Mos harro të kthehesh
1 «Në dy vitet e kaluara e kam lexuar katër herë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje thellësia e studimit, erudicioni dhe dokumentacioni nga i cili rrjedh. Vazhdoni ta përhapni këtë libër. Duhet ta kenë të gjithë. Nëse do të ndodhte kjo, të gjitha arsyetimet mashtruese dhe konfuzioni mbi prejardhjen tonë si dhe hipotezat ateiste do të pushonin menjëherë.» Kështu ka shkruar një avokat, siç referon revista Zgjohuni! e 22 prillit 1992, në faqen 32, (angl.).
2 Duke parë se sa i çmuar është ky botim, a nuk duhet të angazhohemi për ta vënë librin Krijimi në duart e një numri sa më të madh që të jetë e mundur personash të interesuar? Të mos reshtim pra të bëjmë rivizita që nxitin interesin për këtë botim të jashtëzakonshëm.
3 Jo shumë prej nesh kanë bërë një studim të thellë të teorive të shumta të formuluara nga evolucionistët. Megjithatë, nuk kemi nevojë ta bëjmë për t’u dhënë personave të sinqertë, prova bindëse se teoria e evolucionit nuk është veçse një mjet tjetër i përdorur nga Satanai për të diskretituar Krijuesin e njerëzimit, Perëndinë Jehova. Mos ngurro të kthehesh nga frika se nuk di t’i përgjigjesh ndonjë pyetjeje shkencore që mund të të bëjë ndonjë pronar shtëpie. Vetë libri jep prova të bollshme të dokumentuara për çdo pohim që bën.
4 Veç kësaj, duke filluar nga kapitulli 16 deri në fund të kapitullit 20 ka një shumllojshmëri të gjerë informacionesh në lidhje me mësimet e qëndrueshme biblike rreth prejardhjes së njeriut, qëllimit të Perëndisë për tokën dhe njerëzimin dhe zgjedhjeve që i paraqiten sot njerëzimit. Pra, ka shumë e shumë informacione të shkëlqyera për të trajtuar në rivizita.
5 Nëse ngurron ca për të rivizituar ata, të cilëve u ke lënë librin, ndoshta mund të marrësh me vete ndonjë pjesëtar të kongregacionit që ka më shumë përvojë ose që është më i informuar mbi teorinë e evolucionit. Mund të jetë ndonjë vëlla apo motër që shkon në shkollë dhe që i është dashur të dedikojë kohë për të thelluar argumentin në programin e studimit, prandaj ka më shumë përvojë me teoritë evolucioniste aktuale. Ose, në kongregacionin tënd mund të ketë ndonjë i cili përpara se të njihte të vërtetën biblike ishte evolucionist dhe kështu ndodhet në pozitën ideale për të hedhur poshtë mësimet e rreme të evolucionit.
6 Mos ngurro të tërheqësh vëmendjen në kapitullin 19 të librit Krijimi dhe ta bazosh rivizitën në shpresën biblike për të ardhmen. Kapitulli përmban shumë pika që mund të përdoren për të inkurajuar personin që të marrë për zemër premtimet e Biblës për të ardhmen. Ndoshta mund të përdorësh informacionet e nëntitullit «Toka transformohet», në faqen 235, duke vazhduar pastaj me nëntitujt «Fundi i varfërisë» dhe «Kurrë më sëmundje dhe vdekje», në faqet 237-239.
7 Ky botim i shkëlqyer ka ndihmuar shumë veta që të gjejnë rrugën e jetës. Mund të ndihmojmë të tjerë akoma duke i inkurajuar që të lexojnë dhe të konsiderojnë atë që thotë libri Krijimi mbi prejardhjen e jetës.