BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 9/96 f. 3-6
  • Prediko lajmin e mirë kudo

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prediko lajmin e mirë kudo
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
  • Material i ngjashëm
  • Përdori sa më mirë revistat tona
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • Duke gjetur të interesuarit përmes dëshmisë së efektshme në rrugë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1994
  • Nisma të reja për dëshmi publike
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2013
  • Si të predikojmë në një territor tregtar?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2004
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
km 9/96 f. 3-6

Prediko lajmin e mirë kudo

1 Të krishterët e parë e predikuan lajmin e mirë kudo. Ata ishin kaq të zellshëm, sa brenda 30 vjetësh, pas ringjalljes së Jezu Krishtit, mesazhi i Mbretërisë i ishte «predikuar çdo krijese që është nën qiell».​—Kolos. 1:23.

2 Shërbëtorët e zellshëm të Jehovait në ditët e sotme, kanë të njëjtin objektiv: të arrijnë çdo njeri të mundshëm me lajmin e mirë të Mbretërisë. Ç’gjë mund të na ndihmojë për të arritur këtë synim? Gjithnjë e më shumë njerëz po punojnë në kohë të plotë dhe shpesh nuk janë në shtëpi, kur ne i vizitojmë. Atëherë kur nuk punojnë, mund të jenë në udhëtim, në pazar apo në ndonjë lloj zbavitjeje. Si arrin mesazhi i Mbretërisë tek ata që e meritojnë mes këtyre njerëzve?​—Mat. 10:11.

3 Disa janë kontaktuar në vendin e tyre të punës. Edhe në qendrat e vogla ka një lagje tregtare, ku shumë njerëz kalojnë pjesën më të madhe të ditës. Në qytetet e mëdha, njerëzit që punojnë në parqe industriale apo në ndërtesa zyrash të larta dhe ata që jetojnë në apartamente me siguri të lartë po marrin dëshmi, shumë prej të cilëve për herë të parë. Gjatë fundjavëve, është parë se shumë persona që janë kontaktuar ndërsa shlodhen në park, në vendet e zbavitjes, në vende për fushim, apo në vila pushimi jashtë qytetit, ndërsa presin nëpër vende parkimi apo nëpër qendra tregtare, kanë qenë të prirur në mënyrë të favorshme ndaj lajmit të mirë.

4 Një numër gjithnjë e në rritje lajmëtarësh po bën një përpjekje të veçantë për të dhënë dëshmi në vendet publike, kudo që mund të gjenden njerëz. Në fillim, këta Dëshmitarë ngurrojnë dhe ndihen disi nervozë, pasi janë mësuar të predikojnë në mjedise më formale, si p.sh., nga shtëpia në shtëpi. Por, si ndihen tani?

5 «Kjo lloj dëshmie ka rigjallëruar shërbimin tim!»—thotë me gëzim një vëlla me përvojë. Një tjetër shton: «Më mban të përqendruar.» Një pionier i moshuar vëren: «Më ka fuqizuar mendërisht, fizikisht dhe frymësisht, . . . Jam duke u rritur akoma.» Një lajmëtar vëren se tani po takon shumë njerëz, të cilët më parë nuk kishin dëgjuar asnjëherë të flitej për Dëshmitarët e Jehovait. Edhe të rinjtë po marrin pjesë me entuziasëm në këtë vepër të gëzueshme. Një i ri u shpreh në këtë mënyrë: «Është qejf, sepse arrin të flasësh me kaq shumë njerëz.» Një tjetër thotë: «Jam duke lënë më shumë literaturë se kurrë më parë!» E gjithë kjo po ndodh në territore, që janë punuar disa herë me radhë.

6 Mbikëqyrësit udhëtues po marrin drejtimin: Duke pranuar se «skena e kësaj bote po ndryshon», kohët e fundit Shoqata u ka sugjeruar mbikëqyrësve udhëtues të rregullojnë programin e tyre të shërbimit në fushë javë pas jave, me qëllim që lajmi i mirë të mund të arrijë tek sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. (1. Kor. 7:31, BR) Për vite me radhë, mbikëqyrësit qarkorë linin mënjanë mëngjeset e çdo dite për të marrë pjesë në veprën shtëpi më shtëpi, ndërsa gjatë pasditeve i janë përkushtuar bërjes së rivizitave dhe drejtimit të studimeve biblike në shtëpi. Në disa zona, ky program mund të jetë akoma praktik. Në zona të tjera, nuk mund të arrihet shumë, duke punuar nga shtëpia në shtëpi, gjatë mëngjeseve të disa ditëve. Në të tilla raste, mbikëqyrësi udhëtues mund të vendosë që në orët e para të ditës do të ishte mirë të merrnin pjesë në veprën dyqan më dyqan apo në dëshminë në rrugë. Ose mund të marrë masa që grupe të vogla të japin dëshmi në ndërtesat e zyrave të larta, në zonat tregtare, në vende parkingësh ose në vende të tjera publike. Nga përdorimi më i efektshëm i kohës në dispozicion për shërbimin në fushë nga ana e lajmëtarëve, do të kontaktohen gjithnjë e më shumë njerëz.

7 Raportet tregojnë se ky rregullim është pritur mirë si nga mbikëqyrësit udhëtues, ashtu edhe nga lajmëtarët. Disa trupa pleqsh e kanë ftuar mbikëqyrësin qarkor që të stërvisë një numër të vogël lajmëtarësh në ato veçori të veprës, të cilave u duhet kushtuar vëmendje në vend. Për këta lajmëtarë ka qenë e dobishme të shoqërojnë mbikëqyrësin udhëtues, ndërsa merret me një nga këto aktivitete. Ata, nga ana e tyre, janë aftësuar për të stërvitur të tjerë. (2. Tim. 2:2) Si rezultat, lajmi i mirë arrin tek më shumë njerëz.

8 Natyrisht, s’ke pse pret vizitën e mbikëqyrësit qarkor për të provuar disa nga këto mënyra të tjera predikimi. Këtu ka disa ide të ndryshme që mund të jenë praktike për t’u përdorur në territorin tënd:

9 Dëshmia në rrugë: «Ku janë gjithë këta njerëz?» pyesim ndonjëherë veten, ndërsa vizitojmë një zonë banimi, ku s’gjendet këmbë njeriu gjatë një mëngjesi. Disa mund të jenë duke kryer ndonjë punë apo duke psonisur. A ke provuar t’i arrish, duke dhënë dëshmi në rrugë? Kur kjo gjë bëhet në mënyrë të përshtatshme, ky aspekt i shërbimit mund të jetë shumë i frytshëm. Në vend se të qëndrojmë me revistat në një vend, është më mirë t’u afrohemi njerëzve dhe të fillojmë një bisedë miqësore. S’është e nevojshme t’i jepet dëshmi çdo kalimtari. Fol me ata që nuk nxitojnë, si për shembull, me kalimtarët që u hedhin një sy vitrinave, me ata që gjenden në automjete të parkuara apo me njerëzit që presin mjetet e transportit publik. Në fillim, mund të bësh vetëm një përshëndetje miqësore dhe të presësh përgjigje. Nëse personi tregohet i gatshëm për të folur, kërkoji mendimin e tij mbi një temë që mendon se mund t’i interesojë.

10 Një mbikëqyrës udhëtues ftoi gjashtë lajmëtarë të shkonin me të dhe gruan e tij për të dhënë dëshmi në rrugë. Cilat ishin rezultatet? «Kaluam një mëngjes të mrekullueshëm!​—thotë ai.​—S’patëm problemin e njerëzve që nuk ishin në shtëpi. Lamë tetëdhjetë revista dhe shumë fletushka. Bëmë disa biseda nxitëse. Një prej lajmëtarëve, i cili bënte për herë të parë veprën në rrugë, tha i gëzuar: ‘Kam qenë në të vërtetën për shumë vjet dhe nuk e kam kuptuar se çfarë kam humbur!’ Nga fundi i javës, sasia e tepruar e revistave të mbetura stok në kongregacion sosi.»

11 Gjatë shërbimit në kongregacionin tjetër, i njëjti mbikëqyrës udhëtues mësoi se disa lajmëtarë kishin dalë për të dhënë dëshmi në rrugë herët një mëngjes, por kishin pasur një sukses të kufizuar. Një motër kishte folur vetëm me dy persona gjatë gjithë kohës që kishte dalë për të dhënë dëshmi, pasi të gjithë të tjerët që ajo takoi nxitonin për në punë. Mbikëqyrësi udhëtues sugjeroi që të gjithë sa ishin të ktheheshin në po atë rrugë pak më vonë në mëngjes. Kështu bënë dhe qëndruan deri në mesditë. Motra që kishte mundur të bisedonte vetëm me dy veta më herët në mëngjes, bëri shumë më tepër kur u kthye përsëri. Ajo la 31 revista dhe 15 broshura, mori emrat dhe adresat e shtatë personave dhe filloi dy studime biblike në shtëpi. Lajmëtarët e tjerë të grupit patën pothuajse të njëjtat rezultate inkurajuese.

12 Kur gjen një person që tregon interes, përpiqu të marrësh emrin e tij, adresën dhe numrin e telefonit. Në vend se të kërkosh informacion troç, mund të thuash: «Biseda me ju ishte një kënaqësi për mua. A ekziston ndonjë mënyrë që të mund ta vazhdojmë një herë tjetër?» Ose pyet: «A ka ndonjë mënyrë për t’ju takuar në shtëpi?» Shumë persona që kontaktohen në këtë mënyrë, pranojnë një rivizitë. Sigurohu që ke mjaft fleta për të ftuar ata, që do të kishin dëshirë të merrnin pjesë në mbledhjet tona.

13 Nëse flet me një person të interesuar, i cili banon në një territor që i është caktuar një kongregacioni tjetër, duhet ta kalosh informacionin në atë kongregacion, në mënyrë që vëllezërit e atjeshëm të mund të ndjekin interesin. A do të ishte dëshmia në rrugë një mënyrë e efektshme për të përhapur lajmin e mirë në zonën tënde? Nëse po, rishiko artikullin «Duke gjetur të interesuarit përmes dëshmisë së efektshme në rrugë», në fletushkën Shërbimi Ynë i Mbretërisë për muajin korrik 1994. Më pas, merr masat për të bërë dëshmi në rrugë në një kohë të përshtatshme gjatë ditës, gjë që do të të mundësojë të arrish sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.

14 Dëshmia nëpër mjetet e transportit publik: Një mëngjes, disa pionierë vendosën t’u jepnin dëshmi njerëzve që prisnin autobusin pranë një kolegji lokal. Ndërsa po bënin disa biseda të këndshme, doli një problem. Në momentin kur biseda filloi mirë, erdhi autobusi, duke bërë që biseda të ndërpritej menjëherë. Pionierët e zgjidhën problemin, duke hipur edhe ata në autobus dhe duke vazhduar t’u jepnin dëshmi pasagjerëve, ndërsa ata përshkonin qytetin. Në stacionin e fundit, pionierët duhej të ktheheshin përsëri me autobus, duke dhënë dëshmi ndërsa udhëtonin. Pas disa udhëtimesh lart e poshtë, ata nxorën rezultatet e përpjekjeve të tyre: ishin lënë mbi 200 revista dhe ishin filluar gjashtë studime biblike. Disa pasagjerë u treguan të gatshëm që të jepnin adresat dhe numrin e tyre të telefonit, në mënyrë që pionierët t’i vizitonin në shtëpi. Javën vijuese, pionierët u kthyen përsëri në stacionin e autobusit dhe ndoqën të njëjtën metodë si më parë. Ata lanë 164 revista dhe filluan edhe një studim tjetër biblik. Në një stacion autobusi hipi një pasagjer dhe zuri të vetmin vend që kishte mbetur pranë pionierit. Ai hodhi një vështrim nga vëllai dhe tha, duke buzëqeshur: «E di, keni një Kullë Roje për mua.»

15 Shumë lajmëtarë japin një dëshmi të efektshme, ndërsa udhëtojnë me autobus, tren apo aeroplan. Si mund të fillosh një bisedë me një pasagjer që të është ulur pranë? Një lajmëtar 12-vjeçar filloi thjesht të lexonte në autobus një kopje të revistës Zgjohuni!, duke shpresuar të ngjallte kureshtjen e një vajze adoleshente që ishte ulur pranë tij. Dhe ashtu ndodhi. Vajza e pyeti se çfarë po lexonte dhe i riu iu përgjigj se po lexonte mbi zgjidhjen e problemeve që të rinjtë duhet të përballojnë. Shtoi se ai vetë kishte përfituar shumë nga artikulli dhe se mund ta ndihmonte edhe atë. Ajo e pranoi revistën me kënaqësi. Biseda e tyre u dëgjua nga dy të rinj të tjerë, të cilët i kërkuan, gjithashtu, kopje të revistës. Në këtë pikë, shoferi i autobusit kaloi në anë të rrugës dhe pyeti përse kishte kaq shumë interes për këto revista. Kur e mësoi, pranoi edhe ai disa kopje. Natyrisht, asnjëra nga këto nuk do të kishte ndodhur, nëse lajmëtari i ri nuk do të kishte pasur me vete një sasi të madhe revistash për t’ia dhënë cilitdo që tregonte interes!

16 Dëshmia nëpër parqe dhe vende parkimi: Dëshmia nëpër parqe dhe vende parkimi është një mënyrë e shkëlqyer për të arritur njerëzit. A ke provuar të japësh dëshmi në një vend parkimi në ndonjë qendër tregtare? Gjej gjithmonë pak momente për t’i hedhur një sy ambientit që të rrethon. Kërko ndonjë që nuk është me ngut apo që pret në ndonjë makinë të parkuar dhe përpiqu të fillosh me të një bisedë miqësore. Nëse biseda vazhdon, jepi mesazhin e Mbretërisë. Mundohu të punosh vetëm, por me një lajmëtar tjetër afër. Mos mbaj një çantë të madhe apo të fryrë, apo diçka që në mënyra të tjera tërheq vëmendjen drejt veprës që bën. Ji i matur. Do të ishte më mirë të kaloje vetëm pak kohë në një vend parkimi e më pas të shkoje në një tjetër. Nëse ndonjëri nuk dëshiron të flasë me ty, me mirësjellje shko në punën tënde dhe kërko të afrosh dikë tjetër. Duke përdorur këto metoda, brenda një muaji një vëlla la 90 revista, duke dhënë dëshmi në vendet e parkimit.

17 Disa njerëz shkojnë në park për t’u shlodhur. Të tjerë shkojnë atje për të lozur apo për të kaluar kohën me fëmijët. Pa ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në aktivitetet e tyre, kërko një mundësi për të dhënë dëshmi. Një vëlla filloi një bisedë me kopshtarin e një parku dhe pa se ai ishte i shqetësuar për drogat dhe për të ardhmen e fëmijëve të tij. Filluan një studim biblik në shtëpi dhe e mbanin atë rregullisht në park.

18 Dëshmi joformale nëpër qendrat tregtare: Edhe pse nuk është gjithmonë e mundur të predikohet në mënyrë formale nga dyqani në dyqan nëpër qendrat tregtare, për shkak të kufizimeve lokale në lidhje me këto aktivitete, disa lajmëtarë krijojnë mundësi për të dhënë dëshmi atje në mënyrë joformale. Ata ulen në një stol dhe përpiqen për të filluar biseda miqësore me persona të tjerë, që ndalojnë aty për të pushuar. Kur tregohet interes, ata ofrojnë me maturi një fletushkë apo revistë dhe përpiqen që të marrin masat për një rivizitë. Pasi kalojnë pak minuta, duke dëshmuar në një sektor të qendrës tregtare, ata shkojnë tek një tjetër dhe tërheqin dikë tjetër në bisedë. Sigurisht duhet pasur kujdes për të mos tërhequr vëmendje në mënyrë të papërshtatshme gjatë dhënies së dëshmisë joformale në këtë mënyrë.

19 Kur përshëndet një person, filloje bisedën me një ton miqësor. Nëse dëgjuesi përgjigjet, bëji një pyetje dhe më pas dëgjoje me vëmendje, ndërsa ai shprehet. Trego interes personal për atë që ai thotë. Trego se e vlerëson mendimin e tij. Aty ku është e mundur, trego se je në një mendje me të.

20 Një motër zhvilloi një bisedë të këndshme me një grua të moshuar, duke përmendur se sa e shtrenjtë është bërë jeta. Gruaja u pajtua menjëherë me mendimin e saj dhe si pasojë rrodhi një bisedë e gjallë. Motra arriti t’i merrte gruas emrin dhe adresën dhe po atë javë i bëri gruas një rivizitë.

21 Duke punuar dyqan më dyqan: Disa kongregacione kanë brenda territorit që u është caktuar lagje tregtare. Vëllai që ka nën kujdes territoret, mund të përgatisë skeda të veçanta hartash të sektorëve tregtarë shumë të përqendruar. Çdo skedë harte për territoret e banimit, që mbulon pjesërisht këta sektorë tregtarë, duhet të tregojë qartë se vendet tregtare nuk do të punohen si pjesë e territorit. Në territore të tjera, vendet tregtare mund të punohen bashkë me vendet e banimit. Pleqtë mund të ftojnë lajmëtarë të kualifikuar që të punojnë në territoret tregtare në një bazë të rregullt, në mënyrë që vepra dyqan më dyqan të mos lihet pas dore.

22 Nëse edhe ty të ftojnë të marrësh pjesë në këtë vepër dhe nuk e ke bërë kurrë më parë këtë gjë, një mënyrë e mirë ‘për të marrë guxim’ është të punosh në fillim pak dyqane të vogla e më pas, kur të ndihesh më i sigurt, puno ata më të mëdhenjtë. (1. Sel. 2:2) Kur punon nga dyqani në dyqan, vishu sikur të jesh duke marrë pjesë në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Nëse është e mundur, hyr në dyqan kur të mos ketë klientë që presin për t’u shërbyer. Kërko të flasësh me pronarin apo personin të cilit i është ngarkuar. Ji i ngrohtë dhe mbi të gjitha fol shkurtimisht. Nuk ka nevojë të kërkosh falje. Tregtarët janë të gatshëm për t’u shërbyer klientëve, dhe janë mësuar me ndërprerjet.

23 Pasi ta kesh përshëndetur shitësin, mund të thuash: «Njerëzit që merren me tregti janë kaq të zënë, sa rrallëherë i gjejmë në shtëpi, prandaj po ju vizitojmë këtu ku bëni tregti për t’ju lënë një revistë, ku mund të lexoni një artikull shumë nxitës për mendjen.» Pastaj, bëj një apo dy komente mbi revistën që i ofron.

24 Ose kur i afrohesh një pronari, mund të provosh të thuash kështu: «Kemi vërejtur se njerëzit që merren me tregti përpiqen të jenë të mirinformuar. Numri i fundit i revistës Kulla e Rojës (apo Zgjohuni!) ka shkruar një artikull, i cili ndikon mbi të gjithë ne personalisht.» Shpjego cili është dhe përfundo, duke thënë: «Jemi të sigurt se do të mbeteni të kënaqur nga leximi i saj.»

25 Nëse ka punonjës dhe duket e përshtatshme, mund të shtosh: «A do të bezdiseshit po t’u bëja të njëjtin prezantim të shkurtër edhe punëtorëve tuaj?» Nëse të jepet leja, mos harro se ke premtuar të mos zgjatesh dhe pronari pret që ta mbash fjalën. Nëse ndonjë nga punëtorët dëshiron të fillojë një bisedë të gjatë, do të ishte më mirë ta vizitoje në shtëpi.

26 Pak kohë më parë, një numër i vogël lajmëtarësh në një qendër të vogël shkuan bashkë me mbikëqyrësin qarkor në veprën dyqan më dyqan. Në fillim, disa nga lajmëtarët nuk ndiheshin të qetë, pasi nuk e kishin bërë këtë vepër kurrë më parë; por shpejt u çliruan dhe filluan ta gëzonin atë. Në më pak se një orë, ata folën me 37 njerëz dhe lanë 24 revista e katër broshura. Një vëlla vërejti se normalisht nuk do të kishin mundur të takonin kaq shumë njerëz në veprën nga shtëpia në shtëpi gjatë një muaji, aq sa takuan, duke punuar nga dyqani në dyqan, brenda një kohe aq të shkurtër.

27 Të krijojmë mundësi për të predikuar: Jezui nuk e kufizoi dhënien e dëshmisë vetëm në ambiente formale. Ai e përhapi lajmin e mirë në çdo rast të përshtatshëm. (Mat. 9:9; Luka 19:1-​10; Gjoni 4:6-​15) Vëre se në ç’mënyrë po krijojnë mundësi për të predikuar disa lajmëtarë.

28 Disa e kanë bërë zakon t’u japin dëshmi prindërve që presin fëmijët pranë hyrjes së shkollës. Duke qenë se shumë prindër janë aty 20 minuta përpara, ka kohë për t’i tërhequr në një bisedë nxitëse mbi temat biblike.

29 Shumë pionierë janë të vetëdijshëm që të arrijnë njerëz, të cilët kanë një interes të veçantë mbi një subjekt të veçantë, që është trajtuar në revistat tona. Për shembull, një motër mori përgjigje të mira, duke vizituar gjashtë shkolla në territorin e kongregacionit të saj me seritë «Shkollat në krizë», që doli në numrin 22 dhjetor 1995, të revistës Zgjohuni!, (angl.). Ajo vizitoi, gjithashtu, agjensitë shtetërore për kujdesin në familje me revistat mbi jetën familjare dhe abuzimin tek fëmijët dhe e ftuan të kthehej përsëri me numrat e ardhshëm që trajtojnë tema të tilla. Përgjigjja që mori në zyrën e të papunëve për numrin 8 mars 1996 të revistës Zgjohuni!, (angl.), që trajtonte problemin e papunësisë, ishte «e jashtëzakonshme».

30 Një mbikëqyrës krahinor raporton se ai dhe gruaja e tij jepnin dëshmi të rregullt joformale kur blinin ushqimet. Ata shkojnë për të blerë në një kohë gjatë ditës, kur dyqani nuk është plot me njerëz dhe klientët çapiten me nge lart e poshtë korridoreve të rafteve me sende. Ata thonë se kanë pasur shumë biseda të mira.

31 Në shumë vende, shumë lajmëtarë raportojnë rezultate të mira, kur u japin dëshmi njerëzve nëpër lavanderitë publike. Ata nuk lënë thjesht vetëm revistat, kur atje s’ka asnjë njeri. Synimi i tyre është që të arrijnë njerëzit me lajmin e mirë, prandaj, përpiqen që të flasin personalisht me ata që e përdorin këtë ambient.

32 Në disa lokalitete, disa lajmëtarë të zgjedhur janë autorizuar për të dhënë dëshmi nëpër aeroporte. Nganjëherë, ata kanë pasur gëzimin që t’u japin dëshmi udhëtarëve të huaj, të cilët jetojnë në vende ku populli i Jehovait është i paktë në numër. Aty ku kanë gjetur interes, ata kanë ofruar një fletushkë apo revista.

33 Nëse nuk lejohen për t’u dhënë dëshmi personalisht banorëve që jetojnë nëpër apartamente me siguri të lartë në territorin e kongregacionit, disa e kanë bërë zakon t’u dëshmojnë me takt rojeve të sigurimit që janë në krye të detyrës apo administratorëve nëpër zyrat e banimit. E njëjta metodë është përdorur për zonat private të banimit me porta sigurimi. Një mbikëqyrës qarkor dhe një numër i vogël lajmëtarësh vizituan shtatë komplekse apartamentesh në këtë mënyrë. Në çdo rast, ata i thanë administratorit se edhe pse nuk u lejohet të vizitojnë apartamentet sipas mënyrës sonë të zakonshme, ata nuk dëshironin që të humbte informacionin e revistave të fundit. Administratorët e të shtata komplekseve pranuan me kënaqësi revistat dhe kërkuan, gjithashtu, edhe numrin e ardhshëm. Më pas, banorët e këtyre komplekseve kontaktohen përmes telefonit. Do të gjesh informacion praktik mbi temën e dëshmisë në telefon në shtojcën «Dëshmia në telefon: Një mënyrë për të arritur shumë njerëz», në fletushkën Shërbimi Ynë i Mbretërisë, për muajin gusht 1993 (angl.).

34 Ushtro veten për të predikuar kudo: Jetesa në lartësinë e dedikimit tonë përfshin edhe ndjenjën e urgjencës, në lidhje me caktimin tonë për të predikuar mesazhin e Mbretërisë. Që të arrijmë njerëzit në kohën e volitshme për ta, duhet të lëmë mënjanë preferencat tona personale, me qëllim që ‘të mund të shpëtojmë me çdo mënyrë disa’. Të gjithë shërbëtorët e dedikuar të Jehovait dëshirojnë të jenë të aftë për të thënë, ashtu siç tha apostulli Pavël: «Të gjitha gjërat i bëj për hir të lajmit të mirë, që të mund të bëhem pjesëmarrës i tij bashkë me të tjerët.»​—1. Kor. 9:22, 23, BR.

35 Më tej, Pavli shkroi: «Prandaj, me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. . . . Sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.» (2. Kor. 12:9, 10) Me fjalë të tjera, asnjëri prej nesh nuk mund ta kryejë këtë vepër me fuqinë e vet. Duhet t’i lutemi Jehovait për frymën e tij të shenjtë e të fuqishme. Nëse i lutemi Perëndisë për forcë, mund të jemi të sigurt se ai do t’u përgjigjet lutjeve tona. Atëherë, dashuria jonë për njerëzit do të na nxisë që të kërkojmë mundësi për t’u predikuar atyre lajmin e mirë, kudo që mund të jenë. Përse të mos provojmë njërin prej sugjerimeve të kësaj shtojce, gjatë javës së ardhshme?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo