Vazhdoni të flisni mbi gjërat që keni parë e dëgjuar
1 Edhe përpara kërcënimit me rrahje apo burgosje, apostujt u thanë kundërshtarëve të tyre: «Nuk mund të pushojmë së foluri mbi gjërat që kemi parë dhe dëgjuar.» (Veprat 4:20) E çmonin vlerën e veprave dhe mësimeve të Jezuit.
2 Lajmi i mirë mbi Jezuin dhe mbretërinë e tij është po aq i rëndësishëm për njerëzit e sotëm. Duhet, pra, të shfrytëzojmë çdo rast për t’u folur mbi çka kemi parë dhe dëgjuar nga Fjala e Perëndisë. Zakonisht, njerëzit janë më të gatshëm për të folur mbi argumentet fetare gjatë festave dhe kjo na ofron mundësi më të mëdha për të dhënë dëshmi.
3 Të rinj, flitni nëpër shkolla: Shumë të rinj Dëshmitarë, përfitojnë nga çdo rast që t’u japin dëshmi shokëve dhe mësuesve. Një e re Dëshmitare që përpiqet të jetë gjithmonë në dijeni të gjërave për të cilat interesohen shokët e saj, mori shkas nga një fakt i ndodhur në shkollë, për t’u ofruar shokëve dhe mësuesve një botim të përshtatshëm. Rezultati? Shpërndau 35 libra vetëm për një ditë! Pasi në këtë periudhë të vitit shumë njerëz meditojnë mbi Jezu Krishtin dhe paqen, a nuk do të ishte momenti i duhur për t’u bërë të ditur shokëve dhe mësuesve se në ç’mënyrë Jezui, si Mbret që mbretëron, mund t’i zgjidhë problemet e botës?—Krahaso Luka 2:14.
4 Nëse dikush të kritikon pasi nuk merr pjesë në traditat e Krishtlindjeve apo Pashkëve, mund t’i thuash:
◼ «Nuk i festoj Krishtlindjet dhe Pashkët, sepse këto festa nuk e nderojnë Jezuin si mjetin tonë të vetëm për shpëtim dhe të vetmin që do t’i japë fund luftës dhe çdo lloj tjetër problemi. [Të citohet apo lexohet Veprat 4:21] Jezui është një Mbret që mbretëron. Ky libër, Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë, shqyrton të gjitha mësimet dhe mrekullitë e Jezuit dhe tregon se në ç’mënyrë ai do t’u japë fund vuajtjeve njerëzore.» Pastaj trego figurën e kapitullit 133 dhe lexo paragrafin e dytë të faqes që vijon. Trego edhe pika të tjera të cilat mendon se i interesojnë personit. Nëse tregon një interes të arsyeshëm, shpjegoi se si mund ta marrë librin.
5 Folu kolegëve të punës: Një vëlla ka shpërndarë 63 libra thjesht duke vënë mbi tavolinën e shkrimit një kopje të librit Njeriu më i madh. Pamja e tij tërheqëse dhe vetë titulli ngjallin pyetje. Mund të pyesësh ndonjë koleg: «Kush ka qenë, sipas teje, njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë?» Pastaj shto: «Ky libër trajton me hollësi jetën e Jezuit, shqyrton të gjitha fjalimet e tij, u përgjigjet pyetjeve që shumë njerëz ia bëjnë vetes mbi mrekullitë e tij dhe përmend edhe hollësi të tjera interesante. Përmbledh me kujdes atë që Bibla mëson mbi Jezu Krishtin dhe përtej çdo dyshimi tregon se ai ka qenë njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë.» Trego pastaj komentin që bëri Napoleoni mbi Jezuin, të sjellë në paragrafin e tretë të hyrjes së librit.
6 Raste të tilla mund të paraqiten për t’u dhënë dëshmi fqinjëve apo të afërmve që nuk besojnë. Lutju Jehovait që të të japë forcën dhe aftësinë për të folur në kohën e duhur. (Veprat 4:29) Ajo që kemi për të thënë mbi Jezuin, do t’u japë zemër njerëzve të arsyeshëm dhe të prirë nga drejtësia. Çfarë përvoje më të mirë mund të kemi, sesa ajo për të ndihmuar një shok shkolle, një koleg pune, një fqinj apo një të afërm që të ecë në rrugën që çon në jetën e përhershme?—Gjoni 14:6.