Çfarë synimesh keni vënë për fëmijët tuaj?
1 Suksesi në jetë varet nga vënia dhe arritja e synimeve të dobishme. Ata që ndjekin synime jo të rëndësishme apo joreale përfundojnë të zhgënjyer dhe të pakënaqur. Duhet mençuri për të dalluar se cilat objektiva duhen ndjekur me qëllim që «të kapemi fort në jetën e vërtetë». (1. Tim. 6:19, BR) Sa mirënjohës jemi që Jehovai përmes Fjalës dhe organizatës së tij, na tregon me saktësi se në cilën rrugë të shkojmë!—Isa. 30:21.
2 Për të siguruar një udhëheqje të tillë dashamirëse, Jehovai vë një shembull të shkëlqyer për prindërit. Në vend që të lejojnë fëmijët e tyre të papërvojë të zgjedhin se cila është rruga më e mirë, prindërit e mençur i stërvitin ata në rrugën që duhet të shkojnë dhe kur të rriten ata «nuk do të largohen prej saj». (Prov. 22:6) Prindërit e krishterë e dinë nga përvoja se ata nuk mund të besojnë në gjykimin e vet; ata duhet të besojnë në Jehovain. (Prov. 3:5, 6) Kjo nevojë është akoma më e madhe për ata fëmijë, të cilët kanë pak njohuri dhe përvojë.
3 Prindërit mund të vënë përpara fëmijëve të tyre synime të dobishme që do t’i ndihmojnë ata të përqendrohen në «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:10, BR) Mund të fillojnë me studimin familjar, duke i inkurajuar fëmijët që të vlerësojnë rëndësinë e tij dhe të mësojnë nga ai. Është mirë që fëmijët të marrin shprehinë që të studiojnë që më përpara për mbledhjet e kongregacionit dhe të përgatiten për të komentuar me fjalët e tyre. Një pjesëmarrje e rregullt në veprën e predikimit është e rëndësishme. Fëmijët mund të kontribuojnë duke ofruar fletushka, duke lexuar shkrime ose duke prezantuar revista. Kur ata janë në gjendje të lexojnë, regjistrimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik mund të shpejtojë përparimin e tyre frymor. Kualifikimi si një lajmëtar i papagëzuar ose pranimi për pagëzim është një hap i madh përpara.
4 Ndërsa fëmijët i afrohen moshës së adoleshencës apo edhe më herët, prindërit duhet të flasin në mënyrë realiste me ta për të vënë synime progresive. Këshilltarët e shkollës dhe shokët e klasës mund të ndikojnë lehtësisht mbi ta në favor të synimeve materialiste botërore. Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që të zgjedhin atë degë që siguron stërvitje praktike, duke i pajisur ata që të kujdesen për nevojat e tyre materiale pa sakrifikuar interesat e Mbretërisë. (1. Tim. 6:6-10) Ata mund të inkurajohen që të ndjekin «dhuratën» e beqarisë dhe pastaj më vonë, nëse ata vendosin të martohen, do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë e rëndë të martesës. (Mat. 19:10, 11; 1. Kor. 7:36-38) Duke folur në një mënyrë pozitive mbi shërbimin si pionier, shërbimin ku ka më shumë nevojë, shërbimin në Bethel, ose veprimtarinë misionare, mund të fusim në mendjen e fëmijëve edhe në një moshë të re, dëshirën për ta përdorur jetën e vet në një mënyrë që i pëlqen Jehovait, që u sjell dobi të tjerëve dhe që i sjell bekime vetes.
5 Nuk është rastësi që sot kemi kaq shumë të rinj në organizatë të cilët i mbajnë lart vlerat e krishtere dhe ndjekin synime teokratike. Shumica e suksesit të tyre mund t’i atribuohet prindërve dashamirës. Nëse je një prind, ku duhet të drejtohen fëmijët tuaj? A po ecin ata në mënyrë progresive drejt një jete të përqendruar ndaj interesave të Mbretërisë? Mos harro, një nga gjërat më të rëndësishme që ti mund të bësh, është që t’i ngulitësh fëmijëve të tu të vërtetën dhe t’i flasësh çdo ditë për të. Mund të jesh i bekuar me një familje të tërë që është besnike ndaj Jehovait.—Li. përt. 6:6, 7; Jos. 24:15.