ARTIKULLI I STUDIMIT 37
KËNGA 114 ‘Të presim me durim’
Si të reagojmë ndaj padrejtësive
«Ai shpresonte që të gjykonin me drejtësi, por ja, kishte padrejtësi.»—ISA. 5:7.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë si na ndihmon shembulli i Jezuit të reagojmë siç do Jehovai ndaj padrejtësive.
1-2. Si reagojnë shumë njerëz ndaj padrejtësive, dhe çfarë pyetjesh mund t’i bëjmë vetes?
BOTA ku jetojmë është e padrejtë. Njerëzit trajtohen padrejtësisht për shumë arsye, si gjendja ekonomike, gjinia, etnia, ose raca. Shumë vuajnë pasojat e dëmtimit të mjedisit nga biznesmenë lakmitarë dhe zyrtarë të korruptuar. Qoftë ne, qoftë njerëzit tanë të dashur, prekemi nga padrejtësitë në një mënyrë a në një tjetër.
2 Nuk habitemi që shumë njerëz janë të zemëruar nga padrejtësitë që shohin sot në botë. Të gjithë duam të na trajtojnë me drejtësi dhe të jetojmë në paqe. Disa përpiqen të japin kontributin e tyre për të sjellë ndryshime në shoqëri. Firmosin peticione, marrin pjesë në protesta dhe mbështetin udhëheqës politikë që premtojnë të luftojnë padrejtësitë. Mirëpo, si adhurues të Jehovait, kemi mësuar ‘të mos jemi pjesë e botës’ dhe të presim që Mbretëria e Perëndisë të zhdukë çdo padrejtësi. (Gjoni 17:16) Prapëseprapë, trishtohemi e madje revoltohemi kur shohim se dikujt i bëhet një padrejtësi. Mbase pyesim veten: «Si duhet të reagoj në raste të tilla? A mund të bëj që tani diçka kur përballem me padrejtësi?» Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë fillimisht si ndihen Jehovai dhe Jezui për padrejtësinë.
JEHOVAI DHE JEZUI E URREJNË PADREJTËSINË
3. Pse është normale të ndihemi keq kur shohim padrejtësi? (Isaia 5:7)
3 Bibla shpjegon pse është normale të ndihemi keq kur shohim padrejtësi. Ajo thotë se Jehovai na krijoi sipas imazhit të tij dhe se «e do drejtësinë dhe paanësinë». (Psal. 33:5; Zan. 1:26) Jehovai s’vepron kurrë padrejtësisht dhe nuk do që njerëzit të bëjnë padrejtësi. (Ligj. 32:3, 4; Mik. 6:8; Zak. 7:9) Për shembull, në kohën e profetit Isaia, Jehovai dëgjoi ‘klithmën’ e shumë izraelitëve që keqtrajtoheshin nga bashkëkombësit. (Lexo Isainë 5:7.) Ai nuk ndenji duarkryq, por i ndëshkoi ata që e shpërfillnin vazhdimisht Ligjin e tij dhe i trajtonin të tjerët me padrejtësi.—Isa. 5:5, 13.
4. Çfarë na tregon një ngjarje nga ungjijtë për ndjenjat e Jezuit kur sheh padrejtësi? (Shih edhe figurën.)
4 Njësoj si Jehovai, Jezui e do drejtësinë dhe e urren padrejtësinë. Në një rast, gjatë shërbimit të tij në tokë, ai pa një burrë që e kishte dorën të paralizuar. I shtyrë nga keqardhja, Jezui u nxit ta ndihmonte, por kjo i tërboi krerët fetarë zemërgur. Meraku i tyre ishte të zbatohej në mënyrë strikte ligji i Sabatit, jo të ndihmonin këtë burrë që po vuante. Si u ndie Jezui kur pa reagimin e tyre? Ai ishte «krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme».—Mar. 3:1-6.
Krerët fetarë judenj nuk ndienin pikë dhembshurie për njerëzit në nevojë, ama Jezui po (Shih paragrafin 4)
5. Çfarë nuk duhet të harrojmë nëse zemërohemi nga padrejtësitë?
