Si të gjejmë më shumë gëzim në mbledhje
1 Mbledhjet janë jetësore për mirëqenien tonë frymore. Gëzimi që marrim prej tyre lidhet drejtpërdrejt me atë që bëjmë përpara, gjatë dhe pas mbledhjes. Si mund ta ndihmojmë veten dhe të tjerët për ta mbajtur gëzimin në ndjekjen e mbledhjeve në një nivel të lartë?
2 Përpara mbledhjeve: Përgatitja ndikon drejtpërdrejt në gëzimin që marrim nga mbledhjet. Kur përgatitemi mirë, jemi më të prirur për të kushtuar vëmendje dhe për të marrë pjesë. Veç kësaj, çdo caktim që marrim në mbledhje, duhet të jetë i përgatitur mirë, me synimin për ta përçuar informacionin në mënyrë të saktë, sipas udhëzimeve, si edhe për të nxitur interesin e auditorit. Duhet të bëjmë prova për të qenë plotësisht të përgatitur. Kur kontribuojmë për t’i bërë mbledhjet të gjalla e ndërtuese, gjë që i sjell dobi të gjithëve, përparimi ynë personal bëhet i dukshëm dhe gëzimi që provojmë rritet.—1. Tim. 4:15, 16.
3 Gjatë mbledhjeve: Bërja e komenteve gjatë mbledhjeve mund të na ndihmojë që të gjejmë më shumë gëzim në to. Pjesët që kërkojnë pjesëmarrjen e auditorit, duhen konsideruar si caktime personale për secilin në kongregacion. Komentet që janë të përmbledhura e që lidhen me pikën, zakonisht janë më të efektshme. Tregimi shkurt i përvojave ndërtuese, mund të jetë diçka shumë inkurajuese dhe nxitëse. Ne duhet të jemi të gatshëm t’i përfshijmë ato, sa herë që kjo gjë kërkohet në program. (Prov. 15:23; Vep. 15:3) Kur prezantojmë një pjesë në mbledhje, duhet të flasim me entuziazëm dhe bindje, duke e bërë atë interesante, realiste dhe praktike.
4 Pas mbledhjeve: Shkëmbimi me të tjerët i një fjale të mirë, i një përshëndetjeje miqësore dhe i disa pikave kyçe të trajtuara në mbledhje, do të na sjellë të gjithëve dobi. Ndërsa shprehim gëzimin që ndiejmë kur shohim të rinjtë, të moshuarit, si edhe të interesuarit e rinj që marrin pjesë gjatë mbledhjes, bëjmë që të thellohet më tej dashuria vëllazërore. Në vend që të jemi kritikë ndaj disave që mund të humbin mbledhjet, ne duhet të ndajmë me ta gëzimin që kemi marrë nga ndjekja e tyre, duke i inkurajuar në këtë mënyrë që edhe ata të jenë të pranishëm në to.—Heb. 10:24, 25.
5 Le të mos e privojmë veten nga kjo masë thelbësore që është marrë për të pasur një shkëmbim inkurajimi! (Rom. 1:11, 12) Duke i kontribuar me ndërgjegje çdo përpjekjeje të zellshme që bëhet, të gjithë mund të mbajmë gëzimin në mbledhjet e krishtere.