Të kualifikuar dhe të pajisur për të mësuar të tjerët
1 Kur u caktua për të qenë përfaqësues i Jehovait, Moisiu nuk u ndie i kualifikuar për t’i shpallur Faraonit fjalën e Perëndisë. (Dal. 4:10; 6:12) Jeremia zbuloi se nuk besonte që ishte në gjendje të shërbente si profet i Jehovait, duke i thënë Perëndisë se nuk dinte si të shprehej. (Jer. 1:6) Pavarësisht se në fillim shfaqën mungesë besimi, që të dy ata profetë treguan se ishin dëshmitarë sypatrembur të Jehovait. Ata ishin të kualifikuar siç duhet nga Perëndia.
2 Sot, falë Jehovait, ne kemi atë që na nevojitet për ta kryer shërbimin tonë me siguri. (2. Kor. 3:4, 5; 2. Tim. 3:17) Ngjashëm një mekaniku të kualifikuar, i cili është i pajisur me një komplet të plotë veglash, edhe ne jemi të pajisur siç duhet për të plotësuar me aftësi shërbimin që na është caktuar. Në janar ne po ofrojmë librin Të rinjtë pyesin. Temat e tij janë të kohës dhe ky libër do t’i ndihmojë njerëzit që të mësojnë të vërtetën. Prezantimet që sugjerohen më poshtë mund t’i përshtaten këtij libri.
3 Tema e arsimimit mund të përdoret për të ngjallur interes për Fjalën e Perëndisë. Mund të fillosh një bisedë, duke thënë:
◼ «Sot, vihet një theks i madh mbi nevojën për arsimim cilësor. Sipas mendimit tuaj, çfarë lloj arsimimi duhet të ndjekë një person, për të siguruar lumturinë dhe suksesin më të madh në jetë? [Lëre të përgjigjet.] Ata që marrin njohurinë e Perëndisë mund të fitojnë dobi të përhershme. [Lexo Proverbat 9:10, 11.] Ky manual [jep titullin e librit që ofron] bazohet në Bibël. Ai drejton drejt burimit të vetëm të njohurisë që mund të çojë në jetën e përhershme.» Trego një shembull specifik nga libri. Nëse ka interes të vërtetë, lëri librin dhe merr masat për një rivizitë. Thuaji se megjithëse botimi lihet pa pagesë, ne pranojmë një kontribut të vogël për shërbimin tonë anembanë botës.
4 Kur kthehesh tek pronari i një shtëpie, me të cilin ke diskutuar rëndësinë e arsimimit biblik, mund të thuash:
◼ «Herën e fundit që ju vizitova, ne folëm për Biblën si për burimin e arsimimit, që mund të sigurojë të ardhmen tonë të përhershme. Natyrisht që duhen bërë përpjekje për të mësuar atë që duhet të dimë nga Shkrimet. [Lexo Proverbat 2:1-5.] Shumë njerëz e kanë të vështirë të kuptojnë disa pjesë të Biblës. Do të më pëlqente t’ju demonstroja shkurtimisht një metodë, të cilën ne e kemi përdorur gjerësisht për të ndihmuar njerëzit që të mësojnë më shumë për mësimet bazë biblike.» Duke përdorur librin që i ke lënë, shko në një vend të përshtatshëm dhe demonstro shkurtimisht një studim biblik. Nëse i zoti i shtëpisë dëshiron të bëjë një studim të rregullt, shpjegoji se kur të kthehesh do të marrësh ndihmësin tonë për studime biblike, librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme.
5 Shumë njerëz janë të shqetësuar për vuajtjet e miliona fëmijëve në botë. Mbase mund ta ndihmosh të zotin e shtëpisë për të parë se si e shikon Perëndia këtë gjendje të mjerueshme, duke thënë:
◼ «Pa dyshim që ju keni parë raporte të reja për fëmijë përreth globit, të cilët janë të uritur, të sëmurë dhe të lënë pas dore. Përse organizatat që përkujdesen për ta nuk kanë qenë në gjendje ta përmirësojnë situatën? [Lëre të përgjigjet.] Perëndia dëshiron vetëm atë që është më e mirë për njerëzit. Vëre se çfarë premton ai për fëmijët dhe për të rriturit, siç shkruhet në Bibël. [Lexo Zbulesën 21:4.] Ky libër, [përmend titullin] në kapitullin 38 në faqen 305 jep më shumë hollësi për një botë që do të sjellë Perëndia e në të cilën vuajtjet do të marrin fund.» Ofro librin dhe merr masat për një vizitë tjetër. Prano me gëzim çdo kontribut që individi është i gatshëm për të dhënë për veprën tonë.
6 Nëse fillimisht ke folur për vuajtjet e fëmijëve, në vizitën tjetër mund të vazhdosh bisedën, duke thënë:
◼ «Kur isha këtu për herë të fundit, ju shprehët shqetësim për gjendjen e mjeruar të fëmijëve, të cilët vuajnë për shkak të familjeve të ndara, urisë, sëmundjes dhe dhunës. Është ngushëlluese që të lexojmë në Bibël për një botë, ku as fëmijët dhe as të rriturit nuk do të vuajnë sëmundje, dhimbje apo vdekje. Një profeci që gjendet në librin e Isaisë, përshkruan një jetë më të mirë që do të vijë në tokë.» Lexo dhe trajto Isainë 65:20-25. Përgatit rrugën për një studim të mundshëm biblik me librin Njohuria.
7 Përderisa praktika e lutjes është një gjë e zakonshme për njerëzit fetarë, mund të fillosh një bisedë mbi këtë argument, duke thënë:
◼ «Në disa momente të jetës, shumica prej nesh ka përjetuar probleme, gjë që na ka nxitur për t’iu lutur Perëndisë për ndihmë. Por prapëseprapë, shumë mendojnë se lutjet e tyre nuk kanë marrë përgjigje. Madje duket se edhe krerët fetarë, të cilët luten publikisht për paqen, nuk janë dëgjuar. Themi kështu, pasi lufta dhe dhuna vazhdojnë të mjerojnë njerëzimin. A i dëgjon vërtet Perëndia lutjet? Nëse po, përse kaq shumë lutje duket se nuk marrin përgjigje? [Lëre të përgjigjet.] Psalmi 145:18 shpjegon se çfarë kërkohet, në mënyrë që lutjet tona të gjejnë përgjigje. [Lexo shkrimin.] Nga njëra anë, lutjet që i drejtohen Perëndisë duhet të jenë të sinqerta dhe sipas së vërtetës që gjendet në Fjalën e tij, Biblën.» Tregoji librin Të rinjtë pyesin në faqet 313 e 314 dhe trego se çfarë thotë ai mbi vlerën e lutjes.
8 Kur vazhdojmë një bisedë të mëparshme për lutjen, mund të provosh këtë prezantim:
◼ «Më pëlqeu biseda që bëmë mbi temën e lutjes. Pa dyshim që do të kuptoni se mendimet e Jezuit kanë qenë një udhëheqje e dobishme mbi atë se për çfarë të lutemi.» Lexo Mateun 6:9, 10, duke nxjerrë në pah shqetësimin kryesor që cilësoi Jezui në lutjen e tij model. Trego kapitullin 16, «Si mund t’i afrohesh Perëndisë», në librin Njohuria dhe pyete nëse mund t’i demonstrosh se si ta studiojë materialin.
9 Kur bëhet fjalë për t’u ndarë të tjerëve njohurinë e Perëndisë, mund të pyesim: «Kush është i kualifikuar siç duhet për këto gjëra?» Shkrimi përgjigjet: «Jemi ne.»—2. Kor. 2:16, 17.