Të shprehim mirënjohjen për dhuratën më të madhe të Perëndisë
1. Pse i jemi në veçanti mirënjohës Jehovait?
1 Nga shumë ‘dhurata të mira’ që na ka bërë Jehovai, shpërblesa që siguroi me anë të Birit të tij të shtrenjtë është më e madhja. (Jak. 1:17) Falë saj kemi shumë bekime, përfshirë edhe faljen e mëkateve. (Efes. 1:7) Për këtë jemi gjithmonë mirënjohës. Sidomos gjatë periudhës së Përkujtimit, ndalemi për të medituar rreth kësaj dhurate të çmuar.
2. Si mund ta rritim mirënjohjen për shpërblesën personalisht dhe si familje?
2 Të rritim mirënjohjen: Që të rritni mirënjohjen e familjes suaj në javët para Përkujtimit, i cili do të mbahet më 30 mars, pse të mos përdorni ca kohë gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar për të rishikuar informacione rreth shpërblesës? Gjithashtu, si familje ndiqni çdo ditë programin e veçantë të leximit të Biblës për Përkujtimin. Meditoni se si ju ka sjellë dobi shpërblesa dhe si ka ndikuar në pikëpamjen tuaj për Jehovain, veten, të tjerët dhe të ardhmen. Gjithashtu, do të jetë dobiprurëse të këndoni herë pas here dy këngët e reja me numër 8 dhe 109 që do të përdoren në Përkujtim.—Psal. 77:12.
3. Si mund ta shprehim mirënjohjen?
3 Shprehje mirënjohjeje: Mirënjohja për shpërblesën na shtyn t’u flasim të tjerëve për Jehovain dhe për dashurinë e madhe që tregoi duke dërguar Birin e tij. (Psal. 145:2-7) Gjatë marsit, prillit dhe majit, disa familje e shprehim mirënjohjen duke u organizuar në atë mënyrë që të paktën një familjar të shërbejë si pionier ndihmës. Nëse kjo nuk është e mundur, a mund ‘të blini kohë’ për të rritur pjesëmarrjen në shërbim? (Efes. 5:16) Mirënjohja do të na nxitë edhe t’i ndihmojmë të tjerët të ndjekin Përkujtimin bashkë me ne. (Zbul. 22:17) Filloni duke bërë një listë me rivizitat, studentët e Biblës, të afërmit, kolegët e punës dhe fqinjët, që t’i ftoni, dhe më pas merrni pjesë plotësisht në fushatën e veçantë për shpërndarjen e ftesave të Përkujtimit.
4. Në cilat mënyra mund ta shfrytëzojmë me mençuri periudhën e Përkujtimit?
4 Periudha e Përkujtimit krijon mundësi të reja për t’i treguar Jehovait se sa shumë e çmojmë dhuratën e tij për njerëzimin. Le ta përdorim këtë kohë për të rritur e për të shprehur mirënjohjen për shpërblesën dhe për të gjithë «pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit».—Efes. 3:8.