Çfarë t’i themi një hinduisti?
1 Siç mund ta dimë, në vende të ndryshme jetojnë shumë hinduistë. Kjo do të thotë se herët e vonë, ka të ngjarë që edhe ne të takojmë ndonjë të tillë gjatë shërbimit tonë. Nëse kjo ndodh, si do ta trajtonim këtë vizitë?
2 Të mbajmë parasysh këto pika: Misionarët që u kanë dëshmuar me sukses hinduistëve, thonë se për të dhënë një dëshmi të efektshme nuk nevojitet ndonjë studim i thellë i hinduizmit. Shpesh, ajo që sjell një përgjigje pozitive është një prezantim i thjeshtë dhe me takt i së vërtetës. Së pari, të kërkojmë të flasim me kryetarin e familjes. Nëse përgjigjja e tij është e favorshme, do të jetë më e lehtë për t’u dëshmuar pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kur nisim bisedën, të mos lëmë përshtypjen se po sjellim një mesazh që është më i lartë se ai që beson pronari i shtëpisë dhe se duam të diskutojmë rreth të vetmit Perëndi të vërtetë ose rreth shkrimeve të shenjta që janë më të vjetra se çdo shkrim tjetër. Pasi shumë hinduistë e konsiderojnë Biblën si një libër perëndimor, mund ta heqim këtë paragjykim duke u shpjeguar se ajo nuk nxit kolonializmin ose epërsinë e një race mbi një tjetër.
3 Të përdorim mjetet e duhura: Duke pasur veçanërisht në mendje hinduistët, janë përgatitur dy broshura. Përse duhet ta adhurojmë Perëndinë me dashuri dhe në të vërtetën?, shtypur në gjuhën gujarati dhe punjabi dhe Problemet tona: Kush do të na ndihmojë t’i zgjidhim?, shtypur në 11 gjuhë të tjera indiane. Të dyja janë në dispozicion në gjuhën angleze. Gjithashtu, broshurat «Shiko! Po bëj çdo gjë të re» dhe A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?, kanë dalë se janë të efektshme kur u dëshmohet atyre me prejardhje hinduiste. Broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria mund të përdoren në mënyrë të efektshme për të drejtuar studime biblike.
4 Të vendosim një bazë të përbashkët: Nuk është e vështirë të gjesh një bazë të përbashkët me hinduistët. Ata besojnë se po jetojmë në një kohë kur ligësia ka arritur kulmin dhe se Perëndia do ta shpëtojë botën nga problemet përmes një katastrofe të madhe, e cila do të pasohet nga epoka e së vërtetës. Mund të vërejmë se sa lehtësisht mund të lidhen këto besime me mësimet e Biblës rreth ditëve të fundit, mjerimit të madh dhe botës së re që po vjen. Pasi shumica e hinduistëve e shohin jetën si një seri problemesh të pazgjidhshme, atyre u interesojnë argumentet për jetën familjare, krimin, sigurinë e jetës dhe se çfarë ndodh kur njeriu vdes. Më poshtë jepen dy prezantime të thjeshta që mund t’i provojmë kur takojmë një hinduist.
5 Kjo mund të tërheqë burrin e një familjeje:
◼ «Po vizitoj njerëz që janë të shqetësuar rreth gjendjes së jetës familjare që vihet re sot në shumë vende. Çfarë mendoni se do të ndihmonte për ta mbajtur familjen të bashkuar? [E lëmë të përgjigjet.] Disa njerëz e dinë se çfarë thonë shkrimet hinduiste rreth familjes, por nuk kanë pasur kurrë mundësi që të bëjnë një krahasim me atë që thotë Bibla për këtë temë. Do të kisha dëshirë të ndaja me ju këtë mendim që gjendet në Kolosianëve 3:12-14.» Pas leximit të shkrimit t’i tregojmë pronarit të shtëpisë kapitullin 15 të librit Njohuria dhe t’i themi: «Do të më pëlqente të harxhoja pak kohë për të lexuar me ju këtë kapitull.»
6 Një i ri mund t’i përgjigjet këtij prezantimi:
◼ «Pa dyshim që ju besoni te Perëndia. Cili mendoni se është qëllimi i Perëndisë për ne?» E lëmë të përgjigjet. Më pas të lexojmë Zanafillën 1:28 dhe të themi: «Në shumë vende toka është e mbipopulluar dhe e mbytur me probleme. A mendoni se Krijuesi do të ishte i gatshëm të na ndihmonte për zgjidhjen e problemeve tona?» Pas dëgjimit të përgjigjes të përdorim një botim të përshtatshëm.
7 Të gëzojmë rezultatet pozitive: Një hinduist 22-vjeçar iu afrua një motre që po jepte dëshmi në treg dhe i kërkoi një studim biblik. Ai i shpjegoi asaj se tetë vjet më parë i kishte zënë veshi një diskutim biblik midis saj dhe nënës së tij. Ndonëse atij i kishin bërë përshtypje përgjigjet praktike të Biblës për problemet e njerëzimit, nëna e tij nuk ishte e interesuar dhe ai kishte menduar se ishte tepër i ri për ta ndjekur vetë të vërtetën. Tani që ishte i rritur, donte të mësonte më shumë. I riu nuk humbi kohë. Në vetëm 23 ditë përfundoi studimin me librin Njohuria dhe pikërisht katër muaj pasi kishte takuar motrën në treg, kërkoi të pagëzohej.
8 Një vëlla filloi një studim me një hinduist që takoi në tren. Burri po kalonte vështirësi në martesën e tij. Ai kishte edhe një problem me pijen. Burri pranoi që Dëshmitari ta vizitonte dhe të diskutonte me të rreth këshillave biblike për jetën familjare. Mësimet morale të Biblës e tërhoqën dhe ai pranoi një studim biblik. Filloi të ndiqte mbledhjet bashkë me familjen e tij. Më vonë, filluan ta ndanin të vërtetën me miqtë dhe të afërmit. Deri tani, gjashtë prej këtyre personave e kanë pranuar të vërtetën!
9 Vullneti i Perëndisë është që «gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës». (1 Tim 2:4) Kjo gjë përfshin edhe burrat e gratë që i takojnë një feje jo të krishterë, si hinduizmi. Nëse në territorin tonë ka hinduistë, përse të mos i vizitojmë pa humbur kohë dhe të përdorim disa prej sugjerimeve të dhëna në këtë artikull?