Kushtoji vëmendje të vazhdueshme mësimit tënd
1 Në ç’mënyrë na stërvit Jehovai si shërbëtorët e tij, për të qenë të efektshëm në shërbim? E bën këtë nëpërmjet organizatës së tij. Në shumë vende stërvitja fillon me një aftësi bazë, si për shembull duke mësuar për të lexuar. Për ata që kanë mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë, hapi i mëtejshëm është regjistrimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik.
2 Kjo shkollë siguron një stërvitje falas për shërbimin. I shërben kongregacionit në dy mënyra: (1) Çdo studenti i jepet një program studimi që e ndihmon për të përmirësuar aftësinë e tij për të mbledhur, zhvilluar dhe paraqitur para të tjerëve informacione në mënyrë logjike; dhe (2) i tërë kongregacioni merr shumë informacione të çmuara gjatë programit të secilës javë. Me siguri rezulton një çmueshmëri më e madhe frymore dhe një veprimtari më e mirë në shërbim. Nga janari, Programi i Shkollës Teokratike do të përfshijë në fjalimin nr. 1 librin Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë.
3 Fjalime udhëzimi interesante dhe të gjalla: Fjalimet e udhëzimit, të bazuara në librin Të bashkuar, duhet të prezantohen në një mënyrë të gjallë dhe interesante. Gjithashtu, ato duhet të nxjerrin në pah vlerën praktike të informacionit, duke e përdorur atë për të thelluar respektin për organizatën e Jehovait dhe çmueshmërinë për privilegjet që kemi si shërbëtorë të Perëndisë. Nëse cilido pjesëmarrës në Shkollë sjell në mbledhje një kopje të librit Të bashkuar, ai mund ta ndjekë fjalimin e udhëzimit me më shumë vëmendje dhe mund të përfitojë nga informacionet unifikuese të tij.
4 Lexime të Biblës që nxitin në të menduar: Leximi i mirë, me një emfazë të përshtatshme gojore dhe me ndjenjë, është një pjesë e rëndësishme e mësimit të efektshëm. Përveç kësaj, sasia e materialit të caktuar për të lexuar në fjalimin nr. 2 nuk është e gjerë dhe kështu koha në dispozicion për komentet hyrëse dhe përmbyllëse do të jetë zakonisht e mjaftueshme. Hyrja duhet të nxitë interesin në materialin e caktuar dhe ta përgatitë auditorin për të dalluar vlerën e saj praktike. Përfundimi mund të përfshijë komente shpjeguese dhe aplikimin e materialit, kështu këshilluesi do të përdorë plotësisht kohën e caktuar.
5 Informacion të mëtejshëm mbi programin e shkollës dhe mbi mënyrën se si mund të trajtohen caktimet, mund të gjenden tek «Programi i Shkollës së Shërbimit Teokratik për 1995.» Ne i kushtojmë vëmendje mësimit tonë duke rishikuar udhëzimet në këtë material, duke i përgatitur mirë caktimet tona dhe duke zbatuar këshillën që na është dhënë me qëllim që të përmirësohemi në artin e të folurit dhe të mësuarit. Ata që nuk janë regjistruar akoma në shkollë, janë të ftuar përzemërsisht që ta bëjnë këtë.