Prindër: Stërvitini fëmijët që nga foshnjëria
1 «Stërvite djalin sipas udhës për të; edhe kur të plaket nuk do të largohet prej saj.» (Prov. 22:6, BR) Prindër, nëse nuk doni që fëmijët tuaj ‘të largohen’ nga rruga e së vërtetës, kur duhet të fillojë kjo stërvitje? Që në foshnjëri!
2 Kur Pavli tha se arsimimi frymor i Timoteut ishte «nga foshnjëria», me sa duket, donte të thoshte që sa kishte lindur. (2 Tim. 3:14, 15) Si pasojë, Timoteu u bë një burrë i shkëlqyer frymor. (Filip. 2:19-22) Prindër, edhe ju duhet të filloni «nga foshnjëria» për t’u dhënë fëmijëve stërvitjen që u nevojitet për ‘t’u rritur përpara Jehovait’.—1 Sam. 2:21, BR.
3 Furnizojini me ujin që u nevojitet për t’u rritur: Ashtu si filizat kanë vazhdimisht nevojë për ujë që të rriten e të bëhen pemë madhështore, edhe fëmijët e çdo moshe kanë nevojë të vaditen me ujin e së vërtetës biblike për t’u bërë shërbëtorë të pjekur të Jehovait. Mënyra kryesore për t’u mësuar fëmijëve të vërtetën dhe për t’i ndihmuar që të fitojnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, është mbajtja e një studimi të rregullt biblik familjar. Por, prindër, shqyrtoni kohën e përqendrimit të çdo fëmije. Për fëmijët e vegjël, mbase do të ishte më e efektshme të përdoreshin periudha të shkurtra e të shpeshta mësimi në vend të disa periudhave të gjata.—Ligj. 11:18, 19.
4 Mos e nënvlerësoni kurrë mundësinë e fëmijëve për të mësuar. Tregojuni histori rreth personazheve biblike. Lërini të përshkruajnë pikturat e skenave biblike ose të interpretojnë ngjarjet biblike. Përdorini mirë videokasetat dhe audiokasetat tona, duke përfshirë edhe dramat biblike. Përshtatjani studimin familjar moshës së fëmijëve tuaj dhe aftësisë që kanë për të mësuar. Stërvitja fillestare duhet të përfshijë gjërat elementare dhe të jepet pak nga pak, por, ndërsa fëmijët rriten, stërvitja duhet të zgjerohet e të bëhet më progresive. Bëjeni mësimin biblik të gjallë e të larmishëm. Nëse doni që fëmijët tuaj ‘të ushqejnë një dëshirë të zjarrtë’ për Fjalën, bëjeni studimin sa më tërheqës që mundeni.—1 Pjet. 2:2.
5 Përfshijini në kongregacion: Vini synime progresive për fëmijët tuaj, që ata të përfshihen plotësisht në kongregacion. Cili mund të jetë synimi i tyre i parë? Prindërit e dy fëmijëve të vegjël thanë: «Që të dy filluam t’i stërvitnim që të rrinin urtë në Sallën e Mbretërisë.» Më vonë, ndihmojini fëmijët që të komentojnë në mbledhje me fjalët e tyre dhe të vënë si synim që të regjistrohen në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Synime të mira për t’u arritur në shërbimin në fushë do të ishin, për shembull: të ofronin një fletushkë në derë, të lexonin një shkrim, të prezantonin një revistë dhe ta përfshinin pronarin e shtëpisë në biseda domethënëse.
6 Lini një shembull entuziast: A ju dëgjojnë fëmijët të flitni çdo ditë për Jehovain dhe t’i luteni atij? A ju shohin që studioni Fjalën e tij, që ndiqni mbledhjet, që merrni pjesë në shërbim dhe që gjeni kënaqësi në bërjen e vullnetit të Perëndisë? (Psal. 40:8) Është jetësore që t’ju shohin dhe t’i bëni këto gjëra së bashku. Një vajzë e rritur tha për nënën e saj e cila i rriti të gjashtë fëmijët si Dëshmitarë besnikë: «Ajo që na la më shumë mbresë ishte vetë shembulli i nënës—ai foli më shumë se fjalët.» Një prind i katër fëmijëve pohoi: « Fjalët ‘Jehovai është në vendin e parë’ nuk ishin vetëm një frazë e zakonshme, por mënyrë jetese.»
7 Prindër, filloni që herët t’i stërvitni fëmijët tuaj, duke u mësuar të vërtetën nga Fjala e Perëndisë, duke vënë synime progresive dhe duke siguruar shembullin më të mirë që është e mundur. Do të jeni të lumtur po t’i bëni këto.