BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • mwbr18 shkurt f. 1-4
  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»—2018
  • Nëntema
  • 5-11 SHKURT
  • 12-18 SHKURT
  • 19-25 SHKURT
  • 26 SHKURT–4 MARS
Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»—2018
mwbr18 shkurt f. 1-4

Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»

5-11 SHKURT

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 12-13

«Ilustrimi i grurit dhe i egjrave»

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Mateu 12:20) Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit që digjet në vetvete. Ai do të jetë i tillë derisa ta bëjë drejtësinë të triumfojë.

nwtsty shënimi për studim te Mt 12:20

fitilin e lirit që digjet në vetvete: Një llambë e zakonshme shtëpie ishte një enë e vogël balte që mbushej me vaj ulliri. Vaji shërbente që fitili të bënte flakë. Shprehja greke ‘fitili i lirit që digjet në vetvete’ mund t’i referohet fitilit që bën tym kur ka mbetur një pjesë e tij, por flaka po venitet ose është shuar. Profecia e Isaisë 42:3 paratha dhembshurinë e Jezuit; ai nuk do ta shuante kurrë shkëndijën e fundit të shpresës së njerëzve të përulur dhe të shtypur.

12-18 SHKURT

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 14-15

«Ushqehet një shumicë nga duart e pakicës»

(Mateu 14:20, 21) Kështu, të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: dymbëdhjetë shporta plot. 21 E megjithatë, ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.

nwtsty shënimi për studim te Mt 14:21

përveç grave dhe fëmijëve: Vetëm Mateu përmend gratë dhe fëmijët kur raporton këtë mrekulli. Ka mundësi që numri i të gjithë atyre që u ushqyen mrekullisht ishte mbi 15.000.

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Mateu 15:7-9) Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju: 8 «Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë. 9 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.»

nwtsty shënimi për studim te Mt 15:7

Hipokritë: Fillimisht fjala greke hipokrités u referohej aktorëve grekë (më vonë edhe romakë) që luanin në skenë, të cilët mbanin maska të mëdha për të përforcuar zërin. Termi nisi të përdorej si metaforë për këdo që shtirej ose hiqej, për të fshehur qëllimet ose personalitetin e tij të vërtetë. Këtu Jezui i quan «hipokritë» krerët fetarë judenj.​—Mt 6:5, 16.

(Mateu 15:26) Ai iu përgjigj: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.»

nwtsty shënimi për studim te Mt 15:26

fëmijëve . . . këlyshëve të qenve: Ngaqë qentë konsideroheshin të papastër sipas Ligjit të Moisiut, Shkrimet shpesh e përdorin këtë term me kuptim përçmues. (Le 11:27; Mt 7:6; Fi 3:2; Zb 22:15) Megjithatë, si në tregimin e Markut (7:27), si të Mateut, në bisedën e Jezuit, për të zbutur krahasimin, përdoret forma zvogëluese e termit që ka kuptimin «këlysh qeni» ose «qen shtëpie». Ndoshta kjo tregon se Jezui përdori një term të përzemërt për kafshët shtëpiake të jojudenjve. Duke i krahasuar izraelitët me «fëmijët» dhe jojudenjtë me «këlyshët e qenve», Jezui donte të tregonte qartë se kush kishte përparësi. Në një shtëpi që kishte edhe fëmijë, edhe qen, fëmijët ushqeheshin të parët.

19-25 SHKURT

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 16-17

«Mendimet e kujt po bluan?»

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Mateu 16:18) Gjithashtu, po të them: ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim dhe portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të.

nwtsty shënimi për studim te Mt 16:18

ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb: Fjala greke pétros në gjininë mashkullore ka kuptimin «copë shkëmbi, gur». Këtu është përdorur si emër i përveçëm (Pjetër), forma greke e emrit që i vuri Jezui Simonit. (Gjo 1:42) Trajta femërore pétra është përkthyer «shkëmb» dhe mund të tregojë shtresë shkëmbore, shkëmb ose masë shkëmbore. Kjo fjalë greke shfaqet edhe te Mt 7:24, 25; 27:60; Lu 6:48; 8:6; Ro 9:33; 1Ko 10:4; 1Pj 2:8. Me sa duket, Pjetri nuk e shikonte veten si shkëmbi mbi të cilin Jezui do të ndërtonte kongregacionin, meqenëse te 1 Pj 2:4-8 ai shkroi se Jezui ishte ‘guri i qoshes për themelin’, për të cilin ishte folur shumë kohë përpara dhe që ishte zgjedhur nga vetë Perëndia. Po njëlloj, apostulli Pavël e quajti Jezuin «themel» dhe ‘shkëmb frymor’. (1Ko 3:11; 10:4) Prandaj, me sa duket, Jezui po bënte një lojë fjalësh, ku në thelb po thoshte: «Ti, që unë të quajta Pjetër, copë shkëmbi, ke dalluar identitetin e vërtetë të Krishtit, ‘shkëmbit’, që do të shërbejë si themeli i kongregacionit të krishterë.»

kongregacionin: Kjo është hera e parë që del termi grek ekklesía. Vjen nga dy fjalë greke: ek që ka kuptimin «jashtë» dhe kaléo që do të thotë «thërras». I referohet një grupi njerëzish që janë thirrur së bashku për një qëllim ose veprimtari të veçantë. Në këtë kontekst Jezui parathotë formimin e kongregacionit të krishterë që do të përbëhej nga të krishterë të mirosur, të cilët si ‘gurë të gjallë, po ndërtoheshin në një shtëpi frymore’. (1Pj 2:4, 5) Ky term grek përdoret shpesh te Septuaginta si ekuivalent i termit hebre «kongregacion» që zakonisht i referohet gjithë popullit të Perëndisë. (Lp 23:3; 31:30) Te Veprat 7:38, izraelitët që u thirrën jashtë Egjiptit quhen ‘kongregacion’. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët që ‘janë thirrur nga errësira’ dhe që ‘janë zgjedhur nga bota’ formojnë «kongregacionin e Perëndisë».—1Pj 2:9; Gjo 15:19; 1Ko 1:2.

(Mateu 16:19) Unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve dhe çdo gjë që do të lidhësh në tokë, tashmë do të jetë lidhur në qiej, dhe çdo gjë që do të zgjidhësh në tokë, tashmë do të jetë zgjidhur në qiej.

nwtsty shënimi për studim te Mt 16:19

çelësat e mbretërisë së qiejve: Në Bibël, atyre që u jepeshin disa çelësa, qoftë të mirëfilltë apo të figurshëm, u besohej njëfarë autoriteti. (1Kr 9:26, 27; Is 22:20-22) Prandaj, termi «çelës» u bë simbol i autoritetit dhe përgjegjësisë. Pjetri i përdori «çelësat» që iu besuan, për t’u dhënë mundësi judenjve (Ve 2:22-41), samaritanëve (Ve 8:14-17) dhe jojudenjve (Ve 10:34-38) të merrnin frymën e Perëndisë, që të hynin në Mbretërinë qiellore.

26 SHKURT–4 MARS

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 18-19

«Bëni kujdes të mos pengoni veten dhe të tjerët»

(Mateu 18:6, 7) Por, për këdo që pengon një nga këta të vegjël që tregojnë besim tek unë, është më mirë të varë rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të fundoset në detin e paanë. 7 Mjerë bota për shkak të gurëve të pengesës! Natyrisht, ata do të vijnë patjetër, por mjerë njeriu, që bëhet gur pengese!

nwtsty shënimet për studim te Mt 18:6, 7

një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar: Ose «një gur mulliri i madh». Fjalë për fjalë «gur mulliri i gomarit». Një gur i tillë mulliri, ka gjasa me diametër 1,2-1,5 m (4-5 ft), ishte aq i rëndë sa duhej rrotulluar nga një gomar.

gurëve të pengesës: Kuptimi origjinal i fjalës greke skándalon që përkthehet «gur pengese», mendohet se i referohet një gracke; disa sugjerojnë se ishte shkopi i grackës me të cilin lidhej karremi. Në një kuptim më të gjerë, fjala filloi të përdorej për çdo gjë që do ta bënte dikë të pengohej ose të rrëzohej. Në kuptim të figurshëm, ajo i referohet një veprimi ose rrethane që e bën dikë të ndjekë një udhë të gabuar, të pengohet ose të bjerë moralisht, e madje të bjerë në mëkat. Te Mt 18:8, 9, kjo fjalë e përdorur si folje skandalízo, që është përkthyer «bëhet pengesë», mund të përkthehet edhe «bëhet lak, bëhet shkak për mëkat».

nwtsty media

Guri i mullirit

Gurët e mullirit përdoreshin për të bluar drithin dhe për të shtypur ullinjtë që të nxirrnin vaj. Disa ishin aq të vegjël sa mund të rrotulloheshin me dorë, por kishte të tjerë aq të mëdhenj sa duhej të rrotulloheshin nga një kafshë. Edhe Samsoni, i detyruar nga filistinët, mund të ketë rrotulluar një gur mulliri të madh si ky. (Gjy 16:21) Mulliri që vihej në punë me fuqinë e kafshëve përdorej gjerësisht jo vetëm në Izrael, por edhe në pjesën më të madhe të Perandorisë Romake.

Guri i sipërm i mullirit dhe i poshtmi

Një gur mulliri i madh, si ky që paraqitet këtu, duhej rrotulluar nga një kafshë shtëpiake, si p.sh. një gomar, dhe përdorej për të bluar drithin dhe për të shtypur ullinjtë. Një gur mulliri i sipërm mund të arrinte një diametër deri në 1,5 m (5 ft) dhe duhej rrotulluar mbi një gur të poshtëm shumë më të madh.

(Mateu 18:10) Kini kujdes se mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.

nwtsty shënimi për studim te Mt 18:10

shohin fytyrën e Atit tim: Ose «paraqiten para Atit tim». Vetëm krijesat e padukshme qiellore mund ta shohin fytyrën e Perëndisë, sepse ato kanë mundësi të paraqiten kurdoherë para Tij.—Da 33:20.

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Mateu 18:21, 22) Atëherë u afrua Pjetri dhe e pyeti: «Zotëri, sa herë duhet ta fal tim vëlla, nëse ai mëkaton kundër meje? Shtatë herë?» 22 Jezui iu përgjigj: «Unë po të them: jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.»

nwtsty shënimi për studim te Mt 18:22

shtatëdhjetë e shtatë herë: Fjalë për fjalë «shtatëdhjetë herë shtatë». Kjo shprehje greke mund të nënkuptojë edhe «70 plus 7» (77 herë), edhe «70 shumëzim për 7» (490 herë). Të njëjtat fjalë përdoren te Septuaginta, te Zn 4:24 për të përkthyer shprehjen hebraike «shtatëdhjetë e shtatë herë»; ky fakt mbështet përkthimin «shtatëdhjetë e shtatë herë» në Shkrimet Greke. Pavarësisht se si është kuptuar, përsëritja e numrit shtatë ishte ekuivalente me «pafundësisht» ose «pa kufi». Duke thënë 77, në vend se 7, siç tha Pjetri, Jezui po u thoshte dishepujve se nuk ka një numër të përcaktuar për gabimet që mund të falen. Krejt ndryshe, në Talmudin babilonas (Yoma 86b) thuhet: «Nëse një njeri kryen një shkelje, falet herën e parë, të dytë dhe të tretë, herën e katërt nuk falet.»

(Mateu 19:7) Ata e pyetën: «Përse, atëherë, Moisiu porositi që t’i japë një dëshmi se e ka përzënë dhe ta divorcojë?»

nwtsty shënimi për studim te Mt 19:7

dëshmi se e ka përzënë: Ose «dëshmi divorci». Duke i kërkuar një burri që donte të divorcohej, të përgatiste një dokument ligjor dhe ka të ngjarë të konsultohej me pleqtë, Ligji po i linte kohë që ta rishqyrtonte një vendim kaq serioz. Duket qartë se qëllimi i Ligjit ishte të parandalonte divorcet e nxituara dhe t’u siguronte grave një masë mbrojtjeje ligjore. (Lp 24:1) Por, në ditët e Jezuit, krerët fetarë e kishin bërë të lehtë marrjen e divorcit. Jozefi, historian i shekullit të parë që edhe vetë ishte një farise i divorcuar, tha se divorci lejohej «për çfarëdolloj shkaku (dhe shumë shkaqe të tilla i kanë burrat)».

nwtsty media

Dëshmia e divorcit

Kjo dëshmi divorci, që daton nga viti 71 ose 72 i e.s., është shkruar në aramaisht. Është zbuluar në anën veriore të Vadi-Murabatit, një shtrat lumi i tharë në shkretëtirën e Judës. Aty dokumentohet se në vitin e gjashtë të revoltës së judenjve, Jozefi, biri i Naksanit, banues në Masadë, divorcoi Miriamin, të bijën e Jonatanit.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo