Shërbimin si pionier: A mund ta bësh?
1 «S’mund ta mendoj që të bëj ndonjë gjë tjetër. Në fakt, s’mund të imagjinoj ndonjë gjë që do të më sillte të njëjtin gëzim.» Kush e ka thënë këtë? Një prej qindra mijë Dëshmitarëve të Jehovait, që e kanë bërë shërbimin e plotëkohor, karrierën e tyre të gëzueshme në jetë. A e ke konsideruar ndonjëherë në lutje, nëse është edhe për ty shërbimi si pionier? Meqë i jemi dedikuar pa rezerva Jehovait, sigurisht duhet të shqyrtojmë nëse mund të marrim pjesë edhe më plotësisht në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Me këtë në mendje, të lutemi të shqyrtosh disa pyetje që mund të bëhen në lidhje me shërbimin si pionier.
PYETJA 1: «Disa thonë se shërbimi si pionier nuk është për të gjithë. Si mund ta kuptoj nëse është për mua?»
2 Përgjigjja varet nga rrethanat dhe detyrimet e tua biblike. Ka shumë persona të cilët shëndeti apo situata aktuale e jetës, nuk i lejon që të kushtojnë 90 orë shërbim në muaj. Si për shembull, shumë motra besnike, të cilat janë gra të krishtere edhe nëna. Ato marrin pjesë në shërbim sa herë që munden, deri në atë masë që ua lejojnë rrethanat. Kur u jepen mundësitë, shërbejnë si pioniere ndihmëse një ose më shumë muaj në vit, duke korrur gëzimin që vjen nga zgjerimi i pjesëmarrjes në shërbim. (Gal. 6:9) Edhe pse tani për tani rrethanat nuk i lejojnë që të shërbejnë si pioniere në kohë të plotë, ato nxitin frymën e pionierit dhe janë një bekim për kongregacionin, si lajmëtare të zellshme të lajmit të mirë.
3 Nga ana tjetër, shumë vëllezër dhe motra që janë relativisht të lirë prej detyrimeve, kanë bërë vend për shërbimin si pionier duke rregulluar përparësitë e tyre. Po ti? A je një i ri që ke mbaruar shkollën? A je një grua që ke një burrë që mund të sigurojë mjaftueshëm për familjen? A jeni një çift që nuk keni fëmijë nën varësi. A jeni një pensionist? Për të shërbyer ose jo si pionier, është një vendim për të cilin çdo person duhet të vendosë vetë. Pyetja është: A mund të bësh vend në jetën tënde për të shërbyer si pionier?
4 Satanai e përdor sistemin e tij botëror të gjërave, që të na e mbushë jetën me aktivitete shpërqendruese e të na përpijë në një mënyrë jetese egoiste. Nëse jemi të vendosur për të mos mbetur pjesë e botës, Jehovai do të na ndihmojë që t’i mbajmë interesat e Mbretërisë në vend të parë dhe të synojmë e të përqafojmë të gjitha privilegjet e shërbimit teokratik, që janë vënë në dispozicionin tonë. Nëse mund t’i rregullosh rrethanat e tua, në mënyrë që të shërbesh si pionier, përse të mos e bësh?
PYETJA 2: «Si mund të jem i sigurt se do të mund t’ia dal nga ana financiare gjatë këtij shërbimi në kohë të plotë?»
5 Është e vërtetë që në shumë vende, orët e punës të kërkuara çdo javë për të siguruar atë që konsiderohet si e nevojshme për jetën, gjatë viteve janë rritur. Megjithatë, shumë vetë kanë shërbyer si pionierë për dekada të tëra dhe Jehovai vazhdon t’i mbështetë. Për të pasur sukses si pionier, nevojitet besim dhe një frymë vetë-sakrifice. (Mat. 17:20) Psalmi 34:10 na siguron se ‘atyre që kërkojnë Jehovain nuk do t’u mungojë ndonjë gjë e mirë’. (BR) Kushdo që fillon shërbimin si pionier, duhet ta bëjë këtë me besim të plotë se Jehovai do të kujdeset për të. Ai po bën pikërisht këtë për pionierët e besueshëm kudo që ndodhen! (Psal. 37:25) Natyrisht, në harmoni me parimet në 2. Selanikasve 3:8, 10 dhe në 1. Timoteut 5:8, pionierët nuk presin që të tjerët t’i mbështetin financiarisht.
6 Secili që ka ndër mend shërbimin si pionier, duhet të bëjë siç tha Jezui: «Në fillim të ulet e të llogaritë shpenzimet.» (Luka 14:28, BR) Bërja e kësaj tregon mençuri praktike. Fol me ata që kanë shërbyer me sukses si pionierë për mjaft vite. Pyeti se si i ka mbështetur Jehovai. Mbikëqyrësi juaj qarkor është një pionier me përvojë, i cili do të jetë i lumtur t’ju ofrojë sugjerime, mbi atë se si të keni sukses në shërbimin e plotëkohor.
7 Një person mund të mos e përjetojë kurrë plotësisht vërtetësinë e premtimit të Jezuit në Mateun 6:33, po të mos e vërë veten në duart e Jehovait. Një pioniere e besueshme tregoi: «Kur unë me partneren time mbërritëm në një caktim të ri si pionere, kishim vetëm pak zarzavate, pak margarinë dhe asnjë lek. Ushqimin e mbaruam për darkë dhe thamë: “Tani, për nesër s’kemi asgjë.” U lutëm për këtë gjë dhe shkuam të flemë. Të nesërmen herët në mëngjes, një Dëshmitare e zonës na vizitoi dhe u prezantua duke thënë: ‘U luta që Jehovai të dërgonte pionierë. Tani unë mund t’ju shoqëroj pjesën më të madhe të ditës, por meqë jetoj jashtë qytetit, më duhet të ha drekë me ju, prandaj e solla këtë ushqim me vete për ne të trija.’ Ishte një sasi e madhe mishi dhe zarzavatesh.» S’është për t’u habitur që Jezui na dha sigurinë për ‘të mos qenë në ankth për shpirtrat tanë’! Më pas ai shtoi: «Cili nga ju duke qenë në ankth, mund t’i shtojë një kubit të vetëm jetës së tij?»—Mat. 6:25, 27, BR.
8 Bota përreth nesh po bëhet gjithnjë e më materialiste. Presioni në rritje po ushtron ndikim mbi ne që të na konformojë. Megjithatë, kur e çmojmë përulësisht shërbimin e plotëkohor, ndihemi të kënaqur me pak në aspektin financiar. (1. Tim. 6:8) Pionierët që mbajnë një jetë të thjeshtë e të rregullt, kanë më shumë kohë për shërbimin dhe fitojnë gëzim dhe forcë frymore më të madhe, duke u mësuar të tjerëve të vërtetën. Megjithëse nuk përpiqen të bëjnë një jetë asketike, vëmendja e ekuilibruar ndaj gjendjes së tyre ekonomike, u ka mundësuar që të gëzojnë bekimet e shërbimit si pionier.
9 Nëse e ndjen thellësisht se po jetojmë në ditët e fundit dhe se koha e kësaj bote të vjetër po mbaron, do të jesh i nxitur frymësisht, që të bësh sakrificat e nevojshme për të predikuar lajmin e mirë sa herë që të jepet mundësia. Duke i hedhur një vështrim tjetër situatës tënde ekonomike dhe duke e lënë çështjen në duart e Jehovait, mund të kuptosh se mund t’i shërbesh atij në kohë të plotë. Edhe nëse të duhet të heqësh dorë nga disa dëshira materiale me qëllim që të shërbesh si pionier, do të gëzosh bekimet e pasura të Jehovait.—Psal. 145:16.
PYETJA 3: «Meqë jam një adoleshent, përse duhet ta konsideroj shërbimin e pionierit si një karrierë të mundshme?»
