2 | ‘Ngushëllimi nga Shkrimet’
BIBLA THOTË: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»—ROMAKËVE 15:4.
Ç’do të thotë ky shkrim
Bibla ka mendime ngushëlluese që na japin forcën dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për t’i bërë ballë mënyrës negative të të menduarit. Gjithashtu mesazhi i saj na jep shpresë se dhembjet emocionale së shpejti do t’i përkasin së shkuarës.
Si na ndihmon
Të gjithë ne ndonjëherë ndihemi të dëshpëruar; por ata që vuajnë nga depresioni ose ankthi nuk gjejnë paqe nga lufta e përditshme që mund të kenë me emocionet e dhembshme. Si mund të ndihmojë Bibla?
Në Bibël gjejmë shumë mendime pozitive që mund të zëvendësojnë ato negativet. (Filipianëve 4:8) Ajo na mbush mendjen me mendime ngushëlluese e qetësuese që na ndihmojnë t’i mbajmë nën kontroll emocionet.—Psalmi 94:18, 19.
Bibla na ndihmon të luftojmë mendimin se jemi të pavlerë.—Luka 12:6, 7.
Mjaft fragmente të Biblës na sigurojnë se nuk jemi vetëm dhe se Perëndia, Krijuesi ynë, i kupton plotësisht ndjenjat tona.—Psalmi 34:18; 1 Gjonit 3:19, 20.
Bibla premton se Perëndia do t’u japë fund kujtimeve të dhembshme. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:4) Kur vuajmë nga ndjenja dhe mendime frikësuese, ky premtim mund të na japë forcë të mos dorëzohemi.