Përdori sa më mirë revistat tona
1 Kur i afrohesh një qoshku gazetash, çfarë shikon? Revista. Në anët e rrugës ku janë gazetashitësit, çfarë të zë syri? Revista. Çfarë vendos postieri në çantën e tij të postës. Revista. Pra, çfarë lexojnë shumë njerëz. Revista. Vëzhgimet kanë treguar se 9 ndër 10 të rinj midis moshës 10 e 18 dhe e njëjta përqindje e të rriturve lexon të paktën një revistë çdo muaj. Bota është e ndërgjegjshme për revistat.
2 A mund t’i bëjmë personat e ndershëm në zemër të ndërgjegjshëm ndaj Zgjohuni! dhe Kullës së Rojës? Po, nëse NE jemi të ndërgjegjshëm ndaj Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Çfarë mund të na ndihmojë? Konsidero këto sugjerime:
◼ Lexo revistat: Një mbikëqyrës udhëtues raportoi se, mesatarisht, vetëm një lajmëtar në tre në qarkun e tij lexon çdo artikull të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! nga fillimi deri në fund. Po ti? Ndërsa lexon çdo artikull pyet veten: «Kush do ta vlerësojë këtë informacion—një nënë, një agnosticist, një tregtar apo një i ri?» Në kopjen tënde personale shëno një ose dy pika që mund t’i përdorësh kur prezanton revistën. Pastaj mendo se si mund të ngjallësh interesin mbi subjektin vetëm me një ose dy fjali.
◼ Mbaj një kuotë të përcaktuar revistash: Vendos një kuotë reale tek vëllai përgjegjës për revistat për një sasi të përcaktuar kopjesh për çdo numër. Në këtë mënyrë, ti dhe familja jote do të keni një furnizim të rregullt dhe të përshtatshëm revistash.
◼ Programo një ditë të rregullt me revista: Shumë kongregacione kanë vënë mënjanë një ditë të caktuar kryesisht për dëshminë me revista. A mund ta mbështetësh ditën e revistave të kongregacionit? Nëse jo, përpiqu herë pas here të përdorësh kohë për dëshminë në rrugë me revista dhe për shpërndarjen personale të tyre, qoftë nga dera në derë ashtu edhe në itinerarin e revistave.
◼ Ji i ndërgjegjshëm ndaj «Kullës së Rojës» dhe «Zgjohuni!»: Mbaj kopje revistash me vete kur udhëton apo bën pazarin. Ofroi ato kur flet me bashkëpunëtorët, fqinjët, shokët e shkollës ose mësuesit. Një çift që udhëton shpesh me avion, përdori një pikë në një nga revistat e radhës për të filluar bisedën me pasagjerin që ishte ulur pranë tyre. Ata kanë gëzuar shumë përvoja të këndshme. Disa të rinj marrin rregullisht në shkollë artikuj që mendojnë se do t’u interesojnë mësuesve të tyre apo studentëve. Mbaj me vete disa kopje kur nisesh për ndonjë punë pazari dhe ofroja ato tregtarëve pasi ke mbaruar tregtinë. Disa nga ne blejnë karburant rregullisht; përse të mos i ofrosh revistat punëtorit të distributorit? Mbaji ato në dorë kur viziton të afërmit, kur përdor mjetet e transportit publik ose kur pret për një takim. A mund të mendosh edhe për raste të tjera të përshtatshme?
◼ Përgatit një prezantim të shkurtër me revista: Planifiko të thuash pak, por mirë. Ji entuziast. Prek zemrën. Ji specifik. Zgjidh një ide nga një artikull, thuaje me pak fjalë dhe ofroi revistat. Prezantimi më i mirë ngre një pyetje mbi një subjekt interesant dhe pastaj përcakton artikullin që jep një përgjigje biblike. Konsidero disa shembuj se si mund të bëhet kjo:
3 Nëse po thekson një artikull mbi rritjen e krimeve, mund të pyesësh:
◼ «Çfarë nevojitet që ne të mund të flemë natën pa frikën e krimeve?» I zoti i shtëpisë mund të jetë pesimist mbi përmirësimin e kushteve. Ti mund t’i përgjigjesh se shumë njerëz ndihen në të njëjtën mënyrë dhe të shtosh se ke disa informacione që ti beson se do të jenë interesante për të. Pastaj referoju një pike të përshtatshme të artikullit.
4 Kur ofron një artikull mbi jetën familjare, mund të thuash:
◼ «Shumë veta shohin se është një sfidë e vërtetë sigurimi i jetesës dhe mbajtja e familjes në këto ditë. Janë shkruar një numër i madh librash mbi këtë temë, por edhe ekspertët nuk janë dakort me zgjidhjet e problemeve tona. A ka ndonjë vend ku mund të shkojmë për të pasur një udhëheqje të sigurt?» Pastaj trego një koment specifik të revistës që demonstron mençurinë e Biblës.
5 Mund të përdorësh këtë hyrje kur prezanton një artikull mbi një problem shoqëror:
◼ «Sot, shumë njerëz janë nën presion. Perëndia nuk ka dashur kurrë që ne të jetojmë në këtë mënyrë.» Trego pastaj në artikull se si materiali i bazuar në Bibël mund të na ndihmojë për të përballuar problemet e jetës tani dhe na siguron shpresë për një zgjidhje të përhershme në të ardhmen.
6 Çfarë mund të themi mbi kontributet? Për t’i bërë të vetëdijshëm personat që tregojnë çmueshmëri se si mund të ndihmojnë, ti mund të thuash: «Megjithëse literatura jonë ofrohet pa çmim, ne pranojmë kontribute modeste për veprën tonë botërore.»
7 Dëshmia në rrugë është e efektshme: Në Shërbimi Ynë i Mbretërisë të janarit të vitit 1940, lajmëtarët ishin të inkurajuar për herë të parë të programonin një ditë speciale çdo javë për dëshminë në rrugë duke përdorur revistat. A angazhohesh herë pas here në dëshminë në rrugë? Nëse po, a është metoda që ti përdor me të vërtetë e efektshme? Disa lajmëtarë janë vërejtur që qëndronin në një qoshe të rrugës, duke folur me njëri-tjetrin ndërsa shumë njerëz kalonin pa u njoftuar. Në vend se të qëndrojmë në anë me njëri-tjetrin, duke mbajtur revistat, është më e efektshme që të ndahemi dhe të afrojmë njerëzit. Të huajt mund të ndalen dhe të dëgjojnë shkurtimisht nëse afrohen vetëm nga një person, por pak do të marrin iniciativën për t’iu afruar një grupi që bisedon. Meqë ne tërheqim shumë vëmendjen në rrugë, është veçanërisht e nevojshme që të jemi të veshur mirë dhe në mënyrë modeste siç i ka hije një shërbëtori të Perëndisë.—1. Tim. 2:9, 10.
8 Itinerare revistash: Ata që kanë një itinerar revistash lënë shumë revista edhe pse territoret mbulohen rregullisht. Itineraret e revistave janë një burim i shkëlqyer për studime të mundshme biblike në shtëpi.
9 Kur bën rivizita të rregullta për të shpërndarë revistat, do të vëresh se përzemërsia dhe miqësia ndërmjet teje dhe pronarit të shtëpisë do të rritet. Sa më tepër të bëhesh i njohur aq më lehtë do të jetë për të biseduar mbi pika të rëndësishme biblike. Kjo mund të çojë në fillimin e një studimi biblik në shtëpi produktiv. Në rivizitat, ku duket qartë çmueshmëria për revistat, ofro një pajtim. Dhe mos harro, çdo herë që të takosh pronarin e shtëpisë ti mund të raportosh një rivizitë.
10 Një motër merrte rregullisht revista për një grua e cila i pranonte gjithmonë ato, por që thoshte: «Unë nuk besoj se çfarë më thoni.» Në një vizitë të mëtejshme, motra gjeti në shtëpi burrin. Pas një bisede miqësore, u bënë përgatitjet për të filluar një studim biblik. Motra zuri miqësi me të tre djemtë të cilët u bashkuan në studim. Së fundi, nëna dhe tre bijtë e saj ia dedikuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan. Në këtë moment, 35 pjesëtarë të familjes kanë pranuar të vërtetën. E gjithë kjo sepse motra ka ndjekur interesin në itinerarin e saj të revistave!
11 Ekzistojnë shumë mënyra për të filluar një itinerar revistash. Ti mund të fillosh një itinerar, thjesht duke mbajtur shënim revistat e lëna dhe të përgatitesh për t’u kthyer çdo dy javë me numrat e fundit. Një mënyrë është duke përdorur informacionin e kuadratit «Në numrin vijues». Kur të kthehesh thuaji të zotit të shtëpisë se ke sjellë artikullin që përmende herën e kaluar. Ose kur bën rivizitë mund të thuash: «Kur lexova këtë artikull mendova se mund t’ju interesojë . . . » Pastaj bëj disa komente të shkurtra mbi artikullin dhe ofroja atë. Kur ke përfunduar rivizitën, shëno pesë pika të thjeshta në regjistrimin tënd nga shtëpia në shtëpi: (1) emrin e pronarit të shtëpisë, (2) adresën e pronarit të shtëpisë, (3) datën e vizitës, (4) numrin e lënë dhe (5) artikullin e prezantuar. Disa lajmëtarë kanë pasur shumë sukses duke kryer itinerarin e revistave, duke grumbulluar deri në 40 ose më shumë rivizita në listën e tyre!
12 Territori tregtar: Shumë revista janë lënë nga lajmëtarët që punojnë në territorin tregtar. A je përpjekur të punosh nga dyqani në dyqan? Raportet tregojnë se në disa kongregacione, pjesëmarrja në këtë aspekt të shërbimit është krejtësisht e kufizuar. Në fillim, disa janë të shqetësuar kur vizitojnë tregtarët, por pasi janë përpjekur për pak kohë ata kanë gjetur interes dhe shpërblim. Përse nuk i kërkon një lajmëtari me përvojë ose një pionieri që të të ndihmojë për të filluar?
13 Ka disa përparësi në veprën nga dyqani në dyqan. Janë shumë pak ata që mungojnë gjatë orëve të tregtisë! Tregtarët zakonisht tregojnë mirësjellje edhe pse ata mund të mos jenë veçanërisht të interesuar për Biblën. Fillo herët në mëngjes; ty do të të pëlqente të të prisnin mirë. Pasi të prezantosh veten, mund të thuash se rrallëherë i gjen tregtarët në shtëpi, prandaj po i viziton ata vetëm për pak çaste në vendin e tyre të punës për t’i ofruar numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Thekso se shumë tregtarë i çmojnë revistat tona sepse kanë nevojë të jenë të përditësuar me çfarë po ndodh në botë, por kanë pak kohë për të lexuar. Revistat paraqesin informacione që të nxitin për të menduar nga një perspektivë e re pa pasur prirje fetare, politike apo tregtare. Me personat e interesuar që gjenden në territorin tregtar mund të zhvillohet një itinerar revistash.
14 Përgatitu si familje: Gjatë studimit familjar mund të lihet pak kohë mënjanë për të diskutuar se cilët artikuj në revistat e fundit mund të jenë të përshtatshëm për t’i përdorur në territor. Pjesëtarët e familjes—duke përfshirë edhe fëmijët—mund të praktikojnë me radhë prezantimet e tyre dhe kapërcimin e kundërshtimeve të zakonshme që bëhen, të tilla si: «Jam i zënë», «Unë kam fenë time», ose «Nuk jam i interesuar». Një bashkëpunim i mirë mund të bëjë të mundur për tërë familjen që të ketë një pjesëmarrje të rregullt në shpërndarjen e revistave.
15 Drejtuesi i studimit të librit mund të të ndihmojë: Kurdo që është praktike, mbledhjet për shërbim në ditën e revistave të programohen në vendin e studimit të librit në vend se i tërë kongregacioni të takohet në Sallën e Mbretërisë. Ata që kanë përgjegjësi në mbledhjen e shërbimit në fushë duhet të jenë të përgatitur mirë me sugjerime praktike për grupin. Ata mund të përfshijnë një prezantim shembull dhe një ose dy pika nga numrat e fundit të revistave që mund të përdoren për të ngjallur interesin në territor. Mbledhjet për shërbimin në fushë—duke përfshirë organizimin e grupit—duhet të jenë të shkurtra, duke zgjatur jo më shumë se 10 deri 15 minuta. Drejtuesit e studimit duhet të sigurohen nëse ka mjaft territor në mënyrë që grupi të jetë i zënë gjatë gjithë kohës së shërbimit në fushë.
16 Trego çmueshmëri për revistat: Artikulli «Bëj përdorim të mirë të revistës Kulla e Rojës» që është botuar në numrin e tetorit 1993 të Shërbimi Ynë i Mbretërisë bënte këtë vërejtje të rëndësishme: «Mos harro, numrat e revistës Kulla e Rojës nuk e humbin kurrë vlerën e tyre edhe kur nuk shpërndahen brenda një ose dy muajve nga data e botimit. Informacioneve që përmbajnë nuk u humbet rëndësia me kalimin e kohës . . . Grumbullimi i revistave të kaluara pa i përdorur kurrë, tregon çmueshmëri të pakët për këto mjete me vlerë. . . . Në vend se t’i lësh mënjanë dhe t’i harrosh numrat e kaluar, a nuk do të ishte më mirë të bëje një përpjekje të veçantë për t’ia lënë ato në dorë personave të interesuar?»
17 Sot ka shumë njerëz të ndershëm në zemër që janë në kërkim të së vërtetës. Informacioni i një reviste mund të jetë pikërisht ajo që ata kanë nevojë për t’i drejtuar nga e vërteta! Jehovai na ka dhënë për të shpallur një mesazh të mrekullueshëm dhe revistat tona luajnë një rol jetësor në dërgimin e këtij mesazhi të tjerëve. A do të jesh më i ndërgjegjshëm në shpërndarjen e revistave në të ardhmen? A do të zbatosh disa nga këto sugjerime këtë fundjavë? Nëse bën kështu do të marrësh bekime të pasura.
Sugjerime praktike:
◼ Lexo revistat që më parë dhe njihu me artikujt.
◼ Zgjidh një artikull që trajton diçka të interesit të përgjithshëm në zonën tënde.
◼ Përgatit një prezantim të përshtatshëm për persona të ndryshëm qofshin burra, gra ose të rinj. Trego se si revista ka lidhje me të zotin e shtëpisë dhe se si e tërë familja do të përfitojë nga ajo.
◼ Planifiko të angazhohesh në veprimtarinë tënde të shërbimit në fushë kur nëpër shtëpi janë më shumë njerëz. Disa kongregacione rregullojnë që të dëshmojnë me revista në mbrëmje.
◼ Bëj një prezantim të shkurtër dhe specifik.
◼ Mos fol shumë shpejt. Nëse dëgjuesi yt nuk ka interes, të folurit e shpejtë nuk të ndihmon. Përpiqu të jesh i qetë dhe jepi rast pronarit të shtëpisë të përgjigjet.
Duke ofruar revistat nga shtëpia në shtëpi:
◼ Ki një buzëqeshje miqësore dhe një ton zëri të këndshëm.
◼ Ji entuziast ndaj revistave.
◼ Fol ngadalë dhe shkoqur.
◼ Fol vetëm mbi një subjekt; nxit shkurtimisht interesin dhe tregoi vlerën e tij pronarit të shtëpisë.
◼ Nxirr në pah vetëm një artikull.
◼ Prezanto vetëm një revistë, duke ia ofruar tjetrën si shoqëruese.
◼ Dorëzoi revistën pronarit të shtëpisë.
◼ Bëji të ditur pronarit të shtëpisë planin tënd për t’u kthyer.
◼ Nëse revistat refuzohen, përfundo në mënyrë miqësore dhe pozitivisht.
◼ Shëno në regjistrimet nga shtëpia në shtëpi të gjithë interesin dhe se çfarë ke lënë.
Raste për të lënë revista:
◼ Dëshmia nga shtëpia në shtëpi
◼ Dëshmia në rrugë
◼ Vepra nga dyqani në dyqan
◼ Itinerari i revistave
◼ Dëshmia e mbrëmjes
◼ Kur bën rivizita
◼ Duke vizituar ish studentët e biblës
◼ Kur udhëton apo psonis
◼ Kur flet me të afërmit, shokët e punës, fqinjët, shokët e shkollës, mësuesit
◼ Në mjetet e transportit publik, në dhomat e pritjes