ARTIKULLI I STUDIMIT 29
Të mbështetim Jezuin, mbikëqyrësin tonë
«Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.»—MAT. 28:18.
KËNGA 13 Krishti është modeli ynë
PËRMBLEDHJEa
1. Cili është vullneti i Jehovait sot?
SOT vullneti i Perëndisë është që lajmi i mirë për Mbretërinë të predikohet anekënd tokës. (Mar. 13:10; 1 Tim. 2:3, 4) Kjo është vepra e Jehovait, e është kaq e rëndësishme, sa ia ka besuar drejtimin e saj Birit të tij të shtrenjtë. Përderisa veprën e predikimit e drejton Jezui, mund të jemi të sigurt se ajo do të kryhet tamam siç dëshiron Jehovai para se të vijë fundi.—Mat. 24:14.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në këtë artikull do të shohim si po e përdor Jezui ‘skllavin besnik dhe të mençur’ që të sigurojë ushqim nga Shkrimet dhe që t’i organizojë dishepujt e tij për fushatën më të madhe të predikimit në histori. (Mat. 24:45) Do të shohim edhe si mund të mbështetë secili nga ne Jezuin dhe skllavin besnik.
JEZUI MBIKËQYR VEPRËN E PREDIKIMIT
3. Çfarë autoriteti i është dhënë Jezuit?
3 Pse jemi të sigurt se Jezui po mbikëqyr veprën e predikimit? Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui u takua me një grup të madh dishepujsh besnikë në një mal në Galile dhe u tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» E fill pas kësaj shtoi: «Prandaj shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mat. 28:18, 19) Pra, ndër të tjera, Jezuit i është dhënë autoriteti të drejtojë veprën e predikimit.
4. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui po vazhdon ta drejtojë veprën e predikimit?
4 Jezui tha se vepra e predikimit do të shtrihej në «të gjitha kombet» dhe se ai do të ishte me dishepujt e tij «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mat. 28:20) Këto fjalë tregojnë qartë se Jezui do të vazhdonte ta drejtonte veprën e predikimit deri sot e kësaj dite.
5. Çfarë roli luajmë ne në përmbushjen e Psalmit 110:3?
5 Jezui s’kishte merak se mos nuk do të kishte mjaft «punëtorë» gjatë përfundimit të sistemit. Ai e dinte se do të përmbusheshin këto fjalë profetike të psalmistit: «Populli yt do të ofrohet vullnetarisht ditën kur t’u prish forcave të tua ushtarake.» (Psal. 110:3) Nëse po merr pjesë në veprën e predikimit, ti po mbështet Jezuin dhe skllavin besnik e po bën pjesën tënde që të përmbushet kjo profeci. Por ndërkohë që vepra ecën para, ka edhe vështirësi.
6. Cila është një vështirësi që hasin lajmëtarët e Mbretërisë sot?
6 Një vështirësi që hasin lajmëtarët e Mbretërisë janë kundërshtimet. Apostatët, mjaft krerë fetarë e disa politikanë u kanë krijuar shumë vetave përshtypje të gabuar për veprën tonë. Nëse të afërmit tanë, të njohurit dhe shokët e punës janë mashtruar nga kjo propagandë, mund të na bëjnë presion të mos i shërbejmë më Jehovait dhe të mos predikojmë më. Në disa vende, armiqtë tanë i kërcënojnë, i arrestojnë e madje i burgosin vëllezërit e motrat. Nuk na çudit një sjellje e tillë. Jezui paratha: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Vetë fakti që përballemi me një urrejtje të tillë është provë se kemi miratimin e Jehovait. (Mat. 5:11, 12) Pas këtij kundërshtimi qëndron Satana Djalli. Megjithatë, ai nuk mund të matet kurrsesi me Jezuin. Falë mbështetjes së Jezuit, lajmi i mirë po u predikohet njerëzve nga të gjitha kombet. Të shohim dëshmitë.
7. Cilat dëshmi të bindin se po plotësohet Zbulesa 14:6, 7?
7 Si lajmëtarë të Mbretërisë, hasim edhe një vështirësi tjetër: barriera e gjuhëve. Në zbulesën që i dha apostullit Gjon, Jezui paratha se në ditët tona, lajmi i mirë do ta kapërcente këtë pengesë. (Lexo Zbulesën 14:6, 7.) Si po plotësohet kjo profeci? Sot po përpiqemi t’u japim sa më shumë njerëzve mundësinë të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë. Në sitin tonë jw.org mund të lexojnë materiale të bazuara në Bibël njerëz kudo përreth botës, sepse ky sit përmban informacione në më shumë se 1.000 gjuhë. U dha miratimi të përkthehej në mbi 700 gjuhë libri Gëzoje jetën përgjithmonë—mjeti ynë kryesor për të bërë dishepuj. Ushqimi besimforcues vihet në dispozicion edhe nëpërmjet videove për ata që nuk dëgjojnë dhe botimeve në brail për ata që nuk shohin. Sot po shohim të përmbushen profecitë e Biblës. Njerëz «nga të gjitha gjuhët e kombeve» po mësojnë të flasin ‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës. (Zak. 8:23; Sof. 3:9) E gjithë kjo po arrihet ngaqë veprën e drejton mbikëqyrësi ynë, Jezu Krishti.
8. Cilat kanë qenë deri tani rezultatet e veprës së predikimit?
8 Tani organizata e Jehovait përbëhet nga më shumë se 8.000.000 veta në 240 vende, e çdo vit pagëzohen dhjetëra mijë të tjerë. Por ka diçka më të rëndësishme se numrat—cilësitë e ‘personalitetit të ri’ që kanë zhvilluar këta dishepuj të rinj. (Kolos. 3:8-10) Shumë veta flakën tej imoralitetin, dhunën, paragjykimet dhe frymën nacionaliste. Po plotësohet edhe profecia e dokumentuar tek Isaia 2:4; ata ‘nuk po mësojnë më të luftojnë’. Ndërsa përpiqemi me gjithë shpirt të veshim personalitetin e ri, i ndihmojmë njerëzit të afrohen tek organizata e Perëndisë dhe tregojmë se po ecim në gjurmët e mbikëqyrësit tonë, Krishtit Jezu. (Gjoni 13:35; 1 Pjet. 2:12) E gjithë kjo nuk arrihet rastësisht. Arrihet ngaqë Jezui po na jep ndihmën e nevojshme.
JEZUI EMËRON NJË SKLLAV
9. Sipas Mateut 24:45-47, çfarë paratha Jezui për ditët e fundit?
9 Lexo Mateun 24:45-47. Jezui paratha se gjatë ditëve të fundit do të emëronte një ‘skllav besnik dhe të mençur’ që të siguronte ushqim nga Fjala e Perëndisë. Ato fjalë tregonin se ai skllav do të ishte duke punuar pa përtuar në ditët tona. E kështu ka ndodhur. Mbikëqyrësi ynë ka përdorur një grup të vogël burrash të mirosur për t’u siguruar shërbëtorëve të Perëndisë dhe të interesuarve «ushqim në kohën e duhur». Këta burra nuk e shohin veten si zotër të besimit të të tjerëve. (2 Kor. 1:24) Përkundrazi, pranojnë se Jezu Krishti është ‘kreu dhe komandanti’ i popullit të tij.—Isa. 55:4.
10. Cili nga botimet e treguara në figurë të bindi të ecje në rrugën drejt jetës së përhershme?
10 Që nga viti 1919, skllavi besnik ka përgatitur një larmi botimesh nëpërmjet të cilave të sapointeresuarit kanë shijuar për herë të parë ushqimin besimforcues. Më 1921, skllavi përgatiti librin Harpa e Perëndisë, që t’i ndihmonte të interesuarit të përvetësonin mësimet themelore të Biblës. Ndërsa kohët ndryshonin, dilnin botime të tjera. Cili nga këto botime të ndihmoi ty ta njihje Atin tonë dhe të ushqeje dashurinë për të: «Le të dalë Perëndia i vërtetë», E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë!, Njohuria që të çon në jetën e përhershme, Çfarë mëson vërtet Bibla?, Çfarë na mëson Bibla?, apo Gëzoje jetën përgjithmonë, botimi ynë më i ri. Këto botime dolën enkas për të na ndihmuar të bëjmë dishepuj. E ishin tamam ajo që nevojitej në kohën kur u botuan.
11. Pse të gjithë kemi nevojë për ushqim nga Fjala e Perëndisë?
11 Të sapointeresuarit nuk janë të vetmit që kanë nevojë për ushqim të fortë nga Shkrimet. Të gjithë kemi nevojë. Apostulli Pavël shkroi: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur.» Pavli shtoi se zbatimi i asaj që mësojmë nga Shkrimet, na ndihmon ‘të dallojmë si të drejtën, edhe të gabuarën’. (Hebr. 5:14) Në këto kohë të vështira kur normat morale kanë rënë si kurrë më parë, mund të jetë goxha e vështirë të respektojmë standardet e Jehovait. Mirëpo, Jezui sigurohet të marrim forcën e nevojshme nëpërmjet ushqimit të shijshëm nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë. E skllavi besnik e përgatit dhe e shpërndan këtë ushqim nën drejtimin e Jezuit.
12. Ashtu si Jezui, si kemi treguar nderim të thellë për emrin e Perëndisë?
12 Ashtu si Jezui, ne i kemi dhënë emrit të Perëndisë lavdinë që meriton. (Gjoni 17:6, 26) Për shembull, në vitin 1931 morëm emrin e bazuar në Shkrime Dëshmitarë të Jehovait. Kështu treguam se duam të jemi të lidhur në mënyrë të pandashme me emrin e Atit tonë. (Isa. 43:10-12) E që nga tetori i atij viti, emri hyjnor shfaqet në kopertinën e çdo numri të kësaj reviste. Gjithashtu, Përkthimi Bota e Re e ka rivendosur emrin e Perëndisë aty ku i takon në Fjalën e tij. Çfarë kontrasti me kishat e krishterimit që e kanë hequr emrin e Jehovait nga shumë përkthime të tyre Biblës!
