Kutia e pyetjes
◼ Përse duhet të raportojmë pa humbur kohë për aktivitetin tonë në shërbimin në fushë çdo muaj?
Të gjithë ne provojmë një ndjenjë gëzimi, kur dëgjojmë për gjërat e mira që po kryhen në predikimin e mesazhit të Mbretërisë. (Shiko Proverbat 25:25.) Veprat 2:41 raporton se pas fjalimit emocionues të Pjetrit në ditën e Rrëshajëve, «u shtuan rreth tre mijë veta». Pak kohë më pas, ai numër u rrit në «rreth pesë mijë». (Veprat 4:4) Sa gjallëruese duhet të kenë qenë ato raporte për të krishterët e shekullit të parë! Po ashtu reagojmë edhe ne ndaj raporteve inkurajuese sot. Ne drithërohemi kur dëgjojmë për suksesin që kanë vëllezërit tanë në predikimin e lajmit të mirë anembanë botës.
Duke qenë se duhet shumë kohë dhe përpjekje për përpilimin e këtyre raporteve, është thelbësor bashkëpunimi i çdo lajmëtari të Mbretërisë. A je i vetëdijshëm për dhënien e raportit pa humbur kohë çdo muaj?
Raportet e rritjes na sjellin shumë gëzim. Për më tepër, raportet e ndihmojnë Shoqatën që të vëzhgojë progresin e veprës mbarëbotërore. Duhen marrë vendime se ku mund të ketë nevojë për më shumë ndihmë apo se çfarë lloji dhe sasie literature duhet prodhuar. Pleqtë në çdo kongregacion i përdorin raportet e shërbimit në fushë, për të përcaktuar se ku mund të bëhen përmirësime. Raportet e mira janë ndërtuese, duke na nxitur të gjithëve, për të shqyrtuar se ku mund të bëjmë përmirësime të mundshme në shërbimin tonë.
Të gjithë lajmëtarët duhet të pranojnë përgjegjësinë që kanë individualisht, për të dhënë çdo muaj pa humbur kohë raportin e shërbimit në fushë. Drejtuesit e studimit të librit të kongregacionit janë në gjendje t’i kujtojnë lajmëtarët për këtë përgjegjësi, pasi ata janë edhe vigjilentë për t’u dhënë ndihmë personale atyre që mund të kenë ndonjë vështirësi në pjesëmarrjen e rregullt çdo muaj në shërbimin në fushë. Kjo kujtesë duhet bërë çdo muaj në studimin e fundit të librit apo në një kohë tjetër të përshtatshme. Nëse nuk ekziston mundësia për ta dhënë raportin e shërbimit në fushë, në Sallën e Mbretërisë, drejtuesi i studimit të librit të kongregacionit mund t’i mbledhë dhe të kujdeset që ato t’i jepen sekretarit në kohë, për t’u përfshirë në raportin e rregullt mujor të kongregacionit, që i dërgohet Shoqatës.
Zelli ynë në raportimin besimplotë pa humbur kohë të aktivitetit tonë në shërbimin në fushë, e bën barrën më të lehtë për ata që janë përgjegjës për mirëqenien tonë frymore.