10 Ndërsa përfundon vitet e fundit të arsimimit, është e natyrshme të mendosh mbi të ardhmen. Ti do që ajo të jetë e sigurt, e lumtur dhe e kënaqshme. Mësuesit kujdestarë të shkollës mund të përpiqen të të orientojnë drejt një karriere fitimprurëse që kërkon një arsimim me vite në universitet. Ndërgjegjja e krishterë e stërvitur mirë, të thotë se duhet të përgatitesh për t’i shërbyer Jehovait sa më plotësisht që është e mundur. (Ekl. 12:1) Së fundi, mund të mendosh edhe rreth martesës dhe krijimit të familjes. Çfarë do të bësh?
11 Vendimet që merr në këtë periudhë të jetës, mund të përcaktojnë të gjithë të ardhmen tënde. Nëse tashmë je një Dëshmitar i dedikuar dhe i pagëzuar i Jehovait, ia ke dhënë veten me gjithë shpirt Jehovait. (Hebr. 10:7) Me rastin e parë që të jepet, përpiqu të jesh pionier ndihmës për një ose më shumë muaj. Kështu do të mund të shijosh gëzimet dhe përgjegjësitë që vijnë nga shërbimi si pionier i rregullt e pikëpamja jote mbi atë që do të bësh në jetë, do të bëhet pa dyshim më e qartë. Pastaj, në vend se ta mbushësh boshllëkun që krijohet me një punë plotëkohore, përse të mos fillosh si pionier i rregullt? Disa që e shtynë për më vonë shërbimin e pionierit, u penduan që nuk filluan më shpejt.
12 Si i ri që je, përfito nga mundësitë për të ndjekur synimin si beqar dhe gëzo dobitë që jep kjo gjë në aktivitetin e predikimit në kohë të plotë. Nëse një ditë dëshiron të martohesh, nuk mund të vendosësh themel më të mirë për martesën sesa duke shërbyer në fillim në veprën si pionier i rregullt. Ndërsa rritesh në pjekuri dhe nga ana frymore, mund të zgjedhësh si karrierën tënde shërbimin e pionierit, duke pasur si partner një bashkëshort me të njëjtin synim. Disa çifte që kanë shërbyer së bashku si pionierë kanë shkuar në veprën qarkore apo në shërbimin si misionar. Një mënyrë jetese me të vërtetë e kënaqshme!
13 Pavarësisht se sa kohë vazhdon si pionier, do ta plotësosh arsimimin tënd e do të marrësh një stërvitje tepër të çmuar që asnjë profesion mbi tokë nuk mund të ta sigurojë. Shërbimi si pionier të mëson disiplinën, organizimin personal, si t’i trajtosh njerëzit, varësinë ndaj Jehovait dhe si të zhvillosh durimin e dashamirësinë, cilësi që do të të pajisin për të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha.
14 Jeta nuk ka qenë kurrë më e pasigurt se sot për njerëzimin. Pak gjëra janë me të vërtetë të qëndrueshme, përveç asaj që ka premtuar Jehovai. Meqë e ardhmja shtrihet përpara teje, a mund të ketë kohë më të mirë se tani për t’i kushtuar një vëmendje serioze asaj që do të bësh me jetën tënde gjatë viteve të ardhshme? Shqyrtoje me kujdes privilegjin për të qenë një pionier. Kurrë nuk do të pendohesh që zgjodhe si karrierë tënden shërbimin e pionierit.
PYETJA 4: «A nuk është një presion i vazhdueshëm plotësimi i orëve të kërkuara? Po sikur të mbetem prapa me orët?»
15 Kur plotëson kërkesën si pionier i rregullt, duhet t’i përgjigjesh pyetjes: «E ke organizuar punën tënde personale që në një mënyrë të arsyeshme mund të plotësosh kërkesën vjetore prej 1.000 orësh?» Për të plotësuar këtë, të duhen mesatarisht tri orë në ditë shërbim. Është e qartë, kjo gjë kërkon një programim të mirë dhe vetëdisiplinim. Shumica e pionierëve zhvillojnë një rutinë praktike, të realizueshme brenda pak muajsh.
16 Megjithatë, Eklisiastiu 9:11, në mënyrë realiste thotë: ‘Koha dhe ngjarja e paparashikuar u ndodh të gjithëve’. (BR) Një sëmundje serioze ose rrethana të tjera të paparashikuara, mund të shkaktojnë që një pionier të mbetet prapa me orët. Nëse problemi nuk zgjat shumë dhe ndodh në fillim të vitit të shërbimit, e gjitha që mund të kërkohet është bërja e një programi intensiv për të rifituar kohën e humbur. Por, po sikur të lindë ndonjë problem serioz gjatë muajve të fundit të vitit të shërbimit dhe pionieri të mos arrijë të plotësojë kërkesën?
17 Nëse je përkohësisht i sëmurë për disa muaj ose për disa arsye të tjera urgjente, jashtë kontrollit tënd, nuk mund t’i plotësosh orët e kërkuara, mund t’i afrohesh njërit prej anëtarëve të Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit dhe t’i shpjegosh problemin. Nëse këta pleq mendojnë se do të ishte me vend të të lejonin që të vazhdoje në shërbimin e pionierit pa u shqetësuar për kompensimin e kohës së humbur, ata mund ta marrin këtë vendim. Sekretari do të shënojë në kartelën e Regjistrimit të Lajmëtarit të Kongregacionit se ty nuk të është kërkuar që të kompensosh kohën e humbur. Kjo nuk është një leje për t’u larguar, por përkundrazi, është një konsideratë e veçantë për rrethanat e tua.—Shiko shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, gusht 1986, paragrafi 18, anglisht.
18 Pionierët me përvojë, grumbullojnë një rezervë orësh në fillim të vitit të shërbimit. Ata i japin prioritet shërbimit të tyre si pionierë, kështu që disa herë e shohin të nevojshme të zvogëlojnë aktivitetet jothelbësore. Nëse një pionier mbetet prapa për shkak të një programi të varfër apo sepse i mungon vetëdisiplina, duhet ta kuptojë se është përgjegjësia e tij për të kompensuar kohën e humbur dhe të mos presë konsideratë të veçantë.
19 Ka raste kur një pionier përjeton një ndryshim të pashmangshëm në rrethanat e tij. Ai mund të shohë se nuk mund t’i plotësojë orët e kërkuara për një periudhë të gjatë kohe, për shkak të një problemi të vazhdueshëm shëndetësor, rritjes së përgjegjësisë familjare etj. Në këtë rast, do të ishte e mençur t’u kthehej radhëve të lajmëtarëve dhe të shërbente sa herë që të kishte mundësi si pionier ndihmës. S’ka ndonjë rregull që dikush mund të qëndrojë në listën e pionierëve, nëse rrethanat e tij nuk e lejojnë më që të plotësojë orët e kërkuara.
20 Ne shpresojmë se masa e dhënies së një konsiderate të veçantë atyre që kualifikohen, do të inkurajojë të tjerë akoma për t’u regjistruar në shërbimin si pionier, pa u shqetësuar në mënyrë të panevojshme. Do të inkurajojë, gjithashtu, edhe ata që tashmë janë në shërbimin e plotëkohor, që të vazhdojnë si pionierë. Ne duam që pionierët të kenë sukses në shërbimin e tyre të plotëkohor.
PYETJA 5: «Unë dua të kryej diçka e të jem i lumtur për këtë. A do të më kënaqë shërbimi si pionier?»
21 Lumturia e vërtetë varet në një masë të madhe nga pasja e një marrëdhënieje personale me Jehovain dhe bindja se po i shërbejmë me besnikëri. Jezui duroi një shtyllë mundimesh «për gëzimin që ishte vënë para tij». (Hebr. 12:2, BR) Lumturia e tij erdhi nga bërja e vullnetit të Perëndisë. (Psal. 40:8) Në sistemin e tanishëm të gjërave, mund të gëzojmë lumturi të vërtetë, nëse shumica e aktiviteteve tona lidhet me adhurimin që i japim Jehovait. Aktivitetet frymore na bëjnë të ndiejmë se kemi një qëllim, pasi thellë thellë e dimë se po bëjmë atë që është e drejtë. Lumturia vjen duke dhënë dhe e dimë se nuk ka mënyrë më të mirë për ta dhënë veten, sesa duke u mësuar të tjerëve se si të fitojnë jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë.—Vep. 20:35.
22 Pionieri i përmendur në fillim e shpjegoi këtë në këtë mënyrë: «A mund të ketë gëzim më të madh se të shohësh dikë me të cilin studion, tek bëhet një lavdërues aktiv i Jehovait? Është prekëse dhe të forcohet besimi kur sheh se sa fuqishëm i nxit njerëzit Fjala e Perëndisë që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre për t’i pëlqyer Jehovait.» (Shiko Kullën e Rojës, 15 tetor 1997, faqet 18-23) Pra, çfarë të sjell ty lumturi? Nëse në vend të gëzimit të përkohshëm që ofron bota, ti vlerëson këto përpjekje të vazhdueshme që ia vlejnë, atëherë, shërbimi si pionier do të bëjë që të ndihesh i plotë në vetvete, gjë që do të të bëjë me të vërtetë të lumtur.
PYETJA 6: «Nëse nuk është kusht për jetën e përhershme, a nuk është e drejta ime që të zgjedh për të shërbyer ose jo si pionier?»
23 Vërtet, vendimi për t’u bërë pionier duhet të jetë yti. Vetëm Jehovai mund t’i gjykojë rrethanat e tua personale të jetës. (Rom 14:4) Ai me të drejtë pret që t’i shërbesh me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. (Mar. 12:30; Gal. 6:4, 5) Ai do një dhurues të gatshëm, një që i shërben me gëzim, jo nga zori apo detyrimi. (2. Kor. 9:7; Kolos. 3:23) Arsyeja jote për të shërbyer në kohë të plotë, duhet të jetë dashuria për Jehovain dhe njerëzit në territor. (Mat. 9:36-38; Mar. 12:30, 31) Nëse e ndien këtë gjë, atëherë shërbimi si pionier do të meritonte një konsideratë serioze nga ana jote.
24 Shpresojmë se ajo që u paraqit këtu do të të ndihmojë të peshosh mundësitë që ke për të qenë një pionier. A mund t’i rregullosh rrethanat e tua për të shërbyer si pionier i rregullt? Më poshtë gjendet i shtypur një kalendar me titull «Programi im Javor për Shërbimin si Pionier». Shih nëse mund të hartosh një program praktik për veten, që të lejon të llogaritësh rreth 23 orë shërbimi çdo javë. Pastaj, beso plotësisht dhe mbështetu te Jehovai. Me ndihmën e tij mund t’ia dalësh mbanë! Ai ka premtuar: «Unë . . . me të vërtetë do të derdh mbi ju një bekim të tillë, aq sa të mos kini më nevojë.»—Mal. 3:10, BR.
25 Prandaj, të pyesim: «A është për ty shërbimi si pionier?» Nëse mund të thuash «po», vendos sa më shpejt një datë për të filluar në këtë shërbim dhe ji i sigurt se Jehovai do të të bekojë me një jetë të gëzueshme!
[Tabela në faqen 6]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Programi im javor për shërbimin si pionier
E HËNË Mëngjes shërbim
E MARTË Mëngjes shërbim
E MËRKURË Mëngjes shërbim
E ENJTE Mëngjes shërbim
E PREMTE Mëngjes shërbim
E SHTUNË Mëngjes shërbim
E DIEL Mëngjes shërbim
E HËNË Pasdite shërbim
E MARTË Pasdite shërbim
E MËRKURË Pasdite shërbim
E ENJTE Pasdite shërbim
E PREMTE Pasdite shërbim
E SHTUNË Pasdite shërbim
E DIEL Pasdite shërbim
E HËNË Mbrëmje shërbim
E MARTË Mbrëmje shërbim
E MËRKURË Mbrëmje shërbim
E ENJTE Mbrëmje shërbim
E PREMTE Mbrëmje shërbim
E SHTUNË Mbrëmje shërbim
E DIEL Mbrëmje shërbim
Përdor një laps për të shënuar programin tënd për çdo ditë të javës.
Programo një shumë prej rreth 23 orësh çdo javë në shërbim. Shuma e orëve të programuara në javë ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․