‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
1. Çfarë do të shqyrtojmë në Studimin e Biblës në Kongregacion që nga java që fillon më 14 mars?
1 Javën që fillon më 14 mars 2011, në Studimin e Biblës në Kongregacion do të fillojmë të shqyrtojmë librin ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë. Ky botim e shqyrton librin e Veprave në mënyrë të atillë që lexuesi të ndiejë emocionin e ngjarjeve dinamike që janë dokumentuar aty. Libri Të japim dëshmi nuk bën një shqyrtim varg për varg, por nxjerr mësime nga tregimet e Veprave dhe na ndihmon të kuptojmë se si mund t’i zbatojmë personalisht.—Rom. 15:4.
2. Shpjego disa nga veçoritë e librit Të japim dëshmi.
2 Veçori të librit: Në faqen 2 gjendet një letër e ngrohtë nga Trupi Udhëheqës i cili shpreh dëshirën që ne të nxjerrim sa më shumë dobi nga ky botim. Në fillim të çdo kapitulli, duke nisur nga kapitulli 2, jepet një fjali që përmbledh thelbin e atij kapitulli dhe vargjet biblike nga libri i Veprave që do të shqyrtohen. Shumë nga kapitujt përmbajnë kuti me të dhëna për njerëz, vende dhe ngjarje të ndryshme. Anës tekstit, në çdo faqe ka vend të mjaftueshëm për të mbajtur shënime. I gjithë libri përmban ilustrime mjaft të hollësishme të skenave biblike që të na ndihmojnë të përfytyrojmë ngjarje të rëndësishme dhe në faqen e fundit ka një tregues figurash ku jepet shpjegimi i figurave të ndryshme. Nga brenda kapakëve të librit ka harta që na ndihmojnë të ndjekim veprimtarinë e bashkadhuruesve në shekullin e parë kur filluan të përhapnin lajmin e mirë «deri në skajin më të largët të tokës».—Vep. 1:8.
3. Çfarë përgjigjesh të rëndësishme do të marrim gjatë studimit të librit të Veprave?
3 U jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme: Shqyrtimi i librit të Veprave do të na ndihmojë të dallojmë qartë përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme lidhur me shërbimin e krishterë. Për shembull, cila është vepra dhe cili është mesazhi që identifikon dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit? Kush e drejton këtë vepër predikimi në mbarë botën dhe si? Çfarë mundësish u krijon lajmëtarëve përndjekja dhe kundërshtimi? Ç’rol luan fryma e shenjtë në shërbimin tonë?
4. Si mund të përfitojmë sa më shumë nga shqyrtimi i këtij botimi?
4 Që të përfitosh sa më shumë, studioje materialin paraprakisht dhe përgatitu për të komentuar gjatë shqyrtimit në kongregacion. Përpiqu të jesh i pranishëm në çdo mbledhje dhe medito se si mund t’i zbatosh në shërbim mësimet që nxjerr. Urojmë që shqyrtimi i këtij botimi të bukur të na nxitë të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë!—Vep. 28:23.