Pionierët ndihmojnë të tjerët
1 Jezui tha: «E korra në të vërtetë është e madhe, kurse punëtorë janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrës që të dërgojë punëtorë në të korrën e vet.» Pasi korrësit në shekullin e parë ishin të paktë në numër dhe kishin shumë territor për të mbuluar, Jezui mund t’i kishte drejtuar që të arrinin sa më shumë njerëz që ishte e mundur me lajmin e mirë, duke i dërguar ata veç e veç. Në vend të kësaj, ai «i dërgoi dy e nga dy». (Luka 10:1, 2, BR) Përse nga dy?
2 Ata dishepuj ishin të rinj dhe pa përvojë. Duke punuar së bashku ata mund të mësonin dhe ta inkurajonin njëri-tjetrin. Siç tha Solomoni, «dy janë më mirë se një». (Ekl. 4:9, 10, BR) Edhe pasi fryma e shenjtë u derdh në Rëshajët e vitit 33 të e.s., Pavli, Barnaba dhe të tjerë, i shoqëruan besimtarët e tjerë në shërbim. (Vep. 15:35) Çfarë privilegji duhet të ketë qenë për disa, që të stërviteshin personalisht nga këta burra të aftë!
3 Një program i shkëlqyer stërvitjeje: Ashtu si ekuivalenti i tij i shekullit të parë, kongregacioni i sotëm i krishterë, është një organizatë që predikon. Gjithashtu, ai na siguron stërvitjen që nevojitet. Si individë, duhet të kemi dëshirën e sinqertë për ta prezantuar lajmin e mirë në mënyrë sa më të efektshme që është e mundur. Me qëllim që sa më shumë lajmëtarë të mund ta përmirësojnë efektshmërinë e tyre, është siguruar mbështetje.
4 Në Shkollën e Shërbimit Teokratik të mbajtur kohët e fundit, Shoqata njoftoi një program për pionierët, me qëllim që t’i ndihmojnë të tjerët në shërbimin në fushë. A nevojitet kjo gjë? Po. Mbi një milion lajmëtarë janë pagëzuar këto tri vitet e fundit dhe shumë prej tyre duhen stërvitur që të bëhen më të efektshëm në veprën e predikimit. Cilët mund të përdoren për të plotësuar këtë nevojë?
5 Pionierët në kohë të plotë. Organizata e Jehovait u siguron atyre shumë këshilla dhe stërvitje. Pionierët marrin udhëzimin që i përshtatet nevojave të tyre, në Shkollën dyjavëshe të Shërbimit për Pionierë. Ata përfitojnë, gjithashtu, nga mbledhjet me mbikëqyrësin qarkor dhe krahinor, si edhe nga udhëheqja e pleqve. Megjithëse jo të gjithë pionierët janë me aq përvojë sa Pavli dhe Barnaba, ata kanë marrë një stërvitje të vlefshme, të cilën janë të lumtur që ta ndajnë.
6 Kush do të përfitojë? A është e kufizuar pjesëmarrja në këtë program për lajmëtarët e rinj ose të sapopagëzuarit? Në asnjë mënyrë! Ka persona më të rinj dhe më të moshuar që e kanë njohur të vërtetën prej vitesh, por që do ta çmonin të ndihmoheshin në disa aspekte të shërbimit. Disa bëjnë një punë të shkëlqyer në shpërndarjen e literaturës, por kanë vështirësi për të bërë rivizita apo për të filluar studime biblike. Të tjerë, mund ta kenë të lehtë të fillojnë studime, por vërejnë se studentët e tyre nuk bëjnë progres. Çfarë po i pengon ata? Pionierët me përvojë mund të kërkohen që të ofrojnë ndihmë në këto aspekte. Disa pionierë janë të efektshëm në kultivimin e interesit, fillimin e studimeve biblike dhe drejtimin e studentëve të rinj drejt organizatës. Përvoja e tyre do të jetë e dobishme në këtë program të ri.
7 A ke vërejtur se programi yt nuk të lejon që të mbështetësh mbledhjet e rregullta për shërbimin në fushë, aq sa ti do të dëshiroje? Një pionier mund të punojë me ty herë pas here kur lajmëtarët e tjerë nuk janë në dispozicion.
8 Nevojitet bashkëpunim i mirë: Dy herë në vit, pleqtë do të bëjnë rregullime për lajmëtarët që dëshirojnë mbështetje personale që të marrin pjesë në programin Pionierët ndihmojnë të tjerët. Nëse pranon të marrësh një ndihmë të tillë, bashkë me lajmëtarin pionier që është caktuar për të të ndihmuar, përpilo një program praktik për shërbimin dhe përmbaju atij. Respekto çdo takim. Ndërsa punoni së bashku, vër re mënyrat efektive të prezantimit të lajmit të mirë. Analizo se përse disa lloj ofrimesh janë të efektshme. Shqyrto sugjerimet që mund të të japë lajmëtari pionier, për të përmirësuar prezantimin tënd. Ndërsa i zbaton gjërat e mësuara, përparimi yt në shërbim do të jetë i dukshëm si për ty, ashtu edhe për të tjerët. (Shiko 1. Timoteut 4:15.) Punoni së bashku sa më shpesh që të jetë e mundur, duke marrë pjesë në të gjitha aspektet e shërbimit, duke përfshirë edhe dëshminë joformale, por duke u përqendruar në çdo aspekt të veçantë, ku ke nevojë për mbështetje personale.
9 Mbikëqyrësit të shërbimit i intereson progresi që do të bëhet. Herë pas here, ai do të konsultohet me drejtuesin e Studimit të Librit të Kongregacionit, për të parë se si po përfiton ti nga programi. Edhe mbikëqyrësi qarkor do të të ndihmojë kur viziton kongregacionin.
10 Jehovai dëshiron që populli i tij të jetë i stërvitur dhe «i pajisur për çdo vepër të mirë». (2. Tim. 3:17, BR) Shikoje rregullimin Pionierët ndihmojnë të tjerët si një masë e shkëlqyer për të ndihmuar ata që dëshirojnë të përmirësojnë aftësinë e tyre për të predikuar fjalën. Nëse ke privilegjin të marrësh pjesë në të, bëje këtë me mirënjohje, përulësi dhe gëzim.