Stërvitini fëmijët që të bëhen lajmëtarë
1. Sipas Psalmit 148:12, 13 çfarë përgjegjësie kanë prindërit e krishterë?
1 Jehovai i fton të rinjtë që ta lëvdojnë. (Psal. 148:12, 13) Prandaj, prindërit e krishterë, jo vetëm u mësojnë fëmijëve të vërtetat biblike dhe ligjet morale të Perëndisë, por bëjnë më shumë se kaq. I stërvitin edhe të bëhen lajmëtarë të lajmit të mirë. Si mund ta bëjnë këtë në mënyrë progresive?
2. Si ndikon shembulli i mirë i një prindi te fëmijët e tij?
2 Shembulli i mirë: Gjykatësi Gideon u tha 300 luftëtarëve të tij: «Për të mësuar shikomëni mua.» (Gjyk. 7:17) Fëmijët e kanë në natyrë t’i shohin prindërit si veprojnë dhe t’i imitojnë. Një baba punon natën, por në vend që të flejë të shtunën në mëngjes kur kthehet nga puna, merr fëmijët dhe del në shërbim, edhe pse është mjaft i lodhur. Pa fjalë, ai po u mëson që shërbimi vjen në radhë të parë. (Mat. 6:33) A shohin fëmijët e tu që ti merr pjesë me gëzim në aspekte të ndryshme të adhurimit, si lutja, leximi i Biblës, komentet në mbledhje dhe predikimi? Sigurisht, mos prit të jesh një shembull i përsosur. Por ama, fëmijët do të reagojnë më mirë ndaj përpjekjeve të tua për t’u mësuar të adhurojnë Jehovain, nëse shohin zellin tënd në adhurim.—Ligj. 6:6, 7; Rom. 2:21, 22.
3. Çfarë synimesh frymore e progresive mund të ndihmojnë prindërit që fëmijët të vënë e të arrijnë?
3 Synime progresive: Prindërit e palodhur i stërvitin fëmijët të ecin, të flasin, të vishen e kështu me radhë. Ndërsa kalojnë në faza të rëndësishme gjatë rritjes, synime të reja i presin në të ardhmen. Kurse prindërit që janë të krishterë, i ndihmojnë edhe të vënë e të arrijnë synime frymore, në varësi të moshës dhe të aftësive të tyre. (1 Kor. 9:26) A po i mëson fëmijët që të komentojnë me fjalët e tyre dhe të përgatitin fjalimet e veta në Shkollën e Shërbimit Teokratik? (Psal. 35:18) A po i stërvit që të marrin pjesë në aspekte të ndryshme të shërbimit? A po i ndihmon që të kenë si synim pagëzimin dhe shërbimin në kohë të plotë? A po bën përpjekje që të shoqërohen me ungjillëzues të gëzuar dhe entuziastë që mund t’i inkurajojnë?—Prov. 13:20.
4. Si përfitojnë fëmijët nëse prindërit fillojnë t’i stërvitin në shërbim që në vogëli?
4 Psalmisti tha: «O Perëndi, ti më mësove që nga rinia ime, dhe deri tani tregoj veprat e tua të mrekullueshme.» (Psal. 71:17) Fillo t’i stërvitësh fëmijët që në vogëli që të bëhen lajmëtarë. Themeli frymor që do t’i ndihmosh të hedhin tani, do t’u shërbejë me siguri edhe kur të rriten.—Prov. 22:6.