ARTIKULLI I STUDIMIT 43
KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!
Mos harro të lutesh për të tjerët
«Lutuni për njëri-tjetrin. . . . Përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë.»—JAK. 5:16.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim pse ka rëndësi të lutemi për të tjerët dhe disa sugjerime si ta bëjmë këtë.
1. Nga e dimë se lutjet tona janë të rëndësishme për Jehovain?
LUTJA është një dhuratë e pashoqe. Mendo për këtë: Jehovai u ka deleguar disa detyra engjëjve. (Psal. 91:11) Gjithashtu i ka besuar Birit të tij përgjegjësi me peshë. (Mat. 28:18) Mirëpo, a ia ka caktuar dikujt përgjegjësinë që të dëgjojë lutjet tona? Jo, kjo është diçka që s’ia ka deleguar askujt. Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’, ka marrë përsipër t’i dëgjojë vetë lutjet tona.—Psal. 65:2.
2. Çfarë shembulli të mirë na la Pavli në lidhje me lutjet për të tjerët?
2 Edhe pse mund t’i lutemi sa herë të duam Jehovait për meraqet tona, duhet të lutemi edhe për të tjerët. Këtë bëri apostulli Pavël. Për shembull, ai i shkroi kongregacionit në Efes: «Vazhdoj t’ju përmend në lutjet e mia.» (Efes. 1:16) Veç kësaj, Pavli lutej për individë të caktuar. Për shembull, ai i tha Timoteut: «I jam mirënjohës Perëndisë, . . . ndërsa të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë.» (2 Tim. 1:3) Pavli kishte edhe hallet e veta për të cilat mund të lutej. (2 Kor. 11:23; 12:7, 8) Prapëseprapë, gjente kohë të lutej për të tjerët.
3. Pse mund të harrojmë të lutemi për të tjerët?
3 Me raste mund të na dalë nga mendja të lutemi për të tjerët. Pse? Një motër që quhet Sabrinaa tregon një arsye. Ajo thotë: «Jeta në këtë sistem është shumë e ngarkuar. Mund të na shpërqendrojnë kaq shumë problemet tona, sa të lutemi vetëm për çka na nevojitet neve.» A e ke vënë re këtë prirje te vetja? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë. Do të shqyrtojmë (1) pse ka rëndësi të lutemi për të tjerët dhe (2) disa sugjerime si mund ta bëjmë këtë.
PSE TË LUTEMI PËR TË TJERËT
4-5. Pse lutjet që bëjmë për të tjerët kanë «shumë forcë»? (Jakovi 5:16)
4 Lutjet për të tjerët ‘kanë shumë forcë’. (Lexo Jakovin 5:16.) A mund të ndryshojë vërtet situata e të tjerëve nga lutjet që bëjmë për ta? Po. Për shembull, duke e ditur se pas pak apostulli Pjetër do ta mohonte, Jezui i tha: «Kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket.» (Luka 22:32) Edhe Pavli e dinte se lutja mund të ndryshojë përfundimin e një situate. Kur ishte i burgosur padrejtësisht në Romë, ai i shkroi Filemonit: «Shpresoj që, falë lutjeve tuaja, të kthehem përsëri te ju.» (Fil. 22) E në fakt, pa kaluar shumë, Pavlin e liruan nga burgu, dhe mundi të rifillonte predikimin.
5 Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Jehovai është i detyruar t’u përgjigjet gjithmonë lutjeve tona. Ai e dallon merakun që kanë shërbëtorët e tij, dhe me raste vendos t’ua plotësojë kërkesën. Ngaqë e dimë këtë, motivohemi t’i lutemi me zjarr Jehovait e ta lëmë çështjen plot besim në duart e tij.—Psal. 37:5; 2 Kor. 1:11
6. Si mund të ndikojnë lutjet për të tjerët te mënyra si ndihemi për ta? (1 Pjetrit 3:8)
6 Kur lutemi për të tjerët, bëhemi më «zemërdhembshur». (Lexo 1 Pjetrit 3:8.) Një njeri i dhembshur e vëren sa po vuan dikush dhe ka dëshirë të veprojë për ta lehtësuar. (Mar. 1:40, 41) Majkëlli, që shërben si plak, thotë: «Kur lutem për gjërat që u nevojiten të tjerëve, i kuptoj më mirë vështirësitë që hasin, ndaj nxitem t’i dua më shumë. Kjo më afron më tepër me ta, megjithëse ata mund të mos e dinë.» Një plak me emrin Riçard tregon edhe një dobi tjetër. Ai thotë: «Nëse lutemi për dikë, do të jemi më të gatshëm t’i vijmë në ndihmë.» Pastaj shton: «Kur e ndihmojmë në mënyrë konkrete personin për të cilin po lutemi, në njëfarë kuptimi po japim një dorë që të marrin përgjigje këto lutje.»
7. Pse kur lutemi për të tjerët fitojmë një pikëpamje më të ekuilibruar për problemet tona? (Filipianëve 2:3, 4) (Shih edhe figurat.)
7 Kur lutemi për të tjerët, kemi një pikëpamje më të ekuilibruar për problemet tona. (Lexo Filipianëve 2:3, 4.) Meqë jetojmë në botën e Satanait, askush prej nesh nuk është i imunizuar nga problemet. (1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:12) Kur lutemi rregullisht për të tjerët, i kujtojmë vetes se «të gjithë vëllezërit nëpër botë po përjetojnë të njëjtat vuajtje». (1 Pjet. 5:9) Një pioniere që quhet Katerina thotë: «Lutjet që bëj për të tjerët më kujtojnë se edhe ata po hasin vështirësi. Kjo më ndihmon të mos përqendrohem tepër te problemet e mia.»
Kur lutemi për të tjerët, kemi një pikëpamje më të ekuilibruar për problemet tona (Shih paragrafin 7)d
KANË NEVOJË PËR LUTJET TONA
8. Jepni shembuj se për cilët mund të lutemi.
8 Për cilët mund të lutemi? Mund të lutemi për grupe njerëzish—për shembull, për ata që kanë probleme shëndetësore, për të rinjtë që hasin tallje ose presion nga moshatarët në shkollë ose për ata që përballen me vështirësitë e moshës së shkuar. Shumë bashkëbesimtarë po hasin përndjekje nga familjarët ose nga qeveritë. (Mat. 10:18, 36; Vep. 12:5) Disa nga vëllezërit tanë janë detyruar të braktisin shtëpitë për shkak të trazirave politike. Të tjerë janë prekur nga katastrofat natyrore. Mbase s’i njohim personalisht këta vëllezër e motra. Mirëpo kur lutemi për ta, tregojmë se i bindemi urdhrit të Jezuit ‘për të dashur njëri-tjetrin’.—Gjoni 13:34.
9. Pse duhet të lutemi për vëllezërit që marrin drejtimin në organizatën e Jehovait dhe për gratë e tyre?
9 Mund të lutemi edhe për vëllezërit që marrin drejtimin në organizatën e Jehovait. Këtu përfshihen Trupi Udhëheqës dhe ndihmësit e tyre, Komitetet e Degëve, mbikëqyrësit e departamenteve në zyrat e degëve, mbikëqyrësit qarkorë, pleqtë e kongregacionit dhe shërbëtorët e kongregacionit. Shumë nga këta vëllezër kanë sfidat e tyre, prapëseprapë punojnë me mish e me shpirt për të mirën tonë. (2 Kor. 12:15) Për shembull, një mbikëqyrës qarkor që quhet Mark thotë: «Një nga sfidat e mia më të mëdha është të jetoj larg prindërve që janë të moshuar dhe kanë probleme me shëndetin. Megjithëse për ta po kujdeset motra me të shoqin, më pikon në zemër që s’i ndihmoj dot aq sa dua.» Ndoshta nuk i dimë të gjitha vështirësitë që hasin këta vëllezër të palodhur, ama le të vazhdojmë të lutemi për ta. (1 Sel. 5:12, 13) Veç kësaj, mund të lutemi edhe për gratë e këtyre vëllezërve, të cilat i mbështetin me besnikëri bashkëshortët që të përmbushin caktimet.
10-11. A kënaqet Jehovai kur lutemi në mënyrë të përgjithshme për vëllezërit? Shpjegoni.
10 Siç e pamë, shpesh lutemi për grupe vëllezërish e motrash. Për shembull, edhe nëse nuk kemi në mendje një individ të caktuar, mund t’i kërkojmë Jehovait që të ndihmojë ata që janë në burgje ose të ngushëllojë ata që u ka rrëmbyer vdekja një njeri të zemrës. Një plak që quhet Donald thotë: «Kemi aq shumë vëllezër e motra që po kalojnë vështirësi, sa ndonjëherë bëjmë një lutje të përgjithshme për të përfshirë të gjithë ata që po vuajnë.»
11 A kënaqet Jehovai kur dëgjon lutje të tilla? Patjetër që po! Tekefundit, nuk i njohim nevojat specifike të të gjithë bashkadhuruesve tanë. Ndaj është me vend që të lutemi në mënyrë të përgjithshme për grupe vëllezërish e motrash. (Gjoni 17:20; Efes. 6:18) Këto lutje janë dëshmi se ‘kemi dashuri për gjithë vëllezërit në besim’.—1 Pjet. 2:17.
LUTJET PËR INDIVIDË SPECIFIKË
12. Si mund të bëjmë lutje më specifike kur jemi vëzhgues?
12 Ji vëzhgues. Përveçse të lutemi për vëllezërit dhe motrat si grup, mund të lutemi edhe për individë të caktuar duke u përmendur emrin. A ke në kongregacion ndonjë vëlla a motër që po vuan nga një sëmundje kronike? Po ndonjë të ri të shkurajuar për shkak të presionit që has në shkollë? Ose a njeh një prind të vetëm që po përpiqet me mish e me shpirt t’i rritë fëmijët «me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait»? (Efes. 6:4) Duke qenë vëzhgues, do të të thellohet dashuria dhe empatia për të tjerët, e kështu do të të shtohet dëshira të lutesh për ta.b—Rom. 12:15.
13. Si mund të lutemi për ata që nuk i njohim personalisht?
13 Lutu për të tjerët duke u përmendur emrin. Mund ta bëjmë këtë edhe për njerëz që nuk i kemi takuar ndonjëherë. Një shembull janë motrat e vëllezërit e burgosur në vende, si Krimea, Eritrea, Rusia dhe Singapori. Emrat e këtyre bashkëbesimtarëve të burgosur mund t’i gjesh në sitin jw.org.c Një mbikëqyrës qarkor që quhet Brajan thotë: «Kur shkruaj emrin e një bashkëbesimtari të burgosur dhe pastaj e them me zë, e kam më kollaj ta kujtoj vëllanë ose motrën dhe të lutem për të me emër.»
14-15. Si mund të përfshijmë kërkesa specifike në lutjet tona?
14 Bëj kërkesa specifike. Majkëlli, i përmendur më sipër, shprehet: «Teksa lexoj në jw.org historitë e vëllezërve të burgosur, përpiqem të imagjinoj si do të ndihesha po të isha në vendin e tyre. E di se do të më brente meraku për gruan dhe do të bëja çmos që të mos i mungonte gjë. Kjo më ndihmon të bëj lutje më specifike për vëllezërit e martuar që ndodhen në burg.»—Hebr. 13:3, shën.
15 Nëse përpiqemi të përfytyrojmë si është jeta e vëllezërve në burg, do të mendojmë edhe për gjëra të tjera specifike që mund t’i përfshijmë në lutje. Për shembull, mund të lutemi që rojat e burgut t’i trajtojnë mirë vëllezërit, dhe që ata në poste të larta t’i lejojnë të adhurojnë lirisht. (1 Tim. 2:1, 2) Mund të lutemi që besnikëria e vëllait të burgosur të shërbejë si burim inkurajimi për kongregacionin vendës, ose që sjellja e tij e shkëlqyer t’u bjerë në sy jobesimtarëve, e si rezultat të dëgjojnë lajmin e mirë. (1 Pjet. 2:12) Natyrisht, e njëjta gjë vlen edhe kur lutemi për vëllezërit e motrat që po kalojnë sprova të tjera. Kur jemi vëzhgues, kur lutemi me emër për të tjerët dhe kur bëjmë kërkesa specifike, tregojmë se jemi «plot me dashuri për njëri-tjetrin».—1 Sel. 3:12.
NJË PIKËPAMJE REALISTE PËR LUTJET
16. Si mund të mbajmë një pikëpamje realiste për lutjet? (Mateu 6:8)
16 Siç e pamë, lutjet tona mund ta ndryshojnë për mirë situatën e dikujt. Gjithsesi duhet të mbajmë një pikëpamje realiste. Kur lutemi, nuk po i tregojmë Jehovait diçka që nuk e di; dhe ai nuk ka nevojë për sugjerimin tonë se si ta zgjidhë një situatë. Jehovai e di se çfarë u nevojitet shërbëtorëve të tij, madje përpara se ata ose ne të jemi të vetëdijshëm. (Lexo Mateun 6:8.) Atëherë, pse duhet të lutemi për të tjerët? Përveç arsyeve që përmendëm në këtë artikull, lutjet janë një mënyrë si tregojmë sa për zemër i kemi të tjerët. Dashuria na motivon të lutemi për njëri-tjetrin. Dhe Jehovai gëzon pa masë kur sheh adhuruesit e vet të pasqyrojnë dashurinë e tij.
17-18. Si mund të ilustrohen lutjet që bëjmë për bashkëbesimtarët?
17 Edhe kur situata për të cilën jemi lutur duket se nuk ndryshon, lutjet pasqyrojnë dashuri për vëllezërit e motrat, dhe Jehovai e vë re këtë gjë. Ta ilustrojmë: mendo për një familje që ka dy fëmijë të vegjël—një djalë dhe një vajzë. Një ditë djali sëmuret dhe vajza i përgjërohet të atit: «Babi të lutem, ndihmoje vëllanë se është shumë sëmurë!» Babai e ka nën kontroll situatën; e do të birin dhe po kujdeset për të. Ama i bëhet zemra mal kur sheh vajzën e vogël që ka aq merak për të vëllanë, sa i përgjërohet ta ndihmojë.
18 Jehovai na nxit që të bëjmë edhe ne po njësoj—të kujdesemi e të lutemi për njëri-tjetrin. Teksa veprojmë kështu, tregojmë sa e thellë është dashuria jonë altruiste për ta, dhe kjo nuk i shpëton syrit të Jehovait. (2 Sel. 1:3; Hebr. 6:10) Veç kësaj, siç kemi shqyrtuar, në disa raste lutjet tona mund të ndryshojnë madje përfundimin e një situate. Prandaj, le të mos harrojmë kurrë të lutemi për njëri-tjetrin!
KËNGA 101 Shërbejmë në unitet
a Disa emra janë ndryshuar.
b Shih në jw.org videon Takeshi Shimizu: Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’.
c Që të gjesh emrat e bashkëbesimtarëve të burgosur, kërko në jw.org «Dëshmitarët e Jehovait burgosen për shkak të besimit—Sipas vendeve».
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Vëllezër dhe motra që po hasin vështirësi, nuk harrojnë të luten për të tjerët.