për të shkuar në Jerusalem.​—Vep. 21:10-14.

14 Modestia mund të na ndihmojë të marrim vendime të mira edhe atëherë kur nuk e dimë tamam ose nuk e kemi plotësisht nën kontroll si do të venë gjërat. Për shembull, nëse po mendojmë të fillojmë ndonjë formë të shërbimit të plotkohor, mund të na lindin pyetje të tilla si: ç’do të ndodhë me ne po të sëmuremi? Po sikur prindërit tanë të moshuar të kenë nevojë për ndihmë? Si do të kujdesemi për veten në moshë të shkuar? Është e pamundur të zbulojmë përgjigjen e plotë të pyetjeve të tilla, sado lutje ose kërkime të bëjmë. (Ekl. 8:16, 17) Ama, besimi i plotë te Jehovai do të na ndihmojë jo vetëm t’i dallojmë kufizimet tona, por edhe t’i pranojmë. Pasi bëjmë kërkime, këshillohemi me të tjerët dhe lutemi për udhëheqje, duhet të hedhim hapa në atë drejtim ku na çon fryma e Perëndisë. (Lexo Eklisiastiun 11:4-6.) Kështu, i japim Jehovait diçka që ta bekojë, ose ndoshta ai mund t’u japë butësisht një udhë tjetër synimeve tona.​—Prov. 16:3, 9.

SI TË KULTIVOJMË MODESTI

15. Si na ndihmon meditimi për Jehovain që të mbetemi të përulur?

15 Meqë modestia sjell kaq shumë dobi, si mund ta kultivojmë akoma më tej? Le të shohim katër mënyra. Së pari, do ta zhvillojmë më shumë modestinë dhe nderimin e thellë për Jehovain duke reflektuar me çmueshmëri për cilësitë dhe pozitën e tij që janë ku e ku më lart nga tonat. (Isa. 8:13) Të mos harrojmë: ne po ecim me Perëndinë e Plotfuqishëm, jo me një engjëll ose me një njeri. Kur e mbajmë parasysh këtë, do të ndihemi të nxitur ‘të përulemi nën dorën e fuqishme të Perëndisë’.​—1 Pjet. 5:6.

16. Si do të na motivojë meditimi për dashurinë e Perëndisë që të jemi modestë?

16 Së dyti, meditimi për dashurinë e Jehovait do të na ndihmojë të kultivojmë modesti. Apostulli Pavël shkroi se ato pjesë të trupit të njeriut që janë më pak të nderuara, Jehovai i rrethon me «më tepër nderim». (1 Kor. 12:23, 24) Në mënyrë të ngjashme, Jehovai kujdeset për secilin nga ne, pavarësisht nga kufizimet që kemi. Ai nuk na krahason me të tjerët e as na e kursen dashurinë e tij kur gabojmë. Falë dashurisë së Jehovait, mund të ndihemi të sigurt kudo që shërbejmë në shtëpinë e tij.

17. Ndërsa mësojmë të kërkojmë anët e mira te të tjerët, si do të ndikojë kjo te ne?

17 Së treti, do ta kuptojmë më mirë rolin tonë në shërbimin e Jehovait ndërsa imitojmë Perëndinë tonë dhe kërkojmë anët e mira te të tjerët. Në vend që të përpiqemi të jemi në qendër të vëmendjes ose të hidhemi për t’i marrë gjithmonë gjërat nën kontroll, do të tregohemi më shpesh modestë duke kërkuar këshilla nga të tjerët dhe duke u hapur rrugë sugjerimeve të tyre. (Prov. 13:10) Do të gëzojmë bashkë me ta kur marrin privilegje. Gjithashtu, do t’i japim lavdi Jehovait teksa shohim si e bekon ‘gjithë vëllazërinë tonë nëpër botë’.​—1 Pjet. 5:9.

18. Si mund ta stërvitim ndërgjegjen që ndjenja jonë e dinjitetit t’i afrohet sa më shumë asaj të Jehovait?

18 Së katërti, ndjenja jonë e respektit dhe e dinjitetit përmirësohet kur stërvitim ndërgjegjen sipas parimeve të Biblës. Do të zhvillojmë gjykim të mirë duke mësuar me modesti t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Jehovait. Ndërsa studiojmë, lutemi dhe e zbatojmë rregullisht atë që mësojmë, mund ta forcojmë avash-avash ndërgjegjen. (1 Tim. 1:5) Mësojmë t’i vëmë të tjerët para vetes. Në rast se bëjmë pjesën tonë, Jehovai premton se ‘do ta çojë deri në fund stërvitjen tonë’, duke na ndihmuar të zhvillojmë modestinë dhe cilësi të tjera që i pëlqejnë atij.​—1 Pjet. 5:10.

19. Ç’do të na ndihmojë të mbetemi modestë për gjithë përjetësinë?

19 Një veprim i vetëm arrogant i kushtoi jetën dhe qëndrimin e mirë para Perëndisë profetit të paemër nga Juda. Megjithatë, ne mund ta ruajmë modestinë nën sprova. Besnikët që jetuan para nesh dhe shërbëtorët modestë të Jehovait sot kanë vërtetuar se kjo është e mundur. Sa më gjatë të ecim me Jehovain, aq më e thellë duhet të bëhet modestia jonë. (Prov. 8:13) Çfarëdo vendi ose roli të kemi në këtë moment, thjesht fakti që ecim me Jehovain është një nder i mrekullueshëm dhe i pashoq. Çmoje këtë privilegj dhe vazhdo të bësh më të mirën që të ecësh me modesti me Jehovain për gjithë përjetësinë!

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo