BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 qershor f. 2-7
  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 1

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 1
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • RUBENI
  • SIMEONI DHE LEVI
  • JUDA
  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 2
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Rubeni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Jakobi dhe Esau pajtohen
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Simeoni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 qershor f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 24

KËNGA 98 Shkrimet, dhuratë nga Perëndia

Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 1

«Mblidhuni që t’ju tregoj ç’do t’ju ndodhë në të ardhmen.»—ZAN. 49:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Mësime praktike nga profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes për Rubenin, Simeonin, Levin dhe Judën.

1-2. Çfarë bëri Jakobi kur ishte në prag të vdekjes, dhe pse? (Shih edhe figurën.)

KANË kaluar 17 vjet qëkurse Jakobi udhëtoi nga Kanani për në Egjipt me familjen e vet. (Zan. 47:28) Gjatë asaj kohe, ky shërbëtor besnik i Jehovait, pati gëzimin e madh që të ritakonte birin e shtrenjtë, Jozefin, dhe ta shihte sërish familjen të bashkuar. Por tani Jakobi ndien se është buzë vdekjes. Kështu, thërret gjithë djemtë për një mbledhje të rëndësishme.—Zan. 49:28.

2 Asokohe ishte e zakonshme që një kryefamiljar në prag të vdekjes të mblidhte pjesëtarët e familjes për t’u lënë porositë e fundit. (Isa. 38:1) Në atë mbledhje mund t’u thoshte edhe se kush do të ishte kreu i familjes pas vdekjes së tij.

Jakobi në shtratin e vdekjes teksa u thotë një profeci 12 djemve të vet (Shih paragrafët 1-2)


3. Sipas Zanafillës 49:1, 2, pse fjalët e Jakobit ishin shumë domethënëse?

3 Lexo Zanafillën 49:1, 2. Megjithatë, ajo nuk ishte aspak një mbledhje e zakonshme familjare. Jakobi ishte profet. Gjatë asaj mbledhjeje, Jehovai e frymëzoi të fliste për ngjarje me peshë të së ardhmes, që do të ndikonin tej mase te pasardhësit e tij. Prandaj fjalët e fundit të Jakobit janë quajtur edhe profecia e tij në shtratin e vdekjes.

4. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend ndërsa shqyrtojmë profecinë e Jakobit në shtratin e vdekjes? (Shih edhe kutinë «Familja e Jakobit».)

4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë u tha Jakobi katër prej djemve të tij: Rubenit, Simeonit, Levit dhe Judës. Në artikullin tjetër do të ndalemi te fjalët që u tha tetë djemve të tjerë. Siç do ta shohim, Jakobi profetizoi jo vetëm për bijtë e tij, por edhe për pasardhësit e tyre, që me kohë do të formonin kombin e lashtë të Izraelit. Kur i hedhim një sy historisë së atij kombi, shohim qartë se fjalët profetike të Jakobit dolën të vërteta. E ndërsa i shqyrtojmë fjalët e tij, do të nxjerrim mësime me vlerë që mund të na ndihmojnë t’i kënaqim zemrën Atit tonë qiellor, Jehovait.

Një tabelë ku tregohet pema gjenealogjike e familjes së Jakobit. Ai ka dy gra, Lean dhe Rakelën, si edhe dy konkubina, Belhanë dhe Zilpën. Fëmijët që i lindi Lea janë Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Zabuloni dhe Dina. Fëmijët që i lindi Rakela janë Jozefi dhe Beniamini. Fëmijët që i lindi Belhaja janë Dani dhe Neftali. Fëmijët që i lindi Zilpa janë Gadi dhe Asheri.

RUBENI

5. Çfarë mund të ketë pritur të merrte Rubeni nga i ati?

5 Në fillim Jakobi i drejtohet Rubenit me fjalët: «Ti je i parëlinduri im.» (Zan. 49:3) Si i parëlinduri, patjetër që Rubeni priste të merrte dy pjesë të zotërimeve të të atit. Gjithashtu mund të ketë pritur të bëhej kreu i familjes pas vdekjes së babait dhe t’ua trashëgonte atë privilegj pasardhësve të vet.

