E hënë, 22 shtator
Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit [dhe] të Birit.—Mat. 28:19.
A dëshironte Jezui që të tjerët ta përdornin emrin e Atit të tij? Pa diskutim. Ka të ngjarë që disa krerë fetarë të asaj kohe besonin se nuk duhej ta zinin në gojë emrin e Perëndisë ngaqë ishte tepër i shenjtë. Por Jezui nuk i lejoi kurrë traditat që nuk bazoheshin në Shkrime ta ndalonin të nderonte emrin e Atit të tij. Mendo pak për rastin kur shëroi një burrë të demonizuar në rajonin e gerazenëve. Njerëzit në atë zonë u frikësuan dhe iu përgjëruan Jezuit të largohej, ndaj ai nuk qëndroi. (Mar. 5:16, 17) Ama Jezui donte që ata ta njihnin emrin e Jehovait. Ja pse i tha burrit që shëroi t’u tregonte të tjerëve jo çfarë kishte bërë Jezui, por çfarë kishte bërë Jehovai. (Mar. 5:19) Dëshira e Jezuit nuk ka ndryshuar: ai do që ta bëjmë të njohur emrin e Atit të tij në mbarë botën. (Mat. 24:14; 28:20) Kur bëjmë pjesën tonë, kënaqim Mbretin Jezu. w24.02 10 ¶10
E martë, 23 shtator
Për hir të emrit tim ke duruar shumë gjëra.—Zbul. 2:3.
Ç’bekim të pashoq kemi që bëjmë pjesë në organizatën e Jehovait në këto ditë të fundit të trazuara! Ndërsa bota katandiset keq e më keq, Jehovai na ka dhënë një familje të bashkuar me vëllezër e motra. (Psal. 133:1) Gjithashtu na ndihmon të kemi lidhje të forta familjare. (Efes. 5:33–6:1) Veç kësaj, na jep gjykimin e thellë dhe mençurinë që na duhen për të pasur paqe në zemër. Megjithatë duhet të punojmë pa u lodhur që të vazhdojmë t’i shërbejmë me besnikëri Jehovait. Pse? Sepse me raste mund të ofendohemi nga ajo që thonë a bëjnë të tjerët. Gjithashtu mund të na lëshojë zemra nga gabimet tona, sidomos nëse përsëritim shpesh të njëjtat gabime. Ndaj duhet t’i shërbejmë pa u dorëzuar Jehovait edhe (1) kur na ofendon një vëlla a motër, (2) kur na zhgënjen bashkëshorti dhe (3) kur zhgënjehemi nga vetja. w24.03 14 ¶1-2
E mërkurë, 24 shtator
Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.—Filip. 3:16.
Herë pas here do të dëgjosh histori të vëllezërve e të motrave që vendosën ta zgjeronin shërbimin. Ndoshta ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë ose u transferuan ku kishte më tepër nevojë. Nëse ke mundësi ta vësh edhe ti këtë synim, mos ngurro aspak. Adhuruesit e Jehovait duan me gjithë zemër ta zgjerojnë shërbimin. (Vep. 16:9) Po nëse tani për tani e ke të pamundur ta bësh këtë? Mos mendo se ke më pak vlerë nga ata që e kanë këtë mundësi. Gara jonë është një garë qëndrueshmërie. (Mat. 10:22) Mos harro sa e çmuar është për Jehovain çdo gjë që arrin të bësh sipas aftësive dhe rrethanave të tua. Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ta ndjekësh vazhdimisht Jezuin pas pagëzimit.—Psal. 26:1. w24.03 10 ¶11