Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
2-8 SHTATOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | HEBRENJVE 7-8
«Prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut»
it-1 1113 ¶4-5
Kryeprift
Kryepriftëria e Jezu Krishtit. Libri i Hebrenjve nxjerr në pah se Jezu Krishti, që kur u ringjall dhe hyri në qiell, është «përgjithmonë kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut». (He 6:20; 7:17, 21) Për të përshkruar madhështinë dhe epërsinë e priftërisë së Krishtit ndaj priftërisë aaronike, shkrimtari tregon se emërimin si mbret dhe prift Melkisedeku e mori nga Perëndia Më i Lartë, jo nga trashëgimia. Jezu Krishti, që nuk ishte nga fisi i Levit por nga fisi i Judës dhe që vinte nga linja e Davidit, nuk e trashëgoi këtë post sepse ishte pasardhës i Aaronit, por ngaqë emërimin e mori drejtpërdrejt nga Perëndia, njësoj si Melkisedeku. (He 5:10) Te Psalmi 110:4 jepet ky premtim: «Jehovai është betuar: ‘Ti do të jesh prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut’, dhe Atij nuk do t’i vijë keq.» Ky emërim e bën Jezuin një Prift-Mbret qiellor. Gjithashtu, Krishti ka autoritetin si mbret, ngaqë është pasardhës i Davidit. Si i tillë, ai u bë trashëgimtari i mbretërisë së premtuar në besëlidhjen davidike. (2Sa 7:11-16) Prandaj ai kryen funksionin e dyfishtë si mbret dhe prift, njësoj si Melkisedeku.
Epërsia e priftërisë së Krishtit del edhe në një mënyrë tjetër. Levi, paraardhës i priftërisë judeje, ishte akoma në ijët e Abrahamit (pra do të lindte nga Abrahami), kur patriarku i dha një të dhjetën priftit-mbret të Salemit. Prandaj mund të themi se edhe Levi i dha një të dhjetën Melkisedekut. Si rrjedhojë edhe Levi u bekua nga Melkisedeku, dhe rregulli është që më i vogli bekohet nga më i madhi. (He 7:4-10) Apostulli Pavël e tërheq vëmendjen edhe te fakti që Melkisedeku, «pa baba, pa nënë, pa gjenealogji, duke mos pasur as fillim ditësh, as fund jete», përfaqësonte kryepriftërinë e përjetshme të Jezu Krishtit, i cili u ringjall në ‘jetën e pashkatërrueshme’.—He 7:3, 15-17.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Hebrenjve 8:13) Duke thënë «një besëlidhje e re», ai e ka vjetruar të mëparshmen. Dhe ajo që vjetrohet e plaket, është pranë zhdukjes.
it-1 523 ¶5
Besëlidhja
Si ‘u vjetrua’ besëlidhja e Ligjit?
Në njëfarë mënyre besëlidhja e Ligjit të Moisiut ‘u vjetrua’ kur Perëndia shpalli nëpërmjet profetit Jeremia se do të kishte një besëlidhje të re. (Jr 31:31-34; He 8:13) Në vitin 33 të e.s., besëlidhja e Ligjit u shfuqizua nga vdekja e Jezuit në shtyllën e torturës (Kl 2:14) dhe u zëvendësua me besëlidhjen e re.—He 7:12; 9:15; Ve 2:1-4.
9-15 SHTATOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | HEBRENJVE 9-10
«Një hije e gjërave të mira që do të vijnë»
(Hebrenjve 9:12-14) Jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, ai hyri një herë e mirë në vendin e shenjtë dhe siguroi për ne një çlirim të përhershëm. 13 Nëse gjaku i cjepve dhe i demave, si dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi ata që janë ndotur, shenjtëron aq sa pastron mishin, 14 aq më shumë gjaku i Krishtit, që nëpërmjet një fryme të përhershme ia paraqiti veten të patëmetë Perëndisë, do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura, që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë.
it-1 862 ¶1
Falja
Sipas ligjit që Perëndia i dha kombit të Izraelit, që një personi që kishte mëkatuar kundër Perëndisë ose kundër një tjetri t’i faleshin mëkatet, duhej që më parë të ndreqte shkeljen siç e kërkonte Ligji. Pastaj, në shumicën e rasteve duhej të ofronte gjakun e flisë para Jehovait. (Le 5:5–6:7) Prandaj Pavli citoi parimin: «Sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak dhe, pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje.» (He 9:22) Megjithatë, gjaku i kafshës së flijuar nuk mund t’ia hiqte mëkatet një individi dhe t’i jepte një ndërgjegje plotësisht të pastër. (He 10:1-4; 9:9, 13, 14) Ndërsa besëlidhja e re e premtuar, bëri të mundur faljen e vërtetë në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit Jezu. (Jr 31:33, 34; Mt 26:28; 1Ko 11:25; Ef 1:7) Madje edhe kur ishte këtu në tokë, Jezui tregoi se kishte autoritet t’i falte mëkatet, kur shëroi një paralitik.—Mt 9:2-7.
