Kutia e pyetjes
◼ Çfarë kujdesi duhet të tregojmë kur punojmë në një territor të rrezikshëm?
1 Gjithnjë e më tepër dëgjojmë raporte dhune, plaçkitjesh dhe trazirash sociale, veçanërisht nëpër qytete. Edhe pse ndihemi të shqetësuar, e dimë se edhe në vendet me trazira ekzistojnë persona të sinqertë të cilët do t’i përgjigjen mesazhit të Mbretërisë. Prandaj, në kohë të përshtatshme, duhet të rreshtohemi me guxim për të vazhduar veprën tonë të predikimit, me besim në mbrojtjen e Jehovait.—Prov. 29:25; 1. Sel. 2:2.
2 Kur shkojmë në një vend që mund të jetë i rrezikshëm, Jehovai pret nga ne që të jemi të kujdesshëm dhe të gjykojmë mirë. Ji i zgjuar. «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Prov. 22:3, Dio) Lajmëtarët me përvojë e çmojnë mençurinë e të punuarit së bashku dy e nga dy ose edhe në grupe prej disa lajmëtarësh, nëse është e nevojshme. Eklisiastiu 4:9, 12 thotë: «Dy vlejnë më mirë se një i vetëm . . . Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i rezistojnë.» (Dio) Shpesh, kriminelët shikojnë për ata që janë vetëm e në këtë mënyrë mund të bien viktimë me lehtësi.
3 Ji dyfish i kujdesshëm kur shkon në pallate me korridore të errëta dhe ku nëpër shkallë nuk ka njeri. Ki kujdes kur të ftojnë të hysh brenda në një shtëpi apo apartament. Mos argumento me ata që mund të duken kërcënues apo provokues. Identifiko veten menjëherë si një Dëshmitar i Jehovait. Disa lajmëtarë me qëllim që të identifikohen mbajnë në dorë një Bibël ose një revistë Kulla e Rojës.
4 Hidh një sy nga individët që sorollaten kot në atë zonë. Ki kujdes kur të hysh në një shkallë ku ka persona që nuk duken se janë banorë të pallatit. Mos u vish me stoli të kushtueshme. Nëse të zë mbrëmja jashtë, mos ec nëpër rrugët e errëta ku nuk ka shumë njerëz. Po re viktimë e ndonjë plaçkitësi, mos rezisto nëse bëhet fjalë vetëm për paratë apo gjërat që zotëron; jeta jote vlen shumë më tepër se çdo gjë materiale që ke.—Mar. 8:36.
5 Vëllezërit që drejtojnë duhet të jenë të zgjuar, duke i ndjekur nga afër lajmëtarët në territor. Zakonisht, është më mirë që grupi të mbahet i përqendruar në të njëjtën zonë, në mënyrë që të tjerët të jenë gjithmonë afër. Nëse ndonjë lloj dhune apo ngatërrese zhvillohet në lagje, grupi duhet ta lërë menjëherë territorin.
6 Nëse jemi të zgjuar dhe të kujdesshëm, mund të vazhdojmë që edhe në zonat me një shkallë të lartë kriminaliteti, të arrijmë ata që «psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes tyre».—Ezek. 9:4, Dio.