Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot?
1. Kur do ta trajtojmë broshurën Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot? dhe si do të nxjerrim dobi nga ky shqyrtim?
1 Duke nisur nga java që fillon më 28 tetor, në Studimin e Biblës në Kongregacion do të trajtojmë broshurën Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot? Kjo broshurë e re, e cila doli në Kongresin Krahinor «Ruaj zemrën!», është bërë enkas që t’i drejtojë studentët e Biblës drejt organizatës. Përveçse do të na shtojë çmueshmërinë që jemi pjesë e organizatës së Jehovait, shqyrtimi i kësaj broshure do të na ndihmojë edhe ta njohim më mirë këtë mjet të rëndësishëm për shërbim.—Psal. 48:13.
2. Si do të studiohet broshura në kongregacion?
2 Si do të studiohet? Drejtuesi do ta ndajë kohën që t’i kushtojë të njëjtën vëmendje secilit mësim. Do ta nisë secilin prej 28 mësimeve duke lexuar pyetjen që është edhe titulli i mësimit. Pastaj do të ftojë lexuesin të lexojë paragrafin hyrës dhe do t’i bëjë auditorit një pyetje që e ka përgatitur vetë. Më tej, çdo pjesë që nis me një shprehje me shkronja të zeza duhet lexuar dhe trajtuar më vete. Pasi të lexohet pjesa, drejtuesi do të ftojë auditorin të tregojë si i përgjigjet kjo pjesë pyetjes që është edhe titulli i mësimit. Broshura përmban edhe shumë ilustrime të cilat mund të komentohen. Shkrimet kyçe duhen lexuar në varësi të kohës. Para se të kalojë në mësimin tjetër, drejtuesi do të bëjë një rishikim duke përdorur pyetjet në fund të faqes. Nëse ka një kuti «Mëso më shumë», do t’i kërkojë lexuesit ta lexojë dhe pastaj do të pyesë auditorin si do të nxjerrë dobi studenti i Biblës nëse zbaton sugjerimin e treguar aty. Për aq sa lejon koha, në përfundim të studimit drejtuesi mund të përdorë titujt e mësimeve si pyetje për rishikim. Mbani parasysh se nuk është e domosdoshme që të ndiqet kjo procedurë kur drejtoni studime biblike.
3. Si mund të nxjerrim plotësisht dobi nga shqyrtimi i kësaj broshure?
3 Që të nxirrni plotësisht dobi, duhet të përgatiteni mirë për mbledhjen. Përpiquni fort të komentoni. Gjatë diskutimit mendoni pse është i dobishëm ky material për studentët e Biblës. Urojmë që shqyrtimi i kësaj broshure të na aftësojë më shumë për të ndihmuar të tjerë të bashkohen me ne e të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Kështu, edhe ata mund të kenë shpresën të jetojnë përgjithmonë.—1 Gjon. 2:17.