ARTIKULLI I STUDIMIT 34
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
Beso me gjithë zemër se Jehovai të ka falur
«Ti m’i fale fajin e mëkatet.»—PSAL. 32:5.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Pse duhet të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na ka falur dhe si na siguron Bibla se ai i fal mëkatarët e penduar.
1-2. Çfarë lehtësimi mund të përjetojnë mëkatarët e penduar? (Shih edhe figurën.)
MBRETIN David e torturonin ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës. (Psal. 40:12; 51:3, mbishkrimi) Ai bëri disa gabime të rënda në jetë. Megjithatë u pendua sinqerisht dhe Jehovai e fali. (2 Sam. 12:13) Si rezultat, ndjeu lehtësimin që vjen nga falja e Jehovait.—Psal. 32:1.
2 Njësoj si Davidi, edhe ne mund të përjetojmë lehtësimin që sjell mëshira e Jehovait. Marrim zemër kur e dimë se Jehovai është gati të na i falë mëkatet—madje edhe mëkatet e rënda—nëse pendohemi sinqerisht, i rrëfejmë mëkatet dhe bëjmë çmos që të mos i përsëritim. (Prov. 28:13; Vep. 26:20; 1 Gjon. 1:9) Jemi tejet të lumtur që Jehovai i fal plotësisht mëkatet tona dhe nuk i kujton më kurrë.—Ezek. 33:16.
Mbreti David kompozoi shumë psalme që përshkruajnë dëshirën e zjarrtë që ka Jehovai të na falë (Shih paragrafët 1-2)
3-4. Si ndihej një motër pas pagëzimit, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Me raste disa e kanë të vështirë të besojnë se Jehovai i ka falur. Të shohim eksperiencën e një motre me emrin Xhenifer. Ajo u rrit në të vërtetën, por kur ishte adoleshente, filloi të bënte jetë të dyfishtë dhe kreu një sërë mëkatesh. Vite më vonë bëri ndryshimet e nevojshme, i kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Ajo shprehet: «Në të kaluarën isha e dhënë pas materializmit, imoralitetit seksual, pirjes me tepri dhe merrja flakë për gjënë më të vogël. Me logjikë e kuptoja se, pasi iu përgjërova Jehovait të më falte dhe u pendova, isha e pastër falë flijimit të Krishtit. Por, nuk arrija dot ta bindja zemrën se Jehovai më kishte falur vërtet.»
4 A e ke edhe ti të vështirë ndonjëherë ta bindësh zemrën se Jehovai t’i ka falur gabimet e së shkuarës? Davidi ishte i sigurt se Jehovai i kishte treguar mëshirë. Perëndia ynë do që të kemi po të njëjtën siguri. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse ka rëndësi të besojmë se Jehovai na ka falur dhe ç’mund të na ndihmojë për këtë.
PSE KA RËNDËSI TË BESOJMË SE JEHOVAI NA KA FALUR
5. Çfarë do Satanai që të besojmë? Jepni një shembull.
5 Kur besojmë me gjithë zemër se Jehovai na ka falur, shmangim një nga grackat e Satanait. Mos harro se Satanai do të bëjë gjithçka si e si të na pengojë t’i shërbejmë Jehovait. Për ta arritur këtë synim, mund të përpiqet të na mbushë mendjen se mëkatet tona janë të pafalshme. Të shohim rastin e burrit në Korint, që u hoq nga kongregacioni pasi kreu imoralitet seksual. (1 Kor. 5:1, 5, 13) Kur më vonë u pendua, Satanai donte që pjesëtarët e kongregacionit të tregoheshin aq të ashpër, sa të mos e falnin dhe të mos e pranonin krahëhapur në kongregacion. Nga ana tjetër, Satanai donte që ai të besonte se Jehovai nuk do ta falte kurrë. Kështu mund ‘ta mbyste trishtimi i tepërt’ dhe të hiqte dorë nga adhurimi i Jehovait. Satanai s’e ka ndryshuar as qëllimin, as taktikat. Ama, ne «nuk jemi në padije të intrigave të tij».—2 Kor. 2:5-11.
6. Si mund të lehtësohemi nga barra e ndjenjave të fajit?
6 Kur besojmë me gjithë zemër se Jehovai na ka falur, lehtësohemi nga barra e ndjenjave të fajit. Kur bëjmë një mëkat, është normale të ndihemi në faj. (Psal. 51:17) Madje kjo është gjë e mirë, sepse ndërgjegjja mund të na shtyjë të ndërmarrim hapa për të ndrequr sjelljen tonë të gabuar. (2 Kor. 7:10, 11) Megjithatë, po të vazhdojmë t’i ushqejmë ndjenjat e fajit edhe pasi të jemi penduar, ka rrezik të dorëzohemi. Por, kur pranojmë se Jehovai na ka falur vërtet, i hedhim pas krahëve ndjenjat e fajit. Kështu vazhdojmë t’i shërbejmë siç dëshiron Ai—me ndërgjegje të pastër dhe plot gëzim. (Kolos. 1:10, 11; 2 Tim. 1:3) Atëherë, si mund ta bindim zemrën se Perëndia na ka falur?
Ç’MUND TË NA NDIHMOJË TË BESOJMË SE JEHOVAI NA KA FALUR
7-8. Si e përshkroi Jehovai veten kur foli me Moisiun, dhe çfarë sigurie na jep kjo? (Eksodi 34:6, 7)
7 Medito për mënyrën si e ka përshkruar Jehovai veten. Për shembull, le të shohim çfarë i tha Moisiut në malin Sinai.a (Lexo Eksodin 34:6, 7.) Jehovai kishte shumë për të thënë për cilësitë dhe veprat e tij, por zgjodhi ta përshkruante veten si Perëndi ‘të mëshirshëm dhe të dhembshur’. A mundet një Perëndi i tillë të mos e falë një adhurues që është penduar vërtet? Kurrsesi! Kjo do të ishte e pamëshirshme dhe e pashpirt. Jehovai s’do t’i ketë kurrë tipare të tilla!
8 Mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do të shtiret kurrë, sepse është Perëndi i së vërtetës. (Psal. 31:5) Ndaj, mund t’u besojmë plotësisht fjalëve të tij. Nëse të brejnë ende ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës, pyet veten: «A besoj se Jehovai është vërtet i mëshirshëm, i dhembshur dhe se i fal gjithmonë të gjithë mëkatarët e penduar? Atëherë, pse të mos besoj me gjithë zemër se më ka falur edhe mua?»
9. Çfarë na mëson Psalmi 32:5 për faljen e Jehovait?
9 Mendo thellë për shkrime që flasin për faljen e Jehovait. Le të shohim, për shembull, çfarë shkroi Davidi nën frymëzim për faljen e Jehovait. (Lexo Psalmin 32:5.) Ai tha: «Ti m’i fale fajin e mëkatet.» Fjala hebraike e përkthyer «fal» mund të ketë kuptimin «ngre», «heq» ose «mbart». Kur e fali Davidin, Jehovai, si të thuash, ia hoqi nga supet barrën e mëkatit dhe e çoi tutje. Kështu, Davidi u ndie i lehtësuar nga pesha e rëndë e ndjenjave të fajit. (Psal. 32:2-4) Edhe ne mund të përjetojmë një lehtësim të tillë. Pasi jemi penduar me gjithë zemër, s’kemi pse mbartim ndjenja faji për mëkate që Jehovai tashmë i ka hequr dhe i ka çuar tutje.
10-11. Çfarë na tregon për Jehovain fakti që ai ‘mezi pret të falë’? (Psalmi 86:5)
10 Lexo Psalmin 86:5. Këtu Davidi e përshkruan Jehovain si një Perëndi që ‘mezi pret të falë’. Një vepër referimi për Biblën thotë për këtë shprehje: «[Jehovai] është gati të falë—kjo është pjesë e natyrës së tij.» Pse Jehovait i vjen natyrshëm të falë? Pjesa tjetër e vargut shpjegon: «Me dashuri besnike i mbulon të gjithë ata që të thërrasin për ndihmë.» Siç e pamë në artikullin e kaluar, dashuria besnike e nxit Jehovain të krijojë me adhuruesit e tij një lidhje tejet të fortë e që zgjat përjetë. I nxitur nga dashuria besnike, ai ‘do t’i falë bujarisht’ të gjithë mëkatarët e penduar. (Isa. 55:7.) Nëse e ke të vështirë ta bindësh zemrën se Jehovai të ka falur, pyet veten: «A besoj se Jehovai mezi pret t’i falë të gjithë mëkatarët e penduar që i luten për mëshirë? Atëherë, pse të mos besoj se Jehovai më ka falur edhe mua kur iu luta me zjarr të më tregonte mëshirë?»
11 Marrim zemër kur e dimë se Jehovai e kupton plotësisht natyrën tonë të papërsosur. (Psal. 139:1, 2) Le të shohim një psalm tjetër të Davidit, që po ashtu na siguron se Jehovai mezi pret të na falë.
MOS HARRO ATË QË JEHOVAI NUK HARRON
12-13. Sipas Psalmit 103:14, çfarë nuk harron Jehovai për ne, dhe për çfarë e nxit kjo?
12 Lexo Psalmin 103:14. Davidi thotë se Jehovai «nuk harron që jemi veçse pluhur». Me këto fjalë na shpjegon një nga arsyet pse Jehovai mezi pret t’i falë adhuruesit e penduar: Ai mban gjithnjë parasysh se jemi të papërsosur. Që ta kuptojmë më mirë këtë, le t’i shqyrtojmë më nga afër fjalët e Davidit.
13 Davidi thotë se Jehovai «e di mirë si jemi formuar». Ai e krijoi Adamin «nga pluhuri i tokës» dhe e di mirë se edhe njerëzit e përsosur kanë kufizime—për shembull, e kanë të domosdoshme të ushqehen, të flenë e të marrin frymë. (Zan. 2:7) Mirëpo, kur Adami dhe Eva mëkatuan, të qenët pluhur mori një kuptim tjetër. Si pasardhësit e tyre, trashëguam mëkatin dhe priremi të bëjmë atë që është e gabuar. Jehovai jo vetëm mban parasysh se jemi mëkatarë, por Davidi thotë edhe se Ai ‘nuk e harron’ këtë gjë. Fjala hebraike që përdoret këtu mund të ketë kuptimin që të veprosh në të mirë të dikujt. Mund t’i përmbledhim kështu fjalët e Davidit: Jehovai e di se me raste do të bëjmë gabime, por kur sheh zemrën tonë të penduar, nxitet të na tregojë mëshirë e të na falë bujarisht.—Psal. 78:38, 39.
14. (a) Si e përshkruan Davidi faljen e Jehovait? (Psalmi 103:12) (b) Si e tregon shembulli i Davidit sa e plotë është falja e Jehovait? (Shih kutinë «Jehovai fal dhe harron».)
14 Sa e plotë është falja e Jehovait? (Lexo Psalmin 103:12.) Davidi thotë se kur Jehovai fal, i çon mëkatet tona po aq larg sa ‘ç’është lindja nga perëndimi’. Siç e dimë lindja është skaji më i largët nga perëndimi; këto dy pika nuk bashkohen kurrë. Çfarë na tregon kjo për mënyrën si fal Jehovai? Një vepër referimi shpjegon: «Përderisa Jehovai i çon kaq larg mëkatet tona, s’kemi pse të dyshojmë se çdo aromë, gjurmë a kujtim i tyre është zhdukur plotësisht.» Ndonjëherë aromat zgjojnë kujtime. Por kur Jehovai fal, nuk mbetet asnjë pikë arome që mund t’i kujtojë mëkatin tonë dhe ta shtyjë të na akuzojë ose të na ndëshkojë për të.—Ezek. 18:21, 22; Vep. 3:19.
15. Ç’mund të bëjmë nëse na mundojnë ende ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës?
15 Si mund të na ndihmojnë fjalët e Davidit te Psalmi 103 të besojmë vërtet se Jehovai na ka falur? Nëse na mundojnë ende ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës, mund të pyesim veten: «Mos vallë po harroj atë që Jehovai nuk harron, pra se jam i papërsosur? Mos po harroj edhe se Jehovai i fal të gjithë mëkatarët e penduar, ndër të cilët jam dhe unë? Nga ana tjetër, a po vazhdoj të kujtoj atë që Jehovai ka zgjedhur ta harrojë—pra, gabimet që tashmë m’i ka falur dhe për të cilat s’do të më akuzojë a ndëshkojë më kurrë?» Jehovai nuk i mban llogari mëkatet e së shkuarës. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. (Psal. 130:3) Kur besojmë vërtet se Jehovai na ka falur, arrijmë të falim veten dhe vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim.
16. Pse është e rrezikshme të fiksohemi te gabimet e së shkuarës? Ilustrojeni. (Shih edhe figurën.)
16 Le të mendojmë për një ilustrim. Të ndihesh vazhdimisht në faj për gabimet e së shkuarës, është si t’i japësh makinës duke parë tërë kohën te pasqyra e mesit. Natyrisht, është mirë të shohësh herë pas here te pasqyra, që të shmangësh rreziqe të mundshme pas teje. Por që të udhëtosh i sigurt, duhet t’i mbash sytë përpara. Po njësoj, ndonjëherë është e dobishme të mendojmë për gabimet e së kaluarës; mund të mësojmë prej tyre dhe të bëhemi më të vendosur të mos i përsëritim. Ama, po të fiksohemi te mëkatet e së shkuarës, ndjenjat e fajit mund të na kufizojnë në shërbimin e Jehovait. Më mirë le t’i mbajmë sytë tek e ardhmja që kemi përpara. Ne po ecim në rrugën drejt botës së re që na ka premtuar Perëndia, ku kujtimet e këqija «nuk do të vijnë më në mendje».—Isa. 65:17; Prov. 4:25.
Ashtu si një shofer duhet të fokusohet më tepër te rruga përpara sesa te pasqyra që sheh mbrapa, edhe ne duhet të përqendrohemi më tepër te bekimet e së ardhmes sesa te mëkatet e së shkuarës (Shih paragrafin 16)
VAZHDO TA BINDËSH ZEMRËN
17. Pse duhet ta sigurojmë vazhdimisht zemrën se Jehovai na do dhe na ka falur?
17 Duhet ta bindim vazhdimisht zemrën se Jehovai na do dhe na ka falur. (1 Gjon. 3:19, shën.) Pse? Sepse Satanai do të bëjë çmos të na bindë se Jehovai nuk na do dhe s’do të na falë kurrë. Pavarësisht nga taktika, qëllimi i tij ngelet i njëjtë—të na pengojë t’i shërbejmë Jehovait. Presim që Satanai t’i intensifikojë përpjekjet, sepse e di që i ngelet fare pak kohë. (Zbul. 12:12) Nuk duhet ta lëmë kurrë të fitojë!
18. Çfarë mund të bësh që ta bindësh zemrën se Jehovai të do dhe të ka falur?
18 Që të forcosh besimin se Jehovai të do, vër në jetë sugjerimet që pamë në artikullin e kaluar. Për ta bindur zemrën se Jehovai të ka falur, medito për mënyrën si e ka përshkruar veten. Mendo thellë për shkrime që nxjerrin në pah dëshirën e zjarrtë të Jehovait për të falur. Mos harro se ai e mban parasysh që je i papërsosur dhe do të tregohet gjithnjë i mëshirshëm me ty. Gjithashtu mbaj gjithnjë ndër mend se kur Jehovai fal, e bën këtë në masë të plotë. Atëherë, si Davidi, s’do të kesh pikë dyshimi se Jehovai të ka treguar mëshirë e do të thuash me plot gojën: «Faleminderit Jehova që m’i fale ‘fajin e mëkatet’!»—Psal. 32:5.
KËNGA 1 Cilësitë e Jehovait
a Shih artikullin «Afrojuni Perëndisë—Kur Jehovai përshkroi veten» te Kulla e Rojës e 1 majit 2009.