Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
4-10 MARS
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | ROMAKËVE 12-14
«Çfarë do të thotë të shfaqësh dashuri të krishterë»
(Romakëve 12:10) Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.
it-1 55
Përzemërsia
Dashuria vëllazërore (gr., philadelphía, fjalë për fjalë «përzemërsi për një vëlla») duhet të ekzistojë mes gjithë pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë. (Ro 12:10; He 13:1; shih edhe 1Pj 3:8.) Pra, lidhjet brenda kongregacionit duhet të jenë po aq të ngushta, të forta dhe të ngrohta si në një familje. Edhe pse pjesëtarët e kongregacionit po shfaqin tashmë dashuri vëllazërore, nxiten që ta bëjnë këtë në masë më të plotë.—1Se 4:9, 10.
Fjala greke philóstorgos, që ka kuptimin «të kesh përzemërsi të butë», përdoret për dy persona që kanë një marrëdhënie të ngushtë e të ngrohtë me njëri-tjetrin. Stérgo, një nga rrënjët e këtij termi të përbërë, shpesh përdoret për të përshkruar një ndjenjë përzemërsie të natyrshme, si mes pjesëtarëve të familjes. Apostulli Pavël i nxiti të krishterët ta zhvillonin këtë cilësi. (Ro 12:10) Ai tha edhe se ditët e fundit do të karakterizoheshin nga njerëz «pa përzemërsi të natyrshme» (gr., ástorgoi) dhe se persona të tillë meritojnë vdekjen.—2Ti 3:3; Ro 1:31, 32.
11-17 MARS
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Romakëve 15:27) Vërtet, u pëlqeu të bënin kështu, pasi faktikisht ishin borxhlinj ndaj tyre. Përderisa marrin pjesë në gjërat e tyre frymore, kombet e kanë për detyrë të kontribuojnë për nevojat e tyre materiale.
w89 1/12 24 ¶3
‘Një provë e çiltërsisë së dashurisë suaj’
Me siguri vëllezërit e tyre jojudenj duhej të ishin nxitur t’i ndihmonin në këtë situatë të vështirë. Tekefundit u kishin një «borxh» të veçantë të krishterëve në Jerusalem. A nuk ishte përhapur nga Jerusalemi lajmi i mirë te të gjithë jojudenjtë? Pavli ishte i mendimit se: «Në qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjesëtarë bashkë me ta për të mirat frymore, kanë detyrë t’u shërbejnë atyre edhe me të mira materiale.»—Romakëve 15:27, Diodati i Ri.
(Romakëve 16:25) Tani, atij që mund t’ju bëjë të patundur në përputhje me lajmin e mirë që unë shpall dhe me predikimin për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së sekretit të shenjtë, që është ruajtur në heshtje që nga kohët shumë të hershme
it-1 858 ¶5
Paranjohja, paravendosja
Mesia, ose Krishti, do të ishte Fara e premtuar, ose pasardhja, nëpërmjet të cilit do të bekoheshin të gjithë njerëzit e drejtë në mbarë tokën. (Ga 3:8, 14) Për herë të parë ‘fara’ u përmend pasi nisi rebelimi në Eden, por para se të lindte Abeli. (Zn 3:15) Kjo ndodhi rreth 4.000 vjet para se të zbulohej ‘sekreti i shenjtë’, me identifikimin e qartë të «farës» mesianike. Ja pse me të drejtë mund të thuhet se ‘u ruajt në heshtje që nga kohët shumë të hershme’.—Ro 16:25-27; Ef 1:8-10; 3:4-11.
18-24 MARS
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(1 Korintasve 1:20) Ku janë të mençurit? Ku janë skribët? Ku janë debatuesit e kësaj bote? A nuk e bëri Perëndia të marrë mençurinë e botës?
it-2 1193 ¶1
Mençuria
Bota me mençurinë e vet hodhi poshtë masën që mori Perëndia nëpërmjet Krishtit, duke e konsideruar marrëzi. Madje, sundimtarët e saj, edhe pse mund të kishin qenë administratorë të aftë dhe mendjemprehtë, ‘vunë në shtyllë Zotërinë’. (1Ko 1:18; 2:7, 8) Nga ana e tij, Perëndia po tregonte sa e marrë ishte mençuria e botës, duke i turpëruar të mençurit nëpërmjet asaj që konsideronin ‘një gjë të marrë të Perëndisë’ dhe nëpërmjet personave që ata i shihnin ‘të marrë, të dobët dhe të papërfillshëm’ për të plotësuar qëllimin e Tij të pamposhtshëm. (1Ko 1:19-28) Pavli u kujtoi të krishterëve në Korint se ‘mençuria e kësaj bote dhe e sundimtarëve të kësaj bote’ do të përfundonte në hiç; ja pse një mençuri e tillë nuk ishte pjesë e mesazhit që jepnin apostujt të drejtuar nga fryma. (1Ko 2:6, 13) Ai i paralajmëroi të krishterët në Kolose kundër lakut të «filozofisë [philosophías, fjalë për fjalë, dashuri për mençurinë] dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve».—Kl 2:8; krahaso vargjet 20-23.
25-31 MARS
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 1 KORINTASVE 4-6
«Pak maja e bën të vijë gjithë brumin»
(1 Korintasve 5:1, 2) Dëgjohen fjalë se mes jush ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk ka as mes kombeve, aq sa një burrë shkon me gruan e të atit. 2 Kurse ju krekoseni?! Përkundrazi, a nuk duhej të vajtonit dhe ta hiqnit nga mesi juaj njeriun që kreu këtë veprim?
(1 Korintasve 5:5-8) t’ia dorëzoni një njeri të tillë Satanait, që të shkatërrohet mishi, por që fryma të shpëtojë ditën e Zotërisë. 6 Shkaku që keni për t’u mburrur, nuk është i shkëlqyer. A nuk e dini që pak maja e bën të vijë gjithë brumin? 7 Hiqni majanë e vjetër, që të jeni brumë i ri, meqë ju s’duhet të keni fare tharm. Sepse në të vërtetë, Krishti, pashka jonë, është flijuar. 8 Prandaj, të mos e kremtojmë festën me maja të vjetër, as me majanë e së keqes e të ligësisë, por me kuleç të ndormë të çiltërsisë dhe të së vërtetës.
(1 Korintase 5:13) kurse Perëndia gjykon ata që janë jashtë? «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.»
it-2 230
Majaja
Apostulli Pavël përdori të njëjtin simbol kur i urdhëroi të krishterët e kongregacionit të Korintit të përjashtonin nga kongregacioni një burrë imoral, duke thënë: «A nuk e dini që pak maja e bën të vijë gjithë brumin? Hiqni majanë e vjetër, që të jeni brumë i ri, meqë ju s’duhet të keni fare tharm. Sepse në të vërtetë, Krishti, pashka jonë, është flijuar.» Pastaj shpjegoi qartë se çfarë donte të thoshte me «maja»: «Prandaj, të mos e kremtojmë festën me maja të vjetër, as me majanë e së keqes e të ligësisë, por me kuleç të ndormë të çiltërsisë dhe të së vërtetës.» (1Ko 5:6-8) Këtu Pavli po i referohej domethënies simbolike të festës hebraike të Kuleçve të Ndormë, e cila festohej menjëherë pas Pashkës. Ashtu si pak tharm bën të vijë shpejt e gjithë masa, ose i gjithë brumi i bukës, edhe gjithë kongregacioni do të bëhej i papastër në sytë e Jehovait nëse nuk hiqte ndikimin korruptues të atij burri imoral. Ata duhej të hiqnin ‘majanë’ nga mesi i tyre, ashtu si izraelitët nuk duhej të kishin fare maja në shtëpi gjatë festës.
it-2 869-870
Satanai
Çfarë do të thotë ‘t’ia dorëzosh një njeri Satanait, që të shkatërrohet mishi’?
Teksa udhëzonte kongregacionin e Korintit si të vepronte me një pjesëtar të tij, i cili me ligësi, kryente incest me gruan e të atit, apostulli Pavël shkroi: ‘Dorëzojani një njeri të tillë Satanait, që të shkatërrohet mishi.’ (1Ko 5:5) Ky ishte një urdhër për ta përjashtuar nga kongregacioni, duke ndërprerë çdo lidhje me të. (1Ko 5:13) Duke u përjashtuar, ai i dorëzohej Satanait, pra bëhej pjesë e botës që ka Satanain perëndi dhe sundimtar. Ashtu si «pak maja» në «gjithë brumin», ky burrë ishte «mishi», ose ndikimi i lig, brenda kongregacionit. Duke përjashtuar këtë burrë që kryente incest, kongregacioni i drejtuar nga fryma do të hiqte ‘mishin’ nga mesi i tij. (1Ko 5:6, 7) Po njësoj, Pavli ia dorëzoi Satanait Himeneun dhe Aleksandrin, sepse kishin hedhur tej besimin dhe ndërgjegjen e pastër dhe besimi i tyre ishte rrënuar si një anije që shkallmohet.—1Ti 1:20.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(1 Korintasve 6:3) A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëj? Përse atëherë të mos gjykojmë edhe çështje të kësaj jete?
it-2 211
Ligji
Ligji për engjëjt. Engjëjt, krijesa më të larta se njeriu, duhet t’u nënshtrohen ligjit dhe urdhërimeve të Perëndisë. (He 1:7, 14; Ps 104:4) Madje, Jehovai urdhëroi e i vuri kufizime edhe kundërshtarit të tij, Satanait. (Jb 1:12; 2:6) Kur Kryeengjëlli Mikael i tha Djallit «Jehovai të qortoftë!» gjatë një mosmarrëveshjeje me të, pranoi dhe respektoi pozitën e Jehovait si Gjykatësi Suprem. (Jd 9; krahaso Zn 3:2.) Perëndia Jehova i dha autoritet mbi të gjithë engjëjt Jezu Krishtit të lartësuar në qiell. (He 1:6; 1Pj 3:22; Mt 13:41; 25:31; Fi 2:9-11) Ja pse lajmëtari engjëllor që shkoi te Gjoni, u dërgua me urdhër të Jezuit. (Zb 1:1) Prapëseprapë, te 1 Korintasve 6:3 apostulli Pavël flet për vëllezërit e mirosur të Krishtit si të caktuar për të gjykuar engjëj. Me sa duket, ngaqë do të marrin pjesë në ndonjë mënyrë në ekzekutimin e gjykimit mbi engjëjt e ligj.