Merr guxim për të bërë rivizita
1 A të gëzon bërja e rivizitave? Shumë lajmëtarë i gëzon. Ndoshta në fillim nuk ke qenë i qetë, sidomos kur rivizitoje ata të zotë shtëpije që kur i kontaktove në fillim, treguan vetëm pak interes. Por, ‘ndërsa merr guxim me anë të Perëndisë tënd, për të folur mbi lajmin e mirë’ duke bërë rivizita, mund të mbetesh i habitur, kur të zbulosh se sa e lehtë dhe shpërblyese mund të jetë kjo gjë. (1. Sel. 2:2) Si kështu?
2 Në të vërtetë, ndërmjet rivizitës dhe vizitës së parë, ka një ndryshim të rëndësishëm. Rivizita i bëhet një të njohuri, jo një të panjohuri dhe në përgjithësi është më e lehtë të bisedosh me një të njohur sesa me një të panjohur. Sa për shpërblimet e pasura që vijnë nga pjesëmarrja në këtë vepër, rivizitat mund të çojnë në studime biblike produktive.
3 Kur bëjmë veprën nga shtëpia në shtëpi, ne vizitojmë herë pas here njerëz që, kur i vizituam për herë të parë, nuk ishin të interesuar. Përse atëherë vazhdojmë t’i vizitojmë? Ne e kuptojmë se rrethanat e njerëzve ndryshojnë dhe se një individ, i cili kur e vizituam për herë të parë dukej indiferent, apo madje kundërshtar, kur i bëjmë vizitën tjetër mund të jetë i interesuar. Me këtë në mendje, ne përgatitemi mirë dhe lutemi për të pasur bekimet e Jehovait, në mënyrë që ajo diçka që do të themi këtë radhë, t’i bjerë akordit të duhur.
4 Nëse në veprën tonë nga shtëpia në shtëpi, ne u predikojmë me gatishmëri njerëzve që më parë nuk kanë treguar aspak interes, a nuk duhet që aq më shumë ta rivizitojmë dikë që tregon njëfarë interesi për mesazhin e Mbretërisë?—Vep. 10:34, 35.
5 Shumë prej nesh janë sot në të vërtetën, sepse një lajmëtar, me durim, na ka bërë rivizita. Nëse ti je një prej këtyre, mund të pyesësh veten: ‘Cila qe përshtypja fillestare që krijova tek ai lajmëtar? A e përqafova menjëherë mesazhin e Mbretërisë, kur e dëgjova për herë të parë? A mund të jem dukur indiferent?’ Ne duhet të jemi të lumtur që lajmëtari, i cili na rivizitoi, na gjykoi të denjë për një rivizitë, ‘mori guxim me anë të Perëndisë’, bëri rivizitën dhe vazhdoi të na mësonte të vërtetën. Ç’të themi për ata individë që në fillim tregojnë njëfarë interesi, por më vonë duket se na shmangin? Një qëndrim pozitiv është jetësor, siç e ilustron edhe përvoja vijuese.
6 Ndërsa një mëngjes herët merrnin pjesë në dëshminë në rrugë, dy lajmëtare takuan një zonjë të re tek shtynte karrocën e fëmijës. Gruaja pranoi një revistë dhe i ftoi motrat që të shkonin në shtëpinë e saj të dielën e ardhshme. Ato shkuan atje në kohën e caktuar, por e zonja e shtëpisë u tha se nuk kishte fare kohë për të biseduar. Megjithatë, ajo u premtoi se javën e ardhshme do të ishte në dispozicion. Motrat dyshuan se ajo nuk do t’i mbahej takimit, por kur ato u kthyen, ajo po i priste. U fillua një studim dhe përparimi i gruas qe i mahnitshëm. Brenda një kohe të shkurtër, ajo filloi të merrte pjesë rregullisht në mbledhje, si dhe në shërbimin në fushë. Tani ajo është e pagëzuar.
7 Hidh themelin në vizitën e parë: Themeli për një rivizitë të suksesshme, shpesh hidhet në vizitën e parë. Dëgjoji me vëmendje komentet e të zotit të shtëpisë. Çfarë të bëjnë ato të kuptosh? A ka prirje fetare? A është i shqetësuar për çështjet shoqërore? A është i interesuar për shkencën? Historinë? Mjedisin? Në mbyllje të vizitës, mund të ngresh një pyetje që e bën të mendojë dhe premtoji se kur të kthehesh, do të trajtosh përgjigjen biblike për të.
8 Për shembull, nëse i zoti i shtëpisë i përgjigjet premtimit të Biblës për një parajsë tokësore, mund të jetë i përshtatshëm një trajtim i mëtejshëm i argumentit. Tamam para se të largohesh, mund ta pyesësh: «Si mund të jemi të sigurt se Perëndia do ta përmbushë këtë premtim?» Pastaj shto: «Ndoshta mund të qëndroj, kur pjesa tjetër e familjes të jetë në shtëpi dhe atëherë mund t’ju tregoj përgjigjen e Biblës për këtë pyetje.»
9 Nëse i zoti i shtëpisë nuk ka treguar interes për ndonjë temë të veçantë, mund të ngresh njërën prej pyetjeve që janë paraqitur tek prezantimet në faqen e pasme të Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe ta përdorësh atë si një bazë për trajtimin tënd të ardhshëm.
10 Mbaj regjistrime të shkruara, të sakta: Regjistrimi yt nga shtëpia në shtëpi duhet të jetë i saktë dhe i plotë. Mbaje shënim emrin dhe adresën e të zotit të shtëpisë, sapo të largohesh nga shtëpia. Mos e merr me mend numrin e shtëpisë dhe emrin e rrugës: kërko informacion që të sigurohesh se ajo është e saktë. Shkruaj një përshkrim të individit. Mbaj shënim argumentin që diskutuat, shkrimet që lexove, literaturën që le, si dhe pyetjen së cilës do t’i përgjigjesh kur të kthehesh. Përfshi ditën dhe kohën e vizitës së parë dhe se kur i ke thënë se do të kthehesh. Tani që regjistrimi yt është i plotë, mos e humb atë! Vendose në një vend të sigurt, në mënyrë që të mund t’i referohesh më vonë. Vazhdo të mendosh për individin dhe se si do ta trajtosh vizitën herën tjetër.
11 Njih se cilat janë objektivat e tua: Së pari, duke qenë i ngrohtë dhe miqësor, bëj të pamundurën që ta bësh të zotin e shtëpisë të ndihet rehat. Trego se ti interesohesh për të si person, pa qenë tepër i familjarizuar. Pastaj, kujtoji ndonjë pyetje që ngrite në vizitën e mëparshme. Dëgjo me vëmendje opinionin e tij dhe shpreh vlerësim të sinqertë për komentet e tij. Më pas, tregoji se përse pikëpamja biblike është praktike. Nëse është e mundur, drejtoje tek një mendim që ka lidhje me këtë, në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Mbaj mirë ndër mend se objektivi yt kryesor në rivizita është që të fillosh një studim biblik.
12 Mënyra e drejtpërdrejtë e librit Njohuria, i ka dhënë zemër shumë vetave prej nesh që të ‘marrin guxim’ për t’i inkurajuar studentët e studimeve biblike që të marrin pjesë në mbledhje dhe që të shoqërohen me organizatën e Jehovait. Në të kaluarën, ne kishim prirjen që të prisnim derisa individët të kishin studiuar ca kohë, përpara se t’i ftonim për t’u shoqëruar me ne. Tani, shumë studentë po marrin pjesë në mbledhje menjëherë sapo fillojnë të studiojnë dhe si rezultat po përparojnë shumë më shpejt.
13 Një çift i dëshmoi joformalisht një bashkëpunëtori. Kur ai shprehu interes për të vërtetën, ata e ftuan që të bënin një studim biblik me librin Njohuria. Në të njëjtën kohë, ata i thanë se duhej të merrte pjesë në mbledhje, ku do t’u jepej përgjigje shumë prej pyetjeve të tij. Burri, me gatishmëri, jo vetëm e pranoi ftesën e tyre për të studiuar, por gjithashtu, studioi dy herë në javë dhe filloi të merrte pjesë rregullisht në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë.
14 Përdor broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?: Në kongresin krahinor «Lajmëtarë të paqes hyjnore», ne morëm broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Kjo broshurë është e dobishme në fillimin e studimeve biblike me njerëzit që kanë frikë Perëndie, pavarësisht nga niveli i tyre arsimor. Ajo përmban një kurs të përmbledhur studimi, që trajton mësimet bazë të Biblës. Botimi do të jetë një mjet shumë i efektshëm për dhënien e njohurisë së Perëndisë. Ai e shpjegon të vërtetën kaq qartë dhe thjeshtë, saqë pothuajse secili prej nesh do të jetë në gjendje t’u mësojë të tjerëve kërkesat e Perëndisë. Ka të ngjarë që shumë lajmëtarë do të kenë privilegjin e drejtimit të një studimi biblik me këtë broshurë.
15 Disa individë që mendojnë se nuk kanë kohë për të studiuar librin Njohuria, mund të jenë të gatshëm për të bërë sesione të shkurtra, duke studiuar broshurën Çfarë kërkon. Ata do të drithërohen nga ajo që do të mësojnë! Vetëm në dy a tri faqe, ata do të gjejnë përgjigjet e pyetjeve, për të cilat njerëzit janë menduar thellë me shekuj: Kush është Perëndia? Kush është Djalli? Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën? Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Si mund ta gjesh fenë e vërtetë? Edhe pse broshura e paraqet të vërtetën me terma të thjeshtë, mesazhi i saj është shumë i fuqishëm. Ajo trajton pikat kyçe, që pleqtë do të rishikojnë me kandidatët për pagëzim dhe mund të shërbejë si një trampolinë për një studim më të plotë me librin Njohuria.
16 Për të ofruar një studim në një rivizitë, mund të thuash thjesht: «A e dinit se vetëm brenda pak minutash, ju mund të merrni përgjigje për një pyetje të rëndësishme biblike?» Pastaj, shtro një pyetje që ndodhet në fillim të njërit prej mësimeve të broshurës. Për shembull, nëse je duke rivizituar një person të moshuar, mund të thuash: «Ne e dimë se në të kaluarën Jezui shëroi njerëz. Po në të ardhmen, çfarë do të bëjë Jezui për të sëmurët, për të moshuarit dhe për të vdekurit?» Përgjigjet gjenden në mësimin 5. Një personi me prirje fetare mund t’i ngjallet kureshtja nga pyetja: «A i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet?» Kësaj i është dhënë përgjigje në mësimin 7. Anëtarët e një familjeje do të duan të dinë: «Çfarë kërkon Perëndia nga prindërit dhe nga fëmijët?» Ata do ta zbulojnë, ndërsa studiojnë mësimin 8. Pyetje të tjera janë si «A mund të dëmtojnë të vdekurit të gjallët?», që shpjegohet në mësimin 11; «Përse ka kaq shumë fe që pohojnë se janë të krishtere?», e cila trajtohet në mësimin 13 dhe «Çfarë duhet të bësh për t’u bërë mik i Perëndisë?», e trajtuar në mësimin 16.
17 Ndihmo ata që flasin një gjuhë tjetër: Ç’mund të thuhet për të zotët e shtëpisë që flasin një gjuhë tjetër? Nëse është e mundur, atyre duhet t’u mësohet në gjuhën që ata njohin më mirë. (1. Kor. 14:9) Nëse pranë zonës nuk ka kongregacione apo grupe të gjuhëve të huaja dhe as lajmëtarë që mund të flasin gjuhën e të zotit të shtëpisë, lajmëtari mund të përpiqet të studiojë me të zotin e shtëpisë, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon, në të dyja gjuhët.
18 Një lajmëtar që fliste anglisht, filloi një studim me një burrë që fliste gjuhën vietnameze dhe me gruan e tij, e cila fliste gjuhën thai. Gjatë studimit u përdorën Bibla dhe botime në anglisht, në gjuhën vietnameze dhe në atë thai. Ndonëse në fillim barriera e gjuhës paraqiti një sfidë, lajmëtari shkruan: «Rritja frymore e çiftit qe e menjëhershme. Ata kuptuan nevojën për të filluar që të merrnin pjesë në mbledhje bashkë me dy fëmijët e tyre dhe po e lexojnë Biblën çdo natë si familje. Vajza e tyre gjashtëvjeçare drejton vetë studimin e saj biblik.»
19 Kur studion me njerëz që flasin një gjuhë tjetër, fol me ngadalë, shqipto qartë, si dhe përdor fjalë e fraza të thjeshta. Megjithatë, mbaj parasysh se njerëzit që flasin një gjuhë tjetër, duhen trajtuar me dinjitet. Ata nuk duhen trajtuar si të ishin fëmijë.
20 Përdori mirë ilustrimet e bukura të broshurës Çfarë kërkon. Nëse «një pikturë është baras me njëmijë fjalë», ilustrimet e shumta në broshurë do t’i thonë një lumë fjalësh të zotit të shtëpisë. Ftoje atë që t’i lexojë shkrimet në Biblën e tij. Nëse studimi mund të drejtohet në një kohë kur një anëtar i familjes që di shqip është në dispozicion për të përkthyer, pa dyshim që kjo do të ishte dobiprurëse.—Shiko Shërbimi ynë i Mbretërisë, tetor 1990, faqe 7-8, anglisht; mars 1984, faqe 8, anglisht.
21 Bëj rivizita pa vonesë: Sa kohë duhet të presësh përpara se të bësh një rivizitë? Disa lajmëtarë kthehen brenda një ose dy ditësh nga kontakti fillestar. Të tjerë kthehen po atë ditë, por më vonë! A mos është tepër shpejt? Në përgjithësi, nuk duket se të zotët e shtëpisë janë kundër. Shpesh, është lajmëtari që bën rivizitën ai që ka nevojë të kultivojë një qëndrim më pozitiv, bashkë me pak guxim. Shqyrto përvojën vijuese.
22 Një lajmëtar 13-vjeçar, një ditë po predikonte nga shtëpia në shtëpi, kur pa dy gra që po ecnin së bashku. I vëmendshëm ndaj inkurajimit për t’u predikuar njerëzve kudo që i gjejmë, ai iu afrua grave në rrugë. Ato treguan interes për mesazhin e Mbretërisë dhe secila pranoi një libër Njohuria. Vëllai i ri u mori adresat, u kthye dy ditë më vonë dhe me secilën prej tyre u fillua një studim biblik.
23 Një motër bën rregullimet për të bërë një rivizitë javën e ardhshme. Por një apo dy ditë pas vizitës së parë, ajo kalon për t’i dhënë të zotit të shtëpisë një revistë mbi temën që kishin diskutuar herën e parë. Ajo i thotë të zotit të shtëpisë: «Pashë këtë artikull dhe mendova se do t’ju pëlqente ta lexonit. Nuk mund të qëndroj për të biseduar tani, por do të kthehem përsëri të mërkurën pasdite, siç e lamë. Mbetet e përshtatshme për ju si ditë?»
24 Kur një individ tregon interes për të vërtetën, mund të jemi të sigurt se në një formë apo në një tjetër, ai do të ndeshet me kundërshtime. Duke e rivizituar shpejt pasi kemi vendosur kontaktin e parë, ai do të forcohet për t’i bërë ballë çdo presioni që ndesh nga të afërmit, miqtë e ngushtë dhe të tjerët.
25 Kultivo interesin e atyre që gjen në vendet publike: Shumë prej nesh gjejnë kënaqësi në predikimin në rrugë, në vendqëndrimet e makinave, në transportin publik, në qendrat tregtare, në parqe e kështu me radhë. Përveç lënies së literaturës, ne duhet të kultivojmë interesin. Duke pasur këtë si qëllim, duhet bërë një përpjekje për të marrë emrin, adresën dhe, nëse është e mundur, numrin e telefonit të çdo personi të interesuar që takojmë. Për të marrë këtë informacion, nuk është aq e vështirë sa mund ta mendosh. Ndërsa biseda i afrohet fundit, nxirr bllokun tënd të shënimeve dhe pyete: «A ka ndonjë mënyrë që të mund ta vazhdojmë këtë bisedë një herë tjetër?» Ose thuaji: «Do të më pëlqente t’ju lexoja një artikull, që jam e sigurt se do t’ju interesojë. A mund t’jua sjell në shtëpi ose në zyrë?» Një vëlla pyet thjesht: «Me ç’numër mund t’ju telefonoj?» Ai tregon se në tre muaj, të gjithë përveç tri personave, ishin të lumtur t’ia jepnin numrin e tyre të telefonit.
26 Përdor telefonin për të gjetur dhe për të zhvilluar interesin: Një motër pioniere, për të arritur njerëzit që banojnë në ndërtesa të sigurisë së lartë, përdor telefonin. Në të njëjtën mënyrë, ajo bën edhe rivizita. Në bisedën e parë telefonike, ajo thotë: «E di që nuk më njihni. Jam duke bërë një përpjekje të veçantë që të vihem në kontakt me njerëzit e zonës suaj, për të ndarë me ta një mendim nga Bibla. Nëse keni kohë një çast, do të më pëlqente t’ju lexoja premtimin që gjendet në . . . » Pas leximit të shkrimit, ajo thotë: «A nuk do të ishte e mrekullueshme ta shihnim ardhjen e kësaj kohe? U kënaqa që jua lexova këtë gjë. Nëse edhe ju u kënaqët, do të më pëlqente t’ju merrja përsëri në telefon dhe të trajtonim një shkrim tjetër.»
27 Në telefonatën tjetër, ajo e kujton të zotin e shtëpisë për bisedën e tyre të mëparshme dhe i thotë se do t’i pëlqente t’i lexonte nga Bibla se si do të jenë kushtet, kur ligësia të jetë hequr. Pastaj, ajo bën një diskutim të shkurtër biblik me të zotin e shtëpisë. Në rrjedhën e shumë bisedave telefonike, 35 persona e kanë ftuar atë në shtëpitë e tyre dhe janë nisur shtatë studime biblike! A është disa herë e vështirë për ty që të rivizitosh personat e interesuar, gjatë muajve të ftohtë të dimrit, për shkak të rrugëve të pakalueshme, kushteve të krijuara nga akulli apo për shkak të sëmundjeve? Nëse po, përse të mos vihesh në kontakt me ta me anë të telefonit?
28 Ndiq interesin e gjetur në vendet e tregtimit: Në veprën nga njëri dyqan në tjetrin, përfshihet shumë më tepër sesa thjesht ofrimi i revistave. Shumë shitës kanë një interes të sinqertë për të vërtetën dhe ky interes mund të kultivohet. Në disa raste, mund të jetë e mundshme që të bëhet një diskutim biblik apo madje edhe një studim aty në vend. Në raste të tjera, ti dhe personi i interesuar mund të keni mundësi për t’u takuar gjatë pushimit të drekës apo në ndonjë moment tjetër të përshtatshëm.
29 Një mbikëqyrës udhëtues vizitoi pronarin e një dyqani të vogël ushqimesh dhe i ofroi demonstrimin e një studimi biblik. Kur u pyet se sa kohë do t’i merrte demonstrimi, mbikëqyrësi udhëtues i tha se do t’i merrte vetëm 15 minuta. Pas kësaj, shitësi vari një shënim në derë, «Kthehem pas 20 minutash», vendosi dy karrige dhe të dy trajtuan pesë paragrafët e parë të librit Njohuria. Këtij burri të sinqertë i bëri kaq përshtypje ajo që mësoi, saqë të dielën mori pjesë në fjalimin publik dhe në studimin e Kullës së Rojës, si dhe ra dakort që javën tjetër të vazhdonte studimin.
30 Për të ofruar një studim në vendet e tregtimit, mund të thuash këtë: Programi ynë i studimit biblik merr vetëm 15 minuta kohë për t’u demonstruar. Nëse është e leverdisshme, do të isha e kënaqur t’ju tregoja se si bëhet.» Më pas, përmbaju kufirit të kohës. Nëse nuk është e mundur që të kesh një diskutim të gjatë në një vend tregtimi, mund të jetë më e përshtatshme që ta vizitosh shitësin në shtëpinë e tij.
31 Kthehu edhe kur nuk është lënë fare literaturë: Çdo shkëndijë interesi meriton një rivizitë, është lënë apo jo literaturë. Sigurisht, nëse bëhet e qartë se i zoti i shtëpisë nuk është me të vërtetë i interesuar për mesazhin e Mbretërisë, më e mira është që t’i drejtosh gjetkë përpjekjet e tua.
32 Në veprën nga shtëpia në shtëpi, një motër takoi një zonjë që ishte shumë miqësore, por që refuzoi me vendosmëri ofertën e literaturës. Lajmëtarja shkruan: «Për ditë me radhë mendova rreth saj dhe vendosa se dëshiroja të bisedoja përsëri me të.» Përfundimisht, motra u lut, mori zemër dhe trokiti në derën e zonjës. Për kënaqësinë e saj, e zonja e shtëpisë e ftoi brenda. U nis një studim biblik dhe u vazhdua të drejtohej përsëri ditën tjetër. Me kalimin e kohës, e zonja e shtëpisë hyri në të vërtetën.
33 Planifiko më parë që të arrish të kryesh sa më shumë: Është e rekomandueshme që gjatë çdo jave të shpenzohet një pjesë kohe me bërjen e rivizitave. Shumë prej kësaj mund të kryhet me një planifikim të mirë. Organizohu që të bësh rivizitat në të njëjtën zonë ku do të jesh duke bërë veprën nga shtëpia në shtëpi. Kur shkohet në shërbim me një automobil, grupi duhet të mbahet i vogël, kështu që secili do të ketë një mundësi të plotë për të bërë rivizita. Shoferi duhet të dijë që më përpara se ku do të bëhen rivizitat, kështu që mund të shmanget ecja e panevojshme me makinë.
34 Ata që janë të suksesshëm në bërjen e rivizitave dhe në fillimin e studimeve biblike, thonë se është themelore që të tregohet interes i sinqertë personal për njerëzit dhe të vazhdohet të mendohet për ta edhe pasi ka përfunduar vizita. Gjithashtu, është e domosdoshme që të kihet një temë biblike tërheqëse për t’u trajtuar dhe të hidhet themeli për rivizitën, përpara largimit nga vizita e parë. Më tej, për të ndjekur interesin, është i rëndësishëm një kthim i shpejtë tek personi. Objektivi i fillimit të një studimi biblik duhet që të mbahet gjithmonë mirë ndër mend.
35 Një cilësi jetësore për pasjen e suksesit në bërjen e rivizitave është guximi. Si fitohet ai? Apostulli Pavël përgjigjet duke thënë se ne ‘marrim guxim’ për t’u shpallur lajmin e mirë të tjerëve «me anë të Perëndisë sonë». Nëse ke nevojë të rritesh në këtë fushë, lutju Jehovait për ndihmë. Pastaj, në përputhje me lutjet e tua, ndiq çdo interes. Jehovai do t’i bekojë patjetër përpjekjet e tua!
[Kutia në faqen 3]
Si të jesh i suksesshëm në bërjen e rivizitave
■ Trego interes të sinqertë personal për njerëzit.
■ Zgjidh një temë tërheqëse biblike për t’u trajtuar.
■ Hidh themelin për secilën prej vizitave pasuese.
■ Pasi largohesh, vazhdo të mendosh për personin.
■ Kthehu brenda një apo dy ditëve për të ndjekur interesin.
■ Mbaj ndër mend se objektivi yt është që të fillosh një studim biblik.
■ Lutu për ndihmë që të marrësh guxim për këtë vepër.