JEZUI ORGANIZON DISHEPUJT E TIJ
13. Çfarë të bind se Jezui po përdor sot ‘skllavin besnik dhe të mençur’? (Gjoni 6:68)
13 Nëpërmjet ‘skllavit besnik dhe të mençur’, Jezui ka formuar një organizatë të pashoqe me dishepujt e tij në tokë për të çuar para adhurimin e pastër. Si ndihesh për këtë organizatë? Ndoshta provon të njëjtat ndjenja si apostulli Pjetër, që i tha Jezuit: «Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme.» (Gjoni 6:68) Ku do të ishte sot secili nga ne sikur të mos kishte njohur organizatën e Jehovait?! Nëpërmjet saj, Krishti na jep me bollëk ç’na nevojitet për të qëndruar besnikë. Gjithashtu na stërvit që ta kryejmë me efektshmëri shërbimin tonë. Na ndihmon edhe të veshim «personalitetin e ri», që të jemi të bukur në sytë e Jehovait.—Efes. 4:24.
14. Si ke nxjerrë dobi gjatë pandemisë COVID-19 nga fakti që bën pjesë në organizatën e Jehovait?
14 Jezui na siguron drejtim të mençur në kohë të vështira. Dobitë e këtij drejtimi u dukën qartë kur nisi pandemia COVID-19. Ndërkohë që shumica në botë nuk dinin ç’rrugë të ndiqnin, Jezui u sigurua që ne të merrnim udhëzime të qarta për të qenë të mbrojtur. Morëm nxitjen të mbanim maskë në ambiente publike dhe të ruanim distancën fizike. Pleqtë merrnin përkujtues që të komunikonin rregullisht me të gjithë në kongregacion, për të ditur ç’u duhej që të ishin të mbrojtur, me shëndet të mirë e të kishin një marrëdhënie të fortë me Jehovain. (Isa. 32:1, 2) Veç kësaj, merrnim drejtim dhe inkurajim nga raportet e Trupit Udhëheqës.
15. Çfarë drejtimi u dha për mbledhjet dhe për predikimin gjatë pandemisë, dhe cilat ishin rezultatet?
15 Gjatë pandemisë morëm udhëzime të qarta edhe si të mbanim mbledhjet e si ta kryenim veprën e predikimit. Thuajse nga sot nesër, filluam të ndiqnim mbledhjet, asambletë dhe kongreset nëpërmjet videokonferencave. Gjithashtu filluam të jepnim dëshmi kryesisht me anë të letrave e të telefonit. Jehovai i bekoi përpjekjet tona. Mjaft degë kanë raportuar rritje të ndjeshme në numrin e lajmëtarëve. Në fakt, gjatë kësaj kohe shumë veta kanë bërë biseda të bukura e kanë pasur rezultate zemërdhënëse.—Shih kutinë «Jehovai i bekon përpjekjet tona».
16. Për çfarë mund të jemi të sigurt?
16 Disave mund t’u jetë dukur se organizata po tregohej pak si tepër e kujdesshme gjatë pandemisë. Por u pa qartë në shumë e shumë raste se drejtimi që merrnim ishte i mençur. (Mat. 11:19) E ndërsa meditojmë se si po e drejton me dashuri Jezui popullin e tij, jemi të sigurt se çfarëdo të sjellë e nesërmja, Jehovai dhe Biri i tij i shtrenjtë do të jenë me ne.—Lexo Hebrenjve 13:5, 6.
17. Si ndihesh që shërben nën mbikëqyrjen e Jezuit?
17 Sa të bekuar jemi që shërbejmë nën drejtimin e Jezuit! I përkasim një organizate që kapërcen çdo barrierë shoqërore, kombëtare dhe gjuhësore. Kemi ushqim me bollëk dhe stërvitjen e duhur për të kryer veprën e predikimit. Veç kësaj, secili nga ne po mëson si të veshë personalitetin e ri dhe të tregojë dashuri për të tjerët. Kemi arsye pa fund të krenohemi me mbikëqyrësin tonë, Jezuin!
KËNGA 16 Të lëvdojmë Jehovain dhe Krishtin, mbretin tonë
a Sot miliona burra, gra e fëmijë po predikojnë me zell lajmin e mirë. A je edhe ti mes tyre? Nëse po, atëherë po shërben nën mbikëqyrjen e Zotërisë tonë, Jezu Krisht. Në këtë artikull do të shqyrtojmë dëshmi që tregojnë se Jezui po drejton veprën e predikimit sot. Meditimi për këto informacione do të na forcojë vendosmërinë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait nën drejtimin e Krishtit.