Fjala e Perëndisë siguron drejtim
1 «A na ka dhënë Perëndia Jehova informata për veten? A na ka treguar se çfarë ka bërë dhe çfarë ka akoma ndër mend të bëjë? Një baba që i do fëmijët e tij flet me ta për shumë gjëra. Dhe nga sa kemi parë, Jehovai është me të vërtetë një baba i dashur.»
2 Kështu nis kapitulli 5 i librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Njerëzit duhet të dinë se Fjala e Perëndisë jep drejtim dhe siguron zgjidhjet e të gjitha problemeve që u rëndojnë. Do të përpiqemi që gjatë dhjetorit t’i ndihmojmë njerëzit, duke u ofruar këtë libër. Natyrisht, thjesht lënia e literaturës një personi, nuk garanton se ai do ta pranojë drejtimin e Perëndisë. Duhet të bëjmë rivizita me synimin për të filluar studime biblike. Nëse bëjmë këtë përpjekje, na sigurohet ndihmë. (Mat. 28:19, 20) Këtu sugjerohen disa prezantime:
3 Nëse takon një person të moshuar, mund të provosh këtë prezantim:
◼ «A mund t’ju pyes: ‘Kur ishit i ri, si e trajtonin njëri-tjetrin njerëzit në komunitet?’ [Lëre të përgjigjet.] Gjërat kanë ndryshuar shumë tani, apo jo? Cila mendoni se është arsyeja e këtij ndryshimi? [Lëre të përgjigjet.] Faktikisht ne po shohim përmbushjen e një profecie që gjendet në Bibël. [Lexo 2. Timoteut 3:1-5.] Përveç faktit që e përshkruan botën saktësisht siç është sot, Bibla premton një botë më të mirë në të ardhmen e afërt. Për këtë arsye, ne po i inkurajojmë të gjithë që të lexojnë Biblën.» Trego librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe nxirr në dukje paragrafin 27 në kapitullin 5, i cili shpjegon një tjetër profeci, të cilën e kemi parë të përmbushet. Ofro librin. Nëse e pranon, përmend rregullimin e kontributeve që mbështet veprën tonë mbarëbotërore.
4 Kur kthehesh përsëri tek një person i moshuar, të cilit i ke lënë librin, mund të thuash:
◼ «Kur folëm bashkë herën e fundit, ishim të mendimit se në shumë aspekte, shoqëria moderne ka ndryshuar për keq në krahasim me ç’ishte jeta vetëm pak vite më parë. Megjithatë, u ktheva për t’ju treguar se Bibla paraqet perspektiva për një botë shumë më të mirë në të ardhmen. [Lexo Zbulesën 21:3, 4.] Dijenia se kjo është Fjala e Perëndisë, është një fakt që duhet të na inkurajojë për të parë se ç’gjë tjetër ka për të thënë Bibla.» Hape librin në kapitullin 1 dhe lexo paragrafët 12, 13. Ofro një studim biblik në shtëpi pa pagesë.
5 Nëse fut në bisedë një person më të ri, mund të thuash:
◼ «Do të doja t’ju bëja një pyetje: Si i ri, a mendoni se keni arsye për të qenë optimist për të ardhmen? Si të duket e ardhmja? [Lëre të përgjigjet.] Lumturisht ka një arsye të vërtetë për të qenë optimist për të ardhmen. [Lexo Psalmin 37:10, 11.] Duke qenë se njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme mbi Biblën dhe përmbajtjen e saj, kemi botuar këtë libër, Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Vëreni arsyet që jep ai, për të lexuar Biblën. [Trego kapitullin 5, faqe 47-56.] Pasi të jemi bindur se ajo që thotë Bibla është e vërtetë, arrijmë të kemi një shpresë të sigurt për të ardhmen. Nëse keni dëshirë që të lexoni këtë libër, do t’ju lija me kënaqësi një kopje.»
6 Kur kthehesh për të parë një person të ri, i cili ka pranuar librin «Ti mund të jetosh», mund të fillosh, duke deklaruar:
◼ «E çmova faktin që ju dëgjova të thoshit se sa i shqetësuar jeni për të ardhmen. Mos harroni se unë ju tregova një shkrim nga Bibla, që na premtonte një të ardhme të lumtur dhe të sigurt. Këtu ka edhe një shkrim tjetër. [Lexo Zbulesën 21:3, 4.] Libri që ju lashë jep prova bindëse se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe jo e njeriut. Ky fakt ka disa nënkuptime të thella. Vëreni se cilat janë ato. [Lexo paragrafin 28 në faqen 56.] Nëse do të dëshironit, do të isha i kënaqur të studioja Biblën me ju pa pagesë.» Nëse studimi pranohet, inkurajoje personin që të gjejë një kopje të Biblës.
7 Një person që nuk di ku të kërkojë drejtim për të përballuar problemet e jetës, mund t’i përgjigjet këtij prezantimi:
◼ «Jetojmë në një kohë, kur gati gjithkush ndesh probleme serioze. Shumë njerëz kërkojnë drejtim tek të gjitha llojet e këshilltarëve. Disa i kanë sytë tek magjistarët për të marrë ndihmë. Ku mendoni se mund të gjejmë këshilla të shëndetshme, që me të vërtetë do të na sjellin dobi? [Lëre të përgjigjet.] Bibla deklaron një fakt të rëndësishëm, të cilin të gjithë ne duhet ta kuptojmë.» Lexo Jereminë 10:23. Hap librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe trego përmbajtjen, p.sh., kapitujt 26, 28 dhe 29. «Ky libër do t’ju ndihmojë të kuptoni se si nën Mbretërinë e Perëndisë, do të eliminohen të gjitha problemet tona. A do t’ju pëlqente ta lexonit?» Nëse pranon, shpjegoji rregullimin e kontributeve.
8 Nëse në vizitën e parë keni folur mbi nevojën që ka njeriu për drejtim, gjatë rivizitës mund ta vazhdosh bisedën duke thënë:
◼ «Kur u takuam herën e parë, ishim të mendimit se ne kemi nevojë për drejtim nga Perëndia, nëse duam t’i përballojmë me sukses problemet e jetës. Në lidhje me këtë, unë mendoj se do t’i çmoni komentet përmbyllëse që bëhen në librin që ju lashë. [Lexo paragrafin 15, në faqen 255 në librin Ti mund të jetosh.] Kam kënaqësinë t’ju ofroj një studim biblik pa pagesë në shtëpi dhe jam përgatitur për t’ju treguar se si mund të realizohet kjo gjë tani.»
9 Jehovai do të bekojë përpjekjet tona, ndërsa ndihmojmë të vjetër e të rinj bashkë, që të çmojnë vlerën e Fjalës së Perëndisë dhe drejtimin e saj në jetën tonë.—Psal. 119:105.