Prediko me mendjehollësi
1 Për të patur mendjehollësi kërkohet që të kuptojmë diçka rreth personave të cilëve u predikojmë. Pse? Sepse suksesi ynë në arritjen e zemrave të njerëzve varet nga aftësia jonë për ta prezantuar mesazhin e Mbretërisë në një mënyrë që t’i bëjë ata për vete. Gjatë muajit janar, do të ofrojmë libra dhe broshura të ndryshme që mund të jenë ende në dispozicion në kongregacion. Sugjerimet e mëposhtme mund të jenë ndihmëse.
2 Nëse zgjedh për të ofruar librin «Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë», mund t’i referohesh ilustrimit në faqet 12-13 dhe të thuash:
◼ «Ky ilustrim është një përshkrim artistik i asaj që na mëson Bibla mbi qëllimin e Perëndisë për tokën. Çfarë mendoni se do të kërkohej për ju dhe familjen tuaj që të jetonit në një tokë parajsore? [Lëre të përgjigjet.] Bibla tregon se paqja dhe siguria e vërtetë do të jenë shpejt një realitet në të gjithë tokën dhe se Parajsa do të rivendoset. [Lexo Psalmin 37:10, 11.] Ky libër mund t’jua tregojë se çfarë duhet të bëni që të përfitoni nga ajo që Perëndia do të bëjë. Do të më pëlqente që këtë kopje t’jua lija juve.» Nëse përgjigjja është e favorshme, mund t’i shpjegosh shkurtimisht rregullin e kontributeve.
3 Nëse ofron broshurën «Cili është qëllimi i jetës—Si mund ta gjesh?», mund të thuash diçka të ngjashme me këtë:
◼ «Miliona njerëz përreth botës e dëshirojnë fort lumturinë, e cila duket sikur u rrëshqet nga duart, megjithë përpjekjet e shumta që bëjnë për ta gjetur atë. Shumë e shohin jetën thjesht si një çështje e të jetuarit për pak vite, duke rritur fëmijë dhe duke shpresuar për më mirë përpara se t’i rrëmbejë vdekja.» Pastaj, shpreh disa nga mendimet që gjenden në paragrafët 1 deri 4 në faqen 29, lexo Psalmin 37:11 dhe trego shkurtimisht se qëllimi i Perëndisë është që të krijojë një botë të re, një parajsë si ajo e përshkruar në faqen 4. Dëgjo komentet e pronarit të shtëpisë pasi i ke bërë një pyetje si kjo: «Si ndiheni rreth kësaj perspektive?» [Tregoji faqen 31 të broshurës.] Lëre të përgjigjet dhe nëse ka interes lëri broshurën. Nëse është e përshtatshme shpjegoji rregullin e kontributeve.
4 Nëse po përdor broshurën «A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?» mund të fillosh me një nga lajmet e kohëve të fundit mbi disa luftëra që nuk po zgjidhen akoma dhe pastaj mund të pyesësh:
◼ «A mendoni se udhëheqësit fetarë do të jenë në gjendje që ta zgjidhin ndonjë ditë këtë problem? [Lëre pronarin e shtëpisë të përgjigjet.] Të gjithë do ta çmonim jetën në një botë ku ky lloj problemi nuk do të ekzistonte. Eliminimi i këtij problemi do të bëhet realitet nën sundimin e qeverisë së Perëndisë për të cilën ne lutemi.» Lexo Isainë 32:17, 18 për të treguar se si paqja dhe siguria së fundi do të realizohen. Lexo gjithashtu komentin e hyrjes në faqen 2 dhe shpjego se broshura siguron prova biblike mbi atë se premtimet e Perëndisë për tokën do të realizohen me të vërtetë në të ardhmen e afërt. Nëse personi e vlerëson informacionin, ofroji broshurën.
5 Nëse do të përdorësh broshurën «Kur të vdes një njeri i dashur . . . » mund t’i referohesh nëntitullit në faqen 5, «Ekziston një shpresë e vërtetë» që thekson shpresën ngushëlluese të bazuar në Bibël për të vdekurit. Kjo nxit interesin për të shqyrtuar pjesën «Një shpresë e sigurt për të vdekurit», që gjendet në faqet 26-31. Kutia në faqen 27 «Tekste që të ngushëllojnë», jep një ndihmë të mëtejshme. Një person i pikëlluar do të shohë menjëherë se Jehovai është me të vërtetë «Perëndia i çdo ngushëllimi».—2. Kor. 1:3-7, BR.
6 Një mendjehollësi e mirë do të na bëjë të aftë të dallojmë nevojat dhe interesat e njerëzve që takojmë. Proverbat 16:23 na siguron në lidhje me këtë duke thënë: «Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.»