ARTIKULLI I STUDIMIT 34
‘Vazhdoni të ecni në të vërtetën’
‘Vazhdoni të ecni në të vërtetën.’—3 GJON. 4.
KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë dobish nxjerrim kur u tregojmë të tjerëve si e morëm «të vërtetën»?
«SI E ke marrë të vërtetën?» Kushedi sa herë i je përgjigjur kësaj pyetjeje. Kjo është ndër pyetjet e para që edhe ti u bën bashkëbesimtarëve për t’i njohur më mirë. Kemi shumë qejf kur vëllezërit e motrat na tregojnë si e kanë njohur Jehovain e si kanë zhvilluar dashuri për të. Po kështu, kënaqemi kur u tregojmë sa shumë e duam edhe ne të vërtetën. (Rom. 1:11) Këto biseda na kujtojnë vlerën e pashoqe të saj. Veç kësaj bëhemi edhe më të vendosur që ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’—pra, të jetojmë vazhdimisht në atë mënyrë që sjell bekimin dhe miratimin e Jehovait.—3 Gjon. 4.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në këtë artikull do të shohim disa arsye pse e duam të vërtetën. Pastaj do të shqyrtojmë si të vazhdojmë të tregojmë dashuri për këtë dhuratë të çmuar. Kështu do të na shtohet mirënjohja ndaj Jehovait që na ka tërhequr në të vërtetën. (Gjoni 6:44) Gjithashtu do të na vlojë dëshira të flasim me të tjerët për të vërtetat e Biblës.
PSE E DUAM «TË VËRTETËN»
3. Cila është arsyeja më e rëndësishme pse e duam të vërtetën?
3 E duam të vërtetën për shumë arsye. Arsyeja më e rëndësishme është dashuria për Perëndinë Jehova, Burimin e së vërtetës. Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, e kemi njohur Jehovain jo vetëm si Bërësin e plotfuqishëm të qiellit dhe të tokës, por edhe si Atin tonë të dashur qiellor që kujdeset me merak për ne. (1 Pjet. 5:7) E dimë se Perëndia ynë është ‘i mëshirshëm dhe i dhembshur, nuk zemërohet shpejt, është plot dashuri besnike e të vërtetë’. (Eks. 34:6) Jehovai e do drejtësinë. (Isa. 61:8) I dhemb zemra kur sheh që vuajmë dhe është gati—madje mezi pret—t’u japë fund të gjitha vuajtjeve në kohën e caktuar. (Jer. 29:11) Sa e mrekullueshme! Pa dyshim që kjo na e mbush zemrën me dashuri për Jehovain.
E vërteta e Biblës është si . . . Një spirancë
Ashtu si një spirancë nuk e lë varkën të shkojë sa andej-këtej, shpresa e bazuar në Bibël na jep stabilitet kur përballemi me sprova. Gjithashtu, e vërteta e Biblës na nxit t’u flasim të tjerëve për shpresën tonë për të ardhmen (Shih paragrafët 4-7)
4-5. Pse apostulli Pavël e krahasoi shpresën tonë me një spirancë?
4 Një arsye tjetër pse e duam të vërtetën, është se na sjell shumë dobi. Të shohim një shembull. Në të vërtetat e Biblës përfshihet shpresa për të ardhmen. Për të ilustruar vlerën e kësaj shprese, apostulli Pavël shkroi: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë për shpirtin, të sigurt e të patundur.» (Hebr. 6:19) Ashtu si një spirancë nuk e lë varkën të shkojë sa andej-këtej, shpresa e bazuar në Bibël na jep stabilitet kur përballemi me sprova.
5 Në kontekstin e këtij vargu, Pavli po fliste për shpresën qiellore që gëzojnë të krishterët e mirosur. Por, këto fjalë zbatohen edhe për të krishterët që mezi presin të jetojnë përgjithmonë në parajsën në tokë. (Gjon. 3:16) S’ka pikë dyshimi se shpresa e jetës së përhershme i ka dhënë kuptim jetës sonë.
6-7. Si e ndihmoi Ivonën e vërteta për të ardhmen?
6 Të shohim shembullin e një motre që quhet Ivona, e cila nuk u rrit në të vërtetën dhe kishte frikë nga vdekja kur ishte e vogël. Ajo kujton se kishte lexuar një shprehje që nuk i shqitej nga mendja: «Një ditë nuk do të ketë të nesërme.» Ivona tregon: «Këto fjalë më lanë zgjuar gjithë natën, duke menduar për të ardhmen. Thosha me vete: ‘Sigurisht, jeta nuk mund të jetë vetëm kaq. Pse jetoj?’ Nuk doja të vdisja!»
7 Më vonë, kur ishte adoleshente, Ivona takoi Dëshmitarët e Jehovait. Ajo tregon: «Fillova të besoja se mund të kisha shpresën të jetoja përgjithmonë në Parajsë në tokë.» Si e ka ndihmuar e vërteta motrën tonë? Ajo shton: «Nuk rri më zgjuar natën duke u merakosur për të ardhmen a për vdekjen.» Duket qartë se e vërteta është shumë e çmuar për Ivonën, dhe ajo kënaqet tej mase duke u treguar të tjerëve shpresën për të ardhmen.—1 Tim. 4:16.
E vërteta e Biblës është si . . . Një thesar
Shërbimi që i bëjmë Perëndisë sot dhe perspektiva e jetës së përhershme nën qeverisjen e Mbretërisë së tij në të ardhmen janë si një thesar. Ia vlen çdo sakrificë që bëjmë për to (Shih paragrafët 8-11)
8-9. (a) Sa e çmoi burri në ilustrimin e Jezuit thesarin që gjeti? (b) Sa e çmuar është e vërteta për ty?
8 Të vërtetat e Biblës përfshijnë edhe lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Jezui e krahasoi të vërtetën për Mbretërinë me një thesar të fshehur. Te Mateu 13:44, ai tha: «Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.» Vini re se ky burrë nuk po e kërkonte thesarin. Por kur e gjeti, bëri goxha sakrifica për ta bërë të vetin. Faktikisht shiti gjithçka kishte. Pse? Ai e dinte sa i çmuar ishte thesari. Vlera e tij ia kalonte gjithçkaje nga e cila hoqi dorë.
9 A ndihesh edhe ti po njësoj për të vërtetën? Patjetër që po. E dimë se asgjë e kësaj bote nuk mund të matet me gëzimin që provojmë ngaqë i shërbejmë Perëndisë sot, dhe me perspektivën e jetës së përhershme nën qeverisjen e Mbretërisë në të ardhmen. Për ne është privilegj të kemi një miqësi të ngushtë me Jehovain, ndaj ia vlen të bëjmë çdo sakrificë. Kënaqësia jonë më e madhe është ‘t’i pëlqejmë plotësisht atij’.—Kolos. 1:10.
10-11. Çfarë e nxiti Majkëllin të ndryshonte rrënjësisht jetën?
10 Shumë prej nesh kanë bërë sakrifica të mëdha për të fituar miratimin e Jehovait. Disa kanë braktisur karriera prestigjoze. Të tjerë kanë hequr dorë nga synimi për t’u pasuruar. Të tjerë akoma kanë ndryshuar rrënjësisht jetën e tyre kur mësuan për Jehovain. Këtë bëri edhe Majkëlli. Ai nuk u rrit në të vërtetën dhe, kur ishte i ri, filloi të merrej me artet marciale. Majkëlli thotë: «Isha krenar që e mbaja trupin në formë. Ndonjëherë ndihesha i pathyeshëm.» Megjithatë kur filloi të studionte Biblën, Majkëlli mësoi si ndihej Jehovai për dhunën. (Psal. 11:5) Ndërsa për çiftin Dëshmitar që studionte me të, ai thotë: «Ata nuk më thoshin kurrë se duhej të hiqja dorë nga artet marciale, por thjesht vazhdonin të më mësonin të vërtetën biblike.»
11 Sa më shumë mësonte Majkëlli për Jehovain, aq më tepër i rritej dashuria për të. Ai u prek sidomos nga dhembshuria e Jehovait për adhuruesit e tij. Me kalimin e kohës, Majkëlli kuptoi se duhej të merrte një vendim që do t’i ndryshonte jetën. Ai thotë: «E dija se të lija karatenë do të ishte vendimi më i vështirë për mua. Por, gjithashtu e dija se kjo do të kënaqte Jehovain dhe isha i bindur se ia vlente çdo sakrificë që t’i shërbeja atij.» Në sytë e Majkëllit e vërteta që kishte gjetur ishte e vyer, e kjo çmueshmëri e nxiti të bënte ndryshime të mëdha në jetë.—Jak. 1:25.
E vërteta e Biblës është si . . . Një llambë
Një llambë e fuqishme na ndihmon të gjejmë rrugën në errësirë. Po njësoj, Fjala e Perëndisë na ndihmon si të gjejmë rrugën e duhur në këtë botë të errët të Satanait (Shih paragrafët 12-13)
12-13. Si ia hapi sytë Mailit e vërteta e Biblës?
12 Për të theksuar vlerën e së vërtetës, Bibla e krahason me një llambë që ndriçon në errësirë. (Psal. 119:105; Efes. 5:8) Maili nga Azerbajxhani është thellësisht mirënjohëse që Fjala e Perëndisë i hapi sytë. Ajo u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare. I ati ishte mysliman, kurse e ëma i përkiste fesë judaike. Maili thotë: «Edhe pse nuk e kam vënë kurrë në pikëpyetje ekzistencën e Zotit, disa gjëra më futnin dyshime. Pyesja veten: ‘Pse i krijoi Perëndia njerëzit dhe ç’kuptim ka që dikush të vuajë gjithë jetën vetëm e vetëm që të torturohet përgjithmonë në ferr?’ Meqë njerëzit thonë se është vullneti i Zotit për çdo gjë që ndodh, vrisja mendjen: ‘A ua shkakton Zoti problemet njerëzve dhe a kënaqet kur i sheh të vuajnë?’»
13 Maili vazhdoi të kërkonte përgjigje për pyetjet e saj. Më vonë, pranoi të studionte Biblën dhe u bë Dëshmitare e Jehovait. Ajo thotë: «Logjika bindëse e Biblës ma ndryshoi krejtësisht pikëpamjen për jetën, s’diskutohet që për mirë. Shpjegimet e besueshme në Fjalën e Perëndisë më sollën paqe të brendshme.» Ashtu si Maili, të gjithë lëvdojmë Jehovain, ‘Atë që na thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’.—1 Pjet. 2:9.
14. Si mund ta thellojmë dashurinë për të vërtetën? (Shih edhe kutinë «Krahasime të tjera».)
14 Këta janë vetëm pak shembuj që tregojnë vlerën e së vërtetës. Pa diskutim që të vijnë ndër mend edhe plot shembuj të tjerë. Pse të mos bësh një projekt studimi që të gjesh edhe arsye të tjera për ta dashur të vërtetën? Ndërsa na shtohet dashuria për të vërtetën, do të gjejmë më shumë mënyra për ta treguar këtë dashuri.
SI TREGOJMË SE E DUAM TË VËRTETËN
15. Cila është një mënyrë që tregojmë se e duam të vërtetën?
15 Tregojmë se e duam të vërtetën duke studiuar rregullisht Biblën dhe botimet që bazohen në të. Tekefundit do të kemi gjithmonë gjëra të reja për të mësuar, pavarësisht sa kohë kemi në të vërtetën. Në numrin e parë të revistës Kulla e Rojës, thuhej: «Të vërtetën, që ngjason me një lule të vogël të thjeshtë në shkretëtirën e jetës, e kanë rrethuar dhe thuajse ia kanë zënë frymën barërat e këqija të mashtrimit që harlisen ngado. Nëse do që ta gjesh, duhet të rrish gjithë kohën syçelë. . . . Nëse do që ta kesh, duhet të përkulesh për ta marrë. Mos u kënaq me një lule të vetme të së vërtetës. . . . Mblidh ngaherë, kërko të tjera.» Studimi kërkon shumë mund, ama ia vlen çdo përpjekje.
16. Cila metodë studimi është më e efektshme për ty? (Proverbat 2:4-6)
16 Jo të gjithë vdesim të lexojmë e të studiojmë. Por Jehovai na fton ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ dhe ‘të rrëmojmë’ për ta kuptuar më qartë të vërtetën. (Lexo Proverbat 2:4-6.) Këto lloj përpjekjesh sjellin gjithmonë shpërblime. Ndërsa flet për leximin personal të Biblës, një vëlla që quhet Kori thotë se çdo herë përqendrohet në një varg të ndryshëm. Ai shpjegon: «Lexoj çdo shënim, shoh çdo referim dhe bëj kërkime të tjera. . . . Me këtë metodë, përfitoj jashtë mase nga leximi.» Pavarësisht nga metoda që përdorim, tregojmë vlerësim për të vërtetën e Biblës kur lëmë kohë dhe përpiqemi fort për ta studiuar.—Psal. 1:1-3.
17. Ç’do të thotë të jetojmë në harmoni me të vërtetën? (Jakovi 1:25)
17 Kuptohet, nuk mjafton thjesht ta studiojmë të vërtetën. Që të nxjerrim plotësisht dobi, duhet ta jetojmë të vërtetën, pra të zbatojmë atë që mësojmë. Vetëm atëherë do të jemi të lumtur. (Lexo Jakovin 1:25.) Si mund të sigurohemi se po jetojmë në harmoni me të vërtetën? Një vëlla sugjeron të bëjmë një vetëshqyrtim për të identifikuar aspektet ku jemi mirë dhe aspektet që dëshirojmë të përmirësojmë. Apostulli Pavël tha: «Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.»—Filip. 3:16.
18. Pse bëjmë çmos ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’?
18 Mendo sa të mira vijnë kur bëjmë çmos ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. Jo vetëm do të bëjmë një jetë më të lumtur, por edhe do t’i gëzojmë zemrën Jehovait dhe vëllezërve e motrave tona. (Prov. 27:11; 3 Gjon. 4) E ku ka arsye më të shkëlqyera për ta dashur dhe për ta jetuar të vërtetën?!
KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!
a Shpesh, ne përdorim fjalën «e vërteta» kur flasim për bindjet dhe mënyrën tonë të jetesës. Pavarësisht nëse e njohim të vërtetën nga pak apo shumë kohë, mund të nxjerrim shumë dobi duke shqyrtuar arsyet pse e duam të vërtetën. Kështu do të jemi më të vendosur për të fituar miratimin e Jehovait.