«Ndërto shtëpinë tënde»
1 Është e dukshme se në çdo kulturë përreth botës, jeta familjare po shpërbëhet. Bota e Satanait dergjet në mashtrim dhe imoralitet. (1. Gjon. 5:19) Kjo na thekson urgjencën për të ‘ndërtuar shtëpinë tonë’ dhe për t’u mësuar të tjerëve se si mund ta bëjnë të njëjtën gjë për të tyret.—Prov. 24:3, 27.
2 Parimet biblike janë një mbrojtje: Sekreti i lumturisë së vërtetë familjare gjendet në zbatimin e parimeve biblike. Nga këto të vërteta të fuqishme nxjerr dobi çdo anëtar i shtëpisë, në të gjitha aspektet e jetës. Familja që i zbaton ato, do të jetë e lumtur dhe do të gëzojë paqen hyjnore.—Krahaso Isainë 32:17, 18.
3 Parimet që mund të na ndihmojnë për të ndërtuar shtëpinë tonë, janë theksuar në mënyrë të përmbledhur në librin e ri, Sekreti i lumturisë familjare. Çdo kapitull përfundon me një kuti ndihmëse mësimi, e cila thekson parimet që kanë nevojë të mbajnë mend anëtarët e familjes. Pjesa më e madhe e këtyre kutive fillojnë me pyetjen: «Si mund ta ndihmojnë këto parime biblike . . . ?» Kjo e tërheq vëmendjen tek mendimet e Perëndisë, kështu që ne marrim mënyrën e tij të të menduarit mbi temën që trajtohet.—Isa. 48:17.
4 Familjarizohuni me librin. Mësoni të përcaktoni parimet që mund t’ju ndihmojnë kur dalin probleme të ndryshme. Libri trajton çështje të tilla si këto: Çfarë duhet të kërkojë një person, kur është duke shqyrtuar një bashkëshort të ardhshëm (kapitulli 2), cilët çelësa jetësorë hapin derën drejt lumturisë së qëndrueshme martesore (kapitulli 3), si mund t’i rritin prindërit fëmijët e tyre adoleshentë që të jenë persona të rritur të përgjegjshëm dhe me frikë Perëndie (kapitulli 6), si të mbrohet familja nga ndikimet shkatërruese (kapitulli 8), parime për të ndihmuar familjet me një prind që t’ia dalin mbanë (kapitulli 9), ndihmë frymore për familjet e shqetësuara nga alkoolizmi dhe dhuna (kapitulli 12), çfarë duhet bërë kur lidhjet martesore janë në buzë të thyerjes (kapitulli 13), çfarë mund të bëhet për të nderuar prindërit e moshuar (kapitulli 15) dhe si të sigurohet një e ardhme e qëndrueshme për familjen e vetë personit (kapitulli 16).
5 Përdoreni plotësisht librin e ri: Nëse nuk e keni bërë tashmë këtë, përse të mos e studioni librin e Lumturisë familjare së bashku, si një familje? Gjithashtu, kurdoherë që familja juaj ndeshet me probleme apo sfida, rishikoni kapitujt e librit që merren me trajtimin e tyre dhe shqyrtoni në lutje se si t’i zbatoni këshillat. Përveç kësaj, gjatë marsit, jini bujarë në programimin e kohës për shërbimin në fushë, kështu që mund të përpiqeni për të lënë Sekretin e lumturisë familjare në duart e sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur.
6 Familjet që praktikojnë devotshmërinë hyjnore, do të jenë të forcuara dhe të bashkuara frymësisht, si dhe do të jenë të përgatitura mirë për t’u bërë ballë sulmeve të Satanait. (1. Tim. 4:7, 8; 1. Pjet. 5:8, 9) Sa mirënjohës jemi që kemi udhëzimin hyjnor nga Nismëtari i familjes!