Të ofrojmë veten vullnetarisht për çdo punë të mirë
1 Një botim nga bota i referohej Dëshmitarëve të Jehovait duke thënë: «Është e vështirë të gjesh pjesëtarë të ndonjë grupi tjetër të cilët punojnë kaq fort në fenë e tyre si bëjnë Dëshmitarët.» Përse Dëshmitarët e Jehovait punojnë kaq fort dhe me një frymë të tillë vullnetare?
2 Një arsye është se ata janë të mbushur me një ndjenjë urgjence. Jezui e dinte se kishte një kohë të kufizuar në të cilën ai do të mbaronte veprën e tij në tokë. (Gjoni 9:4) Ndërsa Biri i lavdëruar i Perëndisë sundon në mes të armiqve të tij sot, populli i Jehovait kupton se ka një kohë të kufizuar për të bërë veprën e tij. Prandaj, ata e ofrojnë veten vullnetarisht për shërbimin e shenjtë. (Psal. 110:1-3) Meqë nevojiten më shumë punëtorë për të korrur, përpjekjet e tyre nuk mund të pushojnë. (Mat. 9:37, 38) Kështu, ata përpiqen për të imituar Jezuin, i cili vendosi një shembull të përsosur me gatishmërinë dhe zellin e tij në vepër.—Gjoni 5:17.
3 Një arsye tjetër se përse Dëshmitarët e Jehovait punojnë me gjithë shpirt për Jehovain është se organizata e tyre ndërkombëtare ndryshon nga të gjitha grupet e tjera. Organizatat fetare botërore në mënyrë tipike kërkojnë vetëm një minimum kohe dhe përpjekjeje, nga ndjekësit e tyre. Ajo që ata besojnë ka pak ose aspak ndikim në jetën e tyre të përditshme, në marrëdhënien e tyre me të tjerët, apo në qëllimet e tyre për jetën. Meqë mungon fuqia motivuese e besimit të vërtetë, ata kanë ngulmuar që barinjtë e tyre ‘t’u flasin për gjëra lajkatare’, duke i siguruar ata se një përpjekje e tyre sa për shenjë është e mjaftueshme. (Isa. 30:10) Kleri i tyre ka përshatur duke ‘gudulisur veshët e tyre’, duke i futur në mendje një frymë apatie dhe përtacie frymore.—2. Tim. 4:3.
4 Çfarë kontrasti me popullin e Jehovait! Çdo gjë në adhurimin tonë përfshin përpjekje, ushtrim dhe punë. Çdo ditë dhe në çdo gjë që bëjmë, ne praktikojmë atë që besojmë. Edhe pse e vërteta na sjell shumë gëzim, ajo përfshin një «përpjekje të madhe» për ne që të plotësojmë atë që ajo kërkon. (Krahaso 1. Selanikasve 2:2.) Vetëm kujdesi për përgjegjësitë e përditshme mjafton për t’i mbajtur shumë njerëz të zënë. Megjithatë, ne nuk lejojmë që këto shqetësime të na pengojnë për të vënë në vend të parë Mbretërinë.—Mat. 6:33.
5 Ajo që bëjmë në shërbim të Jehovait është kaq e dobishme dhe urgjente, saqë ne jemi të nxitur të ‘blejmë’ kohë nga qëllimet e tjera dhe ta përdorim atë në mënyrë më të dobishme në gjërat frymore. (Efes. 5:16, BR) Duke ditur se devotshmëria jonë hyjnore dhe fryma vullnetare i pëlqen Jehovait, kemi një nxitje të madhe që të vazhdojmë me punën tonë të fortë. Me bekimet e pasura që ne marrim tani dhe me perspektivën e jetës në të ardhmen, vendosmëria jonë është që të vazhdojmë «të punojmë fort dhe të ushtrojmë veten» në vënien përpara të interesave të Mbretërisë.—1. Tim. 4:10.
6 Devotshmëri dhe frymë vetëflijimi: Shumë njerëz sot u japin nevojave dhe interesave materiale përparësi mbi çdo gjë tjetër. Ata ndihen plotësisht të justifikuar kur e përqendrojnë vëmendjen mbi atë që do të hanë, pinë apo veshin. (Mat. 6:31) Duke mos qenë të kënaqur me gjërat e nevojshme, ata janë të nxitur nga synimi për të gëzuar tani, një jetë aq të mirë sa s’ka ku të vejë më ‘duke grumbulluar shumë gjëra të mira që t’i rezervojnë për shumë vjet, kështu që ata mund të pushojnë, të hanë, të pinë e të gëzojnë veten’. (Luka 12:9) Pjesëmarrësit tipik të kishave ndiejnë se çdo përpjekje personale e kërkuar nga feja e tyre, është një shkelje e të drejtave të tyre. Idea e braktisjes apo edhe e zvogëlimit të disa qëllimeve materialiste, apo të dhënies së ndonjë interesi të kënaqshëm është e papajtueshme. Me mendjen të përqendruar mbi veten, kultivimi i një fryme vetëflijimi është joreal, jopraktik.
7 Ne e shikojmë këtë gjë ndryshe. Fjala e Perëndisë e ka ngritur mendjen tonë aq sa ne mbajmë në mendje mendimet e Perëndisë në vend se ato të njerëzve. (Isa. 55:8, 9) Ne në jetë kemi synime që i tejkalojnë qëllimet trupore. Shfajësimi i sovranitetit të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij janë çështjet më të rëndësishme në tërë universin. Rëndësia e këtyre çështjeve është aq e madhe saqë, po ta krahasosh, të gjitha kombet «janë si një hiç përpara tij». (Isa. 40:17) Çdo përpjekje për ta jetuar jetën tonë në një mënyrë që injoron vullnetin e Perëndisë duhet të shihet si budallallëk.—1. Kor. 3:19.
8 Edhe pse disa gjëra materiale janë të nevojshme dhe disa të dobishme për të vazhduar aktivitetet tona të Mbretërisë, ne e kuptojmë se këto nuk janë me të vërtetë «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:10, BR) Ne bashkohemi me frymën e 1. Timoteut 6:8 në kufizimin e qëllimit tonë për interesat materiale dhe me mençuri përpiqemi t’i mbajmë zemrat tona të përqendruara në ‘gjërat që nuk shihen të cilat janë të përjetshme’.—2. Kor. 4:18.
9 Sa më shumë të mendojmë mendimet e Jehovait aq më pak ankthe kemi për gjërat materiale. Kur ne mendojmë çfarë ka bërë tashmë Jehovai për ne dhe bekimet e mrekullueshme që ka premtuar për të ardhmen, jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë që ai kërkon nga ne. (Mar. 10:29, 30) Ne i kemi borxh atij vetë ekzistencën tonë. Nëse nuk do të ishte për mëshirën dhe dashurinë e tij, ne nuk do të gëzonim as jetën tani dhe as ndonjë të ardhme. Ndihemi të detyruar të ofrojmë veten, mbasi çdo gjë që ne po bëjmë në shërbim të tij ‘është ajo që ne duhet të bëjmë’. (Luka 17:10, BR) Çdo gjë që na kërkohet t’i kthejmë Jehovait, ne e ndajmë me gëzim, duke ditur se do të «korrim me bollëk».—2. Kor. 9:6, 7, BR.
10 Tani janë të nevojshëm punëtorë të gatshëm: Kongregacioni i krishterë, që nga vetë fillimi i tij, hyri në një periudhë veprimtarie intensive. Një dëshmi e plotë do të jepej përpara shkatërrimit të Jeruzalemit në vitin 70 të e.s. Gjatë asaj kohe dishepujt e Jezuit ishin «të zënë me fjalën në mënyrë intensive». (Vep. 18:5, BR) Përhapja e shpejtë bëri të nevojshme stërvitjen e më shumë ungjilltarëve dhe barinjve të kualifikuar për të dhënë ndihmën e tyre. Nevojiteshin burra me përvojë në marrëdhëniet me autoritetet botërore, si edhe burra të aftë, në gjendje për të mbikëqyrur grumbullimin dhe shpërndarjen e gjërave materiale. (Vep. 6:1-6; Efes. 4:11) Ndërsa një pakicë shërbeu në mënyrë të dukshme, shumë shërbyen pa rënë në sy. Por ata të gjithë ‘e ushtruan me forcë veten’, duke punuar së bashku me gjithë zemër për të kryer veprën.—Luka 13:24, BR.
11 Megjithëse kishte një nevojë relativisht të vogël për aktivitetin e fuqishëm në një shkallë ndërkombëtare gjatë shumë shekujve që pasuan, një gjallërim më i madh i aktivitetit të Mbretërisë filloi kur Jezui mori fuqinë e Mbretërisë së tij në 1914. Në fillim, pak kuptuan se nevoja për punëtorë në emër të interesave të Mbretërisë do të bëhej kaq e madhe, duke kërkuar ndihmën e miliona personave vullnetarë nga vendet e mbarë globit.
12 Sot organizata është përfshirë thellësisht në një shumëllojshmëri të madhe projektesh, që kanë vënë në provë burimet tona deri në kufijtë e tyre. Aktiviteti i Mbretërisë po ngjitet lart me shpejtësi të madhe. Urgjenca e kohëve tona na nxit që të ushtrojmë veten dhe të përdorim gjithçka kemi në dispozicionin tonë për të kryer punën që kemi në dorë. Meqë përfundimi i tërë sistemit të lig të gjërave është kaq afër, ne na pret një aktivitet edhe më i dendur në ditët që vijnë. Çdo shërbëtori të dedikuar të Jehovait i kërkohet që të ofrojë veten vullnetarisht në veprën urgjente të grumbullimit.
13 Çfarë duhet bërë? Ne mund të themi me të vërtetë se ka «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1. Kor. 15:58, BR) Në shumë territore e korra është pjekur, por punëtorët janë pak. Jemi të ftuar që të bëjmë pjesën tonë jo vetëm duke dëshmuar në mënyrë më të plotë kudo në territorin tonë, por edhe në ballafaqimin e sfidës për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë.
14 Është e lavdërueshme të shohësh se si Dëshmitarë nga të gjitha anët e botës ofrojnë veten vullnetarisht për veprimtari të tjera. Ata mund të lëvizin duke dalë vullnetarë në ndërtimin e vendeve të adhurimit, duke shërbyer në kongrese dhe duke dhënë ndihmë lehtësuese në kohë katastrofash e për të pastruar lokalin e Sallës së Mbretërisë rregullisht. Në lidhje me këtë të fundit, është e rëndësishme që gjithmonë të sigurohemi se Salla e Mbretërisë është lënë në gjendje të pastër e të rregullt pas çdo mbledhjeje. Kryerja e detyrave që mund të jenë konsideruar të ulëta, tregon arsyetimin e përshtatshëm të fjalëve të Jezuit në Lukën 16:10: «Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.»
■ Duke mbështetur veprimtaritë e kongregacionit: Edhe pse çdo kongregacion funksionon si pjesë e organizatës në tërësi dhe merr drejtim nga «skllavi besnik dhe i matur», ai përbëhet nga lajmëtarë individualë të Mbretërisë. (Mat. 24:25, BR) Arritjet e tij varen në një masë të gjerë se sa shumë është i gatshëm dhe i aftë për të bërë çdo Dëshmitar. Kongregacioni përqendrohet në predikimin e lajmit të mirë në territorin e tij, duke bërë dishepuj të rinj dhe pastaj duke i forcuar ata frymësisht. Secili nga ne mund të kontribuojë në këtë vepër. Gjithashtu, ne mund të vëmë synime për veten mbi studimin personal, pjesëmarrjen domethënëse në mbledhje dhe ndihmën ndaj të tjerëve që kanë nevojë brenda kongregacionit. Këto aktivitete ofrojnë shumë raste të mira për ne që të tregojmë gatishmërinë tonë.
■ Duke marrë drejtimin në pozitën e mbikëqyrësit: Jehovai ia ka besuar mbikëqyrjen e çdo kongregacioni pleqve të caktuar prej tij. (Vep. 20:28) Këta janë burra që kanë arritur të kualifikohen për këtë privilegj. (1. Tim. 3:1) Në të vërtetë, çdo vëlla në kongregacion ka disa mundësi për t’u kualifikuar për përgjegjësi më të mëdha. Shumë vëllezër po zhvillohen frymësisht e duhet të vazhdojnë rritjen nën udhëheqjen dhe ndihmën dashamirëse të pleqve të kongregacionit. Këta burra duhet të jenë studiues të zellshëm të Biblës dhe të botimeve tona. Ata mund të tregojnë gatishmërinë e tyre duke qenë të nënshtruar ndaj pleqve të emëruar nga fryma, duke imituar besimin e tyre dhe duke kultivuar cilësitë e duhura për një mbikëqyrës.—Hebr. 13:7, 17.
■ Të ndërmarrim shërbimin e plotëkohor: Kongregacioni funksionon kryesisht për të predikuar lajmin e mirë. (Mat. 24:14) Çfarë bekimi kur persona të zellshëm intensifikojnë përpjekjet e tyre duke hyrë në radhët e pionierëve! Zakonisht, kjo përfshin bërjen e rregullimeve në jetën personale. Mund të kërkohen rregullime të mëtejshme për të vazhduar në këtë fushë të veçantë të shërbimit. Por ata që qëndrojnë në këtë privilegj, në vend se të dorëzohen pas një viti e ca për shkak të ndonjë shkurajimi të përkohshëm, me siguri do të provojnë bekimin e pasur të Jehovait. Pleqtë dashamirës dhe persona të tjerë të pjekur mund të kontribuojnë për suksesin e pionierëve, duke i inkurajuar ata me fjalë dhe vepra. Çfarë fryme e shkëlqyer është treguar nga ata të rinj që fillojnë menjëherë veprën e pionierit me të mbaruar shkollën! Kjo është e vërtetë edhe për të rriturit që hyjnë në radhët e pionierëve të rregullt menjëherë sapo pakësohen detyrimet që ata mund të kenë. Ç’kënaqësi është për një të krishterë të dedikuar kur ai në këtë mënyrë bashkëpunon në shpejtimin e veprës së grumbullimit të Jehovait!—Isa. 60:22.
■ Duke marrë pjesë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e vendit të mbledhjes: Literalisht janë ndërtuar qindra Salla Mbretërie moderne si dhe shumë Salla Asambleshë. Çuditërisht, pothuajse e gjithë puna është bërë nga vëllezërit dhe motrat tona të cilët kanë qenë të gatshëm të ofrojnë vullnetarisht kohën dhe aftësitë e tyre. (1. Kron. 28:21) Mijëra punëtorë vullnetarë i mbajnë këto ndërtesa në kushte të mira duke kryer çfarëdolloj pune që mund të kërkohet. (2. Kron. 34:8) Meqë kjo punë është një aspekt i shërbimit të shenjtë, ata që ndihmojnë duke ofruar veten vullnetarisht, nuk kërkojnë të shpërblehen për shërbimin e tyre në lidhje me këtë dhe as që do të kërkojnë të jenë të paguar për predikimin nga shtëpia në shtëpi, për mbajtjen e fjalimeve publike në kongregacion, apo për ndihmën që japin në punët e asambleve apo të kongreseve. Këta vullnetarë ofrojnë lirisht shërbimin e tyre në planifikimin dhe ndërtimin e vendeve të adhurimit për të lavdëruar Jehovain. Ata mezi presin që të ndihmojnë në gjëra të tilla, si në plotësimin e dokumentave ligjore, mbajtjen e regjistrimeve të llogarisë, në kryerjen e kontakteve për blerje dhe në llogaritjen e shumës së materialeve të nevojshme. Këta shërbëtorë besnikë të Jehovait nuk marrin ndonjë llojë mbivlere dhe në asnjë mënyrë nuk përfitojnë materialisht qoftë drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga shërbimi që bëjnë, pasi të gjithë talentet dhe burimet e tyre ia kanë dedikuar Jehovait. Kjo veprimtari kërkon punëtorë të zellshëm të cilët e kryejnë shërbimin e tyre «me gjithë shpirt si për Jehovain».—Kol. 3:23, BR.
15 Çfarë, pra e bën të dallueshme gatishmërinë e popullit të Jehovait? Është fryma e dhënies. Dhënia e tyre bujare përfshin më shumë se para apo gjëra materiale—ata «ofrojnë veten vullnetarisht». (Psal. 110:3, BR) Ky është thelbi i dedikimit tonë ndaj Jehovait. Ne jemi të shpërblyer në një mënyrë të veçantë. Provojmë «më shumë lumturi» dhe «korrim me bollëk» sepse ajo që bëjmë çmohet nga të tjerë, të cilët na japin në kthim. (Vep. 20:35; 2. Kor. 9:6; Luka 6:38) Mirëbërësi ynë më i madh është Ati ynë qiellor, Jehova, i cili «do një dhurues të gëzuar». (2. Kor. 9:7) Ai do të na ripaguajë njëqindfish me bekime të përhershme. (Mal. 3:10; Rom. 6:23) Kështu, kur privilegje në shërbim të Jehovait janë vënë në dispozicion për ty, a do të jesh i gatshëm të ofrosh veten si vullnetar dhe të përgjigjesh siç bëri Isaia, «Ja ku jam, dërgomë mua»?—Isa. 6:8.