Të përdorim fletushkat për të përhapur lajmin e mirë
1. Si i ka përdorur populli i Perëndisë fletushkat?
1 Populli i Jehovait i ka përdorur prej kohësh fletushkat biblike për të përhapur lajmin e mirë. Në vitin 1880, Ç. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të nxirrnin Fletushkat e Studentëve të Biblës dhe ua jepnin lexuesve të revistës Kulla e Rojës për t’ia shpërndarë publikut të gjerë. Ato konsideroheshin kaq të rëndësishme, sa në vitin 1884, kur Ç. T. Rasëlli regjistroi një korporatë ligjore jofitimprurëse për të çuar përpara interesat e Mbretërisë, fjala «fletushkë» (në anglisht tract) u përfshi në emrin e korporatës Zion’s Watch Tower Tract Society, që tani quhet Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Aty nga viti 1918, ishin shpërndarë nga Studentët e Biblës më tepër se 300 milionë fletushka. Edhe sot fletushkat vazhdojnë të jenë një mjet i efektshëm në predikim.
2. Pse janë të efektshme fletushkat?
2 Pse janë të efektshme? Fletushkat janë plot ngjyra dhe tërheqëse për syrin. Mesazhi i përmbledhur në to është mjaft interesant dhe informues. Janë të përshtatshme për njerëzit në territor që tremben nga revistat ose librat. Prezantohen lehtë, madje edhe nga lajmëtarët e rinj e fëmijët. Për më tepër, janë të vogla dhe mbahen kollaj.
3. Tregoni një përvojë tuajën ose nga botimet tona që tregon vlerën e fletushkave.
3 Shumë njerëz kanë dëgjuar për herë të parë për të vërtetën me anë të një fletushke. Për shembull, një grua nga Haiti gjeti një fletushkë në rrugë. E mori, e lexoi dhe tha me entuziazëm: «Gjeta të vërtetën!» Pastaj shkoi në Sallën e Mbretërisë, filloi një studim biblik dhe u pagëzua. E gjithë kjo vetëm nga fuqia e Fjalës së Perëndisë që gjendej në një fletushkë.
4. Çfarë qëllimi kemi kur fletushkat janë ofertë e muajit?
4 Shtëpi më shtëpi: Ngaqë fletushkat janë të efektshme në predikim, herë pas here do të jenë ofertë e muajit duke filluar nga nëntori. Qëllimi ynë nuk është vetëm të japim fletushka, por të fillojmë biseda nëpërmjet tyre. Nëse tregon interes herën e parë ose herën e dytë që e vizitojmë, mund t’i tregojmë si bëhet një studim biblik duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? ose një botim tjetër për studim. Si mund të ofrohen fletushkat nga shtëpia në shtëpi? Çdo fletushkë është ndryshe nga të tjerat, prandaj duhet t’i njohim mirë ato që ofrojmë.
5. Si mund t’i ofrojmë fletushkat nga shtëpia në shtëpi?
5 Prezantimi ynë duhet të përshtatet sipas territorit dhe fletushkës që po përdorim. Mund ta fillojmë bisedën duke i dhënë fletushkën të zotit të shtëpisë. Faqja e parë tërheqëse mund t’i ngjallë interes. Ose mund t’i tregojmë disa fletushka dhe ta lëmë të zgjedhë atë që i pëlqen. Kur predikojmë në territore ku njerëzit ngurrojnë të hapin derën, mund ta mbajmë fletushkën në një vend që i zoti i shtëpisë ta shohë faqen e parë, ose mund ta pyesim nëse mund të fusim diçka poshtë derës për të cilën do të donim mendimin e tij. Nëse titulli i fletushkës është në formë pyetjeje, mund t’i kërkojmë mendimin e tij për të. Në të kundërt, mund të mendojmë vetë një pyetje që ngjall interes dhe që mund të hapë një bisedë. Pastaj mund të lexojmë një pjesë nga fletushka duke ndaluar te pyetjet në tekst dhe duke e ftuar të shprehë mendimin. Shkrimet kryesore mund t’i lexojmë nga Bibla. Pasi të shqyrtojmë një pjesë nga materiali, mund ta mbyllim bisedën dhe të lëmë takim për t’u kthyer. Nëse normalisht si kongregacion lini literaturë kur nuk gjeni njeri në shtëpi, mund të lini një fletushkë në një vend ku nuk e shohin kalimtarët.
6. Si mund të përdoren fletushkat gjatë dëshmisë rrugore?
6 Dëshmia rrugore: A i keni përdorur fletushkat gjatë dëshmisë rrugore? Disa kalimtarë janë me nxitim dhe nuk ndalojnë të bisedojnë me ne. Kështu, vështirë se mund të kuptohet nëse kanë vërtet interes. Prandaj, në vend që t’u japim revistat më të fundit pa ditur nëse do t’i lexojnë, më mirë t’u lëmë fletushka. Ngaqë faqja e parë është tërheqëse dhe teksti i shkurtër, nga kureshtja njerëzit mund ta lexojnë fletushkën kur të kenë pak kohë të lirë. Kuptohet, nëse nuk janë me nxitim, mund të shqyrtojmë me ta një pjesë nga fletushka.
7. Thoni përvoja që tregojnë se si mund të përdoren fletushkat për të dhënë dëshmi joformale.
7 Dëshmia joformale: Është e lehtë të japësh dëshmi joformale me fletushka. Një vëlla fut disa në xhep sa herë del nga shtëpia. Kur takon dikë, për shembull ndonjë shitës, thjesht i thotë se do që t’i lërë diçka për të lexuar dhe i zgjat një fletushkë. Kur një çift shkoi në Nju-Jork për të vizituar qytetin, menduan se do të takonin njerëz nga vende të ndryshme. Prandaj morën me vete broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve dhe disa fletushka në gjuhë të ndryshme. Pastaj, kur dëgjonin dikë që fliste në gjuhë të huaj, si për shembull ndonjë që shiste në anë të rrugës ose që ishte ulur afër tyre në park a restorant, i ofronin një fletushkë në gjuhën e tij.
8. Në ç’kuptim fletushkat janë si farat?
8 «Mbille farën»: Fletushkat janë si fara. Bujku e hedh farën me bollëk sepse nuk e di cila do të mbijë dhe do të çelë. Eklisiastiu 11:6 thotë: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.» Prandaj, le të vazhdojmë ‘të shpërndajmë njohuri’ me anë të këtij mjeti të efektshëm predikimi.—Prov. 15:7.
[Diçitura në faqen 3]
Ngaqë fletushkat janë të efektshme në predikim, herë pas here do të jenë ofertë e muajit duke filluar nga nëntori.