Përfito nga Shkolla e Shërbimit Teokratik për 1996—Pjesa II
1 Pak pas fillimit të Shkollës së Shërbimit Teokratik në 1943-shin, një nga degët e Shoqatës raportoi: «Ky rregullim shumë i shkëlqyer pati sukses brenda pak kohësh, duke ndihmuar shumë vëllezër që kishin menduar se nuk do të ishin kurrë oratorë publikë të bëheshin mjaft të aftë në platformë dhe shumë të efektshëm në shërbim.» Shkolla vazhdon të sigurojë stërvitje të shkëlqyer, që është e nevojshme për të gjithë ne.
2 Leximi i Biblës: Ata, të cilëve u janë caktuar pjesë për të mbajtur, nuk janë të vetmit që përfitojnë nga shkolla. Në të vërtetë, të gjithë kemi një caktim: leximin e përjavshëm të Biblës. Programi i shkollës tregon se cilët kapituj të Biblës duhen lexuar çdo javë. Ka shumë përkujtues biblikë që theksojnë rëndësinë e leximit të Biblës çdo ditë. (Jos. 1:8; Psal. 1:2; Vep. 17:11) Leximi i Biblës është thelbësor për një shëndet të mirë frymor; ai ushqen mendjen dhe zemrën. Nëse e lexojmë Biblën për të paktën pesë minuta në ditë, do të jemi në gjendje të ruajmë programin e shkollës për leximin e Biblës. Në fund të vitit do të kemi lexuar mbi 150 kapituj të Fjalës së Perëndisë. Nëse mbajmë një Bibël praktike për t’u përdorur, do të mundim të lexojmë pak prej saj çdo ditë.
3 Fjalimi i stërvitjes: Që vëllezërit të nxiten për një shërbim besnik e të zellshëm, oratori që mban fjalimin e stërvitjes, duhet të përdorë metoda të mira mësimore, që të përçojë kuptueshmërinë dhe të ndërtojë çmueshmërinë për Jehovain, Fjalën e tij dhe organizatën e tij. Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës mund ta kryejnë këtë duke u përgatitur mirë, duke e ndërtuar fjalimin rreth temës, duke folur në mënyrë bindëse dhe duke e bërë materialin të gjallë. (Heb. 4:12) Është e rëndësishme që oratori t’i përmbahet kohës së lejuar. Libri «Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë» paraqet një material mjaft të dobishëm për rritjen tonë frymore. Na ndihmon të zhvillojmë aftësinë për të arsyetuar mbi parimet biblike që na udhëheqin në jetën tonë praktike. Veç kësaj, na bën të kujtojmë më thellë disa të vërteta themelore për besimin tonë.
4 Pikat kulminante nga Bibla: Vëllezërit, të cilëve u jepet ky fjalim, duhet të zgjedhin vargje të veçanta që mund të aplikohen në një mënyrë praktike për dobinë e kongregacionit. Kjo kërkon leximin e kapitujve të caktuar, meditimin mbi to dhe kërkimin e vargjeve të zgjedhura për të gjetur pikat që do të qartësojnë domethënien e këtyre shkrimeve. Mund të kërkohen informacione në lidhje me disa vargje specifike, duke u konsultuar me botimet që kemi në dispozicion. Vëllezërit që trajtojnë këtë pjesë duhet të tregojnë aftësi shquese dhe të shmangin futjen e materialit që nuk ka të bëjë me çështjen. Ata nuk duhet të përgatisin më shumë material se sa mund të mbulohet në mënyrë të arsyeshme në gjashtë minuta.
5 Të gjithë ne mund të përfitojmë nga Shkolla e Shërbimit Teokratik. Ajo mund të na ndihmojë të përmirësojmë aftësinë tonë të të folurit dhe të të mësuarit. Përfitimi i plotë nga marrja e kësaj mase, sigurisht do të ndihmojë që ‘përparimi ynë të jetë i dukshëm për të gjithë’.—1 Tim. 4:15.