(Hebrenjve 10:1-4) Meqë Ligji është një hije e gjërave të mira që do të vijnë, por jo vetë thelbi i gjërave, njerëzit nuk munden kurrë që, me të njëjtat flijime që paraqitin vazhdimisht vit për vit, t’i bëjnë të përsosur ata që i afrohen Perëndisë. 2 Përndryshe, a nuk do të kishin pushuar paraqitjet e flijimeve, meqë ata që bëjnë shërbim të shenjtë, të pastruar një herë e mirë, nuk do të ishin më fare të vetëdijshëm për mëkatet? 3 Përkundrazi, me anë të këtyre flijimeve, mëkatet kujtohen vit për vit, 4 sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve t’i heqë mëkatet.
it-2 602-603
Përsosmëria
Përsosmëria e Ligjit të Moisiut. Një nga masat e Ligjit që iu dha izraelitëve nëpërmjet Moisiut, ishte krijimi i një priftërie dhe flijimi i kafshëve të ndryshme. Edhe pse vinte prej Perëndisë, pra ishte i përsosur, as Ligji, as priftëria, as flijimet nuk i bënë të përsosur ata që ishin nën Ligj, siç tregon nën frymëzim apostulli Pavël. (He 7:11, 19; 10:1) Në vend që t’i lironte nga mëkati dhe vdekja, faktikisht Ligji e nxori më në pah mëkatin. (Ro 3:20; 7:7-13) Prapëseprapë, të gjitha këto masa hyjnore që kishte Ligji i shërbyen qëllimit të Perëndisë: Ligji veproi si një ‘edukator’ që i çoi te Krishti, dhe ishte ‘hije e përsosur e gjërave që do të vinin’. (Ga 3:19-25; He 10:1) Prandaj, kur Pavli thotë se «Ligji s’mund të bënte gjë, sepse ishte i dobët» (Ro 8:3), me sa duket i referohet faktit që kryeprifti i papërsosur jude (i cili sipas Ligjit caktohej të mbikëqyrte paraqitjen e flijimeve dhe të hynte me gjakun e flijimit në Më të Shenjtën, Ditën e Shlyerjes) nuk mund ‘t’i shpëtonte plotësisht’ ata të cilëve u shërbente, siç shpjegohet te Hebrenjve 7:11, 18-28. Ndonëse flijimet e priftërisë aaronike i jepnin mundësi popullit të kishte aprovimin e Perëndisë, ato nuk ua hiqnin plotësisht ose përsosmërisht vetëdijen se ishin mëkatarë. Apostulli Pavël i referohet kësaj, kur thotë se flijimet për shlyerjen e mëkateve nuk ‘i bëjnë të përsosur ata që i afrohen Perëndisë’, pra me një ndërgjegje të përsosur. (He 10:1-4; krahaso He 9:9.) Kryeprifti nuk e paguante dot çmimin e shpërblesës që nevojitej për shpengimin (çlirimin) e vërtetë nga mëkati. Vetëm flijimi i përsosur i Krishtit dhe shërbimi i tij jetëgjatë si prift mund ta arrijnë këtë.—He 9:14; 10:12-22.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Hebrenjve 9:16, 17) Aty ku ka një besëlidhje, duhet të ketë edhe vdekje të njeriut që bën besëlidhjen. 17 Sepse një besëlidhje është e vlefshme pas vdekjes së viktimave, meqë nuk është asnjëherë në fuqi ndërkohë që jeton njeriu që bën besëlidhjen.
w92 1/3 31 ¶4-6
Pyetje nga lexuesit
Pavli përmendi se për t’u bërë e vlefshme një besëlidhje mes Perëndisë dhe njerëzve duhej të vdiste dikush. Besëlidhja e Ligjit përbën një shembull. Moisiu ishte ndërmjetësi nëpërmjet të cilit u lidh marrëveshja ndërmjet Perëndisë dhe kombit të Izraelit. Kështu Moisiu luajti një rol kyç dhe ishte njeriu që u mor me izraelitët ndërkohë që po hynin nën besëlidhje. Prandaj Moisiu mund të konsiderohej si njeriu që bëri besëlidhjen e Ligjit që vinte nga Jehovai. Por, a duhej të derdhte gjakun e tij Moisiu që besëlidhja e Ligjit të hynte në fuqi? Jo. Në vend të tij u flijuan kafshë, gjaku i të cilave zëvendësoi gjakun e Moisiut.—Hebrenjve 9:18-22.