6. Pse e humbi Rubeni të drejtën e të parëlindurit? (Zanafilla 49:3, 4)

6 Mirëpo Rubeni e humbi të drejtën e të parëlindurit. (1 Kron. 5:1) Pse? Sepse disa vjet më parë kishte kryer marrëdhënie seksuale me konkubinën e Jakobit, Belhanë. Ajo kishte qenë shërbyesja e Rakelës, gruas së shtrenjtë të Jakobit, e cila kishte vdekur. (Zan. 35:19, 22) Rubeni ishte djali i Leas, gruas tjetër të Jakobit. Ka të ngjarë që ai veproi i shtyrë nga dëshirat e tij epshore. Ose ndoshta kreu marrëdhënie me Belhanë që ajo të mos zinte vendin e së ëmës në zemrën e Jakobit. Sido të ketë qenë, me atë që bëri e lëndoi jashtë mase Jehovain dhe të atin.—Lexo Zanafillën 49:3, 4.

7. Ç’ndodhi me Rubenin dhe me pasardhësit e tij? (Shih edhe kutinë «Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes».)

7 Jakobi i tha Rubenit: «Nuk do të spikatësh.» E ashtu ndodhi. Në Shkrime nuk lexojmë asgjëkundi që ndonjë pasardhës i Rubenit të jetë bërë mbret, prift a profet. Gjithsesi, Jakobi nuk e mohoi të birin, dhe pasardhësit e Rubenit u bënë një fis në Izrael. (Jos. 12:6) Në situata të tjera Rubeni kishte shfaqur cilësi të bukura, dhe askund nuk thuhet se ai kreu prapë imoralitet.—Zan. 37:20-22; 42:37.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Rubeni.

Djali

Rubeni

Fjalët e Jakobit

«Nuk do të spikatësh.»—Zan. 49:4.

Plotësimi

Askush nga fisi i Rubenit nuk pati ndonjë rol drejtues në Izrael.—1 Kron. 5:1, 2.

8. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga Rubeni?

8 Mësime për ne. Duhet të punojmë fort që të zhvillojmë vetëkontroll e duhet të jemi të vendosur të mos kryejmë imoralitet. Nëse ndonjëherë ndihemi të tunduar të mëkatojmë, le të ndalemi e të mendojmë se çfarë plage do t’i hapnin veprimet tona Jehovait, familjarëve dhe të tjerëve. Po ashtu, duhet të mbajmë parasysh se «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë». (Gal. 6:7) Nga ana tjetër, ajo që i ndodhi Rubenit na kujton sa i mëshirshëm është Jehovai. Ndonëse s’ka për të na mbrojtur nga pasojat e gabimeve tona, Jehovai do të na bekojë ndërsa përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë.

SIMEONI DHE LEVI

9. Pse Jakobi tha fjalë mosmiratimi për Simeonin dhe Levin? (Zanafilla 49:5-7)

9 Lexo Zanafillën 49:5-7. Më pas, Jakobi i drejtohet Simeonit dhe Levit me fjalë të ashpra mosmiratimi. Vite më parë vajzën e Jakobit, Dinën, e kishte përdhunuar Sikemi, një kananit. S’do mend që të gjithë djemtë e Jakobit u zemëruan sa s’thuhet për atë që i ndodhi motrës së tyre. Mirëpo, Simeoni dhe Levi e shfrenë zemërimin me veprime të dhunshme. Me dinakëri, djemtë e Jakobit premtuan të bënin paqe me burrat e Sikemit nëse pranonin të rrethpriteshin të gjithë. Ata ranë dakord. Ndërsa kishin akoma dhimbje nga rrethprerja, Simeoni dhe Levi «morën shpatat, hynë në qytet kur asnjë nuk e priste fare rrezikun dhe vranë çdo mashkull».—Zan. 34:25-29.

10. Si u përmbushën fjalët profetike të Jakobit për Simeonin dhe Levin? (Shih edhe kutinë «Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes».)

10 Jakobi u trondit shumë nga akti i dhunshëm i dy djemve të tij. Ai paratha se trashëgimia e tyre do të përhapej dhe do të shpërndahej cep më cep të Izraelit. Ato fjalë profetike u plotësuan mbi 200 vjet më vonë, kur kombi i Izraelit hyri në Tokën e Premtuar. Fisi i Simeonit mori si trashëgimi pjesë toke të izoluara brenda territorit të Judës. (Jos. 19:1) Gjithashtu trashëgimia e Levit përbëhej nga 48 qytete të shpërndara anekënd Izraelit.—Jos. 21:41.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Simeoni.

Djali

Simeoni

Fjalët e Jakobit

«Do t’i përhap në vendin e Jakobit.»—Zan. 49:7.

Plotësimi

Trashëgimia e fisit të Simeonit përbëhej nga pjesë toke të izoluara brenda territorit të Judës.—Jos. 19:1-8.

Levi.

Djali

Levi

Fjalët e Jakobit

«Do t’i shpërndaj në Izrael.»—Zan. 49:7.

Plotësimi

Fisi i Levit ishte i shpërndarë në 48 qytete anekënd Izraelit.—Jos. 21:41.

11. Çfarë të mirash bënë fisi i Simeonit dhe fisi i Levit?

11 Pasardhësit e Simeonit dhe të Levit nuk i përsëritën gabimet e të parëve të tyre. Fisi i Levit u tregua shumë besnik ndaj adhurimit të pastër. Kur Moisiu mori Ligjin nga Jehovai në malin Sinai, shumë izraelitë u përzjenë në idhujtari duke adhuruar një statujë viçi. Kurse levitët i dolën krah Moisiut dhe e ndihmuan ta spastronte vendin nga ajo e keqe e madhe. (Eks. 32:26-29) Jehovai zgjodhi të ndante veç fisin e Levit duke i dhënë privilegjin e çmuar për të shërbyer si priftërinj të tij. (Eks. 40:12-15; Num. 3:11, 12) Më vonë, gjatë pushtimit të Tokës së Premtuar, simeonitët luftuan trimërisht përkrah fisit të Judës për të plotësuar qëllimin e Jehovait.—Gjyk. 1:3, 17.

12. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga Simeoni dhe Levi?

12 Mësime për ne. Kurrë mos lejo që vendimet a veprimet e tua të drejtohen nga zemërimi. Nëse ty ose një njeriun tënd të dashur ju kanë keqtrajtuar, është normale të jesh i acaruar. (Psal. 4:4) Gjithsesi, të mos harrojmë se Jehovai nuk i miraton fjalët ose veprimet që shprehin mllef a zemërim. (Jak. 1:20) Ne e përballojmë një padrejtësi—qoftë brenda a jashtë kongregacionit—në përputhje me parimet e Biblës, duke shmangur kështu dëmin që sjell zemërimi i pafre. (Rom. 12:17, 19; 1 Pjet. 3:9) Veç kësaj, nëse prindërit e tu bëjnë gjëra që e hidhërojnë Jehovain, kujtoji vetes që nuk ka pse të ndjekësh shembullin e tyre. Mos nxirr përfundimin se je rast i pashpresë dhe se nuk mund të kesh bekimin e Jehovait. Ai do të të ndihmojë të bësh atë që është e drejtë dhe do t’i shpërblejë se s’bën përpjekjet e tua.

JUDA

13. Pse mund të ketë qenë në ankth Juda kur i erdhi radha të dëgjonte fjalët e të atit?

13 Pastaj Jakobi iu drejtua djalit tjetër, Judës. Pasi dëgjoi ç’u tha babai dy vëllezërve të mëdhenj, Juda mund të ketë qenë në ankth. Fundja, edhe ai kishte bërë disa gabime serioze. Kishte marrë pjesë në plaçkitjen e qytetit të Sikemit. (Zan. 34:27) Gjithashtu kishte bashkëpunuar me vëllezërit që të shitnin Jozefin si skllav e ta mashtronin babanë për atë që kishin bërë. (Zan. 37:31-33) Më vonë kishte kryer marrëdhënie seksuale me nusen e djalit, Tamarën, duke pandehur se ishte një prostitutë.—Zan. 38:15-18.

14. Çfarë i tha Jakobi Judës, dhe çfarë të mirash kishte bërë Juda? (Zanafilla 49:8, 9)

14 Mirëpo, nën frymëzim, Jakobi vetëm e bekoi dhe e lavdëroi Judën. (Lexo Zanafillën 49:8, 9.) Juda kishte treguar se merakosej thellë për ndjenjat e babait të moshuar. Gjithashtu kishte treguar dhembshuri për vëllanë e vogël, Beniaminin.—Zan. 44:18, 30-34.

15. Si u plotësua profecia për Judën?

15 Jakobi paratha se Juda do të ishte prijës i vëllezërve të tij. Ama do të kalonte goxha kohë derisa të përmbushej ajo profeci. Hera e parë që përmendet se Juda i priu kombit ishte rreth 200 vjet më vonë, pas Eksodit, kur fisi i Judës ishte në krye të Izraelit gjatë udhëtimit nga shkretëtira për në Tokën e Premtuar. (Num. 10:14) Dekada më vonë Juda ishte në ballë të luftës për pushtimin e Tokës së Premtuar. (Gjyk. 1:1, 2) Veç kësaj, Davidi, një pasardhës i Judës, u bë mbreti i parë në linjën e gjatë të mbretërve të atij fisi. Por nuk mbaron këtu.

16. Si u plotësua profecia e dokumentuar te Zanafilla 49:10? (Shih edhe kutinë «Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes».)

16 Jakobi zbuloi se Mbreti i përhershëm i njerëzimit do të ishte një pasardhës i Judës. (Lexo Zanafillën 49:10 dhe shënimin.) Ai Mbret është Jezu Krishti, të cilin Jakobi e quajti Shiloh. Një engjëll tha për Jezuin: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit.» (Luka 1:32, 33) Jezui është quajtur edhe «Luani nga fisi i Judës».—Zbul. 5:5.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Juda.

Djali

Juda

Fjalët e Jakobit

«Skeptri nuk do të largohet nga Juda . . . derisa të vijë Shilohu.»—Zan. 49:10.

Plotësimi

Jezui, një pasardhës i Judës, u bë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.—Luka 1:32, 33.

17. Si mund t’i shohim të tjerët njësoj si Jehovai?

17 Mësime për ne. Jehovai e bekoi Judën edhe pse kishte bërë disa gabime serioze. Mos ndoshta vëllezërit e Judës vritnin mendjen se çfarë pa Jehovai tek ai? Sido të ketë qenë, Jehovai pa gjëra të mira te Juda dhe e bekoi. Si mund ta imitojmë shembullin e Jehovait? Kur një bashkëbesimtar merr një privilegj të veçantë shërbimi, ndoshta reagimi i parë është të fokusohemi te të metat e tij. Por s’duhet të harrojmë se Jehovai është i kënaqur me cilësitë e tij të bukura. Jehovai kërkon anët e mira tek adhuruesit e vet. Le të bëjmë çmos ta imitojmë!

18. Pse duhet të jemi të duruar?

18 Një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga Juda është se duhet të jemi të duruar. Jehovai i plotëson gjithmonë premtimet e veta, por jo gjithmonë në mënyrën ose në kohën që presim ne. Pasardhësit e Judës nuk filluan t’i prinin menjëherë popullit të Perëndisë. Megjithatë i mbështetën besnikërisht ata që caktonte Jehovai të merrnin drejtimin, si për shembull Moisiun nga fisi i Levit, Josiun nga fisi i Efraimit ose mbretin Saul nga fisi i Beniaminit. Le të mbështetim edhe ne sot këdo që zgjedh Jehovai për të marrë drejtimin!—Hebr. 6:12.

19. Çfarë kemi mësuar për Jehovain nga profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes?

19 Çfarë kemi mësuar deri tani nga profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes? Është e qartë se «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu». (1 Sam. 16:7) Jehovai është shumë i duruar dhe i gatshëm të falë. Edhe pse nuk i mbyll sytë para sjelljes së gabuar, ai nuk pret përsosmëri nga adhuruesit e tij. Madje Jehovai mund t’i bekojë ata që dikur kanë bërë gabime serioze, nëse pendohen sinqerisht dhe kthejnë rrugë për të vepruar siç do ai. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë fjalët që u tha Jakobi tetë djemve të tjerë.

ÇFARË MËSOVE NGA AJO QË I THA JAKOBI . . .

  • Rubenit?

  • Simeonit dhe Levit?

  • Judës?

KËNGA 124 Përherë besnik

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo