BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 Qershor f. 27
  • Ndihmoje studentin të vendosë t’i shërbejë Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ndihmoje studentin të vendosë t’i shërbejë Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NDIHMOJE TË DALLOJË PENGESAT
  • NDIHMOJE TË FORCOJË DASHURINË PËR JEHOVAIN
  • NDIHMOJE T’U JAPË PËRPARËSI GJËRAVE TË DUHURA
  • NDIHMOJE TË KAPËRCEJË SFIDAT
  • TREGO SE KE BESIM TE STUDENTI
  • Ndihmoji pa vonesë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mësime nga 40 ditët e fundit të Jezuit në tokë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 Qershor f. 27

ARTIKULLI I STUDIMIT 27

KËNGA 79 Ndihmoji të jenë të pathyeshëm

Ndihmoje studentin të vendosë t’i shërbejë Jehovait

«Qëndroni të patundur në besim! . . . Bëhuni të fuqishëm!»—1 KOR. 16:13.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si t’i ndihmojmë studentët e Biblës të kenë më shumë besim dhe guxim që të marrin vendimin t’i shërbejnë Jehovait.

1-2. (a) Pse ngurrojnë disa studentë të Biblës që të bëhen adhurues të Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

A KISHTE gjëra që të stepnin të bëheshe Dëshmitar i Jehovait? Mbase kishe frikë se kolegët, miqtë ose familja do të të kundërviheshin. Ose ndoshta mendoje se nuk do të arrije kurrë të jetoje në lartësinë e normave të Perëndisë. Nëse je ndier kështu, i kupton mirë ata studentë të Biblës që ngurrojnë të bëhen adhurues të Jehovait.

2 Jezui e dinte se meraqe të tilla mund ta pengojnë dikë që t’i shërbejë Jehovait. (Mat. 13:20-22) Gjithsesi nuk hoqi dorë nga ata që ngurruan të bëheshin dishepuj. Përkundrazi, me shembullin e tij na mësoi si t’i ndihmojmë studentët tanë (1) të dallojnë çfarë i pengon të përparojnë, (2) të forcojnë dashurinë për Jehovain, (3) t’u japin përparësi gjërave të duhura dhe (4) të kapërcejnë sfidat. Si ta imitojmë Jezuin ndërsa përdorim librin Gëzoje jetën përgjithmonë për ta ndihmuar një student të përparojë?

NDIHMOJE TË DALLOJË PENGESAT

3. Çfarë mund ta ketë penguar Nikodemin të bëhej dishepull i Jezuit?

3 Nikodemin, një nga krerët e shquar të judenjve, e pengonte diçka që të bëhej dishepull i Jezuit. Vetëm nja gjashtë muaj pasi Jezui kishte filluar predikimin, Nikodemi e kuptoi se ai ishte përfaqësues i Perëndisë. (Gjoni 3:1, 2) Prapëseprapë, «nga frika e judenjve», vendosi ta takonte fshehtazi. (Gjoni 7:13; 12:42) Ndoshta mendonte se do të humbte shumë po të bëhej dishepull i tij.a

4. Si e ndihmoi Jezui Nikodemin të kuptonte çfarë priste Perëndia prej tij?

4 Nikodemi e njihte mirë Ligjin e Moisiut, por i duhej ndihmë që të kuptonte çfarë priste Jehovai prej tij. Si e ndihmoi Jezui? Ai shpenzoi me bujari nga koha e tij, e madje e takoi Nikodemin edhe natën. Jezui i tregoi hapur Nikodemit se ç’duhej të bënte për të qenë dishepull: të pendohej për mëkatet, të pagëzohej në ujë dhe të tregonte besim te Biri i Perëndisë.—Gjoni 3:5, 14-21.