Ç’të themi për besëlidhjen e re mes Jehovait dhe Izraelit të lindur nga fryma? Jezu Krishti kreu rolin e lavdishëm si Ndërmjetës mes Jehovait dhe Izraelit të lindur nga fryma. Ndonëse nismëtari i besëlidhjes ishte Jehovai, ajo varej nga Jezu Krishti. Përveçse Ndërmjetës, kur ishte në tokë, Jezui edhe u mor vetë me ata që do të hynin të parët në këtë besëlidhje. (Luka 22:20, 28, 29) Për më tepër, Jezui plotësonte të gjitha kriteret për të siguruar flijimin e nevojshëm që besëlidhja të bëhej e vlefshme. Në këtë rast, nuk bëhej fjalë për flijime në kafshë, por për flijimin e një jete të përsosur. Prandaj Pavli mund t’i referohej Krishtit si njeriu që bëri besëlidhjen e re. Besëlidhja e re u bë e vlefshme pasi Krishti ‘hyri . . . në vetë qiellin, që të paraqitej për ne përpara personit të Perëndisë’.—Hebrenjve 9:12-14, 24.
Duke folur për Moisiun dhe Jezuin si njerëzit që bënë besëlidhjet, Pavli nuk donte të thoshte se ata ishin nismëtarët e besëlidhjeve përkatëse, sepse faktikisht nismëtari ishte Jehovai. Përkundrazi, këta 2 burra, si ndërmjetës, luajtën rolin vendimtar për realizimin e besëlidhjeve përkatëse. Dhe, për secilin rast, ishte e nevojshme një vdekje: ajo e kafshëve që zëvendësuan Moisiun dhe vdekja e Jezuit që dha gjakun e vet për ata që do të bënin pjesë në besëlidhjen e re.
(Hebrenjve 10:5-7) Prandaj, kur hyn në botë, ai thotë: «Flijime dhe blatime nuk deshe, por më përgatite një trup. 6 Ti nuk miratove blatime të plota të djegura dhe as blatime për mëkatin. 7 Atëherë unë thashë: ‘Ja, unë kam ardhur (në rrotullën e librit është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.’»
it-1 249-250
Pagëzimi
Luka thotë se Jezui po lutej kur u pagëzua. (Lu 3:21) Për më tepër, shkrimtari i «Letrës drejtuar hebrenjve» tregon se, kur Jezu Krishti hyri «në botë», (kjo nuk ndodhi kur lindi dhe nuk ishte në gjendje të lexonte e t’i thoshte këto fjalë, por kur u paraqit për t’u pagëzuar dhe nisi shërbimin e tij) po thoshte këto fjalë, në harmoni me Psalmin 40:6-8 (LXX): «Flijime dhe blatime nuk deshe, por më përgatite një trup. . . . ‘Ja, unë kam ardhur (në rrotullën e librit është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.’» (He 10:5-9) Jezui lindi si pjesë e kombit jude që ishte në besëlidhje me Perëndinë, pra palë e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut. (Da 19:5-8; Ga 4:4) Për këtë arsye Jezui ishte tashmë nën besëlidhje me Perëndinë Jehova, kur u paraqit te Gjoni për t’u pagëzuar. Në këtë rast, Jezui po bënte diçka më shumë sesa kërkonte Ligji. Po ia paraqiste veten Atit për të bërë «vullnetin» e Tij, që do të thoshte të flijonte trupin e vet të ‘përgatitur’ dhe t’u jepte fund flijimeve në kafshë siç e kërkonte Ligji. Apostulli Pavël tha: «Falë këtij ‘vullneti’, jemi shenjtëruar nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit një herë e mirë.» (He 10:10) Të bënte vullnetin e Atit, për Jezuin përfshinte edhe aktivitetin për Mbretërinë dhe Jezui e paraqiti veten edhe për këtë lloj shërbimi. (Lu 4:43; 17:20, 21) Kur Biri u paraqit para Atit, Jehovai e pranoi dhe e miratoi duke e mirosur me frymë të shenjtë dhe tha: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.»—Mr 1:9-11; Lu 3:21-23; Mt 3:13-17.
16-22 SHTATOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | HEBRENJVE 11
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Hebrenjve 11:4) Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit. Nëpërmjet këtij besimi, për të u dha dëshmi se ishte i drejtë, meqenëse Perëndia dha dëshmi për dhuratat e tij. Nëpërmjet besimit, edhe pse vdiq, ai ende flet.
it-1 804 ¶5
Besimi
Shembuj besimi të lashtësisë. Të gjithë pjesëtarët e ‘resë së madhe të dëshmitarëve’ që përmendi Pavli (He 12:1), kishin një bazë të fortë për besimin e tyre. Për shembull, Abeli me siguri ishte në dijeni të premtimit të Perëndisë për një ‘farë’ ose pasardhës, që do t’i shtypte kokën «gjarprit». Veç kësaj, ai pa prova të qarta se gjërat rrodhën sipas dënimit që u shpalli Jehovai prindërve të tij në Eden. Jashtë Edenit, Adami dhe familja e tij e hanin bukën me djersën e ballit, ngaqë toka ishte e mallkuar dhe si pasojë nxirrte vetëm gjemba e gjembaçë. Ka shumë të ngjarë që Abeli të ketë vërejtur si Eva digjej nga dëshira për të shoqin dhe si Adami sundonte mbi të. Me siguri, nëna e tij ankohej për dhembjet e shtatzënisë. Gjithashtu, edhe hyrja e kopshtit të Edenit ruhej nga kerubinët dhe nga shpata flakëruese. (Zn 3:14-19, 24) Të gjitha këto ishin një ‘dëshmi e dukshme’ që i jepnin siguri Abelit se çlirimi do të vinte me anë të pasardhësit të premtuar. Ja pse, i shtyrë nga besimi, ai «i paraqiti Perëndisë një flijim» me vlerë më të madhe se flijimi i Kainit.—He 11:1, 4.
23-29 SHTATOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | HEBRENJVE 12-13
«Disiplina—Provë se Jehovai na do»
it-1 629 ¶5-7
Disiplinë, disiplinoj
Përndjekja që mund të lejojë Jehovai të bjerë mbi shërbëtorët e tij, mund të shërbejë si disiplinë ose stërvitje, që prodhon frytin e dëshirueshëm të drejtësisë. Ky fryt shijohet në paqe pasi përfundon sprova. (He 12:4-11) Edhe Biri i Perëndisë u përgatit që të ishte një kryeprift i dhembshur dhe empatik falë vuajtjeve që Ati i tij lejoi të binin mbi të.—He 4:15.
Rezultatet kur ia vëmë veshin dhe kur e shpërfillim. Të ligjtë, të marrët dhe njerëzit e pamoralshëm e shfaqin urrejtjen e tyre për disiplinën e Jehovait duke e hedhur plotësisht poshtë. (Ps 50:16, 17; Pr 1:7) Kjo marrëzi sjell pasoja të këqija: ajo çon në disiplinë të mëtejshme, e shpesh në ndëshkim të rëndë. Siç thotë proverbi: «Disiplina e të marrëve është marrëzi.» (Pr 16:22) Ata mund t’i shkaktojnë vetes varfëri, çnderim, sëmundje e madje vdekje të parakohshme. Historia e izraelitëve tregon sa shumë humbim. Ata nuk ia vunë veshin disiplinës që u dha Jehovai nëpërmjet profetëve në formën e korrigjimit dhe të ndreqjes. Nuk kushtuan vëmendje kur Ai i disiplinoi duke u hequr mbrojtjen dhe bekimin e tij. Në fund, morën disiplinën e rëndë për të cilën ishin paralajmëruar: pushtim dhe mërgim.—Jr 2:30; 5:3; 7:28; 17:23; 32:33; Ho 7:12-16; 10:10; So 3:2.
Krejt ndryshe, ai që pranon disiplinën dhe ka respekt të thellë për Jehovain, bëhet i mençur, i aftë për ta përdorur drejt njohurinë, dhe kjo e ndihmon të shmangë shumë dhembje e vuajtje. Kur dikush pranon me çmueshmëri disiplinën, kjo mund t’ia zgjatë jetën që tani dhe t’i ofrojë një të ardhme premtuese. Ja pse disiplina duhet vlerësuar jashtë mase.—Pr 8:10, 33-35; 10:17.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Hebrenjve 13:9) Mos u rrëmbeni nga mësime të ndryshme dhe të huaja, sepse është gjë e shkëlqyer që zemra të bëhet e patundur me anë të dashamirësisë së pamerituar e jo me të ngrëna, nga të cilat, ata që jepen pas tyre, nuk kanë nxjerrë dobi.
w89 12/15 22 ¶10
Të paraqesim flijime që i pëlqejnë Jehovait
10 Hebrenjtë duhej të bënin kujdes që ‘të mos rrëmbeheshin nga mësimet e ndryshme dhe të huaja’ të judaizuesve. (Galatasve 5:1-6) Që «zemra [jonë] të bëhet e patundur» e kështu të qëndrojmë të vendosur në të vërtetën, kemi nevojë për ‘dashamirësinë e pamerituar’ të Perëndisë, jo për mësime të tilla. Me sa duket, disa bënin fjalë për ushqimet dhe flijimet, ngaqë Pavli tha se zemra nuk bëhet e patundur me anë të ushqimeve, të cilat nuk u sjellin asnjë dobi atyre që u japin tepër rëndësi. Marrëdhënia jonë me Jehovain forcohet nga përkushtimi ndaj Tij dhe çmueshmëria për shpërblesën, jo nga meraku i pavend për ngrënien e disa lloj ushqimesh ose për kremtimin e ditëve të veçanta. (Romakëve 14:5-9) Gjithashtu, flijimi i Krishtit i zhvleftësoi flijimet që paraqitnin levitët.—Hebrenjve 9:9-14; 10:5-10.
30 SHTATOR–6 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | JAKOVI 1-2
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Jakovi 1:17) Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore, që nuk ndryshon, siç ndryshon hija.
it-2 253-254
Drita
Jehovai është «Ati i dritave qiellore». (Jk 1:17) Nuk është vetëm «Ai që ka dhënë diellin që të ketë dritë ditën, ligjet e hënës dhe yjet që të ketë dritë natën» (Jr 31:35), por është edhe Ndriçuesi i mendjes sonë me njohurinë e Tij. (2Ko 4:6) Ligji, vendimet gjyqësore dhe fjala e tij janë dritë për ata që e lejojnë veten të drejtohen prej tyre. (Ps 43:3; 119:105; Pr 6:23; Is 51:4) Psalmisti tha: «Me anë të dritës që vjen nga ti, ne mund të shohim dritën.» (Ps 36:9; krahaso Ps 27:1; 43:3.) Ashtu si drita e diellit që shkëlqen gjithnjë e më tepër, që nga agimi derisa «bëhet ditë e plotë», po kështu edhe shtegu i të drejtëve ndriçohet gjithnjë e më shumë nga mençuria e Perëndisë. (Pr 4:18) Ecim në dritën e Jehovait kur ndjekim udhën që na tregon. (Is 2:3-5) Por, kur një njeri i sheh gjërat në një mënyrë të papastër ose me synime të liga, atij i mungon plotësisht drita e Jehovait. Siç tha Jezui: «Nëse syri yt është i lig, gjithë trupi do të jetë i errët. Në të vërtetë, nëse drita që ke, është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!»—Mt 6:23; krahaso Lp 15:9; 28:54-57; Pr 28:22; 2Pj 2:14.
(Jakovi 2:8) Tani, nëse vazhdoni ta zbatoni ligjin mbretëror sipas shkrimit: «Duaje të afërmin si veten», bëni shumë mirë.
it-2 222 ¶4
Ligji
‘Ligji mbretëror.’ Me të drejtë, ‘ligji mbretëror’ zë vend të shquar e të rëndësishëm ndër ligjet e tjera që drejtojnë marrëdhëniet njerëzore, ashtu si vendi që do të zinte një mbret mes njerëzve të tjerë. (Jk 2:8) Thelbi i besëlidhjes së Ligjit të Moisiut ishte dashuria; dhe urdhri «duaje të afërmin tënd si veten» (ligji mbretëror) ishte urdhri i dytë nga i cili vareshin gjithë Ligji dhe Profetët. (Mt 22:37-40) Edhe pse të krishterët nuk janë nën besëlidhjen e Ligjit të Moisiut, ata, sipas besëlidhjes së re, i nënshtrohen ligjit të Mbretit Jehova dhe të Birit të tij, Mbretit Jezu Krisht.