Njohja e Perëndisë së vërtetë të çon në jetë
1 «Kjo do të thotë jeta e përhershme,—i tha Jezui në lutje Atit të tij,—që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3, BR) Çfarë shpërblimi bujar që është! Duke përdorur botimin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë se çfarë duhet të bëjnë për të jetuar përgjithmonë. Çfarë mund të themi për të ngjallur interesin e tyre dhe për t’i nxitur që të duan të lexojnë librin Njohuria?
2 Ju mund të përdorni një prezantim që nxjerr në pah Biblën si një burim praktik për drejtim, duke thënë:
◼ «Jemi duke diskutuar me komshinjtë tanë se ku mund të gjejmë një burim praktik për drejtim, për të përballuar problemet e jetës. Në të kaluarën shumë njerëz në fillim konsultonin Biblën. Por tani qëndrimet e njerëzve kanë ndryshuar; shumë prej tyre janë skeptikë për Biblën, duke e parë atë thjesht si një libër të shkruar nga njerëzit. Cili është mendimi juaj? [Lëre të përgjigjet.] Ka një arsye shumë të mirë se përse mund të thuhet që Bibla është praktike për ditët tona. [Lexo 2. Timoteut 3:16, 17.] Parimet biblike zbatohen tani po aq shumë , sa edhe atëherë kur Perëndia frymëzoi shkrimin e Biblës.» Hap librin Njohuria në faqen 16 dhe komento shkurt për drejtimin praktik që gjejmë në Predikimin në Mal të Jezuit. Lexo citimin që gjendet në paragrafin 11 ose atë në paragrafin 13. Ofro librin dhe merr masa që të kthehesh për t’iu përgjigjur pyetjes: Si mund të përfitojmë ne personalisht nga njohuria që përmban Bibla?
3 Duke qenë se lutja është një temë me interes për shumë njerëz, mund të diskutosh duke pyetur:
◼ «Me gjithë sfidat që duhet të përballojmë në ditët e sotme, a e ndjeni se lutja mund të jetë një ndihmë e vërtetë për ne? [Lëre të përgjigjet.] Shumë veta ndjejnë që i janë afruar Perëndisë duke iu lutur atij dhe duke bërë kështu ai u ka dhënë forcë të brendshme, gjë e cila është ajo që Bibla premton. [Hap librin Njohuria në faqen 156 dhe lexo Filipianëve 4:6, 7.] Megjithatë, një person nganjëherë ndjen se nuk merr përgjigje nga lutjet. Ky kapitull shqyrton se ‘Si mund t’i afrohesh Perëndisë’. [Ofro librin dhe përmend rregullin e kontributeve për veprën botërore.] Gjithashtu, ky kapitull shpjegon si mund të dëgjojmë ne Perëndinë, duke qenë se komunikimi me të nuk është i njëanshëm. Ne mund të diskutojmë për këtë kur të kthehem herën tjetër.»
4 Do të të pëlqente të provoje një hyrje direkte për të filluar një studim? Këtu është një, që mund të rezultojë e suksesshme për ty:
◼ «Ne jemi duke ofruar një kurs biblik në shtëpi, pa pagesë. A keni bërë ndonjë kurs biblik më parë? [Lëre të përgjigjet.] Më lejoni t’ju tregoj studimin ndihmës që ne përdorim.» Tregoji librin Njohuria, hape në faqen 3, në mënyrë që pronari të mund të shohë tabelën përmbajtëse dhe pyete: «A keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë thotë Bibla rreth këtyre temave?» Hape në kapitullin për të cilin pronari ka shfaqur më shumë interes dhe lexo nëntitujt. Shpjegoji që do të të pëlqente t’i tregoje shkurtimisht se si ne e konsiderojmë këtë informacion në kursin tonë të studimit. Fillon apo jo një studim, lëri librin nëse ai premton që do ta lexojë.
5 Sot, një shumicë njerëzish janë duke iu përgjigjur njohurisë së saktë të Perëndisë së vërtetë. (Isa. 2:2-4) Është privilegji ynë që të ndihmojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, për të mësuar rreth Jehovait dhe të drejtohen për në jetë. —1. Tim. 2:4.