5. Si mund ta ndihmojmë studentin të dallojë çfarë e pengon të përparojë?

5 Edhe një studenti të Biblës që i kupton mirë Shkrimet, mund t’i duhet ndihmë që të dallojë çfarë e pengon të bëhet Dëshmitar. Ndoshta puna ose kundërshtimi në familje po e shpërqendrojnë nga synimet në adhurimin e Jehovait. Ndaj, lër kohë që ta ndihmosh. Mund ta ftosh për një kafe ose për një shëtitje. Në një atmosferë të tillë të çlirët, studenti mund të ndihet më rehat që të të flasë hapur për sfidat e tij. Inkurajoje të bëjë ndryshimet e nevojshme jo për të të bërë qejfin ty, por për të shprehur dashurinë për Jehovain.

6. Si ta ndihmosh studentin të ketë guximin ta zbatojë atë që mëson? (1 Korintasve 16:13)

6 Kur një student është i sigurt se Jehovai do ta ndihmojë të jetojë sipas normave të Tij, do të ketë guximin që ta zbatojë atë që mëson. (Lexo 1 Korintasve 16:13.) Roli yt është si ai i një mësuesi në shkollë. Kur kujton vitet e shkollës, cilët ishin mësuesit e tu të preferuar? Mbase ata që të ndihmonin me durim të kishe besim tek aftësitë e tua. Po njësoj, një mësues i mirë i Biblës jo vetëm i mëson studentit çfarë pret Perëndia prej tij, por edhe e siguron se me ndihmën e Jehovait, do t’ia dalë të bëjë ndryshimet e nevojshme. Çfarë mund të bëjmë tjetër?

NDIHMOJE TË FORCOJË DASHURINË PËR JEHOVAIN

7. Si i ndihmoi Jezui dëgjuesit që ta forconin dashurinë për Jehovain?

7 Jezui e dinte se dashuria për Perëndinë do t’i motivonte dishepujt të zbatonin çfarë kishin mësuar. Shpesh ai u mësonte dishepujve gjëra që do t’ua shtonin dashurinë për Atin e tyre qiellor. Për shembull, ai e krahasoi Jehovain me një prind që u jep dhurata të mira fëmijëve të vet. (Mat. 7:9-11) Mbase disa nga dëgjuesit e Jezuit nuk kishin pasur një baba të dashur. Përfytyro si do të jenë ndier kur Jezui tregoi ilustrimin për babanë e dhimbsur, i cili mirëpriti krahëhapur djalin që mori rrugë të keqe për njëfarë kohe. Dëgjuesit e Jezuit e kuptuan sa dhembshuri ndien Jehovai për fëmijët e tij në tokë.—Luka 15:20-24.

8. Si mund ta ndihmosh studentin ta forcojë dashurinë për Jehovain?

8 Edhe ti mund ta ndihmosh studentin ta thellojë dashurinë për Jehovain duke i folur shpesh për cilësitë e Tij të bukura. Sa herë që bëni studimin, ndihmoje të kuptojë si e nxjerr në pah ajo që po mëson dashurinë që ndien Jehovai për të. Për shembull, kur të diskutoni për shpërblesën, thekso si tregon kjo masë se Jehovai e do. (Rom. 5:8; 1 Gjon. 4:10) Ka shumë të ngjarë që studentit t’i gufojë zemra nga dashuria për Jehovain ndërsa mendon sa fort e do Ai si individ.—Gal. 2:20.

9. Çfarë e ndihmoi Majkëllin të bënte ndryshime në jetë?

9 Le të ndalemi te shembulli i Majkëllit nga Indonezia. Ai e njihte të vërtetën që i vogël, por nuk ishte pagëzuar. Kur ishte 18 vjeç, Majkëlli emigroi për të punuar si shofer kamioni. Më vonë u martua, mirëpo shkoi sërish të punonte jashtë shtetit larg familjes. Ndërkohë, e shoqja dhe e bija nisën të studionin Biblën dhe bënë përparim. Pasi i vdiq mamaja, Majkëlli vendosi të kthehej në shtëpi që të kujdesej për të atin dhe pranoi të studionte Biblën. Kur po studionin pjesën «Shqyrto më tej» te mësimi 27 i librit Gëzoje jetën përgjithmonë, Majkëlli u prek thellë. Ai s’i mbajti dot lotët tek mendonte sa duhej t’i ishte copëtuar shpirti Jehovait tek shihte Birin e tij të vuante. Majkëlli e çmoi më thellë shpërblesën dhe u ndie i motivuar të bënte ndryshime në jetë e të pagëzohej.

NDIHMOJE T’U JAPË PËRPARËSI GJËRAVE TË DUHURA

10. Si i ndihmoi Jezui dishepujt e parë t’u jepnin përparësi gjërave të duhura? (Luka 5:5-11) (Shih edhe figurën.)

10 Dishepujt e parë e kuptuan shpejt se Jezui ishte Mesia i premtuar, ama u duhej ndihmë që t’i jepnin përparësi shërbimit. Pjetri dhe Andrea kishin ca kohë që ishin bërë dishepuj kur Jezui i ftoi të shërbenin me të në kohë të plotë. (Mat. 4:18, 19) Ata kishin një biznes peshkimi fitimprurës, e me sa duket ishin ortakë me Jakovin dhe me Gjonin. (Mar. 1:16-20) Kur Pjetri dhe Andrea ‘lanë rrjetat’, patjetër që do të kenë marrë masa që familja të kishte gjërat e nevojshme ndërkohë që ata shoqëronin Jezuin. Çfarë i ndihmoi t’u jepnin përparësi gjërave të duhura? Jezui kreu një mrekulli që u forcoi besimin se Jehovai ishte në gjendje t’u siguronte ç’u nevojitej në çfarëdo situate.—Lexo Lukën 5:5-11.

Dy peshkatarë lënë varkat kur Jezui i fton që ta ndjekin. Peshkatarët e tjerë qëndrojnë në varkë dhe qepin rrjetat.

Çfarë mësojmë nga mënyra si i ndihmoi Jezui dishepujt t’u jepnin përparësi gjërave të duhura? (Shih paragrafët 10-11)b


11. Si mund t’i përdorësh eksperiencat e tua për të forcuar besimin e studentit?

11 Ne nuk kryejmë dot mrekulli si Jezui, ama mund t’u tregojmë studentëve me shembuj konkretë si i mbështet Jehovai ata që e vënë në vend të parë. Për shembull, a të kujtohet si të ndihmoi ty Jehovai kur fillove të ndiqje mbledhjet? Mbase t’u desh t’i shpjegoje punëdhënësit se nuk mund të punoje në një orar që të pengonte për mbledhjet. Ndërsa i tregon studentit eksperiencat e tua, shpjegoji si t’u forcua besimi kur pe se Jehovai e bekoi vendimin tënd për ta vënë adhurimin e tij në vend të parë.

12. (a) Pse duhet të ftojmë lajmëtarë të ndryshëm në një studim? (b) Si mund t’i përdorësh videot për ta mësuar me efektshmëri studentin? Jepni një shembull.

12 Studenti do të nxjerrë dobi edhe ndërsa dëgjon të tjerë që kanë bërë ndryshime për ta vënë Jehovain të parin. Prandaj fto në studimin e Biblës bashkëbesimtarë me rrethana e histori të ndryshme jete. Kërkoju të tregojnë si e morën të vërtetën dhe çfarë bënë për t’i dhënë përparësi adhurimit të Jehovait. Veç kësaj, lër kohë që të shikoni me studentin videot nga pjesa «Shqyrto më tej» ose ndonjë video që ke zgjedhur nga pjesa «Eksploro» e librit Gëzoje jetën përgjithmonë. Për shembull, kur të studioni mësimin 37, mund të theksosh mësime me vlerë nga videoja Jehovai do të kujdeset për nevojat tona.

NDIHMOJE TË KAPËRCEJË SFIDAT

13. Si i përgatiti Jezui dishepujt për kundërshtimin?

13 Jezui u tha mjaft herë dishepujve se do të hasnin kundërshtime, madje edhe nga familjarët. (Mat. 5:11; 10:22, 36) Nga fundi i jetës, ai i paralajmëroi se mund të përballeshin me vdekjen. (Mat. 24:9; Gjoni 15:20; 16:2) Jezui i nxiti të ishin të kujdesshëm në shërbim. I këshilloi të mos debatonin me ata që u kundërviheshin dhe të tregoheshin të matur që të mund të vazhdonin predikimin.

14. Si mund ta ndihmojmë studentin të përgatitet për kundërshtimin? (2 Timoteut 3:12)

14 Mund ta ndihmojmë studentin të përgatitet për kundërshtimin duke i shpjeguar si mund të reagojnë shokët e punës, miqtë dhe të afërmit ngaqë po studion Biblën. (Lexo 2 Timoteut 3:12.) Disa shokë pune mund ta tallin meqë po përpiqet të jetojë sipas mësimeve të Biblës. Të tjerë, madje edhe pjesëtarë të afërt të familjes, mund t’i kritikojnë bindjet e tij të bazuara në Bibël. Sa më shpejt ta përgatitim studentin për kundërshtimin, aq më kollaj do ta ketë ta përballojë.

15. Çfarë mund ta ndihmojë një student të përballojë kundërshtimin nga familja?

15 Nëse studenti po has kundërshtim nga të afërmit, mund t’i thuash se kjo nuk është e pazakontë, pasi edhe disa familjarë të Jezuit ishin të mërzitur me të. (Mar. 3:21; Gjoni 7:5) Nxite të mendojë për arsyet pse mund të jenë të acaruar të afërmit. Mbase kujtojnë se po i bëjnë lavazh truri ose thjesht mund të kenë paragjykime për Dëshmitarët e Jehovait. Mësoje studentin të mos e humbasë durimin e t’u flasë me takt të tjerëve, duke përfshirë edhe pjesëtarët e familjes.

16. Si mund ta ndihmojmë studentin të flasë me lezet për bindjet e veta?

16 Edhe nëse të afërmit tregojnë interes për të vërtetën, është e mençur që studenti të mos u shpjegojë njëherësh gjithçka që di. Nëse i mbyt me informacione, të afërmit mund të ngurrojnë të flasin sërish për këto tema. Ndaj inkurajoje të flasë për bindjet e tij në një mënyrë që e lë derën hapur për biseda të tjera. (Kolos. 4:6) Mbase mund t’i nxitë të afërmit të shohin sitin jw.org. Kështu mund të mësojnë më tepër për Dëshmitarët e Jehovait sipas ritmit të tyre.

17. Si mund ta stërvitësh studentin të flasë me ata që kanë ide të gabuara për Dëshmitarët e Jehovait? (Shih edhe figurën.)

17 Mund të përdorësh serinë «Pyetje që bëhen më shpesh» në jw.org, që ta ndihmosh studentin t’u japë përgjigje të thjeshta pyetjeve të të afërmve ose të shokëve të punës. (2 Tim. 2:24, 25) Në fund të çdo mësimi, diskutoni pjesën «Disa thonë» te libri Gëzoje jetën përgjithmonë. Nxite studentin që të bëjë prova për t’i shpjeguar bindjet me fjalët e veta. Mos hezito t’i japësh sugjerime se çfarë të përmirësojë. Këto prova do ta ndihmojnë që ta mbrojë besimin pa ndrojtje.

Gjatë një seance studimi, një motër ndihmon studenten e Biblës të përgatitet për veprën e predikimit. Studentja bën një prezantim duke përdorur fletushkën «Ku mund t’i gjejmë përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës?»

Bëja më të lehtë studentit të flasë për besimin e vet, duke bërë prova që më parë (Shih paragrafin 17)c


18. Si mund ta inkurajosh studentin të bëhet lajmëtar? (Mateu 10:27)

18 Jezui i nxiti dishepujt t’u flitnin të tjerëve për lajmin e mirë. (Lexo Mateun 10:27.) Sa më shpejt të fillojë të predikojë me kongregacionin studenti, aq më shpejt do të mësojë të mbështetet te Jehovai. Si mund ta ndihmosh ta vërë këtë synim? Kur në kongregacion njoftohet se do të ketë një fushatë predikimi, inkurajoje të mendojë ç’duhet të bëjë që të kualifikohet si lajmëtar. Shpjegoji pse shumë veta e kanë pasur më të lehtë të fillojnë të predikojnë në një fushatë. Gjithashtu studenti mund të stërvitet për shërbimin duke bërë pjesë në mbledhjet e mesjavës. Kështu do të mësojë si t’i shprehë bindjet e veta plot siguri.

TREGO SE KE BESIM TE STUDENTI

19. Si tregoi Jezui besim te dishepujt, dhe si mund ta imitojmë?

19 Para se të vdiste e të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve se një ditë do ishin prapë bashkë. Ata nuk e kuptuan se e kishte fjalën për ribashkimin e tyre në qiell. Prapëseprapë, Jezui u përqendrua te besnikëria, jo te dyshimet e tyre. (Gjoni 14:1-5, 8) Ai e dinte se dishepujve u duhej kohë t’i kuptonin disa gjëra, siç ishte shpresa qiellore. (Gjoni 16:12) Edhe ne mund të tregojmë se kemi besim që studenti dëshiron t’i kënaqë zemrën Jehovait.

Sa më shpejt të fillojë të predikojë me kongregacionin një student, aq më shpejt do të mësojë të mbështetet te Jehovai

20. Si tregoi besim te studentja e saj një motër në Malavi?

20 Mos i humb asnjëherë shpresat se studenti dëshiron të bëjë gjënë e duhur. Le të shohim rastin e Çifundos, një motër në Malavi. Ajo filloi të studionte Biblën me Alinafen, një vajzë katolike, duke përdorur librin Gëzoje jetën përgjithmonë. Në fund të mësimit 14, e pyeti studenten se çfarë mendonte për përdorimin e ikonave në adhurim. Alinafja u mërzit dhe ia ktheu: «Kjo është punë për mua!» Çifundoja u merakos se mos Alinafja do ta linte studimin. Gjithsesi vazhdoi të studionte plot durim me të, duke shpresuar se me kohë, ajo do ta kuptonte që përdorimi i ikonave është i gabuar. Ca muaj më vonë Çifundoja i bëri këtë pyetje te mësimi 34: «Çfarë të mirash ke parë deri tani nga ato që ke mësuar për Biblën dhe Perëndinë e vërtetë, Jehovain?» Ajo tregon si iu përgjigj Alinafja: «Përmendi plot gjëra të bukura, një prej të cilave ishte se Dëshmitarët nuk përfshihen në praktika që Bibla i dënon.» Shpejt Alinafja hoqi dorë nga përdorimi i ikonave dhe u kualifikua për t’u pagëzuar.

21. Si mund ta ndihmojmë studentin të vendosë t’i shërbejë Jehovait?

21 Pa diskutim, është Jehovai ai «që e bën të rritet» farën e së vërtetës në zemër. Ama edhe ne mund të bëjmë pjesën tonë. (1 Kor. 3:7) Ne jo vetëm i mësojmë studentit se çfarë pret Jehovai prej tij, por edhe e ndihmojmë ta forcojë dashurinë për Të. Gjithashtu e inkurajojmë ta shfaqë këtë dashuri duke e vënë Jehovain të parin në jetë. Dhe e mësojmë si të mbështetet te Jehovai për të kapërcyer sfidat. Kur i tregojmë studentit se kemi besim tek ai, e ndihmojmë të ketë guximin që të vendosë t’i shërbejë Jehovait.

SI MUND TA NDIHMOJMË NJË STUDENT . . .

  • të dallojë çfarë e pengon të përparojë?

  • ta forcojë dashurinë për Jehovain?

  • t’u japë përparësi gjërave të duhura?

KËNGA 55 Mos kini frikë!

a Dy vjet e gjysmë pasi takoi Jezuin, Nikodemi ishte ende anëtar i gjykatës së lartë të judenjve. (Gjoni 7:45-52) Disa historianë mendojnë se Nikodemi u bë dishepull vetëm pas vdekjes së Jezuit.—Gjoni 19:38-40.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pjetri dhe peshkatarë të tjerë braktisin biznesin e peshkimit për të shërbyer krah Jezuit.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër ndihmon studenten e saj të Biblës që të përgatitet për të predikuar.

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo