Të ofrojmë veten vullnetarisht
1 Psalmisti David profetizoi se populli i Jehovait «do të ofrohet vullnetarisht», d.m.th., si «vullnetarë të gatshëm». (Psal. 110:3, shënimi BR) Kjo pa dyshim po përmbushet mes shoqërisë sonë mbarëbotërore të vëllezërve. Gjatë çdonjërit prej katër viteve të kaluara të shërbimit, populli i Jehovait i ka kushtuar më shumë se një miliard orë përhapjes së lajmit të mirë të Mbretërisë. Për sa i përket veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve, ka shumë mënyra, në të cilat ne mund ta ofrojmë veten vullnetarisht për të ndihmuar të tjerët.
2 Mënyra në të cilat mund të tregojmë gatishmërinë tonë: Disa në kongregacion mund të kenë nevojë për ndihmë, që të vijnë në mbledhje. Përse të mos dalësh vullnetar për t’i marrë me vete? Të tjerë mund të jenë të sëmurë, të pamundur apo të shtruar në spital. A mund të merrje iniciativën për t’i vizituar apo për të qenë një ndihmë për ta në ndonjë mënyrë? Mund të jetë një individ apo një familje që ka nevojë për inkurajim. A ke menduar t’i ftosh në ndonjë rast këta persona për të marrë pjesë në studimin tënd familjar? Një pionier apo një lajmëtar mund të ketë nevojë për një shok në shërbim. Përse të mos ofrohesh për të punuar me të në shërbim? Këto janë disa nga mënyrat, në të cilat mund të bëjmë vullnetarisht atë që është e mirë kundrejt atyre, me të cilët jemi lidhur në besim.—Gal. 6:10.
3 Vëllezërit mund të tregojnë gatishmërinë e tyre për t’u përdorur nga organizata e Jehovait, duke u përpjekur për të qenë në lartësinë e kualifikimit për plak dhe shërbëtor ndihmës. (1. Tim. 3:2-10, 12, 13; Titit. 1:5-9) Ndërsa vazhdojmë të rritemi në numër, ka nevojë për vëllezër të kualifikuar, të cilët janë të gatshëm, për të marrë drejtimin në predikim, mësim dhe në kullotjen e kongregacionit.—1. Tim. 3:1.
4 Ndoshta disa prej nesh mund ta vënë veten në dispozicion në një masë më të madhe në shërbim të Jehovait, duke u regjistruar herë pas here si pionierë ndihmës. Gjithashtu, me pak rregullime të arsyeshme në programin tonë, mund të jemi në gjendje të shërbejmë vazhdimisht si pionierë ndihmës, ose të ndërmarrim shërbimin si pionier i rregullt. A janë rrethanat tona të tilla, që të mund të transferohemi në një zonë, ku ka më shumë nevojë për ndihmë? A mund ta vëmë veten në dispozicion, për të shërbyer në Bethel e kështu të kontribuojmë në mënyrë të drejpërdrejtë për progresin e veprës mbarëbotërore? Shumë është bërë edhe në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, të Sallave të Asambleve dhe të komplekseve të degëve përreth botës, ku ka vërtet nevojë për punëtorë vullnetarë. Ata që kanë ofruar veten për këto vepra të shkëlqyera, çmohen shumë dhe janë bekuar në mënyrë të pasur!—Luka 6:38.
5 Këto janë kohë emocionuese. Përmes frymës së tij, Jehovai po kryen me njerëzit e tij të gatshëm, një vepër të mrekullueshme mbi tokë. Sa herë që Jehovai përmes organizatës së tij bën një ftesë, për të marrë pjesë në aktivitetin në rritje të Mbretërisë, bëjmë mirë të pyesim veten: «A jam duke e ofruar ende veten vullnetarisht?» Pastaj, duhet të shqyrtojmë në lutje zemrën dhe rrethanat tona. Devotshmëria jonë e shenjtë do të na nxitë, që të bëjmë gjithçka që mundemi në shërbimin e shenjtë, duke e bërë kështu zemrën e Jehovait shumë të gëzuar!—Sof. 3:17.