5 Meqë Jehovai dhe Jezui zemërohen nga padrejtësitë, nuk është gabim nëse edhe ne ndihemi kështu. (Efes. 4:26) Gjithsesi, të mos harrojmë se sado të zemërohemi—qoftë edhe me të drejtë—nuk i ndreqim dot padrejtësitë. Ç’është e vërteta, zemërimi i vazhdueshëm ose i pakontrolluar mund të na dëmtojë emocionalisht dhe fizikisht. (Psal. 37:1, 8; Jak. 1:20) Ndaj, si duhet të reagojmë përballë padrejtësive? Mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit.
SI REAGOI JEZUI NDAJ PADREJTËSIVE
6. Çfarë padrejtësish pa Jezui kur ishte në tokë? (Shih edhe figurën.)
6 Gjatë jetës në tokë Jezui ishte dëshmitar i shumë padrejtësive. Ai shihte se si krerët fetarë i shtypnin njerëzit e thjeshtë. (Mat. 23:2-4) Dinte edhe çfarë hiqnin judenjtë nga autoritetet romake. Shumë judenjve u qante zemra të fitonin pavarësinë nga Roma. Madje disa, si për shembull zelotët, ishin të gatshëm të luftonin për këtë. Prapëseprapë, Jezui nuk organizoi ndonjë lëvizje sociale për të sjellë ndryshime dhe as mbështeti ndonjë iniciativë të tillë. Kur mori vesh se njerëzit po planifikonin ta bënin mbret, ai u largua.—Gjoni 6:15.
Jezui u largua kur njerëzit donin ta përfshinin në çështjet politike të asaj kohe (Shih paragrafin 6)
7-8. Pse Jezui nuk u përpoq të zhdukte padrejtësitë kur ishte në tokë? (Gjoni 18:36)
7 Jezui nuk u përfshi në politikën e asaj kohe që t’u jepte fund padrejtësive. Pse? Sepse e dinte se njerëzit s’kanë as të drejtën, as aftësinë të qeverisin. (Psal. 146:3; Jer. 10:23) Veç kësaj, nuk janë në gjendje të eliminojnë shkaqet e padrejtësive, pra Satanain dhe papërsosmërinë. Kjo botë është nën sundimin e Satana Djallit, një krijesë mizore që e përdor autoritetin për t’u fryrë flakëve të padrejtësisë. (Gjoni 8:44; Efes. 2:2) E për shkak të papërsosmërisë, edhe njerëzit me qëllimet më të mira e kanë të pamundur të veprojnë gjithnjë drejt.—Ekl. 7:20.
8 Jezui e dinte se vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’i eliminojë të gjitha shkaqet e padrejtësive. Ja pse shpenzoi kohë dhe energji ‘për të predikuar dhe për të shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë’. (Luka 8:1) Ai i siguroi «ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë» se korrupsioni dhe padrejtësia do të marrin fund një herë e mirë. (Mat. 5:6; Luka 18:7, 8) Mirëpo këtë nuk do ta bëjë asnjë qeveri njerëzore, por Mbretëria e Perëndisë, e cila «nuk është pjesë e kësaj bote».—Lexo Gjonin 18:36.
IMITO JEZUIN PËRBALLË PADREJTËSIVE
9. Çfarë të bind se vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’i zhdukë të gjitha padrejtësitë?
9 Padrejtësitë që shohim sot janë ku e ku më të shumta se ato që pa Jezui kur ishte në tokë. Gjithsesi, shkaku kryesor i padrejtësive në këto ‘ditë të fundit’ mbetet Satanai dhe njerëzit e papërsosur që janë nën ndikimin e tij. (2 Tim. 3:1-5, 13; Zbul. 12:12) Njësoj si Jezui, e dimë se vetëm Mbretëria e Perëndisë do të shkulë me rrënjë shkaqet e padrejtësive. Meqë e mbështetim plotësisht këtë Mbretëri, nuk pranojmë të marrim pjesë në marshime e protesta dhe as përpiqemi me ndonjë mënyrë tjetër t’u japim fund padrejtësive. Të shohim çfarë ndodhi me një motër që quhet Stejsi.a Para se të mësonte të vërtetën, Stejsi merrte pjesë rregullisht në protesta që nxitnin reforma sociale. Mirëpo filloi të dyshonte nëse ia vlente vërtet ajo që po bënte. Ajo thotë: «Kur merrja pjesë në protesta, vrisja mendjen nëse isha në anën e duhur. Por tani që përkrah Mbretërinë e Perëndisë, jam e sigurt se po mbaj anën e duhur. E di se Jehovai do të luftojë për çdo viktimë të padrejtësive, shumë më mirë se ç’do të bëja unë.»—Psal. 72:1, 4.
10. Pse lëvizjet për reforma sociale nuk janë në përputhje me këshillën e Jezuit te Mateu 5:43-48? (Shih edhe figurën.)
10 Shpesh lëvizjet për reforma sociale, karakterizohen nga një qëndrim rebel dhe armiqësor që bie ndesh me shembullin dhe mësimet e Jezuit. (Efes. 4:31) Një vëlla që quhet Xhefri thotë: «Protestat në dukje paqësore mund të shndërrohen sa hap e mbyll sytë në protesta të dhunshme, ku nuk mungojnë plaçkitjet.» Ama Jezui na mëson t’i duam të gjithë njerëzit, edhe ata që nuk bien dakord me ne ose na përndjekin. (Lexo Mateun 5:43-48.) Si të krishterë, bëjmë çmos të shmangim çdo gjë që nuk është në përputhje me modelin që na la Jezui.
Na duhet guxim që të qëndrojmë asnjanës në çështjet politike dhe sociale të kësaj bote (Shih paragrafin 10)
11. Çfarë mund të na e lëkundë vendosmërinë për të mos i mbështetur lëvizjet sociale?
11 Edhe pse e dimë se Mbretëria e Perëndisë do t’i zhdukë krejt padrejtësitë, mund ta kemi të vështirë të imitojmë Jezuin kur prekemi personalisht nga një padrejtësi. Ja si u ndie një motra jonë, Xhenaja, e cila ka vuajtur për shkak të diskriminimit. Ajo pranon: «Turfulloja nga inati. Gjithashtu ndihesha e lënduar dhe doja që ata njerëz të padrejtë të merrnin çfarë kishin hak. Pastaj mendova të mbështetja një lëvizje që protestonte kundër racizmit dhe diskriminimit. Kjo më dukej një mënyrë e mirë që të shfreja zemërimin.» Megjithatë, me kalimin e kohës Xhenaja kuptoi se duhej të bënte ca ndryshime. Ajo shprehet: «Po i lejoja të tjerët të më shtrembëronin mënyrën si mendoja, e kështu po u besoja njerëzve në vend se Jehovait. Vendosa të shkëputja çdo lidhje me njerëzit që mbështetnin këtë lëvizje.» Ndonëse është normale të zemërohemi kur hasim padrejtësi, duhet të bëjmë kujdes që të ruajmë asnjanësinë në çështjet politike e sociale të kësaj bote.—Gjoni 15:19.
12. Pse është e mençur t’i përzgjedhim informacionet që marrim?
12 Çfarë mund të na ndihmojë t’i mbajmë nën fre ndjenjat e zemërimit në rast padrejtësie? Disa e kanë parë të dobishme të jenë përzgjedhës me materialet që lexojnë, dëgjojnë apo shohin. Disa media sociale janë plot me postime që i ekzagjerojnë padrejtësitë dhe nxitin një frymë pakënaqësie ndaj qeverive. Shpesh agjencitë e lajmeve nuk i paraqesin ashtu siç janë informacionet, sepse ndikohen nga opinione personale. Mirëpo edhe sikur lajmi për një padrejtësi të jetë i vërtetë, a do të na sjellë ndonjë dobi po ta mbajmë mendjen aty? Po të harxhojmë shumë kohë me informacione të tilla, kjo vetëm sa do të na mbushë me zemërim e do të na shkurajojë. (Prov. 24:10) Ç’është më e keqja, mund të humbasim nga sytë zgjidhjen përfundimtare të të gjitha padrejtësive—Mbretërinë e Perëndisë.
13. Si na ndihmon leximi i përditshëm i Biblës t’i përballojmë më mirë padrejtësitë?
13 Do t’i përballojmë më mirë padrejtësitë nëse e lexojmë përditë Biblën dhe meditojmë për të. Një motër që quhet Alja trishtohej shumë kur shihte si keqtrajtoheshin njerëzit në komunitetin e saj. Dukej sikur fajtorët po ia hidhnin pa u lagur. Ajo thotë: «Duhej të ndalesha pak e të pyesja veten: ‘A besoj me gjithë zemër se Jehovai do t’i zgjidhë këto probleme?’ Gjatë asaj kohe lexova Jobin 34:22-29. Ato vargje më kujtuan se syrit të Jehovait nuk i shpëton asgjë. Vetëm ai gjykon gjithmonë me drejtësi dhe vetëm ai mund t’i ndreqë plotësisht gjërat.» Megjithatë, ndërsa presim që Mbretëria e Perëndisë të vendosë drejtësi në mbarë tokën, ç’mund të bëjmë sot kur ndeshemi me padrejtësi?
Ç’MUND TË BËJMË SOT
14. Çfarë kemi në dorë të bëjmë sot? (Kolosianëve 3:10, 11)
14 Ndoshta nuk i kontrollojmë dot veprimet e padrejta të të tjerëve, ama mund të kontrollojmë veprimet tona. Siç e pamë më sipër, mund ta imitojmë Jezuin duke shfaqur dashuri. Kjo dashuri na shtyn t’i trajtojmë të gjithë me respekt, madje edhe ata që sillen padrejtësisht me ne. (Mat. 7:12; Rom. 12:17) Jehovait i bëhet zemra mal kur jemi mirëdashës dhe të drejtë me të gjithë.—Lexo Kolosianëve 3:10, 11.
15. Si i ndihmojmë njerëzit kur u mësojmë të vërtetat e Biblës?
15 Mënyra më e mirë për të reaguar ndaj padrejtësive, është t’u mësojmë të tjerëve të vërtetat e Biblës. Pse e themi këtë? Sepse «njohuria për Jehovain» ka fuqinë ta shndërrojë një njeri agresiv e të dhunshëm në një njeri të butë dhe që e do paqen. (Isa. 11:6, 7, 9) Para se të merrte të vërtetën, një burrë me emrin Xhemal bënte pjesë në një grup rebel që luftonte kundër një regjimi politik, i cili i dukej shtypës. Ai thotë: «Me forcë nuk i ndryshon dot njerëzit. Vetëm të vërtetat e Biblës arritën të më ndryshonin, asnjë lloj force tjetër.» Ajo që mësoi, e nxiti Xhemalin të hiqte dorë nga lufta. Sa më shumë njerëz të transformohen nga të vërtetat e Biblës, aq më pak njerëz të padrejtë do të ketë.
16. Pse do me shpirt t’u tregosh të tjerëve për shpresën që jep Mbretëria e Perëndisë?
16 Ashtu si Jezui, duam me shpirt t’u tregojmë njerëzve se vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund një herë e mirë padrejtësive. Kjo shpresë mund t’u japë zemër atyre që kanë hequr padrejtësi. (Jer. 29:11) Stejsi, që u përmend më sipër, shprehet: «E vërteta më ka ndihmuar t’i përballoj me qetësi padrejtësitë që kam parë dhe që kam përjetuar. Jehovai e përdor mesazhin e Biblës për të na dhënë ngushëllimin e nevojshëm.» Për t’u dhënë të tjerëve mesazhin ngushëllues të Biblës për zhdukjen e padrejtësive, duhet të përgatitesh mirë. Sa më i bindur të jesh për vërtetësinë e këtij premtimi nga Bibla, aq më kollaj do ta kesh të flasësh me takt për këtë temë në shkollë ose në punë.b
17. Si na ndihmon Jehovai t’i përballojmë padrejtësitë sot?
17 E dimë se, për sa kohë që Satanai të jetë «sundimtari i kësaj bote», do të përballemi me padrejtësi. Por nuk jemi as pa ndihmë, as pa shpresë ndërsa presim që ai «të flaket tej». (Gjoni 12:31) Në Shkrime Jehovai na tregon jo vetëm pse ekzistojnë kaq shumë padrejtësi, por edhe se merakoset për të gjithë ata që vuajnë prej tyre. (Psal. 34:17-19) Me anë të Birit të tij, Jehovai na mëson si të reagojmë ndaj padrejtësive dhe se shpejt Mbretëria do t’u japë fund përgjithmonë padrejtësive. (2 Pjet. 3:13) Le të vazhdojmë të predikojmë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë, ndërsa presim me zjarr kohën kur në tokë do të ketë vetëm ‘gjykim të drejtë e drejtësi’.—Isa. 9:7.
KËNGA 158 S’do të vonojë!
a Disa emra janë ndryshuar.
b Shih edhe pikat 24-27 te shtojca A e broshurës Duaji njerëzit—Bëj dishepuj.