Dëshmitarët e Jehovait: Ungjilltarë të vërtetë
1 Jezu Krishti ua dha përgjegjësinë për të ungjillëzuar të gjithë dishepujve të tij, veçanërisht duke i dërguar të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mat. 24:14; Vep. 10:42) Dishepujt e tij të hershëm kanë lënë një shembull për këtë, sepse ata folën për Mbretërinë pa pushim, jo vetëm në vendet e adhurimit, por kudo që takonin njerëz, në publik dhe nga shtëpia në shtëpi. (Vep. 5:42; 20:20) Si Dëshmitarë të Jehovait sot, ne kemi provuar të jemi ungjilltarë të krishterë të vërtetë, duke predikuar mesazhin e Mbretërisë në 232 vende dhe duke pagëzuar mbi një milion dishepuj të rinj vetëm në tre vjetët e fundit! Po përse vepra jonë e ungjillëzimit ka qenë kaq e suksesshme?
2 Lajmi i mirë na emocionon: Ungjilltarët janë predikues ose lajmëtarë të lajmit të mirë. Si të tillë, ne kemi privilegjin emocionues për të shpallur Mbretërinë e Jehovait, i vetmi lajm i mirë i vërtetë që mund t’i ofrohet njerëzimit të shqetësuar. Ne jemi entuziastë në lidhje me njohurinë e parakohshme që kemi fituar për qiejt e rinj, të cilët do të sundojnë drejtësisht mbi një tokë të re të përbërë nga njerëzimi besimplotë në parajsën e ardhshme. (2. Pjet. 3:13, 17) Ne jemi të vetmit që e kemi pranuar këtë shpresë dhe jemi të etshëm ta ndajmë me të tjerët.
3 Na motivon dashuria e vërtetë: Ungjillëzimi është një vepër jetëshpëtuese. (Rom. 1:16) Për këtë arsye ne provojmë një gëzim të madh në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë. Si ungjilltarë të vërtetë, ne i duam njerëzit dhe kjo na shtyn ta ndajmë lajmin e mirë me ta: me familjet tona, fqinjët, të njohurit dhe me sa më shumë persona që të jetë e mundur. Një nga shprehjet më të shkëlqyera për të treguar dashurinë tonë të vërtetë për të tjerët, është bërja e kësaj vepre me gjithë shpirt.—1. Sel. 2:8.
4 Fryma e Perëndisë na mbështet: Fjala e Perëndisë na siguron se kur bëjmë punën tonë për të mbjellë dhe ujitur farën e Mbretërisë, është Jehovai ai që «e bën të rritet». Kjo është pikërisht ajo çfarë po shohim të ndodhë në organizatën tonë sot. (1. Kor. 3:5-7) Është fryma e Perëndisë që na mbështet në aktivitetin tonë ungjillëzues dhe na jep një sukses të madh.—Joe. 2:28, 29.
5 Duke marrë parasysh inkurajimin në 2. Timoteun 4:5 për ‘të bërë veprën e ungjilltarit’, le të na motivojë dashuria jonë për të gjithë njerëzit që të ndajmë në çdo rast të volitshëm lajmin e mirë emocionues të Mbretërisë, duke qenë të sigurt se Jehovai do të vazhdojë ta bekojë veprën tonë!