Dëshmi rrugore e efektshme
1. Cila është një nga mënyrat se si imitojmë Jezuin?
1 Gjatë shërbimit në tokë, Jezui nuk ngurronte të fliste me njerëz që takonte rrugës ose në vende të tjera publike. (Luka 9:57-61; Gjoni 4:7) Ai donte t’ua jepte mesazhin e tij të rëndësishëm sa më shumë njerëzve. Sot, dëshmia rrugore është një mënyrë e shkëlqyer për t’i ndihmuar njerëzit të fitojnë mençurinë hyjnore. (Prov. 1:20) Shërbimi ynë do të jetë më i suksesshëm nëse marrim iniciativën dhe përdorim aftësi dalluese.
2. Pse kërkohet iniciativë kur japim dëshmi rrugore?
2 Merrni iniciativën: Në përgjithësi është më mirë t’u afrohemi njerëzve, sesa të rrimë në këmbë ose ulur duke pritur që kalimtarët të na afrohen vetë. Buzëqeshni, shihini në sy dhe veproni me qetësi e në mënyrë miqësore. Nëse jeni me lajmëtarë të tjerë, zakonisht është më mirë t’u afroheni njerëzve më vete. Duhet iniciativë edhe për të ndjekur interesin që tregojnë. Nëse është e përshtatshme, në fund të bisedës, pyeteni me mirësjellje se si mund të kontaktoni përsëri me ta. Disa lajmëtarë japin dëshmi rrugore në të njëjtin vend rregullisht. Kjo u jep mundësi të flasin shpesh me të njëjtët persona dhe të ndjekin interesin e tyre.
3. Si mund të përdorim aftësi dalluese kur japim dëshmi rrugore?
3 Përdorni aftësi dalluese: Gjykoni mirë kur vendosni në ç’pjesë të rrugës të qëndroni dhe kujt t’i afroheni. Nuk është e nevojshme që të flisni me çdo kalimtar. Vëzhgoni me kujdes. Për shembull, nëse nxitojnë, është më mirë të mos i ndaloni. Nëse jepni dëshmi përballë një dyqani ose një vendi pune, jini të matur që të mos e shqetësoni më kot administratorin. Shpesh është më mirë t’u dëshmoni njerëzve kur dalin, sesa kur hyjnë në këto vende. Afrojuni në një mënyrë që të mos i trembni. Gjithashtu, përdorni aftësi dalluese kur ofroni literaturë. Nëse nuk tregojnë shumë interes, në vend të revistës, mund t’u jepni një fletushkë.
4. Pse dëshmia rrugore është një formë shërbimi dobiprurëse dhe e këndshme?
4 Dëshmia rrugore na jep mundësi të shpërndajmë shumë fara të së vërtetës brenda pak kohe. (Ekl. 11:6) Disa që takojmë, mund të jenë nga ata që nuk arrijmë t’i gjejmë kur predikojmë shtëpi më shtëpi. Pse të mos marrim masa të japim dëshmi rrugore, që është një formë shërbimi e këndshme dhe e